Përtej kufirit të Dibrave, me fare pak identitet


Kufiri i parë i njeriut është barku i nënës, aty është hapësira e tij, nga ku kufizohet edhe me botën jashtë. Ky lloj kufiri nuk është vendosur nga njeriu. Të gjithë pastaj janë sajesat e njeriut: djepi, dhoma, oborri, ara, fshati, qyteti, qarku, shteti dhe së fundmi kontinenti. Duke qenë se barku nuk është kufi i vendosur nga njeriu, kurrsesi nuk mund të zhvendoset nga njeriu, në të kundërt të të tjerëve: dhoma mund të shtohet dhe ndahet me mur mes, ara mund të blihet dhe bashkohet, oborri mund të ndryshohet në formë fizike dhe konceptim estetik, siç qyteti a qarku mund të ndryshohen me vendime administrative, qeverie a parlamenti, po ashtu edhe kufinjtë e shtetit mund të lëvizin nga luftërat dhe futja e duarve (sidomos e të mëdhenjëve) në to.
Kufinjtë shumicën e rasteve nuk janë të drejtë ose të merituar, dhe çdoherë janë konvencione të ardhura si produkte luftrash ose negociatash të stërzgjatura apo tregtive të momentit, bash në ato çaste delikate. Për shembull: disa parcelave në fshatin tim iu kanë lëvizur kufinjtë dhe kjo ka sjellë shumë keqkuptime sepse “guri i kufinit” nuk iu ka shërbyer më si konvencion dhe pasojat kanë qenë të rënda.
Ndërsa kufinjtë më kompleks në botë më duken kufijtë shtetëror. Në ato ku të bëhen skanera, ku të bëhen kontrolle, ku duhen policë, ku duhen vula, pasaporta, leje, gjuhë, euro, garanci dhe plot e plot kushte me plot parakushte. Dhe me të tillë kufinjë jam ndeshur jo rrallë herë. Në fund, kulmi i absurdit është që nga njëra anë e kufirit është Dibra dhe nga ana tjetër po Dibra. Këtu bie edhe teoria e konvencionit në kushte normale duke qenë se në perceptimin e përgjithshëm dibranët as këtë anë e as matanë kufirit nuk e kanë dashur atë.
Tashti na lind e drejta ta quajmë si konvencion pa konvencion. Shpesh kësisoj çështjesh nuk mund të zgjidhen nga asnjëlloj teorie mbi identitet kombëtare, anipse nuk e pretendojmë, duke e lënë kështu thjeshtë në dorën e historisë.
Janë disa ngjarje që pasi t’i dëgjosh nuk të shqiten kurrë nga mendja madje dhe po të duash, siç janë dhe disa ngjarje që pasi t’i përjetosh edhe këto (më shumë) nuk harrohen kurrë. Ajo që do të lexoni më poshtë i përket një kohe para katër vitesh dhe e gjitha që po shkruhet bazohet tërësisht në kujtesë. Arsyeja pse nuk i kam shkruar që më herët është, jo se nuk i kam parë me interes, por sepse sot besoj se më janë mprehur më shumë aspektet e arsyetimit, gjykimit dhe më së shumti ato të shkrimit.
I vendosur në disa kushte të detyrueshme, njeriu merr një vendim të shkojë diku gjetkë, në një vend dhe shtet tjetër dhe që në mënyrë të njëkohshme të braktisë vendin, kulturën, zakonin dhe ç’është më me rëndësi, shoqërinë e vet. Kështu njeriu sapo del nga bota e vet, përballet me një botë tjetër reale, që nuk e zbeh kurrë qenësinë e asaj bote ku jetonte, vetëmse vërtetson gjërat, i zgjeron të vërtetat dhe vetëdijëson njeriun mbi ato që ekzitojnë si dhe e bën atë më njeri.
Kur njeriu kapërcen kufirin, fillon e bëhet më nostalgjik e mandej melodramatik deri në meditativ si shkallë e përme arsyetimi. Fillon pastaj njeriu dhe mendon për të shkuarën, duke sjellë imazhet e gjithë fëmijërisë para syve. Është një proces thuajse i pashmangshëm. Pasi i sos gjithë këto nostalgjitë e rastit, mprehet dhe futet në nocionet e kombit. Ç’është kombi, kjo gjë kaq e rrahur dhe e shumëdëshiruar nga intelektualët, dhe e mbjellur tek të gjithë njerëzia. Ja ky kombi a shteti që ne e deshtën aq shumë, dhe po e braktisim.
Kufiri, si të gjitha shpikjet e njeriut nuk ka ndonjë gjë të veçantë në të, pos një trau, disa policëve të kontrollit, disa makinave dhe disa paisjeve tekonlogjike (normale sot). Deri në Bllatë, kam ardh më një furgon tip Benz dhe rruga kushton 150 lekë. Dogana e krahut Tonë nuk ka asnjë gjë të veçantë, gjithçka ndodh normalisht. Polici kontrollon kartën, diç sheh në kompjuter. Pastaj të jep kartën dhe nuk të thotë asgjë, as falemnderit. As unë si them. Trau hapet vetëm për makinat, ndërsa njerëzit kalojnë përanash.
Kaloj dhe eci në këmbë nëpër asfalt. Eci avash duke herdhur hapat dhe duke arritu të gjej pikën ndarëse mes dy vendeve (një vendi). Në natyrë nuk e gjej dot, dhe them me vete: mund të jetë më tej.
Gjithë sa kisha mësuar në shkollë dhe nga gjyshërit më vjen tash në mendje: Dibra kishte qenë qendër tregtie, qendër arsimi, qendër kulture, ndër qytetet më të zhvilluara të Perandorisë Osmane. Gjithë ajo fantazi ishte ndërtuar në mendjen time, e bashkë më të edhe një lloj patriotizimi për atë vend që prisja ta gjeja dhe ta merrja me elementin e parë të dibranit: mikpritjen.
Pasi eca edhe disa dhjetra metra, e gjeta pikën e ndarjes, apo të bashkimit të dy vendeve…ose jo, të ndarjes mëmire, sepse ishim bashkë para 1913, kështu që saktësisht vendin e ndarjes. Ishte vendi ku bashkoheshin dy asfaltet. Aty ku mbaronte i yni niste i Tyre. Asfalti Ynë, shumë më i ashpër, më i zi dhe fatkeqsisht më i varfër, që dmth me më pak zift, sepse gurëzit kishin zënë të shqiten prej ziftit. Ndërsa asfalti i Tyre, ishte më cilësor, me një ngjyrë gati gri, dhe shumë i shtypur, ndoshta mund të ishte edhe me i vjetër.
Pasi e kalova këtë pikëndarjeje (zonë neutrale), fillova të mendoj në lidhje me dakordësinë që kanë arritur palët për ta nisur (nëse e kanë nisur punën që aty) asfaltin, apo përfunduar (nëse kanë përfunduar projektin aty) në atë pikë hapsinore. Mos ndoshta Ata e lanë aty dhe Tanët e shtruan deri ku e kishin lënë Ata, apo mos Tanët e lanë aty, dhe Ata punuan derisa i ngjitën. Apo mos ndoshta e nisën punën që të dyja Palët njëherësh nga ajo pike, ose patën ngulur në cep të rrugës një rrasë guri, siç bënin më parë pleqtë dhe e përdorën si shenjë kufiri, apo mos ndoshta ndonjë topograf thjeshtë vendosi një piketë dhe ata e zbatuan si konvencion. S’ma do mendja se i lihet i gjithë ky fat një topografi.
Pas këtyre përsiatjeve (qënjë pjesë po i bëj tashti, sepse ia kam ngenë) afrohem tek pika doganore e Dibrës së Madhe.
Pasi i dorëzoj kartën e identiteti, zotëria që merret me verifikimin kontrollon nëpër kompjuter dhe ma kthen kartën mbrapsht. Nga gjuha nuk kuptoj asgjë sepse flet maqedonisht, por nga shenjat kuptoj se diçka nuk shkon. Duke menduar se mos i ka fajet karta e ID, i jap pasaportën. As kjo nuk bën punë. Ah…e gjeta çfarë donte.
Tërhiqem nga sporteli, fus në mes të pasaportës një 5 euro-sh, dhe ia dorëzoj sërish. Ai e merr, buzëqesh dhe më thotë shqip: kalo.
Të gjithë fantazitë dhe përfytyrimet e mia për Dibrën e matanshme, fillon dhe m’i zhbën ky zotëria që edhe di edhe nuk di shqip. Nëse është shqiptar dhe nuk di apo s’do të flasë shqip, atëherë turp për të. Por nëse është maqedonas dhe vjen në atë tra dhe shfrytëzon si mundet postin dhe dobësinë tonë, atëherë turp për të dyja Dibrat.
Më duhet të shkoj së pari në Dibër dhe marr një taksi. Taksiti një djalë diku 30 vjeç, flet shqip, shumë pastër. E flas kështu së punoj me shqiptarë mu përgjigj. Ai më çon tek stacioni i autobuzëve, sepse rruga ime është për në Shkup.
As ata të sportelit në stacion, një djalë dhe një vajzë mbi të 20-at nuk flasin shqip. Por çudi të bën fakti se pranojnë që biletat ti paguash në lek. Pastaj rruga për në Shkup më shijon e tëra, edhe pse e vras mendjen për këtë çerek-shqiptari.
Ora ime e fluturimit për Milano po afrohet. Garancinë për në Itali ma kishte sjellë me email një mik i imi. Ngaqë po prisja me padurim të vinte ora, nisem pak para kohe të shkoj në portën e cila pret fluturimin tim, por më parë duhet të kaloj kontrollin.
Zonja me flokët bionde që kontrollonte pasaportat e mbajti timen, pastaj një tjetër më orientoi për në një sallon ku prisnin disa tjerë si puna ime.
Fill pastaj vjen një burrë që sa ka filluar të thinjet, dhe me disa pasaporta në dorë thërret emrin tim:
-Unë jam.
-Ku e ke marrë këtë garanci? -më pyet teksa ma tund garancinë (fletën e pritjes) parasyve.
-Ma ka sjellë një miku im.- i them.
-Kjo është fallso.- thotë ai.
-E keni gabim zotëri. – i them më një zë sqarues.
-Jo mor, është fallso…fallsoooo.
-Më ka ardh më email, unë thjesht e kam printuar.- e sqaroj.
-Ça imeill muti.
-Ja ta hapim tek ai kompjuteri dhe ju’a vërtetoj.- ngulmoj unë.
-Hape çantën! – më urdhëron.
E hapa.
-Hape dhe këtë xhepin e vogël.
E hapa edhe atë. Edhe pasi e pa që nuk kishte asgjë të dyshimtë më tha më një zë të lartë:
-Zhdukuuu!
-Nga cila anë? – e pyes.
-Nga të duash.- thotë, dhe ma hedh pasaportën në atë far mënyre sa gati më bie duarsh.
Teksa zbrisja shkallët, po mendoja: një gjuhë e njëjtë, e njëjta kulturë, të njëjtat sjellje. A mos vallë njeriu i vendosi kufijtë thjeshtë për t’i thënë njëri-tjetrit se ne jemi ndryshe?!