Folklori dibran u paraqit në Festivalin e Gjirokastrës nga tre grupe folklorike


Ansambli folklorik i Dibrës, “Përparim Tomçini”; Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Ansambli Artistik “Lura” nga Londra paraqiten këngën dhe vallen folklorike të Dibrës në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, rikthyer pas 8 vitesh ndërprerje. Grupi i Bulqizës mungoi në Gjirokastër
Dibra e nisi festivalin me ritin e jetës baritore të zonës së Kalasë së Dodës. Më pas, një valle dyshe burrash nën interpretimin e valltarëve Rakip Pashnjari dhe Gjuran Ilnica.
Mifterim Kupa dhe Fatmir Daku sollën një interpretim të këngës “Hajde moj Laznore”.
Kënga e Suf Murrës, nën interpretimin e Mifterim Kupës dhe Edmond Përnezhës e shoqëruar nga grupi, solli elementë polifonikë të zonës së veriut, pak të njohura për publikun, por që në kalanë e Argjirosë mori duartrokitje të ngrohta.
Me duartrokitje u prit edhe kënga tjetër, Atje n’at zabel, kënduar nga Eda Uka dhe Etmond Përnezha.
“Ti Moj Dibra e Kastriotit,/Brez pas brezi e mot pas moti,/ Luft’ o me krajla e luft’ o me mbretër,/
Dibër ishe, Dibër mbete!”. Këto janë disa nga vargjet e këngës “Dibër ishe, Dibër mbete” kënduar nga Eduart Hoxha dhe shoqëruar grupi i burrave.
Këtë vit paraqitja në festivalin e Gjirokastrës ka disa veçanti.
“Për herë të parë Ansambli i Dibres u prezantua duke mbajtur mbi supe emrin e kompozitorit dibran Përparim Tomçini, ku pjesa më e madhe e programit e prezantuar në festival mban autorësinë e kompozimeve të tij”, tha për gazetën “Rruga e Arbërit” udhëheqësi artistik i Ansamblit, Igli Tomçini.
Tomçini tha se “një e veçantë tjetër është kënga e Suf Murrës, e sjellë me elemente polifonike të zonës së veriut, gjë e cila është e rrallë për këngët e zonës sonë”.
Për herë të parë këtë vit dy Dibrat e kanë zhdukur kufirin, duke bashkuar për tu përfaqësuar në këtë festival, Dibra e Madhe dhe Peshkopia.
Motive folklorike nga Dibra paraqiti natën e parë të hapjes së festivalit edhe Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Në repertorin e këtij Ansambli ishin këngë “Fusha e Korabit”, “Këngë për Suf Xhelilin”, “Na këndojnë pushkët nëpër kulla” si dhe “Vallja e Dibrës”.
Festivali Folklorik Kombëtar 2023 nisi me 24 qershor në kalanë e qytetit të Gjirokastrës në një skenë të hapur për të gjithë dhe u mbylle me 1 korrik 2023.
Në këtë festival u ngjiten në skenë mbi 1200 artistë nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.
Në këtë festival, më datë 29 qershor 2023, u paraqitet me një repertor edhe Ansambli “Lura” nga Londra.
U ndje mungesa e grupit folklorik të Bulqizës në këtë festival. Një burim pranë grupit organizator tha për gazetën “Rruga e Arbërit” se “Bulqiza nuk paraqiti material për këtë festival, ndaj nuk është përzgjedhur për të marrë pjesë”.
Të gjitha grupet pjesëmarrëse në Festival, kishin dhënë më parë një shfaqje përpara një jurie të ngritur posaçërisht për festivalin, të cilët në disa raste kanë rekomanduar heqjen e ndonjë materiali për paraqitje në Festivalin e Gjirokastrës.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, tha në hapje të festivalit, se synohet që Festivali Folklorik i Gjirokastrës të regjistrohet në UNESCO.
“Unë i jam falenderuese çdokujt që na bashkua në këtë rrugëtim, por në veçanti artistëve, jo vetëm atyre 1200 që do të hipin në skenën e kalasë, por të gjithë atyre që përcjellim të bukurën shqiptare jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën. Dhe jam e bindur se Festivali i Gjirokastrës është kthyer në një kartolinë të bukur të Shqipërisë në botë”, tha ajo në çelje të festivalit.
“Besoj se ne jemi një brez me fat që jetojmë në kohëra kur vazhdojmë të dëgjojmë ninullat e nënave në djep, gra nga Malësia si ato të kësaj mbrëmjeje, por edhe ato gra që vazhdojnë të qëndisin në ar, që endin xhubleta, që kemi ata pasardhës Rilindasish, të cilët na përçojnë brez as brezi këngët dhe traditat, por mbi të gjitha kur shohim se si ndizet festa kur luhen tingujt e muzikës sonë popullore”, theksoi Ministrja e Kulturës. “Kjo lidhje kaq natyrore dukej sikur do të cenohej nga zhvillimi i teknologjisë, por teknologjia na ka ndihmuar të ecim përpara. Tabanin e kemi të fortë, kemi rrënjë të thella, jemi një komb që gjithmonë ka frymuar Europë!”
B.Karoshi