Hamit Hodo, profesori i Bujqësores së Peshkopisë…


Ato fletë letre, shkruar me makinë, i gjeta një ditë mes fletëve të zverdhura që kisha marrë me vete “nëntë male kaptuar”. Ishin konkluzionet e një eksperimenti për një bimë foragjere që ai, me përkushtim e disiplinë shkencore, kishte mbjellë dhe e rekomandonte për shtrirje të gjerë jo vetëm në kushtet e luginës së gjerë të Drinit të Zi por edhe më në lartësi…
Kishte ardhur nga larg, nga Rradhima e bukur e Vlorës për tu bërë dibran e për të ikur larg, shumë larg si dibran…
Kishte ardhur, si edhe shumë të tjerë nga veriu në jug të Shqipërisë për “pak kohë” e për tu bërë kohë e Dibrës…
Hamit Hodon, me ato fije letre e kisha dokumentisht me vete, ashtu siç e kisha në fotografi e mbi të gjitha në kujtesën e një miqësie që vetëm “dhuna” e kohës mundi të na ndajë…
Ishte dhe mbeti njeriu më i afërt shpirtëror imi, shok e vëlla, byrazer gjaku rrjedhë e ushqimit në gojën e njeri-tjetrit…
U njoha, ose më saktë e lidha deri në koncentrim njohjen, në Shkollën e Mesme Bujqësore “Nazmi Rushiti”, atë universitet të bujqësisë së Veriut të Shqipërisë nga kanë dalë njerëz të dijes e të kulturës, shkrimtarë e poetë, shkencëtarë e dijetarë jo vetëm të bujqësisë.
Se Dibra kishte pa asnjë dekret kuvendar tre universitete:
“Universitetin Pedagogjik”, Shkollën e Mesme Pedagogjike të Peshkopisë, një ndër të parat shkolla të mesme të hapura pas çlirimit (1947) buronja e dijes dhe e arsimit, e shkollimit të fëmijëve, e emancipimit të vajzave për të gjithë Veriun e Shqipërisë…
“Universitetin Bujqësor”, Teknikumin Bujqësor të Peshkopisë që hapi sallat e studimit më 1 shtator 1959.
Universitetin Popullor të Dibrës ku njeriu hynë e mbetet student i përjetshëm…
Dy të parët “kohëte reja” i shuan, ashtu siç shuan edhe degën e universitetit të Durrësit në Peshkopi…
Hamit Hodo u bë një ndër njerëzit që i dhanë shumë Dibrës.
I dha si mësues i lëndëve teknike, i zooteknisë dhe i shkencave të tjera…
I dha si një njeri me dije e kulturë të gjerë…
Sa breza nxënësish dëgjuan dhe admiruan zërin kumbues të Hamit Hodos tek i tërhiqte në mësim, në mësimin brenda kornizave të programit e në botën që u hapte duke i përcjellë në skaje të gjera të dijes…
Sa breza nxënësish morën dhe bënë pjesë të jetës urtësinë e fjalës së Hamit Hodos ?
E kam në sy apartamentin modest të Hamitit, “dhomë paradhomë” në katin e tretë të një ndërtese pranë kopshtit dhe çerdhes së fëmijëve të lagjes “Gjokë Doçi”.
Kam në sy Hazizen, një grua që ishte shembull i vlerës bashkëshortore.
Kam në sy Imeldën kur erdhi e vogël, e brishtë për tu bërë pjesë e gëzimit të çiftit Hamit e Hazize Hodo.
Hamiti, Hazizja dhe Imelda ikën një ditë nga Peshkopia. Ikën për tu vendosur në një shtëpi të vogël në stacionin e fundit të autobusit të Tiranës së Re, në një shtëpi bashkë me vëllain e Hamitit – Kadriun, një specialist që i dha shumë kohës së vet, pa marrë asgjë.
Atje e kam takuar për të fundit herë Hamit Hodon…
Atje kam pirë kafen e fundit me të…
Unë qesh i detyruar të ikja larg e larg për tu mbajt në këmbë, vetë dhe familja.
Me vete mora edhe mikun tim më të mirë Hamit Hodon…
E kërkova nga larg, madje trokita një ditë edhe në portën e shtëpisë së Kadri Hodos…
Njerëz të tjerë gjeta e gjunjëkëputur mora teposhtën e shkallëve…
Një ditë, falë mjeteve të kohës u lidha me Imelden…
Ishte rritur Imelda, shoqe e ëmbël e vajzës time Erblinës. Ishte martuar dhe kishte marrë me vete në Francë, qytetare e së cilës ishte, edhe Hamitin me Hazizen.
Me dhimbje mësova se miku im i mirë Hamit Hodo kishte ikur duke lënë pas një dhimbje në shpirtin e Imeldës dhe Hazizes.
Imelda më shkruante…
“Mirëmbrëma Xhaxhi !
Babi ishte shumë i sëmurë dhe në vitin 2005 gjendja e tij sa vinte dhe rëndohej. Në atë kohë jetonte në Tiranë. Në fund të atij viti i marr të dy mamin dhe babin tek unë në Francë. Ai pati kancer të rëndë në mushkri dhe probleme kardiake. Mjekët nuk më dhanë më as kohë dhe as shpresë. Por im atë ishte shpirt luftarak edhe pse sëmundja e treti.
Jetoi edhe dy vjet dhe tejkaloi çdo pohim të mjekëve. Ndenji rreth një vit në spital. Deri në momentin e fundit që i mbylla sytë ishte në vetëdije të plotë.
E operuan me 5 janar 2007 në zemër dhe nuk e përballoi dot.
Pas një jave me 11 janar vdiq në spital përpara duarve të mia.
Para se të vdiste mami dhe unë i kërkuam se ku donte të prehej, në Radhimë apo në Tiranë tek i vëllai. Na vështroi mua dhe mamin, na kapi duart dhe mu drejtua:
“Nëse unë varrosem në Tiranë apo Radhimë sa herë do të mund të kthehesh ti Imelda tek varri im? Ndoshta 10 apo 15 herë gjatë gjithë viteve.
Babi ka dëshirë të varroset aty ku je ti, ku jeton ti. Në çdo moment të jetës tënde ti të më kesh pranë dhe të vish te babi sa herë që të kesh dëshirë apo hall. Do të jem pranë gjithmonë.E doja shumë Kadriun (fliste për të vëllain ) dhe e nderova deri në fund por babi do të jetë gjithmonë pranë teje”.
I dha forcë dhe siguri pëlqimi edhe mamit, e cila hezitonte për këtë gjë. Por im atë si burrë i mençur dhe fjalë pak vendosi dhe në vdekje për të mirën e vajzës të tij .
Unë mora jetë prej tij dhe mora peng edhe dashurinë e tij.Të gjitha këto xhaxhi babi i bëri për mua për të më lehtësuar sa më shumë jetën. Unë sot xhaxhi jetoj me mamin, tim shoq Azemin dhe kam dy vajza dhe një djalë; Eliza, Gisela dhe Andi…
Sot është forca e Hamitit dhe dashuria e mamit që janë themeli i jetës time.
I dashur xhaxhi unë, mami dhe familja ime ju mirëpresim me shumë kënaqësi tek ne. Mami të takojë miqtë e saj fisnikë dhe imatë të presë lule molle nga miku i zemrës.
Babait tim ju bë një varrim madhështor dhe me të gjitha nderet që një shqiptari, një profesori, një bashkëshorti dhe një babai mund ti bëhej.
Sigurisht guri i rëndë në vend të vet, por im at atë varr e bëri mal për mua.
Ju përqafoj me plot mall unë, mami dhe fëmijët juve dhe teta Natashën e adhuruar.
Me respekt e juaja Imelda!”
Paris 14.07. 2012

Një letër që ma coptoi lotin e ma rrëshqiti brazdave të fytyrës, një dhimbje e një fëmije të malluar për prindin e për njerëzit në gjirin e të cilëve u rrit për të qenë simbol i dashurisë së fëmijës për prindërit.
Hamit Hodo, profesori i Bujqësores së Peshkopisë tretet larg Dibrës që e deshi po aq sa deshi Vlorën dhe Rradhimën e të parëve të tij. Tretet në dhè të huaj në pritje për një degë “Lule molle” nga miqtë dhe nxënësit e tij.
Në këtë 7 mars 2017 do të desha që Këshilli Bashkiak i Dibrës ta vinte në piedestalin e njerëzve që i dhanë Dibrës shpirtin e tyre, të mësuesve që lanë gjurmë në edukimin e një brezi të madh të rinjsh e të rejash.
Hamit Hodo e meriton një respekt të shkruar nga Dibra.