Botohet libri “Një jetë maleve, kujtime 5” me autor Bashkim Lleshi


“Një jetë Maleve – Kujtime 5”, me autor prof. Bashkim Lleshi, doli nga shtypi në shkurt të këtij viti nën logon e botimeve M&B.
Ky vëllim vjen pas katër vëllimeve të mëparshme me të njëjtin titull, ku përfshihen kujtime dhe ditare nga fëmijëria dhe shkolla (Kujtime 1), puna në Bulqizë dhe e Peshkopi (Kujtime 2) në Institutin e Gjeologjisë dhe Minierave (1978-1984) (Kujtime 3), në Ndërmarrjen Gjeologjike dhe drejtorinë e Albkromit (1984-2008) (Kujtime 4).
Në këtë vëllim përshkruhen kujtimet e autorit gjatë viteve në pension, nga 1 shtatori i vitit 2008 deri më 31 dhjetor 2015, jetë e cila ka vazhduar të jetë në lëvizje, aktive dhe e gjallë, jo vetëm në drejtim të vazhdimit të punës produktive profesionale, por edhe në drejtim të aktivizimit në detyrat shoqërore sidomos me Shoqatën Lidhja e Intelektualëve Dibranë (LID).
Gjatë periudhës së pensionit shtator 2008-dhjetor 2015 prof.dr.Bashkim Lleshi ka vazhduar punën në “Degalbanev” Studio Tiranë për kryerjen e Studimeve Gjeologjike për marrje leje të kërkim zbulimit të mineraleve të dobishme; Studime gjeologo-inxhinierike për sheshe ndërtimi të objekteve të ndryshme; Studime e relacione hidrogjeologjike për puse uji; Relacione Gjeologjike për minerale të ndryshme metalorë e jo metalorë; Vrojtime në zona e objekte të ndryshme: Për mineralin e kromit të Majës së Shinit dhe Fush Lopës (shtator, tetor 2008), Ranorët e Krahësit Tepelenë (shtator 2008); Gjipset e zonës Guri i Bardhë-Shkallnuer (maj 2010), etj., konsulenca e takime për probleme të mineraleve të dobishme, etj. Jam aktivizuar me kontrata pune vjetore me kompaninë turke “KURUM” për nevojat e saj për mineralet e dobishme metalore e jo metalore nga viti 2004 deri në vitin 2014, duke përgatitur studime e relacione: për Mineralin e Titano- magnetiteve të Kashnjetit, Hekur-Nikelin e Nikelin silikat të Lurës e Librazhd Pogradecit, Hekurin pa nikel në zonën e Korabit, Gjipset dhe Anhidritet e Shqipërisë, Rërat bituminoze të Patosit dhe Selenicës, Gjeologjia dhe perspektiva mineral mbajtëse e Kosovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, prof.dr. inxh. Bashkim Lleshi ka shkruar e botuar librat profesionalë: “Gjeologjia e Rrugës së Arbërit” (2008) dhe “Shkëmbinjtë dhe mineralet industrialë (jo metalorë) të Shqipërisë” (2010).
Në faqet e këtij libri rëndësi i kushtohet ndjekjes me përparësi të punës për ndërtimin e Rrugës së Arbërit (RA). Duke parë ndryshimet që po pësonte studimi i fizibilitetit të kësaj rruge në projektet e zbatimit, ka shkruar artikuj lidhur me problemet e hasura gjatë ecurisë së ndërtimit të Rrugës së Arbërit, në gazetën “Rruga e Arbërit”, ka marrë pjesë në ekskursion me TV Dibra përgjatë aksit të rrugës (nëntor 2012), ka drejtuar ekskursionin e LID në bashkëpunim me shoqatën Nisma Dibrane, nga Ura e Vashës në Qaf Murrizë- Zall Dajt-Brar, sipas aksit të saj (gusht 2013).
Një vend të rëndësishëm zë aktivizimi i tij në kryesinë e shoqatës LID, marrja pjesë pothuajse në të gjitha aktivitetet e kësaj shoqate dhe përshkrimi i këtyre aktiviteteve, si: Në 100 vjetorin e Kongresit të Dibrës (korrik 2009), festën e mësuesit (mars 2010), aktivitetin kushtuar mësuesit e poetit të shquar dibran Naim Plaku (dhjetor 2010), ndarjen e tij nga jeta dhe përkujtimin e 1 vjetorit (korrik 2014, korrik 2015), ndarjen nga jeta të sekretarit të LID Hasan Leka (mars 2012), aktivitet për ditëlindjen e kryetarit të LID, Mësuesit të Popullit prof. Nuri Abdiu (mars 2013), ndarjen e tij nga jeta (prill 2014), në Panairin e librit dhe 20 vjetorin e “Odës Dibrane” në Peshkopi e Dibër (tetor 2014), në aktivitetet për marrjen e titullit “Qytetar Nderi i Peshkopisë” të: Nuri Abdiu (maj 2015) e Nazmi Koçi (korrik 2015).
Përshkruhen gjithashtu marrja pjesë në aktivitete shoqërore e patriotike si: Inaugurimin e bustit të Skënderbeut në Peshkopi (qershor 2009), dhurimin e Bibliotekës së shkencëtarit dibran Azmi Dibra në Dibër të Madhe (nëntor 2010), në përkujtimin e 65 dhe 70 vjetorit të Brigadës së 18-të dhe çlirimit të Peshkopisë (gusht 2009, 2013), aktivitetin për 100 vjetori i lindjes së Heroit të Popullit Haxhi Lleshi (maj 2013), Inaugurimin e Përmendores kushtuar Betejës së Torviollit në Fushë Çidhën (nëntor 2014), ndarja nga jeta e veteranit të LANÇ, Kalosh Daci (mars 2015) dhe 90 vjetori i hapjes së shkollës shqipe në fshatin Zogje të Dibrës (nëntor 2015).
Marrja pjesë në aktivitete shoqërore, promovime librash, dekorime, takime, ndarje nga jeta e përkujtimore për shokët e shkollës e të punës, etj. si: Aktivitet për Marie Shllaku, Promovimi i librit “Toponimet e Çidhnës” me autorë Haki Përnezha e Ruzhdi Bitri; Takime përkujtimore për inxh. Todo Manço, inxh. Koço Gushi dhe prof.dr. Agim Dobi; Takim për 90 vjetorin e SHGJSH dhe me gjeologët e Bulqizës e Burrelit, darka për mbylljen e vitit 2016 në SHGJSH; Përkujtimore për ndarjen nga jeta në periudhën 2008-2015 të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të vjetër të shkollës e të punës: Adli Baholli, Agim Dobi, Agim Tërshana, Bajram Bruçi, Bujar Pata, Burhan Çiraku, Dashamir Bisha, Elez Xheka, Hasan Hajdari, Minella Shallo, Pali Miska, Polikron Theodhori e Virgjil Budo.
Gjatë kësaj periudhe Bashkim Lleshi ka botuar librat: “Djemtë e Llesheve të Gjurit” (qershor 2008), “Dezdemona” (2011), “Fisi Lleshi i Zogjeve të Dibrës” (2012), “Haxhi Lleshi në 100 vjetorin e lindjes” (2014). Gjithashtu, ka botuar në gazetën “Rruga e Arbërit” artikuj për origjinën e fisit Gropaj, prejardhjen e fshatit Zogje dhe për Macukullin, fshatin e historisë së vjetër dhe investimeve të reja, si dhe ka vazhduar të hedhë në kompjuter nga ditarët e tij.
Ka vazhduar gjithashtu të grumbulloj materiale për fiset Daci, Markja, Leka, Kaja e Suti, etj. të fshatit Zogje, që ashtu si për fisin Lleshi të botoj librat e fiseve të tjerë të këtij fshati, si dhe ka vazhduar të mbaj ditar të rregullt për të shkruar kujtimet familjare, marrja pjesë në ceremonitë e gëzimit, në fejesa e dasma të familjarëve e të afërmve, marrja pjesë në ceremonitë e hidhërimit, pushimet dhe ekskursionet familjare, etj. të cilat ka menduar që t’i shkruaj më vete për përdorim nga familjarët, të afërmit dhe miqtë e familjes së tij.
Bujar Karoshi