Dushaj – katundi i kullave, bujarisë dhe natyrës piktoreske


Brenda këtyre kufinjve, Dushaj kanë një sipërfaqe 20.5 km katrorë, nga të cilat 7.5 km katrorë janë fushorë, luginorë e kodrinorë, pjesa tjetër mal mbi 1000 m lartësi. Territori i këtij fshati nis nga 640 m në jug tek Gurreperkolja e deri në 1988 m në majen e Arithit ne veri. Vetë katundi si vendbanim shtrihet nga 660 m e deri në afro 1000 m, me zgjatje J-V gati 2 km. Shtrihet në të dy krahët e përroit të Dushajve, si dhe në shkallën strukturore që krijon Kodër Danin.

Nga Adriatik Balla

Do të shkruajmë sot dy fjalë për një fshat shumë të veçantë në trevën e Dibrës, Dushaj-Bulqizë, një katund i vjetër me shumë histori, bujari, natyrë piktoreske spektakolare, vend kullash e ujëvarash.
Dushaj është fshat në sektorin e sipërm të luginës së Bulqizës, pozicionuar në skajin më VL të këtij sektori. Ky është katundi më i vjetër i krejt pjesës së sipërme të luginës së Bulqizës dhe një prej katundeve më të vjetra të krejt Dibrës, pasi daton (edhe pse jo me dokument) nga antikiteti i vonë. Në lindje kufizohet me kreshtën e malit të Temlës, në veri me kreshtën e Arithit, në perëndim kufizohet nëpërmjet një përroske me fshatin Koçaj, e në jug e jugperëndim me Fushë-Bulqizën.
Brenda këtyre kufinjve, Dushaj kanë një sipërfaqe 20.5 km katrorë, nga të cilat 7.5 km katrorë janë fushorë, luginorë e kodrinorë, pjesa tjetër mal mbi 1000 m lartësi. Territori i këtij fshati nis nga 640 m në jug tek Gurreperkolja e deri në 1988 m në majen e Arithit ne veri. Vetë katundi si vendbanim shtrihet nga 660 m e deri në afro 1000 m, me zgjatje J-V gati 2 km. Shtrihet në të dy krahët e përroit të Dushajve, si dhe në shkallën strukturore që krijon Kodër Danin.
Banorët që e themeluan kete katund i përkisnin qytetit të Valikardhës e vetë qyteti i Valikardhës pranë urës së qytetit, referuar studimit më të fundit të Ramazan Kicës i takon të jetë Albanopolisi antik. Ky qytet u shkatërrua nga dyndjet barbare e sllave dhe banorët që mbijetuan u larguan. Një pjesë u ngjit në male dhe një nga familjet themeloi pikërisht këtë fshat, e gojëdhëna thotë se ai ishte Stefan Dusho. Dokumentet historike që po zbulohen hap pas hapi mbështesin këtë variant, e këtë e ka analizuar më mirë studiuesi Ymer Keta, në “Bulqiza dhe Bulqizakët”, 2008.
Dushaj ishte fshat në zotërim të Gropajve, fisnikë arbërorë që u larguan në Itali pas pushtimit turk dhe që shprehet mjaft mirë në dokumetet e kohës dhe po ashtu tek “Kënga e Sprasme e Balës”, nga rrëfimet e plakut Bal ose Ballë, që ishte veteran i ushtrisë skënderbejane.
Deri në vitin 1650 popullsia e tij ishte e gjitha e krishterë, pas këtij viti nis islamizimi që mbyllet përfundimisht më 1800, kurse bektashizmi merr formë thuajse të plotë në vitin 1900 e më pas.
Ende dhe sot, ruhen në lagjen Gropë rrënojat e një kishe të vjetër, e ndërtuar rreth shekullit VIII (shih Y.Keta, 2008), që mendohet se ishte objekti fetar kishtar përbashkues për të gjitha lagjet e fshatit.
Katundi Dushaj ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në të gjitha luftërat për liri të Dibrës së Epërme, sidomos gjatë luftës së Drinit më 1844, kryengritjeve të vazhdueshme dhe lëvizjeve kaçake me Sul Hupin në fund shekullin XIX, luftës 9 vjeçare (1912-1921) me serbët, e deri në luftën nacionalclirimtare në L2B. Në luftën kundër serbëve, nga ky fshat regjistrohet dëshmori i parë në të gjithë Bulqizën, Hasan Alla, rënë në janar 1913. Ky fshat, ngriti flamurin e pavarësisë kombëtare në Dardhë të Bokes një ditë para shpalljes së pavarësisë në Vlorë, me protagonistë Shaban Duriçi e Laze Balla.
Deri në vitin 1945, Dushaj ishte fshat që identifikohej me Bulqizën e Vjetër, si pjesë e nënprefekturës së Zerqanit.
Pas luftës Dushaj hap pas hapi ingranohet në pushtetin e kohës në Bulqizë, por si pjesë e rrethit të Dibrës. Pas vitit 1990 ai bëhet pjesë e Komunës Fushë-Bulqizë të Bashkisë Bulqizë, pjesë e të cilës është dhe sot.
Në vjetarin statistikor të Teki Selenicës (1923, 1927), Dushaj është i bashkuar me fshatrat e tjerë të Bulqizës në kuadër të nënprefekturës së Zerqanit, me afro 2500 banorë. Regjistrim më të saktë na jep ai i austriakëve në vitin 1916, botuar dy vjet më vonë, në Vjenë. Sipas këtij regjistrimi, lagjet Lepurakë, Gropë, Dushe e Qire (ne origjinal shkruajtur Ciraj), përbënin fshatin Lepuraku me 115 shtëpi. Regjistrohen 128 familje që kanë në total 679 banorë. Një nga arsyet që fshati quhet Lepuraku është se lagjja Lepurakë në atë periudhë ishte më e zhvilluar, më e përqendruar, më e organizuar, e natyrisht ishte ende e fortë influenca e Sul Hupit dhe e fisit të tij, pa harruar faktin se Lepurakët kishin xhami dhe një teqe në qendër të tyre.
Ky katund, ka pasuri shumë të mëdha natyrore si kullota të cilësisë së lartë (ka patur para 1990 nje baxho), burime uji të shumta, pyje, toka pjellore, pemetari etj, pa harruar faktin se është mjaft i mbrojtur nga pikëpamja natyrore, gjë që ka shërbyer edhe si mundësi për shtimin e vazhdueshëm të popullatës. Një gjë duhet të kemi të qartë: shumica e lagjeve në të gjithë luginën e Bulqizës nga Ura e Qytetit në lindje e deri në qafë të Buallit në perëndim e kanë origjinën në këtë katund, gjë që dëshmohet nga mbiemrat e vjetër të fiseve. Është pikërisht ky tregues që shpjegon homogjenitetin e Bulqizës në pikëpamje të popullsisë e të vendbanimeve, pra Bulqiza, sado që përmendim Vajkal, Dragua, Koçaj, Dushaj e Fushë-Bulqizë (emrat e fshatrave të sotëm), janë e njëjta gjë, pra Bulqiza e Vjetër. Mes tyre s’ka kufinj, s’ka dallime.
Dushaj është një fshat me disa lagje, ku spikasin Dushet sipër, Dushet poshtë (Methasanet), Lepuraka, Gropa, Qire e Kome. Por kjo ndarje administrative e sotme, sic e theksuam me lart, nuk ka qenë e njëjtë me atë të para vitit 1920.
Dushaj është një fshat i copëtuar në aspektin e relievit, e kjo i krijon atij pamje befasuese në aspektin gjeomorfologjik, ku gërshetohen fusha, mali, brigjet, kreshtat, livadhet, kodrinat, faqet e zhveshura, kullotat apo dhe pyjet e pasura. Artieria kryesore lumore është përroi i Dushajve, me ujë të përhershëm, afro 7 km i gjatë, me prurje mesatare vjetore në grykëderdhjen e tij në Zallin e Bulqizës me afro 0.3 m3/s.
Dushajt shquhen në të gjithë Dibrën për potencialin e madh të kullotave në Mal të Bardhë (Arith), për larmishmërinë e bimësisë, numrin e madh dhe llojshmërinë e bimëve medicinale, pyjet e shkozës e të dushkut mjaft të dendur, ahishtet në sipërfaqe të konsiderueshme por mjaft të dëmtuar, klimën e mrekullueshme, tokat e pakta por pjellore, kapacitetin e madh të frutikulturës, shquar për arra, kumbulla, thana, lajthi, mollë e ftonj.
Ndër objektet natyrore e kulturore me vlerë përmendim:
Teqeja e Madhe në Kome një nga 7 teqetë më të njohura të Dibrës, druri (qarri) i Male Danit në kodër-Dani, Rrasa e Hoxhës në shpatin perëndimor të Temlës, Kulla e Skënderbeut, një objekt që ndahet me fshatrat Fushë-Bulqizë, Peladhi e Valikardhë, gropat karstike në Hurdhë të Madhe, kreshta e mprehtë spektakolare e Temlës, Guri i Vashës, livadhet alpine dhe lugjet karstike në Mal të Bardhë, Gurrë Meshkja dhe Gurra e Met Ketës me prurje 4.2 l/s dhe 15 l/s respektivisht, Kulla e Sul Hupit, monument kulture i klasifikuar i tillë gjysmëshekulli më parë dhe i futur si pullë postare më 1982 për vlerat arkitektonike të saj, kulla Hupi e sotme e kthyer në bujtinë nga Lulzim Hupi, ujëvara e Dushajve etj.
Në vitin 1992 ky katund kishte afro 1300 banorë. Në vitin 2002 kishte 390 familje. Në kuadër të komunës Fushë-Bulqizë, në vitin 2008 Dushaj kishin 306 familje me 1106 banorë, e sot më pak se 1 mijë banorë, pra gati gjysma e popullsisë është larguar në këta 30 vjet.
Nga ky fshat kanë dalë arsimtarë, burra që kanë ndarë e udhëhequr kuvende, individë sqimatarë në veshje e kulturë, rapsodë popullorë, këngëtarë e valltarë të njohur, mjeshtra të përpunimit të gurit e të ndërtimit të veglave muzikore, fermerë pasionantë dhe sipërmarrës në turizëm.
Ky fshat është vendlindja e një sërë klerikësh të devotshëm të Teqes së Madhe, filluar me Baba Rrahmanin, Sheh Aliun, Zheh Zyberin e vjetër etj.
Nga ky fshat kanë dalë po ashtu agronomë të zotë, gazetarë, studiues të historisë, poetë, ushtarakë të spikatur dhe mjaft personalitete të shërbimit inteligjent shqiptar e të strukturave të sigurisë së shtetit në përgjithësi. Ka gjithashtu juristë, klerikë, inxhinierë etj.
Dushaj, si shumë fshatra të tjera të Bulqizës, ka qenë baza e punëtorisë së minierës së kromit në Bulqizë dhe nga ky fshat kanë lënë jetën në minierë mbi 10 vetë.
Që para luftës së dytë botërore, ky fshat ka pasur tre mulli uji, dy valanica e disa objekte të rëndësishme punësimi, përfshi shfrytëzimin e pyjeve, çka dëshmon se ishte fshat i madh e me pasuri të konsiderueshme.
Problemi më i madh i këtij fshati ka qenë infrastruktura rrugore për shkak të vështirësisë së terrenit, por vitet e fundit ka pasur disa investime domethënëse në këtë drejtim dhe hapa përpara janë bërë.
E ardhmja e këtij katundi do të jetë e bardhë, pasi ka larmishmëri natyrore si ofertë që lidhen me zhvillimin e blegtorisë, bujqësisë me orientim në agroturizëm etj, e pse jo në punimet artizanale.
Një tjetër veçanti e këtij fshati është se në vitet e demokracisë ka qenë pararojë e krejt fshatrave të Dibrës se si mbrohet mjedisi, gjë që ka detyruar edhe qeverinë të ulet me banorët në Kodër Dani për diskutim.