Kuplon, ‘Vjeshtë e parë” 1991


Nga “Fletë të verdha ’90”

Qenoku e Ravnat, Kallaveret e Kabet, Bordet e Kubeni, Gjarajca e Pasmari… me rreshtat “fyell pushke” të pemëve, një nga krijimet më të bukura t mendjes e dorës punëtore dibrane, përbëjnë “rrethimin ekologjik” më të fortë që mund ti bëhet një qyteti si Peshkopia.

Njerëzit e dinë se sëpata pa bisht nuk pret dot një dru të vetëm e jo më të presë një pyll të tërë pemësh…

TËNDEN E KE APO TË BABAIT
Pemëtaria në Kuplon është në hapat e parë. Këtë vit u morën 18 kuintal qershi nga 10 kuintal në plan. Pak? Kur e ndal vështrimin në atë bllokun 20 e ca vjeçar të Kubenit ku Bezat Cibaku me shokë mori 521 kuintal nga 430 në plan e ku u siguruar rreth 1.5 milionë lekë për hektar, sigurisht që është pak. Por kur mëson se ato janë kokrrat e para të qershive të reja, “lulet e para”, kur të thonë se ato piqen 15-20 ditë më vonë e një kilogram është shitur me 6 lekë (badihava kur e mat me tregun e këtij viti e me faktin se ata janë “qershi gushti me kokrrën sa grushti”), kur sheh jo pak por mbi 12 mijë rrënjë që gjelbërojnë, thua se nuk janë pak. Këtë e thua duke pasur në sy të ardhmen: qershinë, mollën, por në veçanti lajthinë.
Njerëzit, specialistët e rinj: Jovani, Muhameti, Hakiu, Sabriu… menduan ta “zbusnin” malin. Ashtu siç “zbutën” paraardhësit e tyre,: Xhaviti, Mehmeti, Xhetani, Sabriu, Sadiku, Hajdari…kodrat poshtë.
Kanë dalë ca njerëz që nuk kanë haber nga bujqësia, që e njohin atë vetëm në pjatë, dhe akuzojnë se i prishën kodrat, e lanë blegtorinë pa kullotë…
Le të flasin, thonë disa, aq dinë e aq thonë. Edhe unë ashtu them, por kur i njoh si e bëjnë pazarin, më kujtohet ai i mençuri që para se të blejë të sheh në sy e të thotë: “Vetë e ke bërë apo e ke nga babai”.

AFARIZMI I SALI ROSHIT
Sali Roshi i ka kaluar të pesëdhjetat. Kuploni ka edhe djersën e tij, prandaj ka forcë në fjalën e tij, ka bindje në mbrojtjen e asaj që ai me shokët e tij ka krijuar me mund. Se vetëm të ngjitesh nga Begjuneci në Kuplon, vetëm të vish nga Greva e Belllova në këto lartësi duhen 1-2 orë rrugë vajtje e po kaq ardhjeje. Nuk mund të humbet djersa e kësaj rruge. Pa le djersa e punës.
Veçse Saliu e ka një merak. Kështu siç është organizuar puna, siç janë varur përgjegjësitë në “qafën e vendit”, nuk ecet përpara. “Kam mbjellë thekër në pemëtore, thotë ai duke u ndalë në një matematikë të thjeshtë. Ndërmarrja një kilogram thekër e merr me 1.7 lekë kurse shumë njerëz të lusin me 5 lekë kilogramin. Për të marrë kokrrën u detyrova ta shijë thekrën me autokombajnë. E copëtova kashtën, atë pjesë të bimës që për fshatarin është qëllimi i mbjelljes. Dhe kjo ndodh kur njerëzit vijnë e të lusin me 2 lekë kilogramin. Tash ajo nuk vlen për asgjë…”
Një temë interesante: prodhuesi përballë pazarit privat. Brigada përballë “tregut të madh” dhe “tregut të vogël”. Kërkesa dhe oferta, siç përdoret rëndom në bisedat ekonomike. Po ta thellojmë pazarin vëren se kashta e thekrit, e përpunuar nga brigada “në ditët e shiut dhe të dëborës, në shtëpi“, për qëllime artistike për eksport e dyfishon vlerën nga 2 në 4 lekë për kilogram. “Babai” e shet kështu “mallin” aq sa bën. I biri (burokracia në ndërmarrje dhe më lart) e shet badihava, e prish, e kalb.
E bëmë “llogarinë” me thekrën e një “parcele” të vogël në Kuplonin 10 hektarësh. Potëngulemi në “parcelën e madhe”, në Kuplonin siç është në idenë e Sali Roshit dhe specialistëve të bujqësisë atëherë koha kërkon alarm të vërtetë, terapi “shok” në mendimin përpemëtarinë.
Po cila do të ishte kjo terapi “shok”? E thjeshtë. Me një urdhër administrativ Kuploni ti jepet Sali Roshit me brigadën e vet. Me që pemëtaria është në rritje “pronarit” ti jepet kredi për zhvillimin e shpejtë të saj. Kaq si fillim.
Pas këtij “shoku” Kuploni do të “privatizohej” apo “kolektivizohej”. Për secilin anëtar të brigadës do të ishte i “Joni” me J të madhe. Shpenzimet do të niseshin drejt “kandarit të farmacisë” ashtu siç do të niseshin edhe shpenzimet dhe çmimet. Mendimi që midis radhëve të qershive të futet luleshtrydhja (natyralja, thotë Saliu, këtu bëhet aq shumë sa aroma mbush malin), mendimi që 200-300 dele mund të dimërojnë fare mirë, veprimi që gjen shprehjen në shartimet për vete në “fidanishten e Saliut” apo kujdesi që nga çdo gëmushë lajthie të merren fidanë duke plotësuar nevojat e veta, marrin rrugën e afarizmit.
Flasim shpesh për afarizëm. E konceptojmë atë si pronë të njerëzve të ditur. Lëmë mënjanë “afarizmin e vogël”, dëshirën dhe kontributin e njerëzve të thjeshtë për tu marrë me biznes.
Sali Rroshi kërkon të rrezikojë, kërkon të provojë riskun e vet. Dhe e kërkon në një majë mali, në 1200-1400 metra lartësi, në lajthishte. Dhe e kërkon në një sektor shumë të vështirë, të “dështuar” siç thuhet rëndom në gazeta. E kërkon në bujqësinë malore. Në atë bujqësi ku kambanat e kohës po bien me tërsëllimë marramendëse “Braktisni malet!”, “zbrisni në fushë!”
Erozioni ekonomik drejt fushës pengohet duke i dhënë malit atë që i takon malit. Me laps. Me vullnet. Me afarizëm. Me interesa të çastit por edhe të perspektivës. Biznesi (ato 12.520 qershi, 3920 mollë, 170 dardhë e në veçanti ato 4070 lajthi kokërrmadhe “Visoku”) i dhjetëfishon në numër, i shumëfishon në prodhim dhe në të ardhura.

TI HEQËSH SËPATËS BISHTIN
Pasi zbrita nga Kuploni shkova në Kuben, në Kastriot e Ostush. Takova punëtorët e brigadës tek vilnin kumbulla. Mu ftoh pak zemra kur pashë Kastriotin pa mollë, Kubenin e Ostushin me pak kumbulla, edhe atë të krimbur. Pranvera e lagësht e këtij viti, shoqëruar me ngricën politike i rrëzoi lulet e mollës, i krimbi kumbullat. Pak menduam dhe aspak vepruam për të përballuar ngricat e luftuar sëmundjet e dëmtuesit. Menduam e luftuam për partitë politike e replikat në takimet në rrugë. Pasoja shihet: Lulet e mollës nuk lidhën kokrra e kokrrat e kumbullave u krimbën.
Dikush, një partiak nga këta të rinjtë që bredh nëpër vend për vota, thotë se kur kaloi para do ditësh këtej tha: “Këto kodra janë të bukura për blegtorinë” (dikur një partiak pat thënë “Këto kodra janë të bukura për pemëtarinë)”. Kaq u desh që të nesërmen bagëtia të sulmonte pemëtoret. Kaq u desh që sëpata të binte mbi pemët 20-30 vjeçare. Me gjithë kokrra…
Njerëzit e dinë se sëpata pa bisht nuk pret dot një dru të vetëm e jo më të presë një pyll të tërë pemësh…
Abdurahim Ashiku