Liqenet e Balgjajt, bukuria e heshtur 
Nga Agim TOTRAKU


Liqenet e Balgjajt / Foto: A.Totraku

Në vendin ku kryqëzohen grykat e Katërgrykëve, teksa merr rrugën nga ura që të çon drejt Kacnisë, të del përpara me gjithë madhështinë e tij të padiskutueshme vargmali i Balgjajt. Natyra e tij kryelartë e madhështore, gjelbërimi gjithëbimor e pothuaj gjithëvjetor, ajri i freskët që, i dehur nga oksigjeni, zbret me valëzime nga majat e tij piktoreske, uji i kristaltë që me vezullime merr rrokullisjen nga liqenet e bukura, në të cilat laheshin dikur zanat e legjendave të të parëve tanë, të gjitha këto së bashku duket sikur të bëjnë një grishje të pakundërshtueshme për t’i pushtuar këto vise.
Pikërisht këtu fillon mëdyshja, pasi, për të arritur deri atje, janë dy rrugë të ndryshme. Rruga e parë fillon e qete dhe e shtruar nga Ura e Lunares përgjatë rrugës automobilistike, duke e përshkuar Kacninë mespërmes për rreth 3 km deri te Margjoket, aty ku ajo takohet me Përroin e Peshkut. Ky përrua e ka marrë emrin nga fakti se është i populluar në shumicë me peshq të egër të vegjël, por shumë të fuqishëm për të përballuar furinë e rrjedhës së tërbuar të ujërave shumë të ftohtë që burojnë nga mëma e tyre atje lart, te liqenet. Duke u nisur në këmbë nga ky vend e deri në lartësitë e liqeneve në Shtrunksë duhet rreth një orë e gjysmë. Me ndërtimin e hidrocentralit të Kacnisë, është bërë e mundur që edhe ky segment të përshkohet i tëri me fuoristradë.
Rruga e dytë, nga Ura e Lunarës deri te ishminiera në Hurdhë, për 17 km është e përshkueshme me fuoristradë apo me makina më të larta. Pjesa tjetër, në një gjatësi 4 km është më e vështirë, por që mund të kalohet nga automjetet e rënda. Ndërsa në këmbë përshkohet për rreth 1 orë e gjysmë.
Në varësi të rrugës që ndiqet, qëllimit të rrugëtimit, mënyrës se si vendos t’i shijosh këto bukuri, nevojiten një deri dy ditë për t’u bërë mysafir i këtyre perlave. Konfiguracioni gjeografik i ka dhënë dhe emrin vendit që të shfaqet si në ekran, Shtrunksë, si ena e drunjtë e shtrunksës, që të parët tanë përdornin për të mbajtur ujin e pijshëm. Gjithçka të bukur që natyra i ka dhuruar me shumë bujari këtij vendi të del përpara si në ekran. Pyjet e larta të pishës, arrnenit, bredhit, plepit të egër etj., formojnë kurorën mbretërore që plot krenari e mban mbi kokë ky vend. Bukuria që lulet e zonjës i japin këtij vendi është vërtet e pakonkurueshme. Drithërohesh nganjëherë kur shkon ndër mend faktin se duar të pamëshirshme mundohen ta prishin këtë bukuri vërtet përrallore. Liqenet e Shtrunksës, të vendosura si me dorë sipër njëri-tjetrit, me parimin e enëve komunikuese, të lënë pa mend kur i sheh në sfilatë tek tregojnë secili hijeshitë e tyre të papërsëritshme. Fusha e gjerë disahektarëshe e Shtrunksës, me ujërat që rrjedhin mespërmes qetësisht e me ajrin dehës që e mbulon nga sipër, të krijon ndjesinë e pangopësisë me oksigjenin më të pastër në botë. Pasi të kesh përfunduar një ndeshje futbolli a volejbolli, lodhjen ta shuan si me magji uji tejet i freskët.
Pasi të jesh miqësuar me këtë vend që ngërthen plot tregime e gojëdhëna, kureshtja të shtyn për ta eksploruar më tej, ku mendja vetvetiu është e përqendruar te liqenet që gjenden me shumicë në këto maja. Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve të Shtrunksës e Bataqeve është 21ha dhe me kapacitet total ujor rreth 60 milionë m3 ujë. Origjina e tyre është akullnajore. Gjatë ngjitjes përmes pyjeve, papritmas, mes degëve të ahut e të pishave, fillojnë të shfaqen rrezatimet vezulluese të peizazhit që të del përpara. Befas, gjendesh përballë një hapësire ujore të madhe, Liqeni i Pishës së Lice me një sipërfaqe 1 ha, me kapacitet 10 mijë m3 ujë dhe thellësi 4 m. Sipër tij, më i madhi e më madhështori është Liqeni i Zi me sipërfaqe 10 ha, me kapacitet 400 mijë m3 ujë dhe thellësi 12 m. Në ngjitje, perëndim të Liqenit të Zi ndodhen liqenet e Barzane, njëri me sipërfaqe 1 ha, me kapacitet 5 mijë m3 ujë dhe thellësi 1-2 m dhe tjetri me sipërfaqe 2 ha, me kapacitet 20 mijë m3 ujë dhe thellësi 5 m, i mbuluar pothuajse tërësisht me zambakët e bukur të ujit. Në krye të vendit, si për t’i dhënë më shumë rëndësi vetes, ndodhet Liqeni në Kep, me sipërfaqe 10-12 ha, me kapacitet 400 mijë m3 ujë dhe thellësi 8-12 m. Ky është liqeni që bën furnizimin me ujë të liqeneve që gjenden poshtë tij. Në veriperëndim të këtij grupimi ndodhet Liqeni i Kolemadhit, me sipërfaqe 6 ha, me kapacitet 5 mijë m3 ujë dhe thellësi 4 m, hapësira e të cilit ka shkuar drejt reduktimit si pasojë e prurjeve. Sipër tij, i fshehur e i qetë ndodhet liqeni i vogël i Loshe.
Nëse nga fusha e Shtrunksës merr drejtimin juglindor, pasi të lësh në të djathtë liqenin e vogël të Rame, të dalin para syve me po të njëjtën madhështi liqenet e bukura të Bataqeve. Duke marrë emrat e fiseve që zotëronin kullotat përreth tyre, këta liqene mbajnë emrat e Kalisë, Milloshit, Bruce etj. Mes disa liqeneve në këtë hapësirë, katër janë të mëdhenj. Po japim një vështrim të tyre duke u nisur nga veriu drejt jugut. I pari me sipërfaqe 2 ha, me kapacitet 20 mijë m3 ujë dhe thellësi 5 m. Liqeni i dytë, i Kalisë, me sipërfaqe 2 ha, me kapacitet 30 mijë m3 ujë dhe thellësi 8 m. Liqeni i tretë është me sipërfaqe 2 ha, me kapacitet 15 mijë m3 ujë dhe thellësi 5 m, ndërsa liqeni i katërt është me sipërfaqe 1,5 ha, me kapacitet 15 mijë m3 ujë dhe thellësi 8 m. Në paraqitjen e këtyre detajeve do dëshiroja të falënderoja shumë Adem Ramën, një mbikqyrës nga Kacnia i punës në këto hapësira, së cilës i është përkushtuar me devotshmëri.
Nuk mund të lemë pa përmendur këtu edhe florën e faunën tejet të pasur të këtyre viseve. Nga flora mund të përmendim bredhin e bardhë, plepin e egër, pishën e zezë, arrnenin, bredhin e bardhë, qershinë e egër (boronicën), lulen e pishës, lulen e zonjës, luledelen, mjedra, luleshtrydhja e egër, lulja agulice, manushaqja blu dhe e verdhe, shtara, drunakuqi etj. Kurse nga fauna përmendim dhinë e egër, kaprollin, derrin e egër, lepurin e egër, gjelin e egër, thëllënzën, ariun e murrmë, ujkun, dhelprën, shqarthin, macen e egër, rriqebulli etj.
Në një numër të përgjithshëm rreth 15 liqenesh me origjinë akullnajore, në një lartësi 1700-1800 m mbi nivelin e detit, ku përkarshi tyre, me po të njëjtën bukuri e madhështi qëndrojnë liqenet e Allamanit në anën e Matit, me një florë e faunë shumë të pasur, e them me sigurinë më të madhe se kurora liqenore e Balgjajt konkurron me dinjitetin më të madh simotrën e saj, kurorën liqenore të Parkut Kombëtar të Lurës.
Këtu ka plot vend për ndërtimin e një parku veror, ndërtimin e një parku dimëror, ndërtimin e një spitali për kurimin e sëmundjeve të ndryshme të brendshme.
Ftojmë ta vizitojnë këtë vend vetëm një herë ata që janë të pasionuar në ngjitjen e lartësive, ata që kanë vendosur që seriozisht të eksplorojnë natyrën e virgjër shqiptare, ata që vërtet dëshirojnë të shijojnë ajrin plot oksigjen, ujin e kristaltë të lartësive e natyrën plot ngjyra. Ju siguroj se nëse ka një herë të parë, patjetër do të ketë një herë të dytë.

KOMENTI JUAJ

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *