Për një Shqipëri europiane, jo otomane


Ismail Strazimiri është një protagonist i rendit parësor në vendlindjen e tij në Dibër e në gjithë Shqipërinë për rolin që ka luajtur në rrjedhat e turbullta të historisë së lëvizjes kombëtare, prej shfaqjes së saj në formën e një ideologjie e përfytyrimi romantik deri në Luftën Antifashiste. Strazimiri ishte pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës, që u mblodh vetëm pak kohë pas Kongresit të Manastirit, për të ridiskutuar çështjen e alfabetit, me qëllim që të përfitohej aq sa mund të përfitohej prej lëshimeve të qeverisë qendrore perandorake, por u shpreh në mënyrë të vendosur kundër rikthimit në përdorim të alfabeteve të gjuhëve orientale dhe pro alfabetit latin, megjithëse duke qenë në pakicë. Prania e pak njerëzve si Ismail Strazimiri në këtë kongres u shpëtoi erzin organizatorëve të tij dhe historisë së kulturës shqiptare, që u ndodh afër hapit të kthimit prapa.
Në gjithë rrëmetin e paimagjinueshëm të viteve ’20 të shekullit të kaluar, Ismail Strazimiri nuk gabohet në hapat që hedh. Gati një shekull prej kohës që kanë ndodhur ato ngjarje; kur gjithsesi ekziston një përfytyrim konvergjent për rendin historik të kohës; pasi janë shkruar dhjetëra artikuj, studime e monografi për Ismail Qemalin; për Qeverinë e Vlorës dhe atë të Durrësit; për Esad pashën, rebelimin dumbabist të Shqipërisë së Mesme, Musa Qazimin dhe Haxhi Qamilin; për mbrojtjen e Shkodrës dhe luftën e Kolesianit; për dërgatën e Turhan pashës në Versajë dhe luftën e Vlorës; për atentatin në Paris dhe Kongresin e Lushnjes; është e lehtë të thuash se cili do të kishte qenë rreshtimi atdhetar më i denjë. Por të zgjidhje në atë kohë rreshtimin atdhetar më të paqortueshëm, kur referencat ishin krejt të paqendrueshme; kur për një javë faktori më pozitiv mund të ishte mbështetja tek aleati ballkanas i Gjermanisë, Bullgaria; kurse në javën pasuese një nismë e Aqif pashë Elbasanit, një veprim energjik i Ahmet Zogut apo një konflikt midis komandës ushtarake dhe asaj politike në shtabin e ushtrive franceze në jug të Shqipërisë (por kurrsesi jo i Esad pashës dhe njerëzve të tij në Dibër si Arif Hiqmeti) – kjo ishte e vështirë.
Ismail Strazimiri dëshmohet në gjithë këto rrjedha të turbullta atje ku i bëhej mirë atdheut të tij. Dhe kjo ndodhte vetëm në një grusht njerëzish idealistë, të cilët: nuk ishin pjesë e ndonjë projekti të të huajve për të sunduar në Shqipëri përmes duarve të zgjatura të tyre, domethënë vetë shqiptarëve; nuk kishin ndërtuar plane vetjake për të shtënë në dorë Shqipërinë apo pjesë të saj dhe për t’i kthyer në pashallëqe; e donin sinqerisht atdheun e tyre pa interes pragmatik. Ismail Strazimiri paraqitet në jetën e vendit të vet në kohën kur ai sa e kishte nisur historinë shtetërore, me vetëdijen e një rilindësi. Ai vetë është dëshmues i së vërtetës së pohuar, se ata që i kanë ndërtuar veprimet e tyre ashtu si do donin të vepronin rilindësit, si rregull nuk kanë gabuar.
Libri i kujtimeve të Ismail Strazimirit botuar nga shtëpia botuese “Naimi” me titullin “Lufta kundër pavarësimit të Shqipërisë” u mbarua prej tij në vitin 1931. Për shkak të vërtetësisë së thellë, herë-herë dhe denoncuese; për shkak të palavdisë së shtetit dhe të shtetarëve në dorë të të cilëve gjendej Shqipëria; për shkak të dëshirës për të mos i bërë të njohura botërisht ato që M. Šufflay i quante “duševne bolezne” të shqiptarëve; këto kujtime nuk u botuan asnjëherë shekullin e kaluar. Kjo ka dhe të mirën e vet, sepse kështu objektivisht ato kanë ruajtur vërtetësinë burimore, duke shpëtuar prej konformizmave të gjithëfarshëm që ka njohur historiografia shqiptare: të lartësimit të mbretit, të madhështimit të traditës revolucionare, pa përjashtuar dhe ndonjë konformizëm tjetër të kohëve më të reja.
Se në Shqipëri nuk ishte vetëm një Esad pashë; kishte dhjetëra pashallarë, Esadë të vegjël, në gjithë Shqipërinë e gjorë, që vatani u duhej vetëm për vete. Libri i Ismail Strazimirit është i mbushur me pashallarë, bejlerë, efendinj. Autori ua shkruan me shkronjë të madhe ofiqin (Ahmet Beu, Jusuf Beu, Esat Pasha), sepse kjo titulaturë kishte zëvendësuar mbiemrin e tyre. Kjo elitë kishte dhënë shenja të një rehatimi të dukshëm qysh në shekullin e 18-të, me letërsinë që krijohej me alfabete, gjedhe poetike, modele vjershërimi, kode estetikë dhe madje dhe me motive tipike orientale dhe osmane.
Gjithë kësaj elite të dështuar nga të gjitha pikëpamjet: morale, politike, intelektuale, Ismail Strazimiri gjen t’u vendosë përballë një atdhetar të formuar pa bajrak a pashallëk nën sundim, me një flamur të vetëm, flamurin e shpëtimit të Shqipërisë: Elez Isufin, që përbën figurën më të rëndësishme të gjithë librit të tij. Ai është modeli i njeriut shqiptar që ia kushton gjithçka të vetën vendit të tij dhe së fundmi i jep lamtumirën kësaj bote me një dëshpërim të thellë, që po t’i jepej mundësia t’ia niste nga e para nuk do të bënte më aq për popullin dhe atdheun, sepse ishte e kotë. Megjithatë, Elez Isufi mbetet e vetmja dritë e panjollë në gjithë botën e ndërlikuar të karaktereve të shëmtuar të librit të Ismail Strazimirit. Në portretin e këtij atdhetari në një farë mënyre ai sheh dhe veten. Ndoshta, është një rastësi, por familja e Elez Isufit e kishte ruajtur mbiemrin e të parëve, një emër shenjtori, Ndreu.
E dyta gjë që sjell në kulturën historike shqiptare libri i Ismail Strazimirit është dëshmia se parësia shqiptare, nëse mund të kuptojmë me këtë klasën qeverisëse me pushtet politik të mbështetur mbi tagrin etnozakonor, që për fat të keq vijon edhe sot, përgjatë kohëve nuk dëshmohet gjithnjë njëlloj, ka anën e vet të errët e të ndritur: në një brez ka arritur të bëjë shumë për vendin e në një brez tjetër ka dështuar ose i ka bërë të zezën atdheut. Dhe kjo provohet me dëshmitë e shërbyera prej autorit për parinë dibrane, që i nënshtrohet të njëjtave ligjësi. Besoj se lexuesi do të më japë të drejtë se Strazimirët, të cilët, sipas disa mendimtarëve (duke përfshirë edhe Mehdi bej Frashërin), trashëgojnë mbiemrin e njërit prej prijësve Balshaj, nuk kanë pasur njolla të tilla në rrugën e heshtur të tyre, dhe ndoshta pikërisht heshtja, “lartësia e përulur”, nëse do të përdornim një shprehje të Konicës për Gjeçovin, i shpëtoi prej fatit të të tjerëve.
Ismail Strazimiri i shkroi kujtimet e veta vetëm për një periudhë prej 12 vjetësh, një numër simpatik për shqiptarët dhe shumicën e popujve të botës: nga Shpallja e Pavarësisë deri te Revolucioni i Qershorit. Në këto 12 vjet ka mbrapshti sa për disa shekuj. Shqipëria u bë, por jo siç e deshën shqiptarët. Aq më pak siç e donte Ismail Strazimiri. U bë një Shqipëri që zyrtarisht thuhej se vërtitej në duart e Fuqive të Mëdha, por vërtetësisht rrotullohej sipas konkurrencës së parave të dhëna “krenëve” të saj nga Beogradi, Roma, Athina, Stambolli, Viena dhe kryeqendra të tjera të politikës botërore. Dhe pikërisht kjo është dhe dhimbja fisnike e Ismail Strazimirit: që Shqipëria u ndorua prej “krenësh pa krye”, që e shisnin Jugun për “dishir” të Veriut e anasjelltas; që ia falnin dreqit të krishterët për një “Shqipëri të bekueme muslimane”; që i ndanin zotërimet e tyre prej Shkumbinit në Mat, prej Matit në Drin, prej Drinit në Valbonë a në Kir e kështu me radhë dhe në drejtimin jugor, ku Mihal Grameno e Mid’hat Frashëri bënin, në të njëjtën kohë, polemika vetjake në shtypin e huaj e vendës, njëri nga Bari dhe tjetri nga Sofja. Shqipëria e kujtimeve të Ismail Strazimirit është një republikë tribale, një shtet etnografik, ku për të kaluar nga një krahinë në tjetrën duhet “besa-besë” dhe asgjë tjetër! Është një Shqipëri që, sipas shprehjes së Fishtës, nëse vërtet do t’ia dilte të përligjte pavarësinë e vet, kjo do të ndodhte “për inat të djallit dhe të shqiptarëve”, që bashkëpunonin kundër saj. Kjo është një pikëpyetje e madhe për historiografinë shqiptare: ndoshta jo tepria, por pamjaftueshmëria e ushtrimit të pushtetit qeverisës, i çoi shqiptarët tek një qeverisje e tillë etnografike-fisnore-politike, që ka simptoma të saj deri më sot.
Shqipëria e viteve 1912-1924, siç na e dëshmon me dhimbjen e një protagonisti autori i këtij libri, ishte në kuptimin e plotë të fjalës një shtet etnografik-tribal, ku ligjin e bënin krerët e fiseve; një shtet që nuk ishte as monarki as republikë; një shtet ku krahinat shpallnin pavarësinë prej atdheut dhe ruanin me ushtarë vullnetarë “kufijtë” e tyre, urat, shtigjet e kalimit.
Në shërbim të Qeverisë Kombëtare të Ismail Qemalit; mbështetës i princit europian Wied që kundërshtarët e paraqitnin si një katundar austriak dhe të dërguar të krishterimit; njohës dhe kundërveprues i drejtpërdrejtë dhe i ballëpërballtë ndaj politikave të Esad pashës dhe Ahmet Zogut, në krahun e revolucionarëve fanolistë në vitin 1924 dhe paralajmërues i rreptë i dështimit të tij; larg qeverisjes republikane dhe mbretnore të beut të Matit; Ismail Strazimirit, megjithatë, i kishte mbetur dhe një sfidë e fundme: pjesëmarrja në luftën antifashiste. Ai njihet si dëshmori më i moshuar i kësaj lëvizjeje në shkallë botërore: ishte 75 vjeç kur u vra në Sllovë prej ushtrive të huaja dhe bashkëpunëtorëve të tyre, duke pasur në krah si bashkëluftëtarë të dy djemtë.
Libri i Ismail Strazimirit nuk është thjesht një libër kujtimesh. Në përmbajtjen e tij autori ka tejshkruar biseda shumë të rëndësishme me veprimtarë të kohës, vendës e të huaj, të zhvilluara nga ai vetë; letra të pritura e të dërguara; shenjime të rëndësishme për njohjen e procesit historik; informata dhe të dhëna që nuk gjenden në shkrimet teknokratike historiografike.
Midis argumenteve themelorë ku shfaqet zbulimi i Ismail Strazimirit janë: përhapja e esadizmit nëpër Shqipëri; konflikti i anadollakëve me europeistët për qeverisjen e saj; vizitat e Esad pashës në Dibër dhe kthimi i tij nga Serbia po përmes Dibrës; vetëshpallja e Ahmet Zogut kryetar i Matit dhe Dibrës; grindjet e fabrikuara të tij për shenjat e flamurit kombëtar; gabimet e disa atdhetarëve me emër në viset veriore të Shqipërisë; lëvizja dibrane e marsit të vitit 1922 dhe rrethimi i qeverisë në Tiranë, megjithëse e pambështetur prej forcave të pritura sipas marrëveshjes nën komandën e Bajram Currit; ikja e Ahmet Zogut për në mbretërinë serbo-kroato-sllovene përmes fshatit Homesh të Dibrës… Ky libër do t’u vlejë lexuesve shqiptarë për të njohur historinë e lëvizjes atdhetare dhe të veprimit antikombëtar në dy dekadat e para të Shqipërisë shtetërore; do t’u vlejë historianëve jo vetëm për pasurinë informacionit, por edhe për gjykimin dhe vlerësimin e situatave dhe sidomos për shumë pikëpyetje që shtron.