Ese / Unë zgjedh të jetoj pa dhunë


Nga Ygerta GJELESHI

Këtë mëngjes emërharruari nëntori dëgjoj melodinë më pikëlluese të Universit, dëgjoj të qarën e nënës sime. Shoh lotët e saj të pikojnë një nga një, e ndjej dhimbjen e saj aq të madhe. Ajo po na shikon me sytë e saj prej engjëlli të skuqur nga e qara sikur do të na thotë të largohemi, të ikim prej aty e të gjejmë një strehë lumturie fëmijërore diku mes shoqërisë tonë të lagjes.
Kjo nuk ndihmon. Nuk ndihmon aspak të harroj atë që kam parë pak më parë. Dy engjëjt e mi në luftën mes zemërimit, goditjeve e përuljes. Kam parë dy engjëj në flakët e ferrit.
A është e mundur vallë?
Unë nuk u besoj syve të mi. Babai im është zemëruar, tiparet e fytyrës së tij duken të vrenjtura, shumë më të vrenjtura se zakonisht. Ai qëndron përballë nënës e po bërtet me sa zë ka. Të ëmbla duken britmat krahasuar me goditjet e shumta që pasojnë. Lëviz e godet pa mëshirë me duar e shkelma, nuk ndalon, nuk dëgjon. Duket se nuk sheh asgjë tjetër përveç zemërimit të tij, nuk i intereson asgjë më tepër.
E në tërë këto vuajtje, në vrazhdësinë e goditjeve nëna qëndron e brishtë, mes shkelmave të tij ajo na kërkon ne dhe me atë pak forcë që i ka mbetur na përgjërohet të mos e shikojmë atë skenë të errët që shfaqet para nesh. Jam përhumbur në këtë skenë, siç duket babai im ka humbur në alkool, në shishet e shumta që ka zbrazur dhe ka hedhur mbi tavolinë, kështu duke ndarë në copa lumturinë e familjes tonë e me zë të vrazhdë ulërin: “ Ikni që këtu, kjo është mes meje dhe nënës suaj!”
U mundova të veproj ashtu siç nëna ime thotë mes të qarave të saj, filloj të lëviz këmbët në një vrap thuajse të shuar, por nuk më binden edhe aq larg, thjesht deri tek korridori i ngushtë e i gjatë, përballë një pasqyre me reflektim të zhburosur. Aty shoh fytyrën time mes një mjegulle të dendur, mjegull e krijuar nga uji dhe kripa e dy deteve të kaltër që rrjedhin e jetojnë në ballin tim.
Sa pyetje e mendime më vërshojnë nga të gjitha anët e atij korridori ku kam tërë ato copëza jete. E si mund të ik dhe të lë nënën time në atë gjendje të frikshme zemërthyese? Si mund të lë babain tim të shndërrohet në njeri të tillë ? Çfarë të bëj unë, thua mund të bëj diçka?
“Më ndihmo t’i shpëtojmë ata, më ndihmo t’i ndihmojmë ta duan njëri-tjetrin përsëri”- dëgjoj të më thotë ngadalë e me një grimë shprese vëllai im i vogël tek më mbështjell në një përqafim strehues me duart e tij të vockla në ecejaket korridorit….
Tani të gjithë e dinë se në familjen tonë ka plasur sherri.
Aq deshi sa mami të flasë me komshien, që gjoja erdhi për “farë kosi” dhe ajo hapi lajmin…
Kalamajtë u mblodhën duke qeshur e sharë me zë të lartë…
Në shkollë vendi ynë ështe në fund, të fundit e të fundmëve, por dhe të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen.
Disa nga komshijtë u vjen keq për mamin, lajmëruan dhe në polici, por babai u tha se është çështje” e brendshme”…..dhe durimi i tyre u kthye në zemërim: “Pse dreqin nuk e lë?”
Ne u bëmë epiqendra e talljeve: “buzëqesh vogëlushe, pa – pa – pa, ç’na duhet televizori kur kemi komshinjtë!”
Unë jam e sigurt se do të mbijetojmë kësaj periudhe të turbullt:
S’ka rëndësi çfarë ndodh, mes dhimbjesh mësoj se nuk duhet të mbaj turpin dhe fajin e të tjerëve edhe pse ato janë prindërit e mi.
Unë zgjedh të jetoj pa dhunë!