Selman Karoshi, njeriu që u afirmua me punë e sakrifica


Nga Dali Noka

Selman Karoshi me bashkëshorten, Sulltanen.

Ashtë kënaqësi të shkruash për njerëz që i kanë dhanë familjes, vendit dhe shoqërisë.
Njeriut që jetoi gjithë jetën e tij si njeri me vlera dhe i përkushtuar, ndërroi jetë duke lënë gjurmë pas. Ky ishte Selman Karoshi!
Shumë vite që është nda nga ne, por ai jeton, në zemrat tona.
Ishte nji model në marrëdhëniet shoqërore. E ushqente shoqërinë me traditat e shkëlqyera që ka krahina e Çidhnës. Veçanërisht me frymën e patriotizmit, traditave e zakoneve të këtij vendi. Njihte dhe e transmetonte historinë e krahinës së Çidhnës, të Dibrës e mbarë vendit, kishte njohuri dhe për historinë e vendeve fqinje.
Selmani duhej të ishte i tillë se vinte nga nji familje e njohur në zonë. Të parët e tij njiheshin për virtytet e besnikërisë dhe besës, urtësisë dhe mikpritjes. Vëllai i tij i madh, Kadriu, ishte një burrë i matur, i urtë dhe Selmani kishte marrë prej tij durimin. Vendlindja e tij, fshati Fushë-Alie, fshati ku ka zhvillue veprimtarinë e tij plaku i nandë maleve të Dibrës, patrioti e luftëtari Salë Demiri, kishte ndikuar shumë në personalitetin e Selmanit. Ai ishte nipi i fisit të njohur Noka. Selmani nuk ishte vetëm nipi i gjithë fshatit Grykë Nokë por edhe më tej. Të gjithëve ju thërriste daja e halla.
Siç dihet se nipat vlerësohen sipas shkallës së njohjes: Nip vetëm i nji dere, nip i gjithë fisit, nip i gjithë fshatit.
Selmani i takonte njohjes së madhe! Që e njeh i gjithë katuni, krahina e më gjerë. Lidhja me masën e gjerë të popullit, e bani që të respektohej nga të gjithë. Ishte nji orator i vërtet, fliste me pasion. Lidhja me popullin e bani që të ketë reputacion. Emri i tij do të përmendej kudo në krahinën e Çidhnës. Shquhej për alegorinë e tij, ai bisedonte këndshëm me të gjitha moshat.
I hapej dera kudo që drejtohej pasi nuk e pengonte asgjë. E meritonte me çiltërsi pritjen, futej kudo edhe pa trokitur. Ishte i respektuar dhe respektohej nga të gjithë. Me dajat e tij mbante lidhje të ngushta por i vlerësonte edhe hallat. Në biseda ishte i qeshur dhe mue humor. Njëherë, ishte për drekë ishte te daja, ku pritet me shumë dashuri. Për të respektuar nipin, halla i kishte gatuar petulla me mjaltë. Sapo halla erdhi, nipi mori një petull në dorë me përmasa sa ishte fterja (tigani). I drejtohet hallës: Hallë e dashur, të dua shumë, të jap një porosi. – Kur të vdesim, unë edhe ti, të jemi në një varr. Me dhimbje halla i thotë: ti je i ri. Ai i thotë: Hallë në një varr, por mos harroni të na merrni fteren që të na bani petulla dhe atje.
Buzëqeshja ishte prezente, motiv i dajës e nipit. Nji ditë në drekë do të trokiste në derën e Mërsimit në fshatin Çidhën, ngjitur me fshatin Grykë-Nokë. Aty e pret me kënaqësi zonja e shtëpisë. Hallë shpejt bukë se kam nji punë të ngutshme. Halla atë që kishte, bukë misri e shëllirë, vjen djali pa e pyetur e i flet nanës: kështu e pret Selmanin? Nana i thotë: – bir i dashur, ai vetë më tha shpejt se kam punë. Selmani, duke qeshur, – si gjithmonë, i thotë: “Hallë, hallë unë nuk ta fsheha fteren”.
Halla, duke qeshur, e merr fteren me gjalpë, e shkrin dhe e hedh në pjatën me gjizë dhe ja afroi në sofër. Kjo sepse në atë kohë vetëm një lopë kishim dhe buka e misrit ishte me racion. Pra çiltërsia e ushqen moralin.
Kur takonte njerëzit ai kishte një shprehje dashamirëse, vetëm për të qeshur!
Burrave, ju uronte ju rroftë gruaja, ndërsa grave ju uronte ju rroftë burri. Pasi e vlerësonte pamasë marrëdhënien bashkëshortore dhe familjen.
Ishte shumë arsimdashës. Këtë e përcillte te fëmijët e tij e të tjerët. Ja dy raste të jetuara.
Nji ditë merr në telefon sekretarin e përgjithshëm të partisë së rrethit, dhe i thotë: Djalin e madh dua ta shkolloj, por nuk më kanë dhanë të drejtë studimi! Ai e pyet se ku doni ta regjistroni djalin. Selmani i përgjigjet: Edhe shkollë qensh le të jetë, vetëm djali të mos më ngelet pa shkollë. Pas pak ditësh e njoftuan se djali do vazhdojë studimet në shkollën ushtarake. Ky lajm e gëzoi shumë, dhe na thirri për kafe. Unë në atë kohë ndiqja arsimin profesional pas pune në Peshkopi. Nji ditë dimri, sa dola tek porta e godinës, stepa. Ishte acar. Papritur më prekën dy duar mbi shpinë, më shtynë nga pas, ishte Selmani dhe reagoi: se je i ri, shkolla do ta sigurojë punën, vërtet ashtu ndodhi. Jeta asht luftë, lufta do mendje, u shpreh ai.
U ba i njohur në krahinën e Çidhnës. Me humor e kaloi jetën e tij! Fati e ndoqi pas ai pati njeriun e duhur si bashkeshorte. Sulltana vinte nga një familje e njohur ne Fushë-Alie siç ishtë Përnezha. Ishin me të vërtetë nji çift i lumtur, buzagaz e të përkushtuar për jetën. Rritën dhe edukuan plot 9 fëmijë, 7 djem dhe 2 vajza. Selmani krijoi nji rreth të gjerë shoqëror.
Ishte nga ata burra që ta hijeshonte konakun. Ai komunikonte rrjedhshëm me të gjitha moshat. Fjala e tij kishte peshë, brenda saj qendronte karakteri e sinqeritetit. Fliste si një orator i vërtetë, bisedat i mbyllte me humor, përdorte dhe alegorinë e Dibrës, kjo e bënte që fjala e tij të dëgjohej me kujdes. Ai porosiste: Ligjet e shtetit duhen zbatuar, por kujdes me popullin.
Selmani njihte dhimbje për fatkeqësitë e të tjerëve. Ishte i përkushtuar për të ba ma të mirën e duhur.
Humanizmin e kishte në shpirt. Ja si kishte vepruar në një rast konkret. Në dhjetorin e acartë të vitit 1968, nji udhëtar vinte nga Peshkopia drejt Kalisit të Kukësit. Nga të ftohtit, sapo kalon fshatin Fushë-Alie mbeti i pajetë. Sa mori vesh këtë lajm të hidhëruar, Selmani bashkë me bashkëfshataret e tij, nisen për në vendin e ngjarjes. Deshën ta varrosnin në vend, por Selmani e kundërshtoi duke argumentuar se këtu asht toka ime. Prandaj kjo kufomë e ka vendin tek varrezat e fshatit, pranë prindërve të mi.
Ishte ky burrë që mori përsipër të gjitha shpenzimet e varrimit, duke realizuar të gjitha ritet fetare deri tek Kurbani. Udhëtari u varros me nderime nga gjithë fshati Fushë-Alie. Ai kishte qenë Rexhep Sula nga fshati Bushtricë i Kukësit. Prej asaj kohe dy fëmijët mbajnë marrëdhënie vëllazërore.
Pra u bënë vëllezër hatikati, siç dihet se hatikati vlerësohet më shumë se gjaku. Selmani asht provuar si njeri i qëndresës para fatkeqësive. Në vitin 1972 do të përballon tragjedinë më të madhe për një prind. Vogëlushi 7-vjeçar bie në lumin Drin dhe nuk del i gjallë. Jo vetëm kaq, por dhe djali 16-vjeçar vdiq në klasën e mësimit nga një infarkt.

Arsimi dhe detyrat që ka kryer.

Në vitin 1925 ka mbaruar 2 klasë fillore në shkollën Fuzë, në fshatin Arras. Me ndërhyrjen e dajës së tij, Haxhi Noka, u regjistrua në Internatin e Kastriotit me profesorë të dëgjuar, aty kreu 3 klasë. Në moshën 20 vjeç, pasi kreu shërbimin ushtarak, bani dy vjet shkollë ushtarake jashtë vendit. U kthye me gradën Aspirant. Meqenëse nuk pranoi pjesëmarrjen në luftën italo-greke, u burgos.
Pas largimit të Italisë, thyen burgun dhe bashkë me shokët e burgut, ju bashkuan Lëvizjes Nacionalçlirimtare.
Në vitin 1943, u kuadrua në brigadën 7, me gradën Kapiten i parë, në përpjekje me armikun asht plagosur gjatë betejës. Për merita të veçanta asht dekoruar me “Medaljen e Çlirimit”.
Në vitin 1953, me një vendim të posaçëm, bashkë me shumë të tjerë u çmobilizua. Deri në vitin 1958 filloi punën si drejtor i të parës ndërmarrje shtetërore komunale në Peshkopi, ku pati rezultate mjaft të mira. Në vitin 1961 u transferua, sekretar lokalitetit në Fushë Alie, pasi u shkri rrethi. Në vitin 1965 punoi si Kryetar i Këshillit të Bashkuar të Kooperativës Bujqësore Fushë Alie. Në vitin 1968 ka fillue punën në zyrën P.T.T po në Fushë Çidhën. Këtu punoi më shumë përkushtim në shërbim të popullit, derisa doli në pension. Gjithnjë i përkushtuar në punë. Ai manifestonte virtytet më të mira, punoi për veten por edhe për shoqërinë, siç ka thënë edhe shkrimtari i madh Naim Frashëri: “Njeriu që për vete punon, asht si nji pemë që kokrra nuk lëshon”
Selmani ishte një pemë me kokrra. Krenar e mbylli jetën e tij. Krenar la pas fëmijët dhe gjithë të afërmit e tij. I mbylli sytë me 22 mars të vitit 1991 në moshën 74-vjeçare. U përcoll me nderime dhe pjesëmarrje të veçantë.