Tri arsye pse i kam mohuar ato që kam shkruar sipas metodës së realizmit socialist


Mexhit Prençi është i njohur si kritik letrar, studiues, eseist e publicist. Kritika e tij është zë i veçantë në rafshin e dramës dhe të spektaklit.
Mexhit Prençi ka lindur në Bardhaj-Reç të Dibrës, më 15 mars 1937. Që nga viti 1961 e këtej jeton e punon në Tiranë. Moshatarët e tij dibranë e njohin dhe e vlerësojnë, të rinjtë janë të pakët ata që e njohin, ca të tjerë e kritikojnë se ka bërë pak për Dibrën në rrafshin e letrave, ndaj, një intervistë me të për gazetën ishte e planifikuar prej kohësh.
Mexhit Prençi e ka filluar punën si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në shkollën shtatëvjeçare “Gjokë Doçi” – Lurë 1955-1956, drejtor i shkollës shtatëvjeçare Zalldardhë në vitet 1957-1958. (Është drejtori i parë që ka hapur shtatëvjeçaren me 15 nxënës, ku jepte pothuajse shumicën e lëndëve). Më 1959-1960 punon në shkollën shtatëvjeçare Kastriot. Ndjek studimet në Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, 1961-1965.
Në vitin e tretë dhe të katërt të studimeve ka qenë edhe korrespondent i gazetës “Bashkimi”. Më 1965-1967 punon inspektor për teatrin në Ministrinë e Kulturës me ministër Fadil Paçramin.
Më 1967 gjer më 1974 ka punuar në Shtëpinë e Botimeve Skenike, shef i sektorit të skenës (dramë, estradë, skenë e fëmijëve), ku drejtonte edhe revistën “Teatër”.
Më 1974 dënohet për disa drama e komedi me gabime ideologjike (gjashtë vjet në fshat) si: drama “Ishin të gjithë bijtë e mi” e Artur Milerit, “Stuhi në prill” e Skënder Luarasit, “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, “Jashtë bie shi” e Minush Jeros, “Shoqja K dhe të tjerët” e Mexhit Prençit. Në vitin 1982 rikthehet përsëri në Shtëpinë Qendrore të Botimeve Skenike si drejtues i revistës “Teatër” dhe pedagog i jashtëm në Departamentin e Historive të Artit, në Akademinë e Arteve.
Fillimviti 1990 mbyllet revista dhe Institucioni. Nga 1991-1998 punon si pedagog i brendshëm në Akademinë e Arteve.

Po e nis intervistën me pyetjen si e keni nisur krijimtarinë dhe si e shpjegoni që shumica e poetëve e nisin krijimtarinë me poezi, siç e keni filluar edhe ju?
Çdonjëri në një farë mënyre e ka brenda vetes poezinë, që në fëmijëri: dikush e shpreh herët, dikush me vonesë, ca të tjerë (të rrallë) e fillojnë me prozë apo artet pamore. Është prirje individuale brenda botës të secilit, ashtu siç është edhe kënga. Kjo është e kuptueshme, ndoshta shkencërisht dhe e pashpjegueshme. Preferoj të zbres në terrenin konkret.
Kam filluar të shkruaj që në shkollën fillore në Badhaj-Reç, po nuk ia tregoja askujt vjershat, druhesha për vlerat e tyre. Në shkollën e mesme “Ndrec Ndue Gjoka”, e cila përgatiste mësues për zonat e largëta për gjithë vendin, lëndën e gjuhës dhe të letërsisë na e jepnin shkrimtarët Petro Marko dhe Gjergj Zheji. Hartimet e mia i vlerësonin dhe shpesh i lexoja para klasës. Kishin një frymë poetike. Ata e pikasën këtë dhe më nxitën të shkruaja poezi e t’i botoja. U entuziazmova dhe shkruaja vazhdimisht, por nuk guxoja t’i dërgoja në ndonjë gazetë.

Kur e mposhtët ndrojtjen dhe guxove të botosh?
Në vitin e dytë të studimeve në ”Shkollën e Lartë për Aktorë “Aleksandër Moisiu”. Së pari, botova në gazetën “Zëri i Rinisë”, kryeredaktor ishte Miço Verli dhe redaktor Agim Cerga. Pastaj në gazetën “Drita” redaktor ishte Ismail Kadare; në revistën “Nëntori” ishte Gjergj Zheji dhe në revistën “Ylli”, ishte Vehbi Skënderi. Në vitin e tretë të studimeve të larta botoja edhe shkrime kritike dhe publicistike.

Dy poezi tuajat janë botuar në librin e klasës së shtatë në fillim të viteve ’70. Mendoj se ishte vlerësim për poezinë tënde. Pse nuk keni botuar ndonjë libër?
Me nxitjen e Prof. Gjergj Zhejit, pas botimit në librin shkollor të dy poezive të mia të përzgjedhura nga ai, përgatita për botim 120 poezi.
Redaksia e politizuar e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” vlerësoi 80 prej tyre, por më kishte hequr 20 poezitë më të mira, të papolitizuara. Vajta edhe te Drejtori Ali Abdihoxha, po kushti ishte t’i hiqja. Nuk pranova. Ishin poezitë më me vlera. U mërzita dhe nuk shkrova më poezi. Në atë kohë shpesh botoja shkrime kritike.
Që në fillim pata sukses. Këtu isha më i sigurt. Mendova se mund të bëja diçka që edhe të konkurroja me kritikët e tjerë. Ndërsa në poezi kishte autoritete që nuk i arrija dot.

Ju keni mbaruar Institutin e Lartë të Arteve për aktor, pse nuk e ushtrove këtë profesion?
Nuk jam shquar në rrafshin e aktrimit, kishte shumë më të talentuar se unë. Mirëpo shquhesha në gjykimin e etydeve, të teatrit të lëvizjeve, të analizave të veprave që vinim në skenë etj. Pedagogët Kadri Roshi, Lazër Filipi dhe kryeregjisori i Teatrit Popullor Pandi Stillu më mbanin afër dhe me nxitën të orientohesha në këtë rrafsh. Më lejoni t’ju rrëfej një episod. Kursi ynë vuri në skenë (si shfaqje diplome) tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta” të Shekspirit. (Unë interpretova figurën e Fratit Laurens). Pasi e shfaqëm në Teatrin Popullor (Sot Teatri Kombëtar), e shfaqëm edhe në “Teatrin Migjeni” të Shkodrës. Dramaturgët dhe komediografët shkodranë i jepnin veprat e tyre që t’i lexonte kryeregjisori dhe mjeshtri i skenës Kadri Roshi, ata i drejtonin tek unë dhe u thoshin: “Çfarë t’u thotë studenti ynë, merrini sikur janë mendimet tona”. Këtë e kishte pikasur edhe dekani Andrea Malo, i cili në civinë time kishte shkruar: “Është i talentuar ne fushën e kritikës dhe të gazetarisë”.

Kur mbarove studimet, të emëruan në Ministri të Kulturës, kush të propozoi?

Nuk e di. Unë sapo mbarova studimet kisha filluar punën në gazetën “Bashkimi”. Vitin e katërt të studimeve isha lidhur me këtë gazetë e cila, më punësoi sapo dhashë provimin e fundit. Nuk bëra as pushime. Pas dy muajsh si gazetar i kulturës në këtë gazetë, një ditë të shtune më thërret kryeredaktori Fiqri Vogli dhe më thotë se të kanë emëruar inspektor teatri në Ministrinë e kulturës, po ti mos u paraqit sa të bisedoj me zv. ministrin Pipi Mitrojorgji. “Unë nuk kam dëshirë të punoj në Ministri”, i them. “Mos u nxito”, më thotë. Të hënën më thërret në zyrë, shko e bisedo vetë me zv.ministrin, po të pret. Pasi e bluajta mendimin me veten, vendosa të shkoj. Më priti zv.ministri me buzëqeshje. “Është nder për ty të punosh në Ministri… e të tjera slogane…” I thash se kam filluar punë në gazetë. Je kuadri ynë, më thotë, apo do të shkosh në Peshkopi. I shpjegoj se kisha detyrime ndaj gazetës, pret prej meje disa artikuj për Metalurgjikun e Elbasanit; 3-4 ditë kam mbledhur materiale në terren… Më ndërpret: “Të hënën eja këtu, ulu në tavolinën tënde dhe një javë puno për gazetën. Unë desha të flas, por ai u ngrit më këmbë dhe artikulon fjalën: “Urime… Të hënën në zyrë!”

Pastaj si rrodhën ngjarjet?
Punova pothuajse një vit në Ministri. Pastaj ndodhën ngjarjet e luftës kundër burokratizimit. Të tetë inspektorët e rinj që na përzgjodhën nga fakultete të ndryshme sipas specialiteteve, të punonim në Ministrinë e Kulturës, na futën në listat e largimit për në bazë. Burokratët e vërtetë mbetën aty, ne të rinjtë, gjoja dolëm vullnetarë që të shkonim të forconim bazën nëpër rrethe. Kështu e bëri ministri Fadil Paçrami luftën kundër burokratizimit. Nuk po flas për peripecitë e dërgimit në Peshkopi që të punoja si regjisor; si më propozuan të shkoja në Bulqizë si drejtor i Klubit të Bashkimeve Profesionale; si debatova me sekretarin e Partisë Sali Stafën, si refuzova dhe kur u largova nga zyra e tij, e më dilte tym nga koka…
I telefonova zv. ministrit Ali Abdihoxha, i cili për dy ditë më emëron regjisor në Shtëpinë e Kulturës Lezhë. Fadili nuk ishte më ministër. Në Lezhë bashkë me drejtorin e Shtëpisë së Kulturës Aleksandër Banushi (shkrimtar i qarkulluar në bazë) dhe kompozitorin Agim Velça, krijuam “Ansamblin Çiftelia”.

Sa kohë qëndrove në Lezhë?
Një vit.

Pastaj?
Pastaj më emëruan në Shtëpinë e Botimeve Skenike në Tiranë, e cila sipas modelit sovjetik quhej Shtëpia Qendrore e Krijimtarisë Popullore, ndonëse nuk botonte asgjë nga folklori.

Çfarë botonte ky institucion?
Struktura e këtij institucioni ishe e tillë: Sektori i Skenës, (përfshinte revistën “Teatër”, buletinin “Estrada” dhe “Bota e fëmijëve”. Sektori i Muzikës dhe Koreografisë, i pari botonte buletinin “Kënga” e dyta buletinin me librete koreografike. Sektori i kulturës masive botonte buletinin “Kultura masive”. Në vartësi të institucionit ishte edhe “Qendra metodike e kualifikimit të lëvizjes amatore”.
Çdo sektor botonte repertor dhe materiale te ndryshme sipas specifikës të secilit.

Ndalemi te revista “Teatër”, që drejtonit ju, çfarë botonte kjo revistë?
Botonte pjesë teatrore me shumë akte dhe pjesë me një akt për trupat amatore, drama e komedi për profesionistët, por edhe për amatorët; artikuj profesionalë për teatrin dhe gjithë përbërësit e tij; studime specifike për mjeshtërinë e aktorit, të folurit artistik, platforma regjisoriale, ku shquhej regjisori i talentuar Serafin Fanku, Mihal Luarasi e Kujtim Spahivogli. Botonte edhe dy rubrika: “Mendimi teatror shqiptar”, “Mendimi teatror botëror” dhe informacione për veprimtaritë e teatrit shqiptar dhe atij botëror. Një rubrikë e veçantë ishte: “Informacione për veprimtaritë e teatrit shqiptar dhe atij botëror.

Si mundët t’i botonit kur ishte e ndaluar të shpërndaje informacione prej teatrit të botës kapitaliste dhe revizioniste?!
Ishte koha para Festivalit të XI, ku fryma liberale filloi të përhapet në letërsi dhe arte, por edhe në jetën shoqërore. Revista “Teatër” nuk kishte si të mos përfshihej, kur drejtuesi i saj ishte me bindje liberale.

Gjatë kohës së realizmit socialist edhe ju keni shkruar sipas kësaj metode!…
Po, kam shkruar sipas socrealizmit. Edhe si botues i kam zbatuar parimet e realizmit socialist në tërësi. (Ah, ai NENI 55!)… Megjithatë duke qenë me bindje liberale si qytetar dhe njeri i letrave, kjo frymë është ndjerë në veprimtarinë time si botues, po edhe në shkrimet e mia. Shefat e lartë të piramidës nuk i pëlqenin kritikat që bëja unë edhe pse ishin me dorashka.
Mund të tregoni ndonjë rast?
Po rrëfej një episod, nga rastet e shumta: Dërgova një shkrim kritik “Si gjykohet një vepër dramatike” në gazetën “Drita” në kohën kur Enver Hoxha shpalli luftën kundër burokracisë. Në shkrimin tim kritikoja autorët pse e shihnin këtë fenomen te nëpunësit e niveleve të ulëta, si: llogaritar, financier apo edhe tek ndonjë shef a drejtor në nivelet mesatare, kur peshën e përgjegjësisë e mbajnë shefat e mëdhenj të burokratizuar të piramidës shtetërore. Nuk ma botoi gazeta. Ripunoje, më thanë, dhe sille. Pasi u mendova ca, dakord u thashë…. Largohem dhe filloi “ripunimin”. Nga fjalimi i Enverit në Mat, shkëpus tri thënie të tij, një e vendos në faqen e parë të shkrimit, tjetrën në faqen e tretë dhe të fundit në të pestën. Pas dy ditësh vajta në redaksi, e “ripunova” u thashë. E lexuan: Shumë bukur… mjafton vetëm citati i faqes së parë.
Dhe e botuan. Të nesërmen në mbrëmje shkova në teatër. Në llozhë ishte Anastas Kondo, shef i lartë në KQ të PPSH për letërsinë dhe artin. Unë isha në llozhën ngjitur. Më ftoi të shkoja në llozhën e tij. “Ta lexova artikullin në “Drita”… “Hë, rrufjan… Bukur e kishe argumentuar….” Anastasin e kisha mik kur studionim dhe shkruanim në sallën shkencore të Bibliotekës Kombëtare ai, miku e kolegu im Naum Prifti dhe unë.
Veprimtaria juaj në fushën e letrave shtrihet në dy kohë: në periudhën 1963-1990 dhe 1990- 2016. Cili është qëndrimi yt si krijues dhe kritik?
Në kohën e mbretërimit të socrealizmit kam shkruar sipas kësaj metode, por edhe me frymë liberale, ndërsa pas 1990-tës kam shkruar ndryshe dhe vetëm në rrafshin e kritikës, publicistikës dhe ese-së.

Ndryshe?!!….
Po. Ndryshe. Pas një monologu me veten dhe dialogu me veten e dytë brenda meje, gradualisht jam liruar nga pushtimet e ndërgjegjes krijuese dhe kritike, e vetëm pas një dekade kam botuar librat, duke përzgjedhur ato shkrime që i konsideroj si më të mirat.

Pse para 1990-tës nuk keni përzgjedhur asnjë shkrim apo vepër që keni marrë edhe çmime, t’i botonit në “Kolanën e përzgjedhur”?
Çfarë kam shkruar në periudhën e socializmit pa liri i kam mohuar për tri arsye: E para se shumica kanë qenë të politizuara. E dyta, edhe te shkrimet e papolitizuara ndjehet trysnia e kufizimit të lirisë krijuese, çka nuk kam mundur të arrij nivelin artistik që dëshiroja sipas vështrimit dhe rivlerësimit të tyre nga koha e tanishme. E treta: Ndikim pozitiv tek unë ka qenë edhe një deklaratë publike e dramaturgut Kolë Jakova, i cili në fillimet e lirisë dhe demokracisë së brishtë, bëri atë që nuk e ka bërë askush nga shkrimtarët dhe artistët e realizmit socialist. Deklarata kishte këtë përmbajtje: “Veprat e mia të ideologjizuara dhe politizuara, shkruar sipas realizmit socialist, i mohoj”. Ai mohoi edhe dramën “Toka jonë” pikërisht për mesazhin se toka i takon atij që e punon” që sfidonte parimin universal se prona është e shenjtë dhe i takon pronarit të saj, çka është një mesazh absurd që ndez konflikte dramatiko-tragjike edhe në kohën tonë.

Sipas teje, asnjë vlerë nuk kanë veprat e realizmit socialist?
Faleminderit për pyetjen. Sipas meje, një vepër e ideologjizuar dhe politizuar jeton aq kohë sa ideologjia që e lindi, me rënien e saj bie edhe vepra. Kjo nuk do të thotë se nuk ka vlera artistike, historike dhe arkivore si p.sh edhe “Toka jonë”, e cila ka karaktere të spikatur që bartin drama të fuqishme, konflikte të forta dramatike, gjuhë skenike dhe dialog dramatik shkruar bukur etj.
Një regjisor i klasit të parë dhe i divorcuar me socrealimin mund ta vërë ndryshe në skenë këtë dramë, duke stigmatizuar e ironizuar ideologjizimin e saj dhe personazhet e politizuara.

Unë mendoj se është e drejta e gjithsecilit të veprojë sipas bindjeve të veta me veprën e tij.

Sigurisht, është e drejtë e gjithsecilit Kam dëgjuar disa shkrimtarë që kanë deklaruar se nuk u heqin asnjë presje veprave të tyre shkruar në atë kohë dhe të tjerë që pranojnë politizimin dhe e motivojnë se ashtu ishte koha. Ndërsa ato që e mohojnë veprën e politizuar skajshëm janë të rrallë. Kritika ime kryesisht i drejtohet kritikës profesionale…

A mund ta shpjegosh më tej?
Po. Ka dy qëndrime të kritikës profesionale. Njëri qëndrim vazhdon avazin e vjetër, ngaqë kritiku nuk ka mundur të bëjë katarsin e të divorcohet me realizmin socialist, ndërsa qëndrimi tjetër është i kritikëve që gjykojnë sipas një optike të re alternative me kriterin artistik, estetik dhe mesazhor, ku pesha specifike e vlerës së mesazhit është më e madhe se dy të parat, të cilat janë në funksion të tij. Akoma edhe sot pas dy dekadash e gjysmë në demokraci, letërsia e realizmit socialist shpjegohet, analizohet dhe gjykohet po me ato kritere si në kohën e diktaturës, nga kritikë e studiues, por sidomos nga mësuesit e të gjitha niveleve gjer te universitetet. Kjo është e papranueshme, sipas meje.

Rikthemi te Kolana “Kritika të përzgjedhura”. Cili ka qenë kriteri i përzgjedhjes?
Kriteri i përzgjedhjes ka qenë ai i cilësisë artistike dhe mesazhit. Disa shkrime që i kam konsideruar më të vlertë i kam botua edhe në dy libra në variante te reja. Dëshiroj që lexuesi të më gjykojë sipas librave “Kolana e Përzgjedhur”. Dikush mund ta pëlqejë kritikën time, dikush jo. Kështu jam i kënaqur. Sipas meje, një libër që pëlqehet nga të gjithë nuk ka vlera të larta, sepse njerëzit janë të ndryshëm në perceptim, përjetim, në gjykim, shije, bindje dhe vlerësim. Unë njerëzit nuk i shoh si kope. Vlerësoj ata që gjykojnë me kokën e tyre dhe janë vetvetja. Po fatkeqësisht këta nuk janë shumicë.

E fillova intervistën me pyetje si e ke nisur krijimtarinë dhe po e mbyll me pyetjen: Cili do të jetë libri i pestë?
Librin KRITIKA – 5, kam menduar ta titulloj, REFLEKSIONE, të cilat do të jenë nga fusha të ndryshme, shkruar me stilin e ESE-së.

Ju falënderoj për intervistën!
Edhe unë ju falënderoj juve, që nëpërmjet kësaj interviste më dhatë hapësirën e nevojshme të komunikoj me lexuesi e gazetës “Rruga e Arbërit”, por edhe me çdo lexues tjetër.