Robinjë e qenies tënde


Një tingull mund të jetë një fije shpëtimi, një psherëtimë mund të shndrrohet në shpresë, një frymëmarrje mund të ndriçojë një iluzion…
Por jo…
Jetoj e ngujuar në një dhomë boshe ku nuk ka asgjë, veç ofendimeve dhe keqtrajtimit tënd…
Është shumë e çuditshme mënyra se si më ke tjetërsuar…Tani nuk mbaj më unin tim të rreshkur ndër vite, jam robinjë e qenies tënde, dëshirave dhe ëndrrave të tua…
S’më mbetet gjë tjetër, vetëm të uroj errësirën rreth meje, rrënimin dhe gjunjëzimin para teje. Zërat e hienave, që vijnë nga të gjitha anët, nga thellësia e së shkuarës, nga torturat e së tashmes së përjetuar…
Jam e burgosura jote…
Jam skllave e vuajtjeve të mia, ndërkohë kamzhiku godet me forcë çdo pjesë të trupit tim…
Mënyra se si m’i ke shtrembëruar, shpërfytyruar është e neveritshme…
Dita – ditës unë shoh se si shpresa për t’u larguar nga ti zhduket në çdo kohë, hapësirë dhe pakuptueshmëri, drejt një realiteti të huaj, që vetëm e ardhmja ime nuk mund të jetë, natyrisht as e tashmja… Këtë ndjenjë asfiksuese në shpirtin tim përjetësia do të ma bëjë më të tmerrshme se vdekjen.
Lutem me shpresë çdo agim dite, por është e kot… Vetja ime nuk ekziston më, vetja ime në netët e errëta, e pakontestueshme, e pakritikueshme, e admirueshme,…
Fuqitë e mia kanë shterur,çdo qelizë e trupit ka vdekur, mjegulla po shpërndahet mbi mua duke mbuluar fytyrën time, kujtimin tim si skamnor i lumturisë.
Historia përsëritet…
Kjo nuk është imagjinata ime, por kjo ndodh sot… Në fakt ndodh sot, nesër, çdo ditë…
Bëhem ndryshimi që dëshiroj të shoh në botë…
Universi komploton për të më ndihmuar , që të arrij qëllimin….
E ardhmja u përket atyre, që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre…
Punoi: nx. Elsa Sala