Erblin Iskurti: Kjo klasë politike ka shkatërruar shpresën për të nesërmen më të mirë


I riu dibran në NATO, Erblin Iskurti, rrëfen sakrificat e shkollimit, kujt ia dedikon arritjet, si e sheh Shqipërinë dhe ka një mesazh për rininë…

 Me pasuritë e panumërta nëntokësore e mbi tokësore që Zoti na ka falë, një klasë politike të ndërgjegjshme dhe atdhedashëse do i duheshin vetëm pak vite që ta kthente Shqipërinë në një ndër vendet më të mira për të jetuar. Është e dhimbshme të shohësh që për të tretin vit radhazi rritja natyrale e popullsisë është negative. Më shumë se vjedhjet e pasurive të panumërta gjatë këtyre 30 viteve, ajo që është e pafalshme për klasën politike është shkatërrimi i shpresës për të nesërmen më të mirë.

Nga MINA HYSA

Erblin Iskurti me familjen

Historitë e suksesit të qytetarëve shqiptarë janë lidhur me aftësitë e tyre, duke u përmbushur dukshëm në arsimim dhe punësim, si dhe duke spikatur në fusha të caktuara, në Shqipëri apo diasporë. Shqiptarët e punësuar në institucione të rëndësishme shtetërore në vendet ku punojnë dhe jetojnë në Perëndim, nuk janë më tabu. Intervista e mëposhtme është për me punonjës, qytetar i Shqipërisë, që ndodhet në aparatin e NATO-s .Rrugëtimi i tij për të qenë sot pjesë e kësaj organizate shumë të rëndësishme, është një sakrificë më vete, por ai i ka hedhur hapat një nga një, i sigurt, për të qenë sot një histori suksesi e merituat. Ai quhet Erblin Iskurti.

Rrugëtimin e tij e ka nisur nga vendlindja, Dibra, ndoshta nga aty me rrënjë të forta duke përfunduar arsimin e mesëm në vitin 2006 dhe duke marrë rrugën drejt kryeqytetit për të studiuar për Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës, deri në vitin 2009. Më pas, në harkun kohor të një viti, do siguronte vizën dhe do të zhvendosej në Bruksel. Në vitin 2011 do të niste Masterin në Belgjikë dhe 5 vite me vonë do t’i krijohej mundësia të punonte në NATO, organizatën më të madhe për Paqen dhe Sigurinë në Botë.

Erblin Iskurti, pas përfundimit të studimeve, mbrojti tezën me analizimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe përfitimet e dyanshme të këtij procesi. Fillimisht do ti hapeshin dyert në këtë organizatë si konsulent i jashtëm dhe tani pjesë e organikës së saj.

 Kur dhe ku e ke mbaruar arsimin e  mesëm? Çfarë kujtimesh mbartni nga Peshkopia?

Shkollën e mesme e kam mbaruar në vendlindje, në qytetin e Peshkopisë. Ka qenë një gjimnaz me shumë nivel dhe kjo dëshmohet fare lehtë nga arritjet në studime e me vonë në karrierë si brenda edhe jashtë Shqipërisë të shumicës së maturantëve të atij brezi. Në vitin e katërt kam qenë edhe senator i klasës dhe president i shkollës, i zgjedhur pothuajse në mënyre unanime nga senatoret e të gjitha viteve. Mendoj se kemi qenë të privilegjuar që patëm mundësi të kryenim shkollën e mesme në një qytet të vogël si Peshkopia, ku shoqëria kalonte shpesh edhe brez pas brezi nga prindërit te fëmijët, sepse na dha një bazë të shëndoshë dhe shumë të fortë për të ecur përpara. Edhe pas kaq vitesh kemi ruajtur kontaktet dhe mundohemi të organizohemi sa herë të jetë e mundur me shumë nga shokët e shoqet, pavarësisht rrugëve që kemi marrë apo vendeve ku jetojmë.

Studimet e larta i mbarove në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale, dega Shkenca Politike. Çfarë kujtoni nga koha e studimeve?

Pasi mora bazën e shëndoshë në vendlindje, studimet e larta i kreva në Universitetin e Tiranës, Fakultetin e Shkencave Sociale, Dega Shkenca Politike. Tani që kthej kokën pas, kuptoj që kam qenë me fat edhe në këtë aspekt. Në gjykimin tim, Fakulteti i Shkencave Sociale mund të ishte ndër më pak të korruptuarit dhe gjithkujt i jepej ajo që meritonte. Mendoj se ky është një problem jashtëzakonisht i madh në shoqërinë tonë, pasi ashtu siç thithim dijen, mbase dhe më lehtë brumosemi edhe me korrupsionin, kur këtë e ndeshim në vendet dhe nga personat që supozohet të na mësojnë se si ta luftojmë atë. Pikërisht kjo gjë ndikoi edhe në rrugëtimin tim të mëvonshëm dhe zgjedhjen që bëra për të përfunduar ciklin tjetër të studimeve jashtë Shqipërisë. Gjatë periudhës së studimeve tentova të angazhohem në politikë me forumet rinore, duke kërkuar të ndërtoj vetë diçka, në vend që të tentoja të futesha në pozicione më komode nëpërmjet njohjeve apo ndereve. Përveç kësaj, arrita të zgjidhem si përfaqësues i Shkencave Politike në senatin e Fakultetit dhe u zgjodha në postin e zv.Presidentit të Fakultetit të Shkencave Sociale, ku përveç Shkencave Politike, kishte përfaqësues të Psikologjisë, Sociologjisë dhe Punëve Sociale.

Më pas u zhvendoset në Bruksel duke kryer Masterin. Përse një vendim i tillë?

Mendoj se kanë qenë dy arsye primare që më bënë të marr vendimin të vazhdoj studimet e mia jashtë Shqipërisë. Së pari e pashë që ishte pothuajse e pamundur që të ecje vetëm në bazë të meritokracisë dhe të ngjiteshe lart e të bëje karrierë. Duke qenë se jam rritur nga dy prindër për të cilët meritokracia ishte e shenjtë dhe kanë sakrifikuar gjithçka, përfshirë karrierën e tyre, vetëm e vetëm të mos shkelnin parimet dhe vlerat që ato besonin, është e kuptueshme që punësimi dhe karriera partiake pa meritokraci nuk ishin një opsion për mua. Së dyti, e pranoj që ishte absolutisht tërheqëse ideja që të përfundoja studimet në marrëdhënie ndërkombëtare në një ndër universitetet më të mira europiane dhe, për më tepër, në kryeqytetin e Europës, ku gjenden edhe selitë qendrore të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Sigurisht që rrugëtimi nuk ka qenë shumë i lehtë, por edhe arritjet të shijojnë më shumë pas vështirësive. Gjatë studimeve isha pjesëmarrës që në mbledhjen e dytë të krijimit të organizatës studentore shqiptare në Belgjikë, Vlera. Kjo organizatë studentore mbledh pranë vetes me qindra studentë shqiptarë nga Universitetet e Brukselit (ULB, VUB etj.), ashtu edhe nga rrethet e tjera si Universiteti Leuvenit, Gentit, Anversit, Liegit, Monsit etj. Që nga krijimi e në vazhdim kjo organizatë studentore ka mbajtur kontakte dhe ka kontribuar në çdo aktivitet të organizuar nga Ambasadat e Republikës së Shqipërisë e të Republikës së Kosovës në Belgjikë.

Sot jeni i punësuar në NATO. A mund të na rrëfeni fillimet tuaja aty dhe çfarë funksioni keni aktualisht?

Në mbyllje të studimeve të mia, mbrojta tezën me analizimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në NATO dhe përfitimet e dyanshme të këtij procesi. Në momentin që vendosa të vazhdoja studimet në Belgjikë në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Siguria, Paqja dhe Konflikti Ndërkombëtar – e kisha një dëshirë të fshehur të arrija të punoja në organizatën më të fuqishme ndërkombëtare dhe simbolin e mbrojtjes së demokracive perëndimore që nga krijimi i saj, NATO-n. Mundësia u shfaq në 2016, kur mu ofrua të filloja si konsulent i jashtëm në një ndër drejtoritë më të mëdha të Agjencisë së Komunikimit dhe Informacionit, në bazën kryesore ushtarake të NATO-s në SHAPE. Për rreth 2-3 vite punova në mbështetje të drejtpërdrejtë të drejtorit, duke u marrë më së shumti me çështje të menaxhimit të një stafi prej mbi 300 personash. Pas kësaj përvoje, m’u dha mundësia që të kaloja në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel, në ekipin ekzekutiv të menaxhimit të agjencisë dhe të punoj drejtpërsëdrejti për shefin e stafit dhe kreun e agjencisë së mbi 3000 të punësuarve, ushtarakë dhe civile. Aktualisht, jam koordinator i ekipit të oficerëve të ndërlidhjes së agjencisë me gjithë organizmat e tjerë të NATO-s si dhe jam pjesë e skuadrës së këshilltarëve strategjikë për kreun e agjencisë dhe shefin e stafit.

Cili është mesazhi që keni për të rinjtë veçanërisht në Shqipëri?

Të rinjve ju them që të mos pranojnë askënd të ju shkatërrojë të ardhmen dhe të mos bëjnë kurrsesi kompromis me të keqen. Të ëndërrojnë natën dhe ditën të punojnë që të realizojnë ëndrrat e tyre. Nuk duhet të ndalen para vështirësive të shumta që mund të kalojnë rrugës, të bëjnë kompromise të përkohshme, por sigurisht pa shkelur në parimet e tyre, dhe të jenë të fokusuar tek objektivi final. Nuk ka kënaqësi më të madhe kur pas një lodhje e sprovash të ndryshme, arrin atje ku ke synuar.

Kujt ja dedikon arritjen tënde?

Rolin parësor në gjithçka kam arritur dhe do të arrij në të ardhmen e ka familja. Nëse ka diçka që mendoj se duhet të jemi pafund mirënjohës është uria e prindërve shqiptarë për arsimimin e fëmijëve të tyre. Sigurisht, ndikuar edhe nga shumë faktorë, mes të cilëve pamundësia e shkollimit nën regjimin e kaluar, shtysa, mbështetja dhe sakrifica e tyre për shkollimin tonë nuk ka të krahasuar.

Në një farë mënyre unë isha i dënuar të dilja mirë në mësime pasi një pjesë e mirë e mësuesve të mi ishin formuar nga gjyshi im, profesori i matematikës e fizikës, i ndjeri Shefik Iskurti. Kështu që kisha një detyrim moral të isha “nipi i denjë” i profesor Shefikut.

Si e shikoni politikën dhe të ardhmen e Shqipërisë?A e keni opsionin kthimin në Shqipëri?

Për fat të keq politika në Shqipëri ka ardhur duke u degraduar dhe jo në përmirësim. Edhe pas më shumë se 30 vitesh pluralizëm politik, akoma nuk kemi demokraci të konsoliduar. Kemi një demokraci hibride që herë-herë është me afër autokracisë sesa demokracisë. Në gjykimin tim, kemi një klasë politike të papërgjshme, krahasuar edhe me vendet e tjera të rajonit dhe duket sikur nuk e kanë ndjenjën e llogaridhënies. Janë konfliktual dhe aspak të interesuar në interesin publik, por vetëm në atë personal e partiak. Edhe në krahasim me vetveten, po ta shohim statistikisht, kemi një ndër klasat politike me pak të shkolluara të historisë 30-vjeçare post komuniste. Kjo duhet absolutisht të ndryshojë. Me pasuritë e panumërta nëntokësore e mbi tokësore që Zoti na ka falë, një klasë politike të ndërgjegjshme dhe atdhedashëse do i duheshin vetëm pak vite që ta kthente Shqipërinë në një ndër vendet më të mira për të jetuar. Është e dhimbshme të shohësh që për të tretin vit radhazi rritja natyrale e popullsisë është negative. Më shumë se vjedhjet e pasurive të panumërta gjatë këtyre 30 viteve, ajo që është e pafalshme për klasën politike është shkatërrimi i shpresës për të nesërmen më të mirë. Në mendimin tim, pesha kryesore e fajit është e qeverisë, por në humbjen e shpresës në të ardhme sigurisht që një pjesë të vogël faji ka edhe opozita, që nuk është e besueshme se do sjellë atë që i nevojitet një familje për të qenë të sigurt të rrisin fëmijët e tyre në atë vend.

Mendoj që një ndër arsyet kryesore që Partia Demokratike erdhi në pushtet në 2005 ishte hapja e partisë dhe thithja e ideve dhe figurave të reja nga të gjitha fushat. Dhe mendoj që, pikërisht kjo gjë i ka munguar PD-së gjatë viteve të fundit, që kombinuar me keqqeverisjen dhe korrupsionin e Rilindjes, shuan shpresën e qindra mijëra shqiptarëve që kërkuan azil në BE, më shumë edhe se shtetasit nga vendet në konflikt si Afganistani, Iraku etj.

Duke qenë i pasionuar me politikën dhe duke marrë parasysh dashurinë e madhe për vendlindjen, jam gjithmonë me një sy e një vesh atje duke ndjekur të gjitha zhvillimet politike. Në mendje me ka kaluar disa herë mendimi që të kthehem e të kontribuoj në vendin tim, dhe besoj që një ditë do e bëj. Por nuk besoj se është akoma momenti i duhur. Duhet të jem i duruar për mundësinë e duhur, në mënyre që kontributi im dhe përdorimi i eksperiencës së marrë gjatë gjithë këtyre viteve në Belgjike dhe NATO, të ketë një ndikim në Shqipëri. Për fat të keq, nuk e kam parë diçka të tillë deri me sot, por shpresoj që një ditë kjo mundësi do të krijohet.