Kontributi i hoxhallarëve dibranë në arsimin shqip


Shkolla dhe laiciteti

130 vjet pas hapjes së shkollës së parë shqipe ka nisur të diskutohet mbi laicitetin e shkollës. Duhet apo jo të mësohet feja në shkollë?
Kryeministri Rama ka shprehur idenë e futjes së edukatës fetare në shkolla, e cila
meriton një përshëndetje, sepse nxënësit për herë të parë do të kenë mundësi të informohen mbi religjionet fetare, dhe, normalisht, kjo do të ndihmojë jo pak në punën edukative të mësuesve, sepse feja në themelin e saj ka moralin e lartë dhe edukatën.
Nisma e kryeministrit Rama sapo u bë publike bëri jehonë të madhe në opinionin publik dhe në rrjetet sociale, por, për fat të keq, shumica e popullsisë shqiptare e indoktrinuar nga regjimi komunist shpreheshin kundra kësaj nisme, duke e pare fenë si rrezik, njëlloj siç propagandohej nga komunistët se “feja është opium për popullin”.
Kjo çështje pati reagime të ndryshme, por unë do të doja të ndalesha te fillesat e arsimit shqiptar, dhe më konkretisht tek hapja e shkollave shqipe në Dibër, ku bie në sy një numër i madh hoxhallarësh që kanë qenë nismëtarë në hapjen e këtyre shkollave.
Shumëkush mund të mendojë se pse hoxhallarët do të merreshin me hapjen e shkollave shqipe, por njohësit e islamit e kuptojnë se kjo fe nuk ka ardhur vetëm për çështjen shpirtërore, për të na mësuar sesi ta adhurojmë Zotin në shtëpi apo në xhami, se si të falemi e si të agjërojmë etj., por para së gjithash, është program i jetës së njeriut nga lindja e deri në vdekje.
Ajo përfshin dhe menaxhon me çdo segment të jetës së njeriut: edukimin shpirtëror, arsimimin dhe shkencën, edukatën dhe kulturën, artin e politikën, ekonominë e biznesin, martesën dhe jetën bashkëshortore, shitblerjen dhe tregtinë, si dhe më kryesorja, që lidhet me këtë temë është edhe detyra për mbrojtjen e atdheut.
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, roli i hoxhallarëve dibranë u bë parësor në zhvillimet kombëtare dhe sidomos në ato arsimore, nëpërmjet të cilave shikonin përparimin e kombit. Hoxhallarët si: Haxhi Vehbi Dibra, Seid Najdeni, Sherif Langu, Haki Sharof, Hasan Muglica e shumë të tjerë, u edukuan në shkollën e fesë Islame dhe i përhapën këto njohuri bashkë me mësimet e gjuhës shqipe.

Personalitete të arsimit

Haxhi Vehbi Dibra pati një veprimtari të papërshkrueshëm në shërbim të kombit e atdheut. Mori pjesë në klube e grupe patriotike; kryesoi Kongresin e Dibrës, kongres i cili vendosi të futet gjuha shqipe nëpër shkolla; qe delegat i Dibrës në shpalljen e Pavarësisë; u zgjodh kryetar i Senatit të parë shqiptar; ishte nënkryetar i Qeverisë së Vlorës; qe kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar; urdhëroi që feja të mësohej në gjuhën shqipe dhe bisedat të bëheshin në gjuhën shqipe.
Said Najdeni i njohur edhe si Hoxhë Voka ishte hoxhë, arsimtar dhe veprimtar i çështjes shqiptare. I ndërgjegjësuar për gjendjen e atdheut, më 1888 mbaron shkollën dhe kthehet në atdhe me një sasi abetaresh të Sami Frashërit të shtypura nga Shoqëria e Stambollit dhe filloi mësimin në gjuhën shqipe me ato abetare. Veprimtarinë e tij e shtriu jo vetëm në Dibër të Madhe, por edhe në krahinat e Gollobordës, Grykës së Vogël, në Bllacë, në MAqëllarë, në Brezhdan, në Dohoshisht e shumë fshatra të tjerë të Dibrës. Mësimet e Said Najdenit që kanë filluar në vitin 1896 janë të dokumentuara si fillimet e përhapjes së gjuhës shqip në trevën e Dibrës. Duke gjykuar toskërishten si të zorshme për dibranët e tij, Hoxhë Voka boton në Sofie “Abetare e gjuhës shqipe në të folmen gegënisht”. Në shenjë nderi dhe respekti sot në qytetin e Peshkopisë një shkollë mban emrin e këtij patrioti dhe veprimtari të paharruar.
Haki Sharofi ishte mësuesi i parë i shkollës shqipe në qytetin e Peshkopisë, ishte drejtuesi i parë i revistës së mirënjohur për kohën “Zani i Naltë”. Në historinë e arsimit dibran njihet si një besimtar, atdhetar dhe intelektual model.
Hafiz Sherif Langu punoi pa u lodhur për përhapjen e shkollave shqipe. Qe kryetar administrativ i klubit “Bashkimi”; ishte delegat i dibranëve në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Nga viti 1940 deri më 1946 qe kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.
Hafiz Ismet Dibra ishte drejtori i parë i Medresesë së Tiranës, shkollës që shumë shpejt bëri emër në arsimin kombëtar në vitet ’20 – ‘30.
Hafiz Zabit Kodra – Studimet i mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1912 në Stamboll. Njihte katër gjuhë të huaja: arabisht, turqisht, persisht dhe frëngjisht. Njihte shumë mirë lexim dhe shkrim në gjuhën shqipe. Në vitin 1914, me vendim të qeverisë së asaj kohe emërohet mësues i shkollës fillore në komunën e Ostrenit, shkollë e cila duhej të ngrihej për herë të parë, por represioni serbo – bullgar e pengoi ngritjen e kësaj shkolle. Pas një viti u emërua mësues në shkollën e Muhurrit, e cila filloi së pari punën.
Sheh Sula i Zerqanit (Sulejman Shehu)– Në sajë të aftësive të tij të rralla intelektuale, Sulejman Shehu arriti të merrte dekoratën më të lartë që jepte Porta e Lartë në teologji dhe gradën major në ushtri. Mori pjesë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit si përfaqësues i Dibrës, si dhe në Kongresin e Manastirit. Më 10 maj 1910 nën drejtimin e tij u hap shkolla e parë shqipe në Zerqan.
Hoxhë Muglica lindi në katundin Okshtun të Gollobordës më 1856. Ai qe propagandist i shquar i arsimit kombëtar, i librit në gjuhën shqipe dhe i shkollës në gjuhën amtare në zonën e Dibrës. Mori pjesë në Kongresin e Dibrës (1909) dhe në Kongresin e dytë të Manastirit (1910). Hoxhë Muglica në bashkëpunim me Elez Koçin organizuan në krahinën e Gollobordës disa kuvende, me qëllim përhapjen e ideve të Kongresit të Dibrës e të Manastirit në lidhje me të ardhmen e shkollës shqipe. Ai arriti të organizojë një qendër mësimore në zonën e Gollobordës dhe t’u mësojë nxënësve gjuhën e shkruar shqipe dhe besimtarëve fenë islame.
Qe një ndër përkrahësit e shkollës së parë Normale, të cilën e furnizoi me kontingjente nxënësish nga Golloborda, Okshtuni etj. Historia e martirëve shqiptarë ka regjistruar në vitin 1915 edhe Hoxhë Muglicën, i cili ra nga plumbat e ushtarëve serbë te Ara e Sheremetit të Muglicës, me thirrjen burrërore: “Rroftë Shqipëria! Rroftë kombi shqiptar!”

* * *

Këta ishin disa nga atdhetarët dhe njëherësh hoxhallarë të shquar, të cilët dhanë kontributin e tyre në zonën e Dibrës, por nëse do bëjmë një hulumtim më të gjerë, figura të tilla do t’i gjejmë në një numër shumë të madh në trojet shqiptare, ku mund të përmendim shkurtimisht: Hafiz Ali Korçën një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Pandeli Sotirit, i cili mundësoi hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë, Haxhi Ymer Prizrenin, Zyber Hallulli, Hafiz Ibrahim Dalliun etj.
Duke lexuar për jetën dhe veprën e këtyre patriotëve të shquar frymëzohem dhe bindem në vetvete se besimi dhe feja nuk përbëjnë asnjë pengesë në zhvillimin e arsimit, por duhet që bindjet dhe idetë fetare të mos përzihen me ata shkencore dhe të praktikohen jashtë mjediseve shkollore.
Po kështu, mendoj se jeta dhe vepra e këtyre pinjollëve është një përgjigje e qartë për të gjithë skeptikët që mendojnë se futja e kulturës fetare në shkollë është rrezik për cenimin e laicitetit të shkollës.
* Mësues historie, shkolla e mesme e bashkuar Ostren.