Fredi i vogël me zemër të madhe


Tirana, e madhe disi në raport me qytetet e tjera shqiptare, ofron argëtim, kënaqësi, dëshirë paksa për të jetuar, por se edhe kaq padrejtësi, realitet të ashpër, e tillë shndërrohet hera-herës. Kryeqyteti është i ashpër për njerëzit normalë në kuptimin fizik të fjalës, e lëre më pastaj për ata që për një apo tjetër arsye, në jetë kanë pësuar ndonjë dëmtim fizik, vuajnë nga ndonjë sëmundje apo janë shtresa të margjinalizuara të shoqërisë.
Dhe, në këtë lloj kategorie shoqërore janë shumë njerëz e ndër ta edhe një aktor, me origjinë nga Peshkopia, me banim në Tiranë, Fredi i Madh.
Prapë, edhe Fredi i Madh druaj ta quaj për shkak se nuk dua që asnjë person të jetë në shoqëri më superiori, më lart se të tjerët apo të ushtrojë pushtet apo presion mbi qenie të tjera, njerëzore më së shumti. Por si e takova Fredin? Isha ulur te kafe “Agolli” pranë qendrës së Tiranës, kur aty e vë re aktorin e njohur që e kisha parë edhe në televizion.
E kisha parë atë edhe më herët, por se kisha hezituar që t’i flas, se ku i dihet se çfarë reagimi mund të kishte. Por se kur e pashë ashtu të vetmuar e mora guximin që t’i flas. Në fakt, derisa ai është një aktor që është shfaqur edhe në ekran, kisha disi edhe droje që t’i flisja, t’i afrohesha, e lëre më pastaj të bëja me të muhabet shtruar.
Por, se sapo nisa të prezantohem me të, si një gazetar në fakt, por edhe si qytetar t’i isha afruar, njëlloj do të ishte me shumë mundësi, pasi direkt më tha se ishte i gatshëm për bisedë. Nisëm të flasim. I thashë se me origjinë jam nga Dibra, nga Shupenza, por rritur në Maqellarë. Ai më tha se më parë kishte jetuar në Peshkopi, ndërsa kishte shumë kohë që jetonte në Tiranë. Por se cili ishte problemi i vërtetë i Fredit? A ishte problemi i vetëm i tij shtatshkurtësia apo kishte problem edhe më të mprehtë se kaq? Në fakt, shtatshkurtësia e Fredit nuk është se shfaq ndonjë problem të madh, pasi atë e kishte për shkak se kishte vuajtur nga një sëmundje që kur kishte qenë i vogël, por se problem kyç ishte fakti se atë e kishin larguar nga puna, nga Teatri i Kukullave, e kishin nxjerrë mes katër rrugëve, pa i dhënë ndonjë motiv dhe se ai nuk dinte më se ku ta gjente drejtësinë. Mu lut që problemin e tij ta trumpentoj, të shkruaj një artikull, mirëpo te gazeta ku punoj nuk mundesha, e andaj jam vonuar për të pasur një artikull për Fredin.
Por çfarë është sot Fredi në fakt? Ai është metafora më e qartë se sistemi ynë, politik në radhë të parë e shtyp, e ndrydh, e vret të dobëtin, të ndryshmin, të pamundurin. Fredi ishte sikundër çdokush nga ne në ato çaste, kur mbetemi vetëm në mes të katër rrugëve, braktisur prej të gjithëve, tradhtuar politikisht, moralisht e njerëzisht. Ashtu, humbur në rrotën e një sistemi që e shkatërron të dobëtin e të vobegëtin. Me trishtim e kujtoj momentin kur pasi këmbyem muhabet, Fredi iku me ngadalë ashtu paksa vështirësisht, duke ecur rrugëve të gjera të kryeqytetit të madh, që varros njerëzit e vegjël me zemër të madhe.
Disa të dhëna rreth Fredit për aktivitetin e tij në Teatrin e Kukullave
Alfred Zeneli, ky është emri i vërtetë i aktorit. Ai ka nisur punë në Teatrin e Kullave në vitin 2005. Fredi ka imituar një sërë rolesh, ndër ta edhe kafshë. Kështu, Fredi ka luajtur rolin e arushit, ketrit. pinguinit, rolin e Titit, ky një fëmijë i vogël 6-7-vjeçar, të ufos, ariut, të një indiani, urithit, sikundër ka pasur edhe role të veçanta për çdo fund të vitit. Ai shprehet se ka luajtur edhe rolin e virusit të kompjuterit. Fredi thekson se asnjë prej shfaqjeve që ka luajtur, nuk ka dalë nga repertori i tij.