NEKROLOGJI / Ndahet nga jeta Profesor Doktor Agim Tërshana


Më 30 nëntor të vitit 2016 u nda nga jeta njeri nga specialistët më të mirë të Institutit të Studimeve e Projektimeve të Gjeologjisë në Tiranë, Profesor Doktor Agim Tërshana.
Agimi ka lindur në Tiranë më 21 shkurt të vitit 1933 nga familja e shquar intelektuale, arsimdashëse e me tradita patriotike e Tërshanave të Dibrës. Arsimin unik e të mesëm në ish Politeknikumi “7 Nëntori” i kreu me rezultate të larta në Tiranë. Në vitin 1959 mbaroi arsimin e lartë në Universitetin e Tiranës ku u diplomua si inxhinjer gjeolog i specializuar për petrograf. Pas mbarimit të shkollës së lartë ka punuar në Ndërmarjem Minerare të Rubikut, në Muzeun e Shkencave të Natyrës dhe në Laboratorin e Komitetit Shtetëror të Gjeologjisë, në Institutin e kërkimeve Gjeologjike në Tiranë, në Ndërmarjen Gjeologjike të Pukës dhe në 15 vitet e fundit në Institutin e Studimeve e Projektimeve të Gjeologjisë deri kur doli në pension në vitin 1994. Gjatë punës së tij 35 vjeçare ka kryer si autor kryesor e bashkëautor mbi 55 projekte, relacione, raporte e studime gjeologjike si dhe ka botuar mbi 37 artikuj, referate e kumtesa në Buletinin e Shkencave Gjeologjike e Buletine të tjerë jashtë vendit. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete shkencore brenda e jashtë shtetit ku dhe ka referuar për Petrologjinë dhe metalogjeninë e masivit gabror-peridotitik të Lovrushkut, për lëndët e para zjarrduruese (magnezit e kaolinë) në rajonin e Pukës dhe për shumë minerale të tjerë të dobishëm metalorë e jo metalorë të vendit tonë.
Në vitin 1982 mbrojti disertacionin “Petrologjia dhe metalogjenia e kompleksit gabro-peridotit të rajonit Kashnjet-Qelëz” me të cilën fitoi gradën Kandidat i Shkencave (Doktor). Ka marrë pjesë në koferenca shkencore brenda e jashtë vendit si në Bullgari, Itali, Austri, Turqi, etj. Në vitin 1995 fiton titullin Profesor Doktor (Drejtues Kërkimesh). Për shumë vite deri kur doli në pension ka punuar si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minjerave në Tiranë. Është autor i librit “Vendburimet e mineraleve të dobishme jo metalore dhe kërkimi i tyre” i ribotuar në vitin 2012.
Në sajë të kualifikimit të lartë të tij si shkencëtar në fushën e gjeologjisë ai ka udhëhequr mjaft diplomantë në shkollën e lartë e disertantë në kualifikimin shkencor pas universitar si dhe ka marrë pjesë në komisionet e dhënjes së këtyre diplomave dhe gradave e titujve shkencorë.
Ai ishte edhe një aktivist i dalluar shoqëror. Si anëtar i kryesisë së shoqatës “Bashkësia Dibrane” në Tiranë, në fundin e viteve 90-të e fillimin e viteve 2000, së bashku me mikun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, ish kryetarin e kësaj shoqate, intelektualin e personalitetin e shquar dibran Feti Borova, shtuan rradhët e kësaj shoqate me dibranë nga të gjitha krahinat e Dibrës. Ai ishte i urtë, i zgjuar, i drejtë, ishte modeli i familjarit, mikut e shokut shumë të mirë.
Profesor Doktor Agim Tërshana është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me Medalje pune në vitin 1962 dhe me Urdhërin e Punës së Klasit të II-të në vitin 1990. Gjithashtu është vlerësuar me Medalje Nderi të Argjendtë nga Qendra Ndërkombëtare Biografike (IBC) në Kembrixh, Angli, për arritjet e tij si një Intelektual i shquar i shekullit të XX-të.
Me ndarjen nga jeta të Profesor Agim Tërshanës, familja humbi njeriun e tyre më të shtrenjtë, ndësa ne kolegët e gjeologjisë një nga bashkëpunëtorët më të mirë si dhe një nga shkencëtarët më të shquar të kësaj fushe.

Bashkim Lleshi , Aleks Vranai, Andon Grazhdani, Afat Serjani, Tonin Deda, Ilir Alliu,Vesel Hoxha, Xhemal Hadroj, Naim Karaj