“Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës”, një enciklopedi e Dibrës në fushën e gjeologjisë dhe të mineraleve


Libri të shëtit maleve e lëndinave, majave e kepave, rrjedhave e liqeneve, minierave e gërmimeve për miniera. Duket sikur autori të merr për dore e të thotë: Eja se do të të tregoj diçka, që ti nuk e ke parë dhe do të kënaqesh. Kjo e bën librin, jo vetëm të këndshëm, por edhe shumë të pranueshëm e të pranishëm edhe për dikë që ka më pak dije për gjeologjinë dhe mineralogjinë. Shumë interesant e kureshtjendjellës për një joprofesionist është, për shembull, kreu i dytë, Mineralet e Dibrës sipas rezultateve nga kërkimet dhe punimet gjeologjike ndër vite. Kërkimet dhe punimet pasohen me perspektivën e kërkimeve. Dhe lexuesi mëson se në bashkinë e Dibrës ka 128 vendburime, objekte dhe shfaqje mineralizimi metalor dhe 79 vendburime, objekte dhe shfaqje mineralizimi jometalor. Mbaj mend, kur vinin e shkonin në anët tona ekipe gjeologësh, me ato këpucët e rënda, çantat e shpinës e çekiçët e gurit. Baballarët, me atë shpirtin e tyre të pastër atdhetar, pyesnin: A thue gjetën ndonji madem? Ç’ar mademi gjetën? A ban vakí me gjet madem florini? (Madem = xeheror, mineral). Sikur të ishin tashti e t’u thoshte inxhinier Veseli këta numra – 128 dhe 79! Mirëpo ata do të donin t’u thoshte edhe vendin ku gjendej aksh madem, se viset i dinin me pëllam(b)ë. Edhe këtë do t’ua thoshte inxhinieri: Për çdo vendburim, objekt a shfaqje mineralizimi etj., inxhinieri jep koordinata gjeografike a topografike.

Universiteti Politeknik i Tiranës
Instituti i Gjeoshkencave
Departamenti i gjeologjisë, Vesel Hoxha, Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës, Botimet M&B, Tiranë, 2022, 597 f. (format A4), 3500 lekë

Nga prof. Hajri Shehu

Përmbajtja e librit “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” shpaloset në tre krerë. Ata janë: Gjeologjia e Dibrës / Mineralet e Dibrës / Rreziku gjeologjik i Dibrës. Libri paraprihet nga një Hyrje e nga një Parathënie dhe mbyllet me Punime të autorit (si autor i vetëm, si autor i parë dhe si bashkautor) dhe një jetëshkrim shkencor të autorit, Curriculum Vitae. Punimet shkencore janë të shumta. Curriculum Vitae është një faqe. Edhe shumë më shumë se një faqe po të ishte, ajo nuk do ta përfshinte dot tërë veprimtarinë dhe tërë punën e tij në Ndërmarrjen Gjeologjike në Bulqizën e kromit, në Ekspeditën Gjeologjike të Peshkopisë, në ekipin e Korabit, në Sektorin e gjeologjisë, Peshkopi (si përgjegjës), në Degën Rajonale Gjeologjike të Peshkopisë (si drejtor), në Ndërmarrjen Gjeologjike, Bulqizë (si drejtor), në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar (SHGJSH), Tiranë, si anëtar i senatit akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, si punonjës shkencor në Departamentin e gjeologjisë të Institutit të Gjeoshkencave, Tiranë. Në vitin 1987 është dekoruar me “Medalje për punë të shquar në miniera e gjeologji” dhe në vitin 2021 me “Certifikatë mirënjohjeje” nga Universiteti Politeknik dhe Instituti i Gjeoshkencave, me motivacionin: “Për përkushtimin e tij të shënuar dhe kontribute të rëndësishme në studimet shkencore”. Me siguri e presin dekorime të tjera.
Libri “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” i prof. Vesel Hoxhës është mirëfilli një enciklopedi e Dibrës në fushën e gjeologjisë dhe të mineraleve, madhor në format, në paraqitjen shkrimore dhe në ilustrime. Dy fotot në kapakun e parë dhe të dytë e përgatisin lexuesin denjësisht për ato që do të lexojë në libër. Sigurisht, për përgatitjen për shtyp dhe botimin, vërtet luksoz, merita i përket shtëpisë botuese M&B. Redaktore letrare është Miranda Goleci. Recensues janë dy profesorë të mirënjohur – Ibrahim Milushi dhe Ilir Alliu.
Në thënien tonë të parë përmendëm fjalën sirecension, pra, jo recension, sepse nuk i njohim gjeologjinë dhe mineralogjinë. Por nga libri i prof. Veselit mësuam jo pak për gjeologjinë dhe mineralogjinë e Dibrës. Mësuam sepse prof. Veseli ka shkruar bukur për Dibrën e gjeologjisë dhe të minierave. Dhe profesori barabitet me dijetarin e arkeologjisë – prof. Adem Bungurin. Të dy profesorët merren me studimin e nëntokës. Të dy profesorët zbulojnë pasuritë e mëdha të nëntokës sonë.
Autori përmend në libër një varg gjeologësh, të zotë e të përkushtuar, me të cilët e ka lidhur profesioni e puna. Fjalët, cilësimet e vlerësimet e tij janë homazh për mundin e punën e tyre të pakursyer në atë sektor aq të vështirë, por aq frytdhënës për ekonominë e vendit. Kur kemi qenë nxënës në shkollën pedagogjike, Peshkopi (1956-1960), dinim emrin e drejtorit të minierës së kromit në Bulqizë, Todi Manço. Ai ishte legjendë për ne. Nuk ishte vendës. Po aq ishte edhe inxhinier Bujar Pata. Profesor Bashkim Lleshi, dibrani ynë, ish-konviktori më i ri i atyre viteve, zë vend të veçantë në gjeologjinë e Dibrës.
Libri të shëtit maleve e lëndinave, majave e kepave, rrjedhave e liqeneve, minierave e gërmimeve për miniera. Duket sikur autori të merr për dore e të thotë: Eja se do të të tregoj diçka, që ti nuk e ke parë dhe do të kënaqesh. Kjo e bën librin, jo vetëm të këndshëm, por edhe shumë të pranueshëm e të pranishëm edhe për dikë që ka më pak dije për gjeologjinë dhe mineralogjinë. Shumë interesant e kureshtjendjellës për një joprofesionist është, për shembull, kreu i dytë, Mineralet e Dibrës sipas rezultateve nga kërkimet dhe punimet gjeologjike ndër vite. Kërkimet dhe punimet pasohen me perspektivën e kërkimeve. Dhe lexuesi mëson se në bashkinë e Dibrës ka 128 vendburime, objekte dhe shfaqje mineralizimi metalor dhe 79 vendburime, objekte dhe shfaqje mineralizimi jometalor. Mbaj mend, kur vinin e shkonin në anët tona ekipe gjeologësh, me ato këpucët e rënda, çantat e shpinës e çekiçët e gurit. Baballarët, me atë shpirtin e tyre të pastër atdhetar, pyesnin: A thue gjetën ndonji madem? Ç’ar mademi gjetën? A ban vakí me gjet madem florini? (Madem = xeheror, mineral). Sikur të ishin tashti e t’u thoshte inxhinier Veseli këta numra – 128 dhe 79! Mirëpo ata do të donin t’u thoshte edhe vendin ku gjendej aksh madem, se viset i dinin me pëllam(b)ë. Edhe këtë do t’ua thoshte inxhinieri: Për çdo vendburim, objekt a shfaqje mineralizimi etj., inxhinieri jep koordinata gjeografike a topografike.
Kreu i dytë (rreth 250 faqe), Mineralet e Dibrës, paraprihet nga një sihyrje – krejt shkencore, sigurisht për një gjeolog e studiues gjeologjie. Pastaj vijnë nëntë studime dhe dy pasqyra. Pasqyrat janë një sintezë shkencore me të dhëna të veçanta. Për nga përmbajtja, shtjellimi i lëndës, formulimet shkencore, fraza gjuhësore, terminologjia, argumentet, të dhënat gjeologjike, prerjet gjeologjike, hartat, grafikët e katalogët, Metalogjenia e Dibrës (te kreu i dytë i librit) sipas periudhave gjeologjike është një studim shkencor, i denjë për t’u paraqitur në çdo katedër gjeologjie a në çdo institut studimesh gjeologjike të Europës. Metalogjenia, – shpjegon autori, – është shkenca që merret me studimin e rregullsive, shpërndarjen hapësinore dhe kohore të mineralizimeve dhe me lidhjet e tyre gjenetike me fazat e zhvillimit gjeologjik të një treve.
Në kreun e dytë janë të dhënat për mineralizimet e vendburimet minerale, madje, edhe për minerale të rralla në Dibër. Jepen të dhëna edhe për naftë e gaz. Dhe më tej, në një nënkapitull jepen të dhëna të llogaritura për rezerva mineralesh: hekur, krom, bakër etj. Një studim skrupuloz dhe një paraqitje skrupuloze për lexuesin. Të dhënat për vendburimet janë krejt konkrete. Është njëlloj, sikur inxhinier Veseli të të thotë: Eja me mua të të tregoj se ku ka hekur, shfaqje hekuri a shenja hekuri. Shih, p.sh., të thëna të tilla: (te) Përroi i Vneshtave, Blliçe; Kthesa e rrugës për në Rabdisht. Është njëlloj sikur të na thotë: Ja ku i keni këtu, poshtë këmbëve tuaja. Më tej është nënzëri: Minerale me rezerva të llogaritura. Kjo thënie të mahnit: Atje nën tokë, me përllogaritjet shkencore gjeologjike janë matur dhe peshuar tonët e xeherorëve (mineraleve). Përveç të dhënave për vendin, pozicionin gjeografik, sasinë e rezervave, jepen edhe të dhëna për cilësinë e xeherorit, veçoritë morfologjike etj. Dhe të gjitha këto, jo për 5 a 10 vendburime, objekte a shfaqje mireralizimesh, por për qindra.
Me të njëjtin skrupulozitet jepen në libër të dhënat për lëndët e ndërtimit në Dibër – mermer, gëlqerorë të mermerizuar, kuarcite etj., për mineralet industriale – talk, asbest, grafit etj., për lëndët e para kimike – bojëra dheu, shtuf etj. Po kaq skrupuloz është katalogu i burimeve ujore për shtatë plansheta kryesore të Dibrës: mali i Korabit, Sllova, Maqellara, Peshkopia, Selishta, Fushë-Muhurri, Fushë-Çidhna. Një punë kolosale, kaq sistemore. Dhe atëherë, mund të thuash bindshëm, që profesor Veseli ka qenë po kaq sistematik e skrupuloz në punën kërkimore në terren e në punën kërkimore-shkencore në kabinet.
Tani, një si parantezë: Inxhinieri flet për naftë në Dibër. M’u kujtua ai pylli i vulfeve që ulen e ngrihen ditë e natë në Patos, Marinëz e gjetiu. Pse, a thua mund të ndodhë kjo edhe te Përroi i Gramës? Sa mirë do të ishte! Autori i librit, profesor Vesel Hoxha, përmend edhe kontributin e dy inxhinierëve rusë për kërkimin e naftës në Dibër. Unë mbaj mend që ata dy inxhinierët kanë mbajtur një leksion në shkollën pedagogjike për ato kërkime te Përroi i Gramës, në Dypjakë. Duhet të ketë qenë viti 1958 ose 1957. Në mensën e madhe të shkollës. Kam qenë nxënës. Po ta kisha dëgjuar me vëmendje atë leksion dhe po të kisha lexuar një libër si ky i profesor Veselit, do të kisha kërkuar t’i vijoja studimet e larta për gjeologji.
Gjeologjia hyn te shkencat e tokës. Brenda këtij koncepti, na u duk shumë interesant dhe shumë formues kreu “Rreziku gjeologjik” në Dibër, me rreth 30 çështje e nënçështje. Shih, p.sh., Rreziqet gjeologjike; Rreziqet gjeologjike natyrore; Tërmetet; Përmbytjet: Rreziqet ortekore; Erozioni; Rrezatimet; Kanionet; Punimet e braktisura; Rrëzimet / Shembjet / Rrëshqitjet; Rezervuarët dhe liqenet; Ujërat e ndotur nëntokësorë; Mbetjet urbane etj.
Inxhinieri ka përshkruar 54 vendrrëshqitje: me koordinata e fotografime. Ky studim pasohet nga një listë me 27 emërtime rrëshqitjesh, të studiuara me kërkesë të njësive administrative vendore dhe 84 rrëshqitje të vrojtuara në suazën e studimeve në vitet 2004-2005 dhe 2009-2016. Për ortekët (rrungajat, rreshpet) inxhinieri jep një listë me 37 vende në Dibër. Dhe na thotë fare qartë pse ndodhin ortekët, cila është mundësia (probabiliteti) e rënies së tyre dhe indirekt – si të ruhemi.
Inxhinieri, profesor Veseli, shkruan edhe për shfrytëzimin pa kriter të inerteve, edhe për gërryerjen (erozionin) e tokave, edhe për ndërtimin e veprave hidroteknike në sipërfaqe karstike, edhe për hinka tokësore, gropa e gropore, lugje e lugina, edhe për kepa e shkrepa, edhe për shpellat (përshkruan mbi 20 të tilla), edhe për mineralizimet radioaktive, edhe për kanionet (përshkruan 8 të tilla në Dibër), edhe për punimet e braktisura (dhe numëron 60 të tilla), edhe për ujërat e pijshëm (menaxhimin e tyre e mosndotjen e tyre / 41 burime përmend), edhe për disa ujëra nëntokësorë me agresivitet sulfatesh. Në hartën e rrezikut gjeologjik janë edhe 41 liqene dhe 26 ujëmbledhës artificialë. Rreziqet teknogjene, domethënë, ato që vijnë nga veprimtaria njerëzore jepen thukët, por me shumë vëmendje. Autori nuk mjaftohet vetëm me shpjegimet e argumentimet shkencore për rreziqet gjeologjike në Dibër (e si model – edhe gjetiu), por jep edhe një varg hartash për to dhe një shpjegues me shenjime për to. Me këto, autori e ka kryer edhe detyrën për t’i mësuar të tjerët të vetëruhen.

Pjesë nga Harta e Rrezikut Gjeologjik të Bashkisë Dibër, rajoni i Reçit, në shkallë 1:50 000

Besojmë, edhe autori i librit, edhe lexuesi ma lejojnë një parantezë të dytë: Për rreziqet nga rrëshqitjet e tokës, autori përmend Përroin e Botës në fshatin Vleshë (njësia administrative – Sllovë) dhe Tallamazin e Shullanit (njësia administrative – Kala e Dodës). E para është në fshatin tim. E dyta – përballë fshatit tim. Në Përrue të Botës (e tregon edhe vetë emërtimi) ka botë, një lloj deltine e përhime në të bardhë. Përdorej për të lyer muret e shtëpive dhe për të bërë çerepë. Në pranverën e vonë, në ditë të caktuara, Përroi i Botës gëlonte nga njerëzit – jo vetëm të fshatit Vleshë, por edhe të fshatrave përreth. Tani nuk shkojnë. Tani ka gëlqere. Edhe unë kam parë rrëshqitje te ky vend. Rrëshqitja tjetër, që përmendet në libër, është Tallamazi. Tallamazi, – thoshin baballarët tanë, – ka qenë katund aq i madh, me aq shumë shtëpi, sa macja kalonte çati më çati. Ai katund nuk ekziston. Tani duket si një krater, po ta shikosh nga lart.
Kreu i tretë i librit vijon me Monumentet e natyrës në bashkinë e Dibrës, me 33 faqe. Me përshkrimet, me fotot me ngjyra e visoret (peizazhet), me thënien lapidare “Historia e tokës nuk është më pak e rëndësishme se historia njerëzore”, të josh të nisesh që nesër për t’i parë e për t’i kundruar ato vise, për të ecur aty e për të mbushur mushkëritë me atë ajër të freskët. Janë monumente e parqe natyrore, vërtet të lakmueshme për çdo dashatar të natyrës. Shihni, p.sh., foton e aloktonit të Gramës dhe do të bindeni për këtë. Aloktoni i Gramës, siç thotë autori, është një dukuri e rrallë, me vlera unike rajonale dhe botërore. Aloktoni është depozitim i formuar larg pozicionit të sotëm. Dhe duket sikur është ”rimbjellë” aty. Inxhinier Veseli e ka fotografuar. Ai është shumë vëzhgimtar, jo vetëm i kokrrizave të gurëve xeherorë, por edhe i shkëmbinjve dhe i hapësirave të mëdha. Përveçse vëzhgimtar, inxhinieri është i përpiktë në gjithçka që përshkruan. Prandaj jep gjithandej koordinatat hapësinore. Kjo pjesë e librit e meriton të ribotohet si libër më vete. Dhe të tjerët do të njohin edhe Dibrën turistike.
Le të kthehemi te fillimi i librit, te kreu i parë. Po të bënim një si përveçim kapitujsh, do të thoshim: Kreu i parë (stratigrafia, magmatizmi, metamorfizmi, tektonika, neotektonika, evolucioni paleogjeografik etj.) është për shkencëtarët; kreu i dytë – për gjeologët: studimor e udhërrëfyes; kreu i tretë – për të gjithë ne qytetarët. Të tre krerët janë të lidhur fort njëri me tjetrin, siç lidhet pjesa me të tërën.
Libri “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” është një studim i shquar kërkimor-shkencor. Dijetarët gjeologë dhe profesionistët gjeologë mund të përveçojnë argumentet shkencore, formulat shkencore, shpjegimet e përkufizimet shkencore, grafikët e diagramet, skicat e vizatimet teknike, hartat topografike e hartat gjeologjike, përfundimet shkencore dhe literaturën shumë të pasur shkencore (rreth 180 vepra e studime vetëm për temën « Stratigrafia, magmatizmi, tektonika »; lexuesi i kualifikuar mund ta shohë vetë literaturën shkencore në fund të çdo çështjeje e nënçështjeje). Kurse ne jospecialistët e joprofesionistët mund të përveçojmë shpjegimet shkencore-popullarizuese për zëra e nënzëra të veçantë, fotot ilustruese, vizën e kuqe, të bardhë ose të zezë të stilolapsit të inxhinierit (shih, p.sh., f. 56-59) mbi hartën, vizatimin, skicën a foton shkencore, që na tregon se deri ku shkon aksh dukuri, proces, gjetje nëntokësore etj. Për ne, jospecialistët e joprofesionistët, vija e kuqe mbi një pamje të gjelbër ose vija e zezë mbi gurë e shkëmbinj është thënia më e saktë e më e qartë shkencore. Fotot. Fotot shkojnë një me një me tekstin shkencor. Ato janë me mbushulli, si një album shumë i këndshëm. Po kaq pa kursim janë edhe ilustrimet e tjera (shih, p.sh., f. 334-344), të cilat mund të barabiten me vetë tekstin.
Libri “Gjeologjia dhe mineralet e Dibrës” na gëzon fort, sepse mësojmë ç’pasuri kemi nën këmbët tona. Më shumë se kaq, na mëson si është toka poshtë nesh. Ne nuk na ka shkuar ndonjëherë ndër mend ta dimë si është, p.sh., toka Arras – Draj-Reç. Na e thonë ato vijat rrushkulluese në hartën formacionore. Ne nuk e kemi ditur sa e vjetër është toka e Dibrës. Na e thotë shkencërisht qartë studimi i prof. Veselit: “Moshat e relievit të Dibrës”. Ja edhe një shembull i thjeshtë: Kemi parë gjipse, kemi shkelur mbi gjipse, kemi zbukuruar me gjips çatitë me tjegulla të kuqe, por nuk kemi parë imazhe gjipsi. Një skulptor a piktor do të nxitonte shumë t’i shihte. Libri na mëson e na bën gjeologë edhe ne të tjerëve. Dhe, për ta përmbyllur, për arsye shkurtësie vlerësimin tonë për librin, themi se ai është për të gjithë ne – për më të diturit dhe për më pak të diturit – sigurisht, sipas leximit të secilit.
Pasi të shihte Sarokolin në fotot e librit, një turist do të donte të ishte vetë mu aty te maja e tij. Edhe një speleolog (studiues i shpellave) do të shpejtonte për te shpellat. Hidrogjeologu e hidrotekniku – te rrjedhat ujore, ujërat minerale dhe ujëvarat. E, përpara këtyre, me siguri ata që do të shpejtonin për te Libri dhe te Dibra, do të ishin mineralologu, gjeodezisti e specialisti i gjeologjisë.
Libri është shumë i vlefshëm për kryebashkiakët e Peshkopisë dhe të Bulqizës, për të gjithë drejtuesit e njësive administrative vendore, për ndërtuesit, investitorët e biznesmenët, për të mbarështuar truallin që duan të administrojnë.
Në libër është një kapitull me rreth 130 faqe, “Rreziku gjeologjik i Dibrës”. Dhe ai u thotë të gjithëve këtyre e na thotë ne të gjithëve: Kujdes! Këtu – po!; atje – jo! Mbase, ky kapitull, po e përsërisim thënien, mund të ribotohet veçmas si libër, për të qenë në tryezat e punës te mjedisorët (ambientalistët) e dashatarët e tokës, për ta shtuar respektin dhe kujdesin që meriton toka.
Libri është për gjeografët e hartografët. Libri është për studiuesit në fushën e gjeologjisë dhe të minierave. Është për studentët e gjeologjisë e të minierave dhe për studentët e gjeografisë. Libri është për mësuesit e gjeografisë, për t’i shtuar shumë dijet e tyre. Libri është për gjeologë e studiues të huaj. A mund të përkthehet? Sigurisht. Të paktën, pjesë të tij.
Libri është për toponimistët, për ata që merren me toponime. Toponimia është shkenca që merret me emrat e vendeve. Tek ato, sidomos te minitoponimet, rrojnë gjuha, historia e gjuhës, etimologjia e gjuhës, historia e kombit, historia e krahinës, arkeologjia e krahinës, bëmat e krahinës, e folmja e krahinës, fjalë të vjetra a të vjetruara, tiparet topografike, bota bimore e bota shtazore, etnobotanika, etnozoologjia, etnopsikologjia etj. Shpesh, tek emërtimet e vendeve mund të shihet edhe njësia (uniteti) e gjuhës (krahaso., p.sh., Gramë në Dibër e Gramë në Karaburun; Mëzeze në Dibër e Mëzez në Tiranë, Rrenz në Dibër e Rrenz në Shkodër). Për shumë arsye – historike, mjedisore, ndërtimore, demografike etj., emri i një vendi mund të harrohet a edhe të humbasë. Kësisoj, është detyrë e ngutshme mbledhja dhe regjistrimi i toponimeve (emërvendeve) të Dibrës.
Në librin e prof. Veselit, çdo vend jepet me koordinata absolute topografike. Dhe koordinatës nuk mund të mos i paraprijë emri i vendit. Janë me qindra emra vendesh (shih, p.sh.,: Breg, Bufëll, Çelias, Gramë, G(j)urrë-Reç, Fushë-Shtrungëz, Kësulë-Lurë, Krejë-Lurë, Lanë-Lurë, Arras, Kullas, Ujëmirë, Setë, Sopanikë, Gjelagjosh, Kacni, Luzni, Pasqyrë, Rreshke, Ponair, Bokase, Shpellas, Shëllinas, Tejz, Shum(b)at, Dipjakë (= Dypjakë), Vajmëdhej, Vorri i Sejmenit etj.) – një pasuri shumë e vlefshme për toponiminë e Dibrës. Dikush që ka ndezëlli (zell) për të qëmtuar e regjistruar toponimet e Dibrës, mund ta vjelë me ëndje librin e profesor Veselit.
Libri i prof. Veselit kontribuon shumë për terminologjinë e gjeologjisë dhe të minierave. Terminologjia është tërësia e termave të një fushe të shkencës. Termi është fjala për një koncept shkencor. Koncepti paraekziston. Ai prodhon termin. Termi jepet me fjalë a togfjalësh. Mbetet zgjedhja e termit, domethënë, e fjalës a e togfjalëshit. Dhe kriteri themelor për zgjedhjen e një termi është që ai ta japë të saktë konceptin. Besojmë që në pjesën më të madhe, konceptet e gjeologjisë dhe të minierave janë ndërkombëtare, domethënë, të gjithëpranuara. Dhe autori, ish-punonjësi shkencor në Institutin e Gjeoshkencave, njëherësh – pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë dhe të Minierave, i sjell gjuhëtarit terminologjinë e gjeologjisë. Themi kështu sepse i kemi parë termat e librit edhe në rrafshin konceptor, edhe në rrafshin gjuhësor, strukturor-fjalëformues. Ata janë ndërtuar sipas tipave fjalëformues e gjedheve fjalëformuese të gjuhës shqipe standarde; shih, p.sh., mineralmbajtës (si naftëmbajtës), magmatizëm, nënzonë, mineralizim, metalor: mineral metalor, mineralogjik, gropore, mbulesor, ujor: burime ujore, hartografim, trajtesë, zjarrdurueshmëri etj.
Gjeologjia dhe miniera janë edhe fushë dijeje, edhe veprimtari praktike. Kjo do të thotë që për arsye të përdorimit të përditshëm, termat mund të kalojnë në përdorim të përgjithshëm, siç ka ndodhur, p.sh., me terma të fushave të tjera: hekurbeton, hekzaklorant, automobilizëm etj. Dhe, kur hyjnë në përdorim të përgjithshëm, termat sjellin dije e qytetërim. Këtej vjen edhe një vlerë tjetër e librit të prof. Veselit. Profesor Veseli e ka bërë shqipen « gjuhë gjeologjike ». Ai i shkruan dhe i përdor drejt fjalët dhe termat. Ai nuk e bën, p.sh., gabimin e shumë vetave që gjips ta shkruajë me g. Besojmë që terma të tillë të librit, si, hartografim, mineralogjik, mbulesor etj. do të përfshihen edhe në Fjalorin e Madh të gjuhës shqipe, që pritet të përfundojë nga fundi i vitit 2023.
Fjala e vyer e inxhinier Veselit na vjen në libër edhe si një sintezë te sythi Koment. Është një sintezë gjithë dije e peshë. Shumë e këndshme për lexuesin. Shumë e vlefshme për specialistin.
Libri është i bukur edhe me formatin e pamjen e tij. Ai i zbukuron raftet e bibliotekave tona. Po të paraqitej për konkurrim për librin më të mirë të vitit, me siguri do të zinte vendin e parë në llojin e tij. Është vepër madhore.