Kulla e Bucit


Kulla e re e Bucit

Një kullë e tillë që u ka rezistuar viteve dhe ende qëndron funksiopnale si ato vite kur është ndërtuar është një rast unikal. Më të bukur më madhështore e bën kullën e Bucit tashmë edhe lugina e Drinit të Zi e cila vitet e fundit ka filluar të frekuentohet nga turist të huaj si austriak,çek e polak. Nuk është nevoja turistëve sot t’ju themi se ku duhet të shkojnë dhe të shijojnë bukuritë shqiptare. Ato zgjedhjen e bëjnë vetë dhe luginën e bukur të Drinit të Zi ka vite që e kanë zgjedhur.

Kur shkruan e flet për kullat e Dibrës vetë vetiu të vjen në kujtesë kulla zulmëmadhe në Lisivalle e Elez Isufit që mblidhte çdo natë burra për sofër e pushkë, kulla e Salë Markes në Zogje, kulla e Karajt në Bulqizë, kulla e Zunës në Sohodoll, kulla e Dodës në Reç, kulla e Rajtës në Lurë e shumë e shumë të tjera. Në Dibër kudo kishte kulla dy, tre e katër kate por këtë radhë do të flasim për një kullë jo shumë zulmëmadhe por punë madhe, mjaft mikpritëse dhe bujare, një kullë që për nga rëndësia arkitektonike ua kalon edhe kullave më të njohura në Dibër. Kjo është kulla e Bucit në fshatin Mustafe.
Kur ndodhesh në rrafshe të Shumbatit, në vendin e quajtur Murrize e hedh vështrimin matanë Drinit, të shfaqet si një mrekulli e natyrës fshati Mustafe, fshat ky i rrethuar me pemë të ndryshme ku shtëpitë e shumta pranë njëra tjetrës duken nga larg si një gjerdan i bukur. Vetëm pak metra ish repartit ushtarak, në qendër të fshatit duket kulla e Bucit, një ndërtesë kjo tipike dibrane e ndërtuar me mjete rrethanore, gur e lëndë drusore të zgjedhur pikërisht për një kullë të madhe e që t’ju rezistonte kohërave por dhe rrebesheve të luftërave të ndryshme, por që të gjitha materialet për ndërtimin e saj janë marrë aty pranë.
Buci është një fis i madh dhe që kanë ardhur herët në Mustafe.Të parët e tij sipas trashëgimisë gojore flitet se kanë lëvizur nga Bajza e Shkodrës me mbiemrin Boci e i besimit katolik. Me instalimin e besimit të ri islam u ndryshua edhe mbiemri nga Boci bëhet Buci ku ndryshoi vetëm zanorja e cila nga a kthehet në u.
Si fis mjaft i i njohur edhe atje nga erdhëm por edhe këtu ku u ngulën në troje të reja u shquan për besë, bujari, atdhedashuri dhe mikpritje.
Tek dibranët banesa gjithmonë ka zënë një vend të rëndësishëm në fushën e gjërë të krijimtarisë arkitektonike, ku spikat më së miri talenti i mjeshtrave duar artë shqiptarë, midis tyre edhe atyre dibranë. Tek banesa gërshetohen si aftësia teknike po ashtu edhe shijet e holla estetike të këtyre mjeshtrave që kanë ndërtuar jo vetëm në Dibër por edhe jashtë sinorit të saj duke u bërë të njohur në të gjitha trevat shqiptare si ndërtues, skalitës guri dhe gdhendje druri.
Kur afrohesh nga afër dhe e vështron me kujdes kullën e Bucit në Mustafe kupton qartë se çdo gur është latuar dhe vendosur me mjaft shije sa mjeshtrit e kanë shkrirë talentin e tyre. Jo vetëm qoshet, por edhe gurët e murit kanë kaluar nëpër duart e mjeshtrave që e kanë ndërtuar.
Në Mustafe sot ka edhe kulla të tjera si Kukeli apo Toca por kur e filloi ta ndërtonte në vitin 1937 Xhemal Buci i kishte vënë vetes detyrë që kulla e tij të dukej nga larg edhe pse ishte në qendër të fshatit rrethuar me pemë të ndryshme. Kulla u ndërtua me dy kate e gjitha me gur, me dritare të vogla, por dhe me frengji nga veriu dhe perëndimi. Mjeshtrit që ndërtuan këtë kullë karakteristike ishin llukovas apo nga Reka siç vinin shpesh atëherë për të ndërtuar shtëpi në fshatrat e Dibrës por edhe të Kukësit. Trashësia e murit ishte mbi nëntëdhjetë centimetra e dhoma e miqve ishte e madhe sa dy dhoma bashkë e shtruar gjithmonë bukur me qylima e shilte dhe me mjaft shije. Në oxhak përveç pushkës qëndronte varur dhe çiftelia e atu pranë një dollap i vogël i futur në mur u rrinin takëmet e kafes si dollapi që e piqte, mulliri i blojes, një dërrasë e punuar mirë që shtrihej kafja kur piqej etj.
Rreth e qark kullës ishte një avlli e madhe me portë kryesore ku brenda avllisë ishte ahuri i bagëtive si dhe mjaft koshere bletësh. Bagëtitë qëndronin larg kullës në ahur më vete e brenda avllisë së madhe. Ajo që binte në sy në kullën e Bucit ishin kosheret e shumta të bletëve të cilat i ka mbajtur deri në vitin 1967 kur u bë dhe kolektivizimi i të gjitha fshatrave të Dibrës. Edhe pse prodhonin mjaltë shumë pasi që në atë kohë kishin zgjoj moderne e mjalti përpunohej me centrifugë asnjëherë nuk e shitën atë por qëndronte gjithmonë në parvaz të dritareve sa që kalonin mjaft udhëtar të rastit por dhe mysafir të ndryshëm vetëm për të shijuar mjaltin në këtë kullë të njohur për mikpritje e bujari.
Në vitin 1967 kulla po e humbte identitetin e parë pasi dhe shtëpia u shtua me shumë kurorë dhe duhej ndërtuar një kullë tjetër më e madhe e me një sipërfaqe ndërtimi që të plotësonte nevojat e banorëve të saj, por edhe për mikpritje që kurrë nuk e humbi si virtyt të rrallë e të çmuar të shqiptarit.
Kështu Buci filloi të ndërtoi një kullë tjetër më të mirë, më të madhe, më moderne se sa e para dhe më e përsosur nga ana arkitektonike. Tashmë u takonte dy vëllezërve Halit e Osman Buci që të mendonin e ndërtonin kullën e re.
Për ndërtimin e kësaj kulle është punuar rregullisht afro dy vjet ku vetëm dyer ishin dhjetë kurse kishte edhe 15 dritare të mëdha. Dritaret ishin një metër me 70 centimetra, rast unikal ky për atë periudhë kohe pasi zakonisht dritaret bëheshin të vogla e me një kapak dërrase nga brenda për siguri. Specialist ishin Baudin Reka e Ramiz Shini kurse specialist në nxjerrjen dhe gdhendjen e gurëve punuan Gjon Vladi me të vëllanë. Kjo kullë ishte unikale në llojin e vet pasi në atë vit nuk kishte dritare të mëdha, nuk kishte kulla me katër banjo brenda dhe me ujë të rrjedhshëm po brenda, nuk kishte kullë e ndërtesë me kanalizime të ujërave të zeza, nuk kishte kullë apo banesë me katër sallone me përmasa 4.5 metra gjerësi e 4.6 gjatësi, nuk kishte kullë me rrethim rreth e qark me parmak druri të gdhendur, nuk kishte kullë me afro një metra trashësi e murit. Për ndërtimin e saj janë shpenzuar 15 metra kub dërrasë arrni e bardhë e stazhinuar gjatë dhe e marrë nga Prati i Selishtës. E gjitha kjo sasi dërrase është transportuar me kuaj ku ndihmonin të gjithë banorët e fshatit Mustafe. Janë djegur plot tre furra me gëlqere. Për transportin e gurëve të mermerit janë dashur mbi 50 burra të fuqishëm për dy ditë ku vetëm një bllok mermeri të lidhur me drurë dhe litarë e transportonin 10-15 burra nga rruga nacionale deri tek shtëpia ku transporti u kushtonte afro pesë orë për të vajtur guri në destinacion. Guri ishte i gjatë një metra e 35 centimetra kun ë kullë janë vendosur gurë të tillë afro 450 copë.
Kulla që ekziston sot dhe ka këto përmasa: 19.5 metra gjatësia, 6 metra gjerësia. Me elektrifikimin e vendit kulla e Bucit ende sot ka po ato instalime elektrike të rregullta, të pa dëmtuar si priza e çelësa dhe që nuk kanë krijuar asnjëherë defekte qoftë edhe sporadike.
Një kullë e tillë që u ka rezistuar viteve dhe ende qëndron funksiopnale si ato vite kur është ndërtuar është një rast unikal. Më të bukur më madhështore e bën kullën e Bucit tashmë edhe lugina e Drinit të Zi e cila vitet e fundit ka filluar të frekuentohet nga turist të huaj si austriak,çek e polak. Nuk është nevoja turistëve sot t’ju themi se ku duhet të shkojnë dhe të shijojnë bukuritë shqiptare. Ato zgjedhjen e bëjnë vetë dhe luginën e bukur të Drinit të Zi ka vite që e kanë zgjedhur. Problemi kryesor është kujdesja, siguria dhe akomodimi i tyre. Për këtë duhet me u treguar. Dhe kulla e Bucit i plotëson më së miri kërkesat për turizëm malor. Është në nderin e muzeut të Dibrës dhe të vetë Ministrisë së Kulturës që kjo kullë unikale në Dibër të futet në fondin e monumenteve të kulturës.