Vlesha, fshati i njerëzve të mirë dhe punëtorë


Një fshat mes fshatrave! Një fshat si të gjithë fshatrat për fshatarët e tjerë, por jo për mua! Një fshat as i madh, as i vogël në veri –lindje të Dibrës, Vlesha. Ndodhet rreth 25 km larg nga qyteti i Peshkopisë dhe është pjesë e njësisë administrative Sllovë. Rruga kryesore që kalon sipër fshatit e lidh atë me Kalanë e Dodës dhe Kukësin!
Nga ana e poshtme fusha, e cila kufizohet si një gadishull në tri anët me tre fshatra te tjerë, Kallën, Zall-Kalisin, Sllovën. Nga ana e sipërme Stërmeci, mali i fshatit, duket sikur vë kufij dhe nëse ngjitesh në majë të tij, ai hap kufinjtë. Gjithashtu, duket sikur ka krijuar enkas për fshatin një ballkon në trup të tij. Madhështia e tij hap krahët në lindje te diellit dhe qëndron hijerëndë kur nata zbret mbi të!
Vlesha qëndron prej 300 vjetësh në këtë ballkon duke pritur e përcjellë njerëz, vite, zakone, tradita të mira e gjithçka. Ekzistenca e saj merr jetë edhe nga toponimet e ndryshme të vendit si: Kodra e Kishës; Kroi i Shëngjergjit; lisat e Shëngjergjit etj. Mbase këto toponime vërtetojnë historikun e një popullsie të vjetër katolike që jetonte njëherë e një kohë në Vleshë.
Ende sot, ndihen ecjet e të parëve tanë.Teqja e Shehelerëve ndodhet në brendësi të fshatit dhe kushdo që kërkon lutje për ndihmë, e ka marrë atë lutje. Gjithashtu, Vlesha është e njohur për Ujin e Ftohtë, ku shumë njerëz nga fshatrat përreth Dibrës ose Kukësit, vijnë për të përmirësuar shëndetin e tyre në këtë burim ujor, që shërben për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga reumatizma. Madje, Uji i Ftohtë është burimi kryesor vaditës për fushën e begatë të Vleshës.
Për ata që e njohin Vleshën thjesht kalimthi nga rruga kryesore , nuk mund ta dinë gjallërinë që ajo akoma merr dhe jep nga çdo stinë. Pranvera i dërgon zogjtë që trokasin netëve të gjata në pemët e lulëzuara plot hare. Vera e përcjell me ardhjen e nipërve , mbesave që kthehen në fshat për pushime të qeta. Vjeshta rikthen gjallërinë e njerëzve punëtore kur marrin frytin e punëve të lodhshme te verës. Kurse dimri hedh mbi të petkun e bardhësisë duke dhënë një magjepsje të një vendi krejtësisht turistik.
Tani popullsia e Vleshës është e pakësuar në numër, por nuk mungojnë akoma njerëzit e mirë dhe mysafirë; ata njerëz që akoma tregojnë historitë e të parëve tanë me një lloj fanatizmi; ata njerëz që në raste dasmash mblidhen tok më tok për të ndihmuar njëri-tjetrin në gatime ose në përcjellje te miqve të rinj. Janë pikërisht këto virtyte që bëjnë të ndihesh se nuk je vetëm.
Shumë arsimtarë të fshatit kanë dhënë ndihmesa për shkollimin e brezave të ndryshëm duke hedhur dritë për një të ardhme të mirë për çdokënd.
Ekziston një ndjenjë kënaqësie të flasësh e shkruash për Vleshën! Krenare për vendlindjen time! Unë akoma ndjej ecejaket e një dite të bukur pranvere, ku dal në oborr të shtëpisë dhe aroma e pemëve të lulëzuara më shoqëron për një kafe të shkurtër…
Pasuri për mua dhe vendasit e saj, dhe për të tjerët një fshat që ndoshta nuk do e njihni mjaftueshëm…