Xhetan Strazimiri, mësuesi dhe intelektuali i përkushtuar për dijen dhe për Dibrën


Profesori Xhetan Strazimiri u nda nga jeta më 28 qershor 2023. Ai u lind më 1939 në fshatin Pocest të Maqellarës në një familje me tradita të larta patriotike. Xhetan Strazimiri është pinjoll i familjes së të madhit Ismail Strazimiri, një veprimtar i shquar dibran që bëri emër në kohën e Pavarësisë dhe që është partizani më i vjetër i Dibrës dhe dëshmor i Luftës Nacionalçlirimtare. Dhe Xhetan Strazimiri me kushërinjtë e tij Shaban Strazimiri, Baudin Strazimiri, Drita Strazimiri (Xholi) dhe tri motrat Strazimiri, Setkie, Ulvie, Hike kanë lënë gjurmë të veçanta në arsimin e Maqellarës si dhe dhjetra kuadro të tjerë nga Pocesti.
Mësuesi Xhetan Strazimiri ka mbetur në kujtesën e qindra nxënësve të tij në zonën e Dibrës dhe të Tiranës për 43 vjet me radhë duke mbetur një intelektual i shquar dhe studiues i talentuar. Pasi mbaroi shkollën pedagogjike në Peshkopi, profesori dha mësim në shkollën 7-vjeçare Maqellarë në shkollën “Demir Gashi” dhe pas mbarimit të universitetit më 1993 u bë profesor i gjeografisë në shkollën pedagogjike Peshkopi, prandaj ka mbetur në memorien e mësuesve që u shkolluan aty si një mësimdhënës i palodhur dhe shumë i dashur për të gjithë pedagogjikasit.
Më pas profesor Xhetani punoi për vite të tëra pa u lodhur në Tiranë duke mbetur një mësues e drejtues i dashur dhe shumë i talentuar për breza të tërë që e kujtojnë me veneracion dhe sot e kësaj dite. Gjatë punës së tij si mësues është dalluar për metodat e mësimdhënies dhe si njeri i afërt me nxënësit dhe prindërit e tyre. Ka bërë një punë të palodhur dhe me vlera në Arkivin e Shtetit për më shumë se 10 vite. Një punë mbresëlënëse ka lënë Xhetan Strazimiri me studimet e tij të shquara në rrafshin e krijimtarisë materiale e filozofike të popullit tonë me librat e tij me dy vëllimet e botuara “Filozofia e jetës” dhe një në dorëshkrim.
Edhe pas daljes në pension z. Xhetan Strazimiri vijoi të jepte kontribut të shquar si pjesë e elitës së intelektualëve dibranë në Tiranë ku shquhej për mendimet dhe idetë e tij të veçanta.
Me ndarjen nga jeta të tij familja, bashkëshortja Meliha dhe dy gocat, humbi njeriun e tij të dashur dhe kolegët dhe ish-nxënësit e tij një burrë me vlera të shumta që do të mbetet një shembull i shquar përjetë. U prehsh në paqe, o njeriu ynë i mirë dhe i dashur!
Nga: Adem Ymeraj, Osman Turja, Ismail Erebara, Qamil Hamzaj, Shahin Lazri, Bajram Xhafa, Neki Osmani, Baudin Strazimiri, Ramadan Ajazi, Pjetër Tarazhi, Ruzhdi Mata, Lavdrim Shehu, Ramazan S. Ilnica, Baftjar Gazidede, Ulvie Gazidede (Strazimiri), Adem Bunguri, Hilmi Cani, Rustem Strazimiri
Tiranë, më 3.7.2023