Diga që ndan dhe shkatërron


Nga NAZMI KOÇI

KUR BËRA THIRRJEN “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!
Kur dymbëdhjetë vjet të shkuara e përcolla për ta bërë bashkë vikamën që më buronte nga shpirti “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!” në një thirrje intelektuale që Dibra, siç thoshte enciklopedisti popullor Murat Koltraka, “Lenie Luginën e Drinit të Zi të bukur e të begatë siç e ka krijuar Zoti”, ishim pak: Bujari, Aliu, Murati, Xhemali, Linda, Argëtimi, Hakiu…
Të ndrojtur, herë – herë me një gjysmë të shkruari, sepse zë nuk na hapte kush ekraneve shërbëtorë të pushtetit. Nuk u guxua që thirrja të shpërndahej në një sallë dibranësh, të organizohej “promovim libri” siç organizohej rëndom me libra me “poezi pleqsh”.
Ti thoshe Skavicës Jo për pushtetarët mburravecë që deklaronin “Unë di të ndërtoj vepra botërore” ishte vetëvrasje, vetëhumbje pune dhe prestigji, rrugë kurbeti…
Ndryshoi diçka: “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!, një parullë e madhe, mbajtur nga dy vetë, u pa këto ditë para kryeministrisë. Më parë ishte parë në NewYork, nga zëra të fortë intelektualësh dibranë, në një peticion për ti thënë me firmë e me shpirt “JO SKAVICËS”, në tubime në Dibër, në një konferencë shkencore…
Kohë e re. Mundësi e hapësi të reja për të shkruar e për të ngritur zërin lart që Dibra mos mbytet, që Dibra mos zhytet, që Dibra mos të mbetet një toponim kërkimi historik në brezat që vijnë.
Erdhi koha për të guxuar, për të dalë në rrugë, për tu kundërshtuar, pse jo edhe për tu përleshur në demonstrata për të drejtën, për mbrojtjen e trojeve të blera me flori e të lara në gjak më shumë se çdo krahinë tjetër e Shqipërisë.
E në këtë kohë mendimi intelektual po zgjohet, argumentimi shkencor intelektual për mosmbytjen e Dibrës po ngrihet çdo ditë lart e më lart.
I kërkova një mikut tim ta thotë fjalën e vet për Dibrën, megjithëse trojet e të parëve lart në mal nuk i mbyten. Ma kishte dërguar në një mesazh në linjë të ngushtë kur më shkruante: “Dibra është unike, kur vdes një pjesë ka vdekur e gjithë Dibra”
Lexojeni…
Por më parë merrni laps e letër. Ka shumë dokumente cituar nga studjuesi, dokumente që duhen lexuar, shkruar e rishkruar, jo thjesht për tu mbajtur mend por si udhëheqje për veprim, si kustrim në barrikada.
Dibra duhet të qëndrojë e bukur dhe e begatë si e ka krijuar natyra dhe dora punëtore e Dibranit.
Abdurahim Ashiku
30 mars 2022

Dibranët ia dinë vlerën tokës, prandaj nuk e shesin. Toka është i vetmi mall që nuk prodhohet më. Ato që përmenden si çmim tregu për tokën në Dibër, e që sipas llogaritjeve të anës së pushtetit konsiderojnë 1-1.5 Euro një m2, bëjnë spekulim flagrant e duket sikur tallen me njerëzit. Sipas kësaj logjike 1 m2 tokë kushton më pak se një bukë. Në logjikën e ekonomisë së tregut çmimet nuk i cakton blerësi, por ai që shet, ai që i merret toka në këtë rast. Prandaj kjo kërkon uljen në tryezë me grupet e interesit e pronarët e ligjshëm.

Ka vite që në opinionin dibran, atë kombëtar dhe më gjerë, tema e diskutimit që bëhet gjithnjë e më shpesh është ajo për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës, rreth një problemi jetik për luginën e Drinit të zi, për Dibrën dhe dibranët, për të shkuarën dhe të ardhmen e tyre. As më shumë e as më pak, përtej çdo retorike e sofizmash për çka qeveria jonë e sidomos Kryeministri i saj janë ekspertë të fushës, kjo është zhdukje e pellgut të Drinit, e arkeologjisë së pa studiuar të atyre trevave, zhdukje e historisë, asaj të lashtë, të kohës së Skenderbeut dhe të luftrave shekullore me serbët e pushtuesit e çdo kallëpi, zhdukje e ekonomisë dhe kulturës së atyre viseve, specifikisht heroike e punëtore gjithashtu, është në fjalë të fundit zhdukja e Dibrës, e trupit dhe e palcës së saj. Pas kësaj mbeten ca shkëmbinj e ca pyje që rreth 6 muaj në vit i zë bora, ku ndonjë çoban mund të kullosë ca dhi a dele dhe dhelprat të shëtisin nëpër shkrepa.
Edhe pse nuk banoj në Dibër e jam dhe unë një votues, kësaj radhe dua të them dy fjalë, të shpreh votën time kategorikisht kundër e ti bëj nja dy pyetje kryeministrit të vendit dhe le të më quaj edhe mua tru shplarë e që nuk jetoj me fatkeqësinë e Ukrainës. Por zakonet e të parëve kanë qenë, kur ke mort në shtëpi, mos shko të qash te komshiu. Europa dhe Amerika po e ndihmojnë dhe Ukraina po lufton dhe do të ja dalë vetë, ne u solidarizuam me të, folëm në OKB dhe në Këshillin e Sigurimit dhe kaq mjafton për një popull të vogël si ky yni, që ka një ushtri dhe ekonomi krejt modeste, prandaj mos luani më me kartën e fatkeqësisë së saj. Po përse e mendoj të pa studiuar dhe në kufijtë e aventurës ngritjen e Digës së Skavicës dhe mbytjen e Dibrës. Le të analizojmë disa fakte.

PAK HISTORIK:
Ideja e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës është hedhur diku para nja 50 vitesh kur ndërtoheshin hidrocentralet e kaskadës së Drinit. U bënë disa studime e llogaritje dhe u pa si një çështje e ndërlikuar dhe me pasoja të rënda ekonomike, jo rentabël, bile që cënonte edhe raportet me fqinjët e do të kishte impaktin e vet negativ. U la në sirtar dhe nuk u nxor më prej atje. Tani ka disa vjet që po flitet me të madhe dhe propaganda e ka bombarduar aq shumë trurin e dibranëve që mendojnë se vërtetë do të ja kalojnë edhe Zvicrës. Kaq të bukura janë përrallat e gjyshes sa i kanë vënë në gjumë me sy hapur. Edhe pse e di se do te me quani nostalgjik, si dëshmitar i kohës kur ndërtoheshin hidrocentralet unë mendoj se qe krijuar një traditë, eksperiencë e stafe dhe me siguri një shtet i centralizuar si ai i kishte mundësitë për ta ndërtuar atë vepër. Por nuk e bëri si një vepër jo rentabël, pa përftimin e nevojshëm ekonomik, me pasoja të rënda në shume plane e me që më shumë prishte se ndreqte punë. Në vitin 1976 kur ndërtohej Fierza, një brigadë arsimtarësh dibranë u dërgua dy muaj për të punuar atje, isha edhe unë midis tyre. Rrugës për në Kukës ra një shi i dendur e që zgjati disa orë. Në Kolesjan rrëkeja rrëmbeu një mësues që po kthehej nga shkolla, e përplasi në një përrua dhe ai i shkreti i la fëmijët jetim. Në darkë fjetëm në Kukës, pasi ishte e pa mundur ecja përpara. Fjetëm në Kukësin e ri pasi ai ishte ndërtuar ndërkohë. Me nja dy shokë bëmë vizitë në Kukësin e vjetër, ndërtesat ishin aty bosh, por nuk ishin përmbytur akoma. Rrugës në drejtim të Hasit dhe të Kamit të Tropojës, nëpër kodra ishin ngritur lagje e fshatra të tëra ku pritej te stabilizioheshin banorët e fshatrave që do ti mbulonte uji. Të gjitha gjërat ishin organizuar në mënyrë të rregullt, siç kërkon një vepër serioze. Ndërsa toka atëhere me kushtetutë konsiderohej pronë e shtetit.
Nuk kam dëgjuar asnjë masë të tillë të jetë marrë këto kohë për një vepër kaq të madhe dhe që prek jetën dhe ekonominë e një rrethi të madh siç është Dibra dhe që shpërngul nga trojet e tyre jo pak, por 35 fshatra, të cilat dikur ishin rreth më vete.

Hidrocentrali i parë që është ngritur mbi rrjedhën e Drinit është ai i Spiles në territorin e Maqedonisë, disa qindra metra larg kufirit tonë shtetëror. Por edhe në territorin shqiptar është ndjerë impakti i tij. Kush e njeh nga afër atë zonë e din fort mirë se në stinë të caktuara edhe në ditët me diell, Gjorica dhe pellgu i saj e fshatrat e Maqedonisë përballë, mbulohen nga një mjegull e dendur dhe vetëm nga pasditja mund të shohin ndonjë rreze dielli, bimët që rriteshin dikur me bollëk tani bëhen me vështirësi atje.

E dëgjova një herë një ministreshë që kur flet përkëdhelet dhe nuk merret vesh se ç’thotë, të shpjegonte se “Kompania amerikane që është thirrur për këtë vepër ka eksperiencë në zgjidhjen e këtyre problemeve”. Po zonja Ministreshë, por ne të kemi votuar ty të na i zgjidhësh këto probleme, prandaj zgjidhi ose na ler rehat në shtëpitë tona, në trojet e të parëve tanë. Pa i zgjidhur, as një hap nuk duhet bërë përpara.

PROBLEMI EKONOMIK:
Në trajtimin e problemit të pronave të dibranëve që mbyten dhe duhet të kompensohen qeveria luan me dy karta, të dyja në dëm të qytetarëve të atyre trevave.
Së pari, ata janë shumë më të pasur se dokumentacioni që posedojnë për pasurinë e tyre. Ata janë përballë qeverisë së tyre, që vetë e kanë zgjedhur e duhet ti arsyetojë e ti pajisë me dokumentacion, ata nuk janë përballë ndonjë qeverie pushtuese. Në sistemin e mëparshëm, toka u konsiderua pronë e shtetit dhe u kolektivizua. Në vitet e demokracisë, dibranët pa zhurmë shkuan në kufijtë e të parëve dhe respektuan njeri tjetrin e të drejtën e pronës. Qeveritë që erdhën në radhë nuk u kujdesën që ti pajisin me dokumente pronësie qytetarët, u mjaftuan me ndonjë çertififikatë pronësie për disa dynym tokë arë. Por në gjithë Dibrën, sidomos në zonën që mendohet të zërë liqeni, qytetarët posedojnë edhe livadhe e kullota, zabele e pyje, vakëf e mal, troje e varre dhe të gjitha këto janë pronë e tyre, të gjitha duhet të evidentohen e të kompensohen.
Së dyti, thuhet shpesh se do të kompensohen sipas çmimit të tregut. Po kush është çmimi i tregut? Një i tillë në Dibër mungon. Kjo sepse shumë banorë të atyre anëve kanë zbritur në qytete e rreth tyre për një jetë më të mirë. Ata në masë nuk e kanë shitur tokën. Në përgjithësi ua kanë lënë të afërmve të tyre në ruajtje, ose dikujt me ndonjë qera modeste. Ata e dinë vlerën e tokës, prandaj nuk e shesin, ajo është i vetmi mall që nuk prodhohet më. Ato që përmenden si çmim tregu për tokën në Dibër e që sipas llogaritjeve të anës së pushtetit konsiderojnë 1-1.5 Euro një m2 tokë të atij niveli, bëjnë spekulim flagrant e duket sikur tallen me njerëzit. Sipas kësaj logjike 1 m2 tokë kushton më pak se një bukë. Në logjikën e ekonomisë së tregut çmimet nuk i cakton blerësi, por ai që shet, ai që i merret toka në këtë rast. Prandaj kjo kërkon uljen në tryezë me grupet e interesit e pronarët e ligjshëm. Në se ndokush kërkon çmimin e tregut, mbetet të merret parasysh çmimi fillestar i blerjes së saj nga pronarët e ligjshëm. Në fshatin tim që është më shumë se 800m mbi nivelin e detit, janë ende gjallë dëshmitarët që tregojnë se kur një fshatar bleu në kohën e Monarkisë një copë tokë 5-6 dn., pagoi 400 napolona ari. E po të llogaritet se lira dhe napoloni kishin rreth 7 gram një monedhë, i bie që hallexhiu pagoi rreth 3kg. flori për një copë arë. Ky është çmimi real i tregut. Ka dhe njerëz të arsyeshëm, siç pata rastin të dëgjoj një deputet të maxhorancës, i cili tha se fatura reale ekonomike e kësaj vepre kushton miliarda dollarë.

Po përfitimet nga ndërtimi i kësaj vepre cilat janë?
Gjatë këtyre ditëve, në përpjekje për të argumentuar nevojën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike, Kryeministri i vendit bëri një deklaratë kuptimplotë.
Ai tha se me hidrocentralet që kemi trashëguar ne mbulojmë rreth 70 % të nevojave të vendit me energji elektrike. (Po, pasi në këto 30 vjet nuk kemi ndërtuar ndonjë vepër që të ndikojë në prodhimin vendas të energjisë veç ndonjë heci lokal pa ndonjë ndikim të dukshëm). Atëhere rezulton që rreth 1/3-tën e kemi blerë sipas nevojave, rastit e stinës. Në se është fjala për 1/3 e nevojave, një qeveri që ecën me laps në dorë duhet ta menaxhojë situatën. Ajo mund të bëjë kujdes me shumë për kursimin e energjisë në stinët me shi, ruajtjen, apo huazimin e saj të tjerëve, për ta marrë në momente kur ne kemi nevojë. Jam i informuar se kur kemi energji tepër ne e shesim atë lire, ndërsa kur na nevojitet e blejmë shtrenjtë. Kësaj në Dibër i thonë, shit qen e blej këlyshë. Pa dashur të bëj specialistin ka shumë mënyra alternative të prodhimit të energjisë, pa ndërmarrë veprime me karakter aventure, që përmbysin një rreth të tërë dhe një pjesë të rëndësishme të territorit të vendit. Këto ditë pata rastin të lexoj një informacion mbi një investim rreth 200 miliard dollarë që vendet e BE, do të realizojnë në kuadër të një projekti për të marrë energji nga burimet e erës dhe panelat në pa mundësi tjetër, do ti vendosin në det. Imagjinojeni Dibrën me shtrirjen gjeografike që zë gjysmën e pjesës lindore të vendit,nga kufiri shtetëror me Maqedoninë në Gjoricë e deri në Kukës, atë luginë që përshkon Drini me bukurinë që natyra i ka dhënë. Gjatë gjithë këtij rrugëtimi disa km të gjatë në Drin derdhen lumenj e përrenj malorë dhe këta janë mundësi potenciale për prodhim të energjisë pa bërë atë përmbytje kataklizmike që bën diga që mendohet të bëhet mbi degën kryesore të Drinit, një nga lumenjtë më të gjatë e më të rëndësishëm të vendit.
Por në se do të përdoreshin burimet e erës për prodhim të energjisë, mundësitë janë të pafundme. Imagjinoni shpatet e larta malore me dhjetëra km të gjatë të Kërçinit, Deshatitit e Korabit, filloni në se doni nga gryka e Llangës e deri në Krej Lurë, në Qafë Bualli, Qaf Drajë e deri në Qaf Murrë ku ka shpate pa fund ku era dhe flladi nuk ndalen asnjë herë. Në to nuk ka nevojë të instalohen sisteme të ndërlikuara si ai i projektit të BE, që duhet të vendosë stativë me dhjetëra a qindra metra të gjatë në thellësi te detit. Jo, ne natyra na i ka dhënë gati, janë ekonomike dhe ekologjike njëkohësisht. Në se vërtetë do të bëhet një investim serioz në këtë drejtim jo vetëm Dibra nuk ka nevojë të mbytet, por dhe do të kemi siguruar energji elektrike për vendin tonë dhe disa vende të Ballkanit. Kam bindjen se do të duhet një përqindje fare e vogël e asaj shume që është menduar të përdoret për të mbytur Dibrën dhe historinë e saj. Po kështu mundësia e vendosjes së paneleve diellore e burimeve të tjera alternative të sigurimit të energjisë në vend, janë të pafund në Dibër e në gjithë Shqipërinë pa bërë përmbytje kataklizmike siç bën diga e Skavicës.

Arkeologjia:
Dibra është një trevë e banuar herët dhe në kohen e ilirëve aty ishin Penestët. Kush ka kërshëri të mësojë më shumë mund të lexojë punimin e shkencëtarit të mirënjohur dibran Adem Bunguri “Prehistoria e Dibrës”. Aty do të mësoni shumë të dhëna për lashtësinë e kësaj treve, por dhe një të vërtetë shumë të hidhur. Objektet arkeologjike në Dibër janë studiuar në një masë fare të vogël që ka filluar pas vitit 1970-të. Kjo do të thotë se objektet arkeologjike në Dibër, në shumicën e tyre janë ende pa u studiuar.(1) Këto do të asgjësohen përgjithmonë. Dihet se njerëzit e parë u vendosën pranë lumenjve ku kishin resurse për të banuar. Mendoni pak se Dibra dhe pellgu i Drinit janë më poshtë se shumë qytete të tjerë, më poshtë se Pogradeci, Struga e Ohri, Korça e Maliqi, sepse lumi buron prej andej dhe rrjedh poshtë gjatë luginës. Ka shumë gjëra për të studiuar dhe me këtë projekt ne do ti varrosim përgjithmonë ato, kemi varrosur historinë tonë, të lashtë e të re.
Gjatë zgjerimit të rrugës Bulqizë –Peshkopi, në Grazhdan, një fshat afër Peshkopisë, u zbuluan muret e një kalaje të lashtë që ndërtuar në periudhën e pushtimit romak. Historia është aty dhe ka nevojë të studiohet.
Duke gërmuar tokat e bukës në fshatin Muglicë të Okshtunit u gjetën disa enë balte që tregojnë se aty kanë banuar njerëz së paku që nga mesjeta e hershme. Kalldrëmet në Borovë, Okshtun e Lladomericë, qytezat ilire në gjithë Dibrën duhet të studiohen me vëmendje, pasi deri sot pak profesionistë dhe ndonjë mësues amator janë marrë me këto punë.
Në zonën e pellgut të Drinit e në Dibër të poshtëme ka pëllëmbë e objekte arkeologjike. Një mjek amator që punonte dikur në ato anë, duke bërë xhiro për qef të vet, zbuloi një shpellë interesante. Kur atë e vëzhguan specialistët e fushës përkatëse, rezultoi të ishte një objekt arkeologjik i klasit të parë.
Në një emision televiziv të kohëve të fundit u tregua për një zbulim interesant në një shpellë që nuk është në breg të lumit, por në rrëzë të malit të Pratit, mbi fshatin Mazhicë te Grykës së Vogël. U gjetën mbetje njerëzore aty dhe pati shumë hamendësime e spekulime, por studimet shkencore të realizuara në një shtet të përparuar të Europës, vërtetuan se ato eshtra ishin të shekullit te II-III të erës tonë, pra 1700 apo 1800 vjet më parë aty kanë banuar njerëz. Shkenca sot e zbuloi këtë fakt, por duke mbytur pellgun e Drinit dhe fshatrat që banojnë aty, ne e kemi zhdukur përjetësisht mundësinë për ti studiuar ato.

Historia:
Historia e atyre anëve është e pasur, po shumë e pasur. Për këtë kanë shkruar shumë të tjerë dhe thjeshtë do të them disa fjalë. Është fakt historik se aty është vendlindja e Kastriotëve e për këtë flet fare qartë historiani Kristo Frashëri në “Historia e Dibrës” (2012) (2). Ka dhe një muze historik për Kastriotët, tamam aty. Po ashtu ka dokumente të sakta se në atë zonë u zhvilluan shumë beteja e masakra nga perandoria turke. Aty nuk ka gurë pa njolla gjaku. Aty luftoi Skënderbeu me trimat e tij dhe nga 25 betejat historike qe zhvilloi me turqit, 19 i përkasin Dibrës (3). Është Skënderbeu që të gjithë fqinjët kërkojnë ta përvetësojnë, por ai mbetet shqiptar dhe pikërisht i kësaj ane ku edhe luftoi si luan për rreth 25 vjet. Kush ka shkuar në Romë dhe e ka parë atë, e din se në një nga sheshet kryesore të Romës ndodhet një përmendore e Skënderbeut mbi kalë, që ngjason me atë të Krujës, por është ndërtuar para saj. Në të është shkruar në gjuhën e tyre: ”Kushtuar Gjergj Kastiroti Skënderbut, heroit kombëtar të Shqiptarëve, mbrojtës i madh i krishtërimit dhe i qytetërimit Europian”. Ai shesh e ka emrin Piazza Albania dhe prej aty fillon një rrugë me emrin Via Tirana. Ata janë kujdesur për historinë tonë, pasi kështu bëjnë kombet e qytetëruar. Ndërsa ne jo, ne jemi gati ta mbysim përgjithmonë historinë tonë. Gjermanët e ruajnë Holokaustin edhe pse ai nuk ju bën nder atyre, por e ruajnë si një dëshmi historike. Ndërsa ne e groposim historinë tonë edhe kur ajo është e lavdishme. Popujt e tjerë i krijojnë heronjtë e tyre nga legjendat, i nxjerrin nga balta, kurse ne jemi të prirur ti baltosim e përmbysim tanët edhe kur janë figura reale historike. Kështu veprojnë vetëm kombet barbarë, jo ata të qytëruarit.
Në se do ti përmbahemi fabulës së “përrallës së Gjyshes” që u tregua kohët e fundit edhe në Peshkopi dhe që ja kalon edhe përrallave të Andersenit, sikur këto zona do të bëhen si Venecia dhe njerëzia do të lodhen duke shëtitur me gondola nëpër liqen, më lejoni të tregoj edhe unë “përrallën” time. Sa mirë do të ishte që të mos mbytet lugina e Drinit dhe të ruhet, siç do të ju thoshte një fetar me kulturë banorëve të Thethit në Shkodër “ruajeni këtë mrekulli të natyrës ashtu siç zoti e ka jeretisë”. Sa mirë do të ishte që kjo zonë të bëhej një park natyral me përmbajtje historike. Sa mirë do të ishte që në atë park të improvizoheshin të gjitha betejat dhe fitoret e Skënderbeut dhe të shqiptarëve në shekuj, por dhe shumë beteja të tjera. Mund të jetë aty selia e “Komitetit Kombëtar të Arrasit “ me atributet e një qeverie, ku drejtoi Elez Isufi si Kryetar. Atëherë po, do të shihni se si do mbushej me turistë ai vend e si do të gumzhinte ai park me dhjetëra kilometra i gjatë. Por historia na tregon se dibranët nuk kanë luftuar vetëm me turqit. Atëherë ja vlen në këtë “muze” të ketë edhe një pavion për luftërat legjendare me serbët, me bullgarë, gjermanë, italianë e pushtues të çdo kallëpi. Këtë e ka sqaruar mirë ushtaraku Moisi Murra në librin e tij “ Dibra nga Antikiteti ne Monarki” ku thotë: “Nga viti 1444 kur shqiptarët nënë udhëheqjen e Skënderbeut nisën dhe fituan betejën e parë kundër turqve osmanë, në Torvioll, Fushë të Kastriotit të Dibrës së poshtme dhe deri në çlirimin e Dibrës nga pushtuesit nazi fashistë me 2 shtator 1944, dibranëve u është imponuar një luftë në çdo 10 vjet”(4), pra gjatë pesë shekujve kanë zhvilluar mbi 50 luftëra të mëdha. Në se do të bëhej një vepër e tillë, turistëve do tu duheshin disa ditë për ta vizituar. Por që të bëhet kjo sigurisht do rrugë të asfaltura, teleferikë, resorte e infrastrukturë tjetër nga ajo që është sot. Në atë park natyral mund të ngrihen teleferikë që njerëzia të shohë edhe Qafën e gëlqeres e të ngjitet edhe në Lan Lurë. Pse jo, më tej edhe një teleferik për te Liqenet e Lurës. Ndoshta ndonjë guximtarë do thoshte bëni dhe ndonjë pistë për të rrëshqitur me ski, sepse ato zona nga bukuria nuk kanë gjë mangët nga Kolashini a Movrova, për veç dorës së njeriut që ka punuar më pak. Dikush mund të më thotë se duhen fonde. Unë ju siguroj se do te mjaftojnë fondet e Digës dhe që ky investim mund të sjellë fitim më shumë se çdo hidrocentral, përfitime kulturore dhe ekonomike, pa shkaktuar asnjë dëm. Edhe Rruga e Arbërit për këtë qëllim u ndërtua, përndryshe ç’kuptim ka, ndërto rrugën dhe pastaj mbyt Dibrën?
Me që i përmenda fqinjët të cilët kanë bërë masakra ç’njerëzore në gjithë Dibrën, ata kanë patur në qëllimet e tyre strategjike anën lindore të rrjedhës së Drinit dhe këtë objektiv e përmbush për mrekulli diga dhe liqeni që krijon ajo, i cili siç thotë Abdurahim Ashiku, e ndan Dibrën për mesi ashtu siç ndahet berri për penës së kurrizit(5). Ata përpiqeshin ti bindin dibranët se në se ju do të pranoni të bëheni me ne, (me Serbinë, shën. im), ne do të ju ndërtojmë një hekurudhë gjatë bregut të Drinit që të dilni direkt në Prizren. Ndërsa Elez Isufi u përgjigjej : “Në na ngucshi shumë, paska qenë thënë që ne të ngelim pa shtëpi dhe ju pa krye”(6).
Ky vend pëllëmbë e histori, pëllëmbë e heroizma, po projektohet të mbytet përgjithmonë. Kush do ta mbajë përgjegjësinë para historisë. Aktorët po e po, por edhe spektatorët kanë përgjegjësi të madhe historike. Burrat e dheut që luftuan e ranë në këto troje për ti mbrojtur ato, nuk do të falin askënd si ai që mori kazmën, ashtu edhe ai që heshti dhe lejuan të mbytet një trevë historike, nga më të lavdishmet në gjithë Shqipërinë, hambar drithi e djep historie dhe një perlë e natyrës e pa përsëritshme në llojin e vet. Neroni, perandor i Romës, e dogji atë dhe hyri në histori. Roma e ndërtua e rindërtua, por turpi mbi Neronin ka mijëra vjet që rëndron. Nuk besoj se brezat e sotëm do ta mbajnë këtë barrë para historisë. Megjithëse në pazar dibranët pyesin: “E ke tënden, apo ta ka lënë baba”.
Shkrimtari i njohur dibran Abdurahim Ashiku nga Athina thërret: “Është koha që të ngrihet zëri për mos mbytjen e Dibrës, bukurisë dhe historisë së lavdishme të luginës së Drinit ” (7).

EKOLOGJIA DHE KLIMA
Vepra të tilla kanë ndikim të fuqishëm mbi klimën e rajonit e më gjërë. Ata i prishin ekuilibrat e natyrës dhe biodiversitetin ekologjik dhe sjellin ndryshime klimatike që në shkallë globale rrezikojnë jetën në tokë. Prandaj bota sot është në këmbë dhe ka ndaluar ndërtimin e digave të larta e atje ku janë po i çmonton ato. Në SHBA, thotë Fazilete Gjika, janë çmontuar mbi 2000 diga të tilla.
Hidrocentrali i parë që është ngritur mbi rrjedhën e Drinit është ai i Spiles në territorin e Maqedonisë, disa qindra metra larg kufirit tonë shtetëror. Por edhe në territorin shqiptar është ndjerë impakti i tij. Kush e njeh nga afër atë zonë e din fort mirë se në stinë të caktuara edhe në ditët me diell, Gjorica dhe pellgu i saj e fshatrat e Maqedonisë përballë, mbulohen nga një mjegull e dendur dhe vetëm nga pasditja mund të shohin ndonjë rreze dielli, bimët që rriteshin dikur me bollëk tani bëhen me vështirësi atje. Ndërsa fshatrat nga Shupenza e lartë dielli i ndriçon që në orët e para të mëngjesit e bujqësia zhvillohet normalisht. Se çfarë ndikimi pati ky hidrocentral mbi banorët shqiptarë që jetojnë në Maqedoni, po ja lë fjalën Argëtim Fidës, ish kryetar i Komunës në Dibër të Madhe (cituar A.A.): “Dibranët nga ndërtimi i liqenit artificial të Dibrës dhe hidrocentralit të Spiles nuk panë asgjë të mirë për këto 40 vjet, pos humbjes së 5000 hektarë të tokës më pjellore dhe që vaditej nga dy lumenj, burimi kryesor i ekzistencës të numrit më të madh të familjeve dibrane. Sot të mirat nga prodhimi i rrymës përfitohen vetëm nga qeveria maqedone që nuk don të dijë në se këto familje u detyruan të largohen në Turqi ose ShBA për të siguruar ekzistencën“(8).

Të shpëtojmë Shkodrën:

Duket se aktorët dhe regjizori që duan domosdo të ngrenë një digë dhe të përmbysin Dibrën e kanë të qartë se ajo nuk është një vepër rentabël nga ana ekonomike dhe se ka disa mënyra të tjera më pak shkatërruese se ajo. Por në këtë pikë ata i kanë hequr dorezat dhe deklarojnë qartë se diga duhet ndërtuar që “Të shpëtojmë Shkodrën” nga përmbytjet që përsëriten shpesh atje. Këtë e thotë me plot gojën Kryeministri, Ministresha e linjës, deputetët në parlament, bile dhe ca deputetë dibranë. Athere na duhet të sqarohemi pak në këtë pikë.

Së pari, Shkodra aty ka qenë në shekuj dhe Drini andej ka rrjedhur në shekuj dhe shira po ashtu kanë rënë gjithmonë. Njerëzit janë perpjekur të mbrohen nga fenomenet e natyrës, kanë ndërtuar kanale e ngritur prita e pengesa dhe më vonë kanë kryer vepra bonifikuese e vënë hidrovore dhe nuk janë përmbytur. Në se disa të pa ditur a të pa ndergjegjshëm, bllokojnë kanalet e prishin argjinaturat, ndërtojnë ku atyre ju pëlqen dhe i kundërvihen natyrës, ajo dihet se është e pa mëshirshme. Po perse kemi qeveri, e çdo kohe e lloji qoftë ajo. E para që të mos lejojë veprime të tilla që të kryhen kur pasojat u dihen atyre per sot e në të ardhmen. Së dyti, në se kanë ndodhur, që të marrë masa e ti korigjojë ato. Ti verë në punë veprat bonifikuese dhe ta dërgoje ujin në rrugë të vet. Në se puna e kërkon le të prishen dhe ca ndërtime pa leje, sigurisht duke i kompensuar ato. Precedntë të tillë kemi. Kur ka interesa “strategjike “ si te unaza e re apo te rruga 5 maji në Tiranë, me një herë, pa zbardhur drita, shkojnë fadromat dhe i prishin. Po për interes shoqëror mund të bëhet ndonjë prishje, të ndëshkohet ndonjë fajtor, por jo një rreth i tërë dhe një zonë e pafajshme si Dibra dhe pellgu i Drinit. Në se qeveria dhe grupet e interesit vërtetë kërkojnë zgjidhje, të tilla ka dhe pa bërë ndonjë dëm, thjeshtë duke menaxhuar më mirë problemin.

Do të ju isha lutur shumë atyre që do të përpiqen ti trajtojnë këto mendime si mungesë dashurie e respekti për Shkodrën e shkodranët, të mos e bëjnë. Jo nuk është kështu dhe për të mos patur spekullime po sjellë disa fakte.

Në Dibër dhe më gjërë, dihet se Dibra e Shkodra janë një vëlla, dikur ishim një vilajet (më 1869). Kanë qenë ndër shekuj në një raport njerëzor të mire të jashtzakonshëm, kanë jetuar e punuar bashkë, kanë luftuar e vdekur bashkë. Që në kohë të Ilirëve është i vërtetuar ky fakt. Sa herë i ka dhembur koka Shkodrës kanë shkuar me nxitim dibranët. Kanë luftuar e janë vrarë me qindra atje. Ka varre të dibranëve gjthandej, te kisha e Berdicës, në Han të Hotit e nga mos. Dibranët kanë ndërtuar në Shkodër, ka një shesh me emrin “sheshi i dibranëve” dhe një rrugë të banuar nga dibranë që quhet “Rruga e gogëve”, disa janë vendosur përfundimisht aty e kanë marrë mbiemrin Dibra. Mbiemri Dibra në Shkoder zë vendin e tretë në listat e votuesve shkodranë. Historitë e trimërive të dibranëve në Shkodër, në luftërat me turqit, serbët e malazezët, janë pa fund. Në kohë të perandorisë turke shkodranët këndonin : “Deri sa, të kemi Dibrën vlla,/ buk’ e kryp’ sa ujë ka deti,/ S’ka ç’na ban Sulltan Mehmeti “ (9). Atë Gjergj Fishta u thur vargje dy udheheqësve të malsorëve dibranë që luftuan e ranë në Shkoder, Zyber Smajli nga Reçi dhe Mican Leka nga Dardha: “Zyber Smajli e Mican Leka / kurrë një herë si trembi deka/ Njeri Reç, tjetri darnjan /që çelik brejshin me dhamë” (10). Poeti Ymer Elezi në poezinë e vet “ Mziu i Reçit në histori” shkruan : “katër trimat e fisit Mzes/ luftë po bëjnë me malazes” (11).

Ndërsa historiani Bajram Xhafa shkruan në librin e tij: “ Po i çon Shkodra, Dibrës fjalë / a ma fal për luftë një djale” (14). Po djemtë e fisit Mzes, që luftuan e u vranë të gjithë, ishin jo një djalë, por katër djem nga një familje.

Shkrimtari dibran Agron Tufa thotë: “Varret e dibranëve i gjen të shpërndara nëpër të gjitha tokat shqiptare. E anasjellta-jo! ( 12). Lagje dibranësh ka në Tiranë, Shkup, në Stamboll dhe rrugë gjithandej. Bile ka një thënje të njohur: “Dibra ka ndërtuar Stambollin”, ndërsa një gazetar dibran pyeste: Po Stambolli përse nuk e ndërtoi Dibrën? Çështja është po të tjerët çfarë kanë bërë për Dibrën. Më mbetet të pajtohem me Agron Tufën kur thotë se “Historia e Dibrës është një histori e gjatë mosmirnjohjeje (13 ). Kjo Digë është mosmirënjohja e radhës për Dibrën dhe dibranët e për atë konribut që ka dhënë e për të cilin është folur e shkruar aq pak. Uroj te jete e fundit.

Mardhenjet e Dibres me Shkodren i ka çelikos historia dhe nuk ka përse ti ndajë diga dhe uji. Prandaj të dashur qeveritarë, duke dashur të na vllazëroni me Ukrainën, mos na e prishni vllallëkun me Shkodrën.

 

Moral i politikës apo politika pa moral

Shpesh dëgjojmë politikanë të çdo formati se duhet ta mbrojmë Shkodrën dhe popullin e saj nga përmbytjet e shpeshta dhe në këtë pikë unë bashkohem me ta. Por si duhet ta mbrojmë , duke mbytur Dibrën njëherë e mirë. Çfarë morali ka ajo politikë që përligj mbytjen përgjithmonë të një pjese të popullit të vet për të shpëtuar një pjesë tjetër nga mbytja rastësore apo disa javë në vit. Kjo është politikë pa moral. Një qeveri i ka njësoj shtetasit e saj në jugë e në veri, në perëndim e në lindje. Ligji dhe kushtetuta shprehin dhe mbrojnë parimin e barazisë së shtetasve, por ky veprim diskriminon një pjesë për ti sherbyer një pjese tjetër. Gjithashtu nuk më duket politikë me moral të lartë ajo që ndërhohë që “ merakoset “ për popujt e tjerë si a i Ukrainës, fyen dhe përçmon popullin e vet, bile dhe kur ai demostron pa thyer qoftë edhe një xham. Në se i heq edhe ketë të drejtë dhe je gati të mbysësh një trevë të tërë, atherë çfarë i ka mbetur demokracisë, përveç emërit fasadë.

Është bërë një luftë e madhe për të mbrojtur lumin e Vjosës nga një fat i zi si ai i Drinit. Jam plotësisht me ata që kërkojnë të mbrojnë Vjosën dhe ja kanë arritur. Por cili standart i politikës sonë, Vjosën e mbron dhe Drinin e mbyt. Kjo është politikë me dy standarte, pra poltikë pa moral. Për të njejtat arsye që duhet mbrojtur Vjosa, bile për ca me tepër, duhet të mbrohet edhe Drini.

Në se në Dibër janë mërzitur duke na dëgjuar ne intelektualët vendas dhe mendojnë se djali i komshiut është më i zgjuar se djali i shtëpisë, atëhere dëgjojeni thirrjen e një intelektuali nga Vlora, Z. Esheref Ymeri: “Populli dibran, në qoftë se do të jetë i bashkuar, nuk do ta lejojë Skavicën.

Unë shpresoj shumë te dibranët se ata janë pasardhës të trimit legjendar Elez Isufi, të gjeneralit me shajak, siç e pati quajtur ai anglezi. Sepse Elez Isufi ishte ai, i cili, si askush tjetër në trojet e pushtuara nga ushtria kriminale serbe, Drinin e Zi e pati mbushur me kufoma ushtarësh të vrarë serb, çka Beogradi e kujton me tmerr edhe sot e kësaj dite. (Eshref Ymeri, Kaliforni, 14 mars 2022. Cituar nga A. Ashiku më 18 mars 2022).

 

E për ta vërteuar atë që thotë një vëlla i mirë shqiptar nga Kalifornia, unë po ju jell edhe dëshminë e   Millan Nediq (Ministri serb i luftës gjatë luftës së II të botërore dhe bashkëpunëtor i Hitlerit) i cili thotë: “Ne u larguam nga ty, o shqiptar, që të mos jeshë varr i përgjithshëm i yni. Djemtë tanë më të mirë i lanë eshtrat nëpër shkëmbinjt tuaj” ( 15). Esherefi Ymeri nuk bën politikë me dy standarte, i mbron njësoj si Vlorën dhe Dibrën, si Vjosën edhe Drinin. Shembulli i Esherefit nuk shkon paralel me atë të politikanëve tanë dhe as me atë të ndonjë dibrani që “ka ra në fushe “ dhe pa u menduar gjatë thotë : “E ç’më duhet mua, unë një shtëpi e kam në Tiranë”. Kështu besoj se mendon lepuri që thotë : “le të digjet pylli, unë e kam ferrën time”.

E mbaj midis relikeve të mija një shkrim të historianit shkodran Gazmend Shpuza, me titull: “Viti 1913, si u sakrifikua Gjakova dhe Dibra për të shpëtuar Shkodrën” të botuar në gazetën Metropol të datës 24 shtator 2013. Në të ka një kapitull të emërtuar “Dibra, qendra e kuvendeve dhe kongresesve historike te Rilindjes kombëtare”. Ai e paraqet ndarjen e Dibrës dhe lënjen jashtë kufirit shtetëror shqiptar të Shehrit si një pjesë e rëndësishme e teritorit dibran, si frut të diplomacisë ruso sërbe dhe rrjedhojë te veprës tradhëtare të Esat Pashë Toptanit që dorëzoi Shkodrën te malazezët kur Konferenca e Londrës kishte përfunduar. Ai thotë: “Esat Pasha duke ia shitur Shkodrën Malit të Zi, në të vërtetë shiti Gjakovën dhe Dibrën”(16). Sepse Esat Pasha e dorëzoi Shkodrën kur Konferenca e Londrës kishte vendosur që ajo ti mbetej Shqipërisë. Pushtuesve iu shtua oreksi e kërkuan copë tjetër . Më poshtë, historiani shton se :”Dibra e kuvendeve dhe e kongreseve historike të Rilindjes…, nuk e meritonte fatin historik që i caktuan përfaqësuesit e fuqive të mëdha në konferencën e tyre të Londrës më 1913”(17). E unë jam duke thënë se Dibra e ka paguar taksën e historisë dhe detyrimet ndaj kombit e ndaj Shkodrës veçanërisht, e nuk i ka ma borxh askujt.

 

Kompania amerikane 

Shumë bashkëbisedues, sidomos banorë të atyre trevave, shprehen skeptikë në mundësinë e pezullimit të Digës si një vepër që shkatërron Dibrën, pellgun e Drinit dhe një pjesë të mirë të teritorit shqiptar të zonës veri lindore. Meraku i tyre është se tani është futur në lojë Amerika dhe ky është një emër i madh për çdo shqiptar. Por të sqarohemi me qetësi në këtë çështje. Së pari, në këtë vepër nuk është përfshirë qeveria amerikane, por një kompani private me qendër në Amerikë. Ajo kompani amerikane njihet tek ne sepse ka ndërtuar rrugën e Kombit, ashtu si e ndërtoi dhe kur e ndërtoi, pasi tamam ajo rrugë nuk është ndërtuar as sot. Në atë kohë një kryeministër pa thinja në kokë dhe në mendim , pat thënë se “Do ta ndërtojmë atë rrugë me bizhuteritë e grave tona”. Dhe rruga u ndërtua me paratë e buxhetit të shtetit e ne përsëri vazhdojmë të paguajmë lloj lloj taksash për të, deri te trau në Kalimash që merr taksë çdo ditë e çdo orë për “mirembajtje”. Por ajo rrugë për hirë të së vërtetës është e pa mirëmbajtur. Kjo nuk është përgjegjësi e kompanisë ndërtuese. Kompania kërkon front pune ku të gjej dhe në këtë rast i është ofruar qeveria shqiptare për ndërtimin e një dige dhe krijimin e një liqeni të ri me dhjetra mijë hektarë sipërfaqe. Në vendin e vet ajo zmonton diga të larta, tek ne i është kërkuar të ndërtojë një të tillë. Pra dibranët nuk kanë punë me ndërtuesin, por me investitorin.

Në se për angazhim të qeverisë amerikane merrni në konsideratë një vizitë të ambasadores amerikane Kim në Skavicë ju lutem mos u impresiononi prej saj. Unë e kam parë ambasadoren majë një shkëmbi në Skavicë ku kam qenë para saj dhe ju besoj fjalëve të sajë se ajo shkon shpesh në objekte të tilla, pasi “I pëlqen shumë natyra e viseve shqiptare”. Në se është e vërtetë dhe asaj i ka pëlqyer ajo pamje që është e mahnitëshme, unë prisnja të thoshte “Mos e prishni këtë bukuri të rralle ”, por ajo këtë nuk e tha. Mesazhet e Zonjës Kim nuk janë për herë të qarta. Nuk arrita ta kuptoj as kur vajti në Tropojë dhe u pa në televizor duke therur një gjel, se cili ishte mesazhi për shqiptarët therja e një pule. Ndoshta i parapriu gjëmës që ka ndodhur këto kohët e fundit me gripin e shpendëve në Durrës, por për këtë duhet të pyetet vetë Znj. Kim. Sidoqoftë mesazhet e saj janë disi të ndërlikuara për ne shqiptarët, pasi në to ndërthuren origjina e saj aziatike, e kombinuar me diplomacinë amerikane e që implementohet në një vend të Europës . Sa për qeverinë amerikane marrëdhënjet janë të mira dhe interesat e saj, politika jonë në unison i ka mbështetur, siç është rasti i Kuçovës apo i ndonjë kampi refugjatësh në Shqipëri. Nuk ka interesa amerikane te Diga e Skavicës. Kompania private amerikane, në mos aty do të ndërtojë në një vend tjetër dhe është në të drejtën e vet. Investitor është qeveria shqiptare dhe ne atë kemi votuar për hallet tona. Problemi i Digës është shqiptar, jo amerikan.

 

Siguria

Digat e larta sot në botë po zmontohen për arsye ekologjike dhe për arsye sigurie. Ndërtimi i një dige kaq të lartë dhe krijimi i një ujëmbledhësi aq gjigand nuk duhet bërë as për arsye sigurie. Drini ka qenë historikisht “vijë strategjike “ për fqinjët tanë lakmiqarë e për të është derdhur gjak e kanë dhënë jetën qindra dëshmorë dibranë . Historiani ynë i famshëm Kristo Frasheri, e ka përmendur me dhjetra herë termin “ vijë strategjike e Serbise” në librin e tij “Historia e Dibres “ të vitit 2012 ( 18). Ndërsa “Kufiri strategjik” për fqinjët tanë lindor ishte Shkumbini dhe dalja në detë, në Durrës. Këtë e thoshte shumë qartë Pashiqi në atë kohë që i shkruante Londrës e kërkonte dalje në detin Adriatik, por nuk donte Leshin, po Durrësin. “E vetmja skelë për ne është Durrësi, e cila ka qenë dikur tokë serbe…” (19). (Kur???). Ju lutem mos më thoni se kohët kanë ndryshuar, pasi do të ju lexoj Gëten kur thoshte se ”Historia është e përjetëshme, jeta njerëzore është shkurter”. Ndërtimi i nje Dige të tillë ndarëse, përveç qellimeve strategjike mbart edhe rreziqe reale në çdo kohë.

Me që në këto kohë ka shumë zëra që meren me luftën e padrejtë që zhvillohet në Ukrainë e unë bashkohem me ta, duhet të ju ketë rënë në vesh, se udhëheqësi rus Vladimir Putin, gjithnjë e më shpesh përmend Shqipërinë dhe Kosovën. Nuk është për tu trembur, por për të qenë vigjilentë.E përkthyer në terma realë kjo don të thotë se mund të jemi objektiv i radhës për një luftë të mundëshme. E kam të qartë se do të nxitoni të më thoni se “ jemi vend antarë i Natos”. Së pari, në një sulm të mundshëm mund të jetë vetë Nato që të hedhë ndonjë bombë gabimisht mbi Digë. A nuk ndodhi në luftën e Kosovës në vitin 2000 një precedent i tillë kur avionët e Natos goditën gabimisht një autokolonë me civilë që marshonte në drejtim të Shqipërisë dhe çështja u mbyll duke kërkuar falje për një gabim njerëzor. Se dyti, trupat offensive ruse në Ukrainë kanë vënë në rrezik edhe reaktorët bërthamor në centralet e Ukrainës, ndonëse e dinë se kjo ka pasoja globale, bile edhe mbi ta vetë. Kush do ta kursente një bombë mbi digë në një konflikt të mundshëm, a thua ju dhimbsen shqiptarët më shumë se ukrainasit.

Edhe shkaqet natyrore si ç’ jane tërmetet në një zonë me aktivitet sizmik të lartë, janë një mundësi potenciale e shkatërrimit të saj. E në se një gjë tillë ndodh, ndodh kataklizma e vërtetë për Shqipërinë. E gjithë zona poshtë diges, përfshi Shkodrën e Durrësin do të zhdukeshin jo për disa javë a muaj, por përgjithmonë. Hëna dhe dielli mos e dëgjoftë fjalën time, por kjo mund të ndodhë dhe sot duhet të mendohemi mirë për egzistencën e kombit në të ardhmen. Prandaj mendoj se kjo është një Digë që mbyt e përmbyt, ndan e përçanë, ndan e shkatërron, shkatërron e tjetërson dhe si e tillë nuk duhet ndërtuar kurrë. Dikur i pata shkruar një miku: ”Nuk duhet të flasim vetëm për një zonë e cila dhe ajo ka qenë dikur një rreth më vehte, por duhet të vleresojmë se Dibra është unike me fushë e malësi, kur dëmtohet një pjesë, dëmtohet e gjitha., kur vdes një pjesë ka vdekur e gjithë Dibra. Ne e dimë si kanë jetuar bashkë në luftë e në paqë, asnjera nuk jeton dot pa tjetrën. Prandaj dhe argumenti se mbytet kaq ha tokë e preken nja 20000 banorë që duhet të dalin muhaxhirë, nuk më duket i drejtë, pasi për mua preket e gjithë Dibra, arkeologjia, historia, kultura, ekonomia, popullsia dhe tërësia e Dibrës “. Prandaj unë jam kategorikisht kundër ndërtimit të asaj dige dhe ju ftoj të mbështesni zërat para meje e mua bashkë me ta.

Në të shkuarën kemi patur mjeshtër të medhenj të ndërtimit të Digave, por ata ishin në koherencë me të dhënat shkencore dhe botën, prandaj nuk u nxituan ta ndërtojnë atë digë. Prandaj bota nuk ndërton më diga të tilla dhe bën investime marramendëse e vendos panele për energjinë e erës, të gjatë me qindra metra edhe në thellësi të detit, për tu mbrojtuar nga katastrofat njerëzore a natyrore. Bota e qytetëruarprandaj gradualisht po i zmonton ato diga që ka ndërtuar më parë.

 

Një eksod në horizont

Është krejt e natyrshme, bile kjo është e para, të mendojmë se çfarë do të bëhet me banorët e këtyre zonave, nga më të populluarat në Dibër e më gjërë, pasi të jetë mbytur ai vend ku kanë troje e varre dhe kanë jetuar ndër shekuj. Ndonjë merak nga strukturat shtetërore nuk duket se është shfaqur deri sot dhe jo masa të jenë marrë, por as ndonjë projekt i qartë nuk është paraqitur. Ndoshta me mendje lehtësi mendohet se mund tu jepet në dorë ndonjë lek dhe tu thuhet : ”zgjidheni vetë individualisht “. Asnjë banorë të atyre anëve të mos e rrejë mendja se do të marrë ndonjë shpërblim të arsyeshëm, që i referohet pasurisë që ka në atë vend, apo nevojës që duhet të përballojë në një vendbanim të ri. Ka mbi 30 vjet që flitet për pronarët e ligjshëm e pronat e tyre të shpërdoruara për çdo arsye qoftë dhe qeveritë më parë e qeveria flasin çdo ditë per kompensim të tyre. Edhe kur janë bërë studime e vendosur tarifa, qeveritë nuk njohin as tarifat e tyre, por ju kërkojnë pronarëve të pranojnë të kompensohen me një koeficient të reduktuar që është rreth 10% e vlerës së pronës së tyre. A mund të pranohet kjo. Është lehtë të bësh llogaritë e tjetrit dhe të bësh sikur e paguan. Në se në Tiranë e rrethe flasim për pronarë që kanë plotësisht të drejtë, por janë të sistemuar, çfarë mund të thuhet për ata që nuk dinë se ku do ta venë kokën.

Do të jenë të detyruar të ndërmarin një eksod tjetër biblik. A nuk u ngopën njerëzia duke parë dibranët si muhaxhirë. Po e citoj edhe një herë Haki Stërmillin për ngjarjet e vitit 1913 në Dibër : “ Në qytet, tabakhanja që ishte thertore bagëtishë, u bë thertore njerëzish. Qytetit i vinte era gjak njerëzish… kudo mbretëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri” (20). E më poshtë për eksodin do të thoshte: “ Dy kortezhe të gjata, Dibër –Elbasan dhe Dibër-Tiranë (100000 vetë sipas H. Stërmillit dhe 200000 sipas zëv. konsullit austriak Pollanz) e përcuellën lirinë në robni…., Ky ishte marshi funeral i Dibrës së vorrueme…” (21 ) . Kanë ikur shumë herë dibranët “nga sytë këmbët” dhe u shpërndanë si zogjtë e korbit e u vendosën në Elbasan, Durrës, Shkodër, në Shkup, në Stamboll, ne Athine, në Amerikë, nëpër të gjitha shtetet e Europës, ndërtuan Stambollin, ndërtuan Shqiperinë, ndritën vendin kudo që shkuan,… dhe mbijetuan. Bënë sakrifica mbi njerëzore dhe ndërtuan jetën me nder siç thotë Këngëtari dibran Haxhi Maqellara: “tuj punu e jo tuj lypë”. A ju kujtohet një natë janari e vitit—-, kur 30 djem dibranë përfunduan në thellësi të detit duke ikur për një jetë më të mirë dhe politka heshti. Përsëri dibranët muhaxhirë? Atherë ka të drejte shkrimtari kur thotë kjo është mosmirënjohja e radhës. Uroj kësaj here të mos ndodhë.

Sikur ti mblidhnim të gjithe eksodet e Dibranëve, megjithëse nuk e kam bërë një studim të tillë, besoj se do të rezultonte e larguar një popullsi aq sa është sot popullsia banuese në Shqipëri. Është një hemoragji sociale që nuk po ndalon kurrë dhe me veprime të tilla veçse e nxisim më tepër. Ndaleni zotërinj këtë hemoragji. Sa ma shpejt më mirë. Shoqëria është si një organizëm i gjallë që kur humbet shumë gjak, vdes. E kjut i ntereson kjo, shqiptarëve jo. Ndoshta të huajve ju intereson të ndodhë kështu. Atëhere a nuk e kam të drejtën të pyes : “Për kë punoni Ju”? Ju lutem mos u fyeni por reagoni.

 

Përfundimi

Do të kisha dashur tu jap fund këtyre përsijatjeve të mija, por më frymëzoi qëndrimi i Esheref Ymerit që shkruan nga Kalifonia dhe vlerëson dibranët dhe heroin e tyre Elez Isufin. Ai është një inteletual nga Smoktina e Vlorës, ish Profesor i Universitetit të Tiranës, në pension, në Kalifoni të SHBA, shumë aktiv në botën e letrave dhe në jetën shqiptare. Ky është qëndrimi i një intelektuali e patrioti që don vendin dhe popullin e vet.

Dibranët sot kanë mundësinë të dëgjojnë shumë zëra këshillues. Dëgjojeni me vëmëndje Abdurahim Ashikun që jeton në Athine, por dhe gjumin e ëndrat i bën me Shqipërinë, me Dibrën dhe hallet e saj. Dëgjojeni Ali Hoxhën, Murat Koltrakën (i ndjerë), Mustafa Tolën, Adem Bungurin, Bujar Karoshin, Munir Hoxhën, Marjana Bulkun (Zeneli), Fazilete Gjikën, Selman Mëziun, Dali Oreshkën, Nazmi Drizin, Xhemal Matën, Bashkim Mashkullin, Ahmet Shehun, Adriatik Ballën, Margarita Markën, Cezar Ndreun e shumë të tjerë. Dëgjojeni Ramiz Dacin kur fliste në Kuvendin e Arrasit më 13 gusht të vitit 1920 “Kanë luftue të parët tanë e na i kanë lanë ti gëzojme këto troje. Sot …. do të luftojmë ne që ti gëzojnë fëmijet tonë, do të luftojmë or burra se na ka ardhë radha” ( 22). E në mos nuk mjaftojnë këta zëra, dëgjoni Suf Xhelilin me thirrjen e tij “a basa besë”.

Sot nuk ka nevojë të luftojmë me pushkë, por të luftojmë deri në fund, me çdo mjet demokratik, papërgjegjshmërinë e mëndjelehtësinë e atyre që na thonë merrni plaçkat e ikni, “se ne do shpëtojmë Shkodren”. Të luftojmë se “na ka ardhë radha”, për të ardhmen e fëmijëve tonë.

Në këto shënime kam paraqitur disa copëza me fakte historike për të treguar se është derdhur shumë gjak për këte tokë që kërkojnë ta mbysin me një firmë mbi një letër. Të sqarohemi përfundimisht se ne kemi luftuar për trojet dhe familjet tona sepse na e kanë imponuar të luftojmë, ata që na kanë shti në luftë. Por ne nuk urrejmë kombe të tjerë, e as flirtojmë me ta. Historia kështu na ka mësuar. Dibranët dhe gjithë shqiptarët nuk urrejnë pasi kanë një kod, kodin e besës që ndonjë kombi tjetër i mungon. Kodi i besës, ka qenë për shqiptarët kodi i kushtrimit, kodi i vlerave dhe i mbijetesës së tyre. Kur mbi popullin e Dibrës kryheshin ato masakra antinjerezore për të cilat dëshmon Haki Stermilli dhe ka shkruar historia, Elez Isufi me luftëtarët e vet shoqeronte një kolonë prej 700-800 robërish të marshonte e sigurtë, të pushonte e të ushqehej dhe i përcolli robërit deri në kufirin shtetëror e i la të lirë të shkojnë në shtëpitë e tyre. Kjo habiti gjithë Europën e qytetëruar. Ishte kodi i vlerave e i besës së shqipetarëve. Mjerisht shumë figura të rëndësishme historike të Dibrës dhe të Shqipërisë, janë vrarë në pabesi.

Kësaj here nuk kam arritë me ju kuptue mirë, bashkëqytetarët e mi dibranë. Heshtja juaj me habit e më befason. Me pëlqen të mendoj se ashtu të zgjuar siç jeni prej natyre, po mendoni të flisni kur të jetë rasti, siç bën i mençuri në kuvend. Por rasti është tani, pasi nesër mund të jetë tepër vonë. Një mëndje më thotë se po luani fabulën e gomarit që kur po e hante ujku thoshte: “Ishalla jam në ëndërr”, prandaj zgjohuni e dilini zot vetes, se bariu ka dalë për gjah. Nuk ju kuptova as në zgjedhjet e 6 marsit. Nuk ju kuptova sepse, pasi votuat siç ju e menduat dhe votuat kur ishte dita, të djelën, pastaj të hënën dolët në protestë, për çfarë? Vota i rregullon gjërat më mirë se protesta. Me që ra fjala se edhe unë votues si ju jam, nuk kam asnjë vrejtje për njeriun që u zgjodh dhe as për familjen e tij. Por ai është perfaqësues i qeverisë dhe u soll nga Tirana aty për të çuar përpara projektet e qeverisë. Në se vërtetë nuk e doni atë digë dhe jam plotësisht i bindur se jo, atëhere për tej çdo preference politike duhej të kishit bërë një zgjidhje që mbështet jetën tuaj, në trojet e të parëve. Me gjithatë kam dëshirë të besoj se një djalë Dibre e ka formimin dhe tabanin familjar të mendoj si patriot e më pas si partiak.

Me çka shkrova më lart, e disa të tjera që i kam ende në mëndje, fare mirë mund të isha ulur e të shkruja një libër për këtë problem, ku këto çështje të ishin kapituj të atij libri. Por dhe një herë po marr si shembull një shkodran të shquar, Dr. Frederik Shirokën kur thoshte: “Në pamundësi kohe dhe shëndeti historinë e mjeksisë shqiptare po e shkruej me majën e bisturisë, të tjerët ta shkruajnë me majën e pendës” (23).

Shpresoj se do ta bëni një resort në Dri, aty ku mbytet Seta dhe po jap fjalën se do të vi të festojmë bashkë.

 Mars 2022

Literatura:

  1. Adem Bunguri: Prehistoria e Dibrës, Tiranë 2010
  2. Kristo Frashëri; Historia e Dibrës, Tiranë 2012, f.94-124
  3. Moisi Murra: Dibra nga antikiteti në Monarki, Tiranë, f.132
  4. Moisi Murra, po aty, f. 1
  5. Abdurahim Ashiku: Po Dibrës, jo Skavicës, Tirane, 2010
  6. Haki Stërmilli: Dibra në prag të shpalljes së pavarësisë, Dorshkrim, Tiranë 1940, f. 115:
  7. Abdurahim Ashiku : vepër e cituar f.5
  8. Abdurahim Ashiku, vepër e cituarF.6
  9. Munir Shehu : Dibra në shekujt e sundimit osman, Tiranë 2016, f.14
  10. Zenepe Dibra: Dibranët e Shkodrës, Shkodër 2019, f.234
  11. Zenepe Dibra: vepër e cituar, f.80
  12. Agron Tufa: Gazeta “Rruga e Arberit”, datë 12.062014
  13. Agron Tufa : Gazeta : po aty, f.2.
  14. Bajram Xhafa: Lufta e Dibrës 1920, Shkodër 2001 (cituar Z. Dibra f.94) :
  15. Moisi Murra: Dibra nga antikiteti në Monarki, Tiranë, f.551 (marrë nga libri Milan Nediç “Tërheqja e ushtrisë sërbe nëpër Shqipëri, 26nëntor -17 dhjetor 1915, Beograd 1937).
  16. Gazmend Shpuza : Vitit 1913, si u sakrifikua Gjakova dhe Dibra për të shpëtuar Shkodrën, Gazeta Metropol 24.09.2013, f.1

17; Gazmend Shpuza: Po aty, f.9

  1. Kristo Frashëri; Vepër e cituar, f.356,358,359,360,362,368.
  2. Moisi Murra : Vepër e cituar, f.339
  3. Haki Stermili : Vepër e cituar f.115
  4. Haki Stermili : Vepër e cituar f.95
  5. Moisis Murra: Vepër e cituar, f. 494
  6. Musa Bizaku: Monografi “Breznia Kaduku”, Shkodër 2006, f.7