Mehdi Cani, figurë e shquar e mjekësisë kombëtare


Mehdi Cani ishte organizator i talentuar që nga dita e parë kur veshi bluzën e bardhë më 1958 në spitalin e Bulqizës e deri ditën kur e hoqi atë.

Shërbimi shëndetësor i rrethit të Dibrës para Luftës së Dytë Botërore, po të mos merret parasysh dërgimi i ndonjë mjeku për fushata të ndryshme pranë Bashkisë apo ndonjë mjeku që bënte pjesë në formacionet ushtarake që kalonin në këto anë, ishte pothuajse inekzistent.
Pas çlirimit të vendit në Dibër filluan të vijnë mjekë stabël nga rrethet e tjera, si: Hysni Rusi, Koço Poro, Lame Koci, Lona Toptani (n/mjeke), që merrej me problemet e kirugjisë dhe obstetrikë gjinekologjisë etj.
Pas mesit të viteve ‘50, në Dibër filluan të vijnë mjekët e parë dibranë të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, si: Mehdi Cani, Ahmet Alliu, Lahim Puca, Ahmet Kamberi e më pas numri i tyre erdhi duke u shtuar vazhdimisht.
Dibra pati dhe ka personalitete të shquara të fushës së Mjekësisë. Midis nesh militoi për disa dekada, kirurgu me duar të arta Irfan Jashari, okulisti i famshëm Basri Neziri, mjeku obstetër gjinekolog Rahim Xhika, kardiologu i përmasave europiane Ahmet Kamberi, patologu me aftësi të jashtëzakonshme Qemai Cadri, specialisti balneolog Enver Shehu, kardiokirurgu i famshëm Veli Zogu, shkencëtari erudit Ali Sula, otojatri Muhamet Kodra e shumë personalitete të tjerë të shquar jo vetëm brenda rrethit, por edhe në shkallë kombëtare e më gjerë.
Në qoftë se shërbimin shëndetësor të rrethit të Dibrës do ta krahasonim me një piramidë të Egjiptit, ndërtuar nga faraonët e lashtë, këta mjekë të shquar ishin ata blloqet e rëndë që zunë vend në muret e saj dhe i dhanë bukuri e jetëgjatësi që brezat ta shijojnë e të mrekullohen me të. Por nuk ka diskutim se ai blloku më i rëndë që mbyllte majën e piramidës, që e lartësonte dhe e mbante atë në ekuilibër shekullor, ishte pa diskutim kolegu ynë i paharruar Prof. Dr. Mehdi Cani.
I ndodhur vetëm një dekadë pas këtyre personaliteteve dhe sidomos shefit të nderuar të Shëndetësisë të asaj kohe, pata fatin e madh të jem pranë tyre si një ushtar i ri në fund të rreshtit, por që e sheh mirë efektivin e togës dhe që e dallon po ashtu mirë aktivitetin e secilit. Me këtë cilësi, si bashkëkohës dhe koleg, si vartës dhe si mik, dua të paraqes disa mendime të miat për figurën dhe kontributin e tij, që, siç e kam thënë në një takim kur isha drejtues i shëndetësisë së rrethit, ishte më i miri midis nesh, Prof. Dr. Mehdi Canin, për atë që me shumë mirënjohje Dibra e ka nderuar me titullin e lartë “Qytetar nderi i Qarkut Dibër”.
E kam obligim personal e qytetar që të them disa fjalë për intelektualin e shquar dhe njeriun fisnik Mehdi Cani, shefin tim shumë të respektuar të atyre viteve.
Dr. Mehdi Cani (me këtë emër e ka njohur populli i Dibrës, pavarësisht titujve e gradave që ai fitoi më vonë), lindi në Zerqan të Dibrës me 4 shkurt të vitit 1936.
Ai kreu shkollën fillore dhe 7 vjeçare në fshatin e tij, me rezultate të shkëlqyera. Më pas u dërgua për të vazhduar studimet në Politeknikumin mjekësor në Tiranë, të cilin e përfundoi gjithashtu me rezultate të shkëlqyera. Pa asnjë diskutim ju dha e drejta e studimeve të larta dhe vazhdoi Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë në vitet 1953- 1958. Në vitin 1958 ai u diplomua shkëlqyeshëm dhe emri i tij u fut në librin e artë të Universitetit të Tiranës. Me një bagazh të bollshëm teorik, por dhe me eksperiencë praktike, pasi ai që student ishte ftuar dhe kishte punuar në disa Klinika të Fakultetit, u dërgua që të punonte në rrethin e Dibrës, fillimisht në spitalin e Bulqizës. Ishte i shkëlqyer në të gjitha ciklet e arsimit ku studioi e po ashtu mbeti edhe në praktikë, në jetë. Edhe studentët e tjerë zerqanas ishin me rezultate të mira gjatë studimeve.
Në vitin 1967, autoritetet e kohës e ndëshkuan Mësuesin e popullit, figurën legjendare të arsimit dibran, Selim Alliu, me arsyetimin se nuk kishte bërë politikë të drejtë arsimore dhe se kishte dërguar shumë studentë në Fakultetin e Mjekësise dhe kishte përgatitur shumë mjekë në Zerqan. Dhe i nderuari Selim Alliu përfundoi mësues në Shupenzë, atje ku më vonë pata fatin të punoja mbi 15 vjet edhe unë. Në të vërtetë faji nuk ishte i shefit të Arsimit. Fajin e kishin zerqanasit që studionin shumë dhe përzgjidheshin për meritat e tyre. Në Fakultetin e Mjekësisë studiova edhe unë nga Okshtuni, edhe Qemal Cadri nga Trebishti, edhe Preng Doci nga Lura, Shefqet Domi nga Kalaja e Dodës, Myslym Cami nga Viçishti, Azis e Ferit Ndregjoni nga Selishta e shumë të tjerë nga të katër anët e Dibrës. Një fakt domethënës është se Zerqani ka sot 4 Prof. Dr. të fushës së Mjekësisë, shifër kjo që do ta kishin zili disa rrethe të vendit dhe ndoshta është kështu fshati i vetëm në vend me një tregues të tillë.
Dr. Mehdi Cani e filloi detyrën në spitalin e Bulqizës ku punoi si mjek dhe drejtor i spitalit. Spikaten aftësitë e tij profesionale e menaxheriale dhe në vitin 1960 u transferua në spitalin e Peshkopisë, ku shërbeu deri në vitin 1965 si shef i repartit të infektivit dhe drejtor i spitalit “Stefan Luarasi“ në Peshkopi. Në vitet 1965 deri 1976 mjeku i nderuar Mehdi Cani do të ishte shef i seksionit të shëndetësisë pranë Kom. Ekz. të rrethit, ku kreu me dinjitet edhe disa detyra shoqërore të ndërlikuara për kohën.
Gjatë drejtimit të shërbimit shëndetësor të rrethit të Dibrës nga Dr. Mehdi Cani, ky shërbim shënoi zhvillim e transformime të mëdha. U hapën specialitete e shërbime të reja, u shtua me ritme të shpejta personeli shëndetësor, sidomos numri i mjekëve. U bënë ndërtime të tilla si spitali i Peshkopisë, spitali i Bulqizës, hoteli i llixhave dhe filloi ndërtimi i kompleksit modern balnear që kemi sot, u hapën spitale e maternitete në të gjithë rrethin.
Si dëshmitar i kohës po qëndroj pak te spitali i Peshkopisë që aso kohe u quajt vepër e parakohshme dhe u bënë kritika për shpenzimet e mëdha që i ishin bërë buxhetit të shtetit. Detyra e projektimit për atë spital u hartua nga Dr. Mehdi Cani. Ishte ai që loboi të nxirreshin fondet, të ndërtohej shpejt dhe me cilësi të lartë kjo vepër që e patën zili edhe rrethe të mëdha si Shkodra, Korça, Elbasani, Durrësi bile edhe Tirana. Spitali u inaugurua në vitin 1974. Unë isha i pranishëm në këtë ceremoni. Disa nga mjekët e Peshkopisë munguan në këtë aktivitet, disa të tjerë ishin midis njerëzve në shesh. Përkrah figurave shumë të rëndësishme politike të kohës në tribunë ishte Mehdi Cani. Ai mbajti edhe fjalën e rastit në këtë eveniment, pasi kishte harxhuar shumë mund e kohë për ndërtimin e tij. Dua të jem i qartë në këtë pikë. Të gjithë ne që erdhëm pas tij bëmë retushe, vumë kangjella e mbollëm lule, por spitalin na e la të ndërtuar Mehdi Cani.
Në vitin 1976 Dr. Mehdiu u transferua në Tiranë, ku punoi në Klinikën Universitare të sëmundjeve infektive. Për një periudhë 10 vjeçare, gjatë viteve 1982-1992, ai ishte drejtor i spitalit infektiv të Tiranës, ku mjekoheshin të gjithë rastet e rënda që grumbulloheshin nga e gjithë Republika për trajtim të specializuar në spitalin qendror. U vendos në elitën e mjekësisë shqiptare. Për 30 vjet me radhë ishte pedagog i Fakultetit të Mjekësisë dhe më pas edhe atij të Infermierisë. Ishte specializuar më parë (1967) për sëmundjet infektive, bëri dhe një specializim të dytë në neurologji. Specialist i klasit të të parë ai u bë një autoritet i padiskutueshëm shkencor. Kur konsulta e spitalit kalonte për të parë të sëmurët rëndë, kishte raste që ata që referonin të shpreheshin: “Këtë rast e ka parë Mehdi Cani” dhe të gjithë profesorët me emër do të shpreheshin: “Le të vazhdojë mjekimin që ka thënë doktori, nuk ka nevojë për konsultë”.
Mjeku i nderuar dibran i ngjiti shkallët e karrierës me shpejtësi. Në vitin 1985 mbrojti Disertacionin me temë: “Mbi meningitet për periudhën 1976-1985 në Shqipëri” me të cilin mori titullin “Doktor i Shkencave Mjekësore” dhe më pas titujt e tjerë akademikë që vijojnë. Tirana është një test për mjekët që vijnë nga rrethet. Askush më mirë e më shpejt se ai nuk e përballoi me sukses këtë test. Mori pjesë në kongrese e simpoziume ndërkombëtare si në Austri, Kroaci, Hungari, Itali, etj., ku referoi e dha eksperiencën e tij. Bëri shumë studime dhe publikoi mbi 100 punime shkencore brenda e jashtë vendit, ku trajtoi kryesisht temën mbi neuroinfeksionet. Është autor i librit të sëmundjeve infektive që përdoret edhe sot në Fakultetin e Mjekësisë dhe atë të Infermierisë.
Ai ishte një profesionist i zoti. Nga askush dhe asnjëherë nuk është vënë në diskutim një fakt i tillë edhe pse ka pasur rastin të punojë me figurat më të shquara të mjekësisë shqiptare të atij sektori si: Nikolla Dushniku, Kristo Pano, Elmaz Altari e shumë të tjerë.
Mehdi Cani ishte organizator i talentuar që nga dita e parë kur veshi bluzën e bardhë më 1958 në spitalin e Bulqizës e deri ditën kur e hoqi atë. Ai ishte i tillë se kurrë nuk shau e as ofendoi njeri. Ishte i tillë, sepse në çdo punë printe vetë. Ai të bënte të të vinte zor me edukatën e tij, pa të thënë asnjë fjalë. Kur ishte shef i seksionit të shëndetësisë në Dibër, një herë e kritikuan për butësi dhe se nuk kishte marrë asnjë masë ndëshkuese ndaj vartësve. Doktori i mençur u përgjigj: “Përse duhet të marr masa, a nuk mjafton shembulli im personal që i frymëzon bashkëpunëtorët e mi. Nëse ky nuk mjafton, merrni ju masa për mua. Unë bashkëpunëtorët i kam të shenjtë, dua t’i mësoj e t’i frymëzoj, jo t’i ndëshkoj e sundoj ata.” Këtë fakt kam pasur rast ta njoh nga afër edhe unë dhe i jam shumë mirënjohës, pasi më ndihmoi të ec përpara në jetë pa cenuar asnjëherë dinjitetin tim, bile të askujt.
Ai ishte një shok i mirë. Dinte të dëgjonte e respektonte këdo, sidomos ne mjekët e rinj. Me të mund të bisedoje për punën, por jo vetëm, edhe për hallet a shqetësimet që ne kishim. Duke qenë se unë e kisha familjen jashtë rrethit, asnjëherë nuk pata nevojë të merrja udhët e të shkoja atje për t’u konsultuar me vëllanë e madh apo prindërit. Këtë vend me shumë njerzi e zuri ai, kolegu dhe shefi im. Këshillat e tij vllazërore më rezultuan gjithmonë të pastra e të sinqerta. Përjetësisht i jam mirënjohës edhe për këtë. Ai ishte i tillë me të gjithë.
Mehdi Cani ishte një qytetar model dhe njeri me moral të lartë me tërë dimensionin që përmban kjo fjalë. Ai nuk u gjykua e nuk u përgojua kurrë, pasi ai qe një margaritar midis nesh. Një herë, kur një pacient i futi në xhepin e bluzës një 50 lekësh të asaj kohe, mjeku i nderuar, pasi mbaroi ditën e punës, nxori nga kartela adresën e pacientit, shkoi në postë, bleu një zarf dhe ia postoi pacientit në Zalldardhë. Pa huqe e pa vese, njeri i dlirë, ai do të respektohej nga të gjithë.
Humanizmi dhe dashuria e tij për njerëzit, veçanërisht për pacientët ishin të pakufishme. Nuk kam kohë të sjell shembuj për këtë në këto pak radhë, por mund të them se ai i adhuronte njerëzit, të sëmurët, bashkëpunëtorët, të afërmit dhe familjen. Mehdi Cani ishte shembulli më i mirë i mundshëm për qëndrimin njerëzor ndaj të tjerëve. Me atë buzëqeshjen e tij disi hyjnore, ai do të bënte për vete këdo, ndaj dhe mjekimi e shkenca e tij në dobi të njerëzve do të ishin aq efektivë e të dëshiruara nga çdokush.
Dua të rrok edhe një dimension tjetër njerëzor të mjekut të nderuar dibran, Mehdi Cani. Atë të raportit të tij me Dibrën e dibranët, pasi u largua në Tiranë. Të sëmurët, studentët, qytetarët edhe për probleme jo mjekësore, do t’i drejtoheshin për ndihmë atij. Dhe ai nuk do të mungonte asnjëherë ta jepte atë me gjithë gatishmërinë e dashamirësinë e mundshme. Të gjithë mundohemi të bëjmë diçka në këtë drejtim, por askush prej nesh nuk është në nivelin e tij.
Dr. Mehdiu ishte dhe një familjar i devotshëm. Ai së bashku me bashkëshorten e tij znj. Tefta Cami rritën e edukuan tri vajza shembullore: Ildën, Almën dhe Brikenën. Alma, është mjeke e pedagoge e afirmuar, Profesore e asociuar, shefe e Reanimacionit në spitalin e sëmundjeve pulmonare “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, derë e hapur për çdo dibran që ka nevojë për të. E thërrasin të gjithë dibranët, por jo vetëm ata, Alma e Mehdiut. Ndjej admirim si për vajzën time kur dëgjoj të thonë: “I kishte ngjarë plotësisht të atit. Mehdi Cani është gjalle!”
Puna dhe vepra e Mehdi Canit janë vlerësuar ndër vite e në vazhdimësi. Edhe vendimi i tanishëm i Këshillit flet për këtë gjë. Është dekoruar me disa Urdhra e Medalje si mjek i shquar. Ka marrë titullin “Punonjës i shquar i shkencës dhe i teknikës” me Dekretin Nr. 7336, datë 13.11.1989 të Kuvendit Popullor me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në ngritjen e shërbimit të neuroinfeksionit në vend, për përcaktimin e kritereve të drejta shkencore në mjekimin e meningiteve e për ndihmesën e dhënë në kualifikimin e përgatitjen pasuniversitare të kuadrit në këtë shërbim”. Me Dekretin 6872, datë 27.03.1984 të Kuvendit Popullor i është dhënë Urdhri “Për shërbim të mirë popullit”. Ai vazhdoi të ngjitet e fluturojë gjithmonë drejt lartësive, derisa një ditë të vitit 2006 u ngjit lart në qiell dhe u nda prej nesh.
Personaliteti ynë i dashur Mehdi Cani është vlerësuar si klinicist, si pedagog e njeri shembullor. Ai bën pjesë në listën e 100 mjekëve të shquar të shekullit, të atyre mjekëve të famshëm që: “Kanë shpëtuar jetë njerëzish dhe janë kthyer në heronj pa titull, që kanë themeluar e kanë promovuar pavione e spitale anembanë vendit për vite, dekada e deri një shekull”. Një motivacion shumë i denjë për heroin tonë. Kjo i bën nder atij personalisht, ne miqve e të afërmve të tij, i bën nder familjes, Dibrës mbarë. Prandaj mendoj se Dibra ia kishte borxh një titull nderi këtij biri të denjë të saj, që e ka nderuar vazhdimisht atë. Është rasti të falënderoj Shoqatën e Intelektualëve Dibranë me qendër në Tiranë, e cila e sugjeroi dhe e votoi unanimisht propozimin për t’i akorduar Profesorit të nderuar Mehdi Cani titullin e lartë “Qytetar nderi i Qarkut Dibër”. Sigurisht, një falënderim i veçantë shkon edhe për drejtuesit e shërbimit shëndetësor, Këshillin e Qarkut, kryetarin e tij dhe të gjithë ata që e votuan këtë propozim.
Figura multidimensionale e Mehdi Canit meriton të nderohet më tej e vazhdimisht. Emri i tij është i denjë për të mbajtur rrugë, shkolla, spitale e institucione të tjera, bile me shumë dinjitet.
Meqenëse jemi në këtë pikë do të shprehja mendimin tim se vendosja e këtyre emërtimeve nuk duhet të jetë çështje lobimesh, çështje fisi, fshati apo krahinë e veças çështje korentesh politike që anojnë herë majtas e herë djathtas. Kjo çështje që i përket sidomos të ardhmes, duhet të jetë së pari çështje kontributesh, vlerash dhe të përcaktohet pas diskutimeve të kujdesshme në sektorin ku ka punuar secili, me kolegë e qytetarë që i kanë njohur e punuar bashkërisht dhe pas konsultave të tilla të merren vendime që nuk i konteston askush, së paku shumica e shoqërisë. Bie fjala nëse do të vendoset një emër në shërbimin balnear të Peshkopisë ma do mendja se askush nuk do të kontestonte se ky emër i përket mjekut të nderuar që e themeloi atë, Dr. Enver Shehut. Po kështu, do të thoja nëse do të emërtohet shërbimi i Obstetrikë Gjinekologjisë së rrethit tonë, pa dyshim ky nder i takon themeluesit të tij, Dr. Rahim Gjika. Duke qenë kolegu dhe miku i përbashkët i tyre nuk kam preferenca e as subjektivitet në asnjë rast, por besoj se kështu do të mendonin edhe shumica e atyre që kanë punuar e jetuar me ta.
Për kolegun Mehdi Cani duhet të bëhet më shumë, më shumë shkrime e monografi si shembulli i njeriut të mirë që edukon e frymëzon brezat, gjithë shoqërinë. Prandaj në hyrje të këtyre radhëve e quajta si atë bllokun e madh që qëndron në krye të piramidës së shërbimit shëndetësor dibran e kombëtar, që e lartëson këtë piramidë, e bën jetëgjatë e të lavdishme në shekuj, ndërsa ne qëndrojmë në shesh dhe sodisim madhështinë e saj, më saktë madhështinë e tij.
Ndjehem krenar që pata fatin të jetoj e të punoj në një epokë me Mehdi Canin, me një njeri të madh si ai, jam krenar që isha vartësi, kolegu dhe miku i tij.

Nje koment

  1. Doktor Mehdi Cani eshte Mjeku me mendje te ndritur dhe Njeriu me Zemer te Madhe sa 9 Malet, me Shpirtin Human me te gjithe ngjyrat e luleve te kopshteve e bjeshkeve, si dhe Njeriu me gojen e gjuhen me te embel se mjalti. Doktor Nehdiu mbetet i pavdekshem ne altarin e Mjekesise sone dhe ne zemren e popullit qe e lindi.

Komentet janë mbyllur.