Ç’kemi asaj Dibre!


“Një ditë deputet në Qarkun e Dibrës: Dëshirat e të rinjve dibranë që jetojnë në Tiranë, të shprehura në një takim me të deleguarin e PS në Dibër. Takimi u zhvillua në Tiranë, sepse në Dibër... nuk ka të rinj.

Filloi fushata! Nuk prish punë se është para kohe – dhe kundra ligjit, e rëndësishme është se eskavatorët filluan punë… Në Dibër janë parë duke hapur rrugë të reja. Sepse, kjo është fushatë e re, metoda të reja. Dikur shpërndahej një thes miell, sot del në punë një eskavator për një copë rrugë, një vijë kanali ose një grop… fekalesh…
Filloi edhe ajo rruga e madhe… Ajo që njeh vetëm fillime në 25 vjet – çdo fushatë, ndërsa mbarimi s’po i dihet kurrë… Do ta bëjmë llotari: kush gjen mbarimin, fiton 1 milion euro…
Dy herët e fundit ama ka filluar me të madhe. Herën e parë thamë se është “projekti i parë” i një epoke të re bashkëpunimi me Kinën, ndërsa tani po themi se është “projekti i parë” i projektit 1 Miliardë… Dhe rrugë nuk ka askundi, as në terren, e as në letër.
Ndërsa ne e duam rrugën vetëm në fotografi. Kemi filluar fushatën në facebook: e do rrugën, nxirr foton e rrugës së turpit në Bulqizë në facebook. Kur vjen puna për t’u mbledhur dhe për të diskutuar se ç’duhet të bëjmë, të gjithë ose kanë pasur punë dhe mendjen e kanë pasur te debati, ose u ka mbaruar oferta e internetit dhe nuk kishin parë njoftimin…
U zgjata shumë për rrugën dhe të mërzita, kështu që po kaloj nga moti. Na erdhën ngricat dhe na thanë… Këtë vit nuk kemi as qershi, as kumbulla, as mollë e as rrush… Na i ngrinë plakat…
Por, ngricë pati në Dibër, ngricë pati në Korçë. Atje shkoi zëvendëskryeministri e u premtoi dëmshpërblim, ndërsa në Dibër nuk shkoi askush. Dhe ky është ndryshimi mes korçarëve dhe dibranëve: ata kanë një djalë nr. 2 të qeverisë, ne kemi 20 deputetë …
Në të gjithë vendin zjarret bien në gusht, në Bulqizë bien në prill…
Në Dibër të Madhe ka ndodhur ngjarja e shekulli. Këshilltarët e Dibrës në dy shtete kanë bërë mbledhje të përbashkët. Dhe pas mbledhjes edhe një drekë. Por kufiri, sidoqoftë, mbetet në mes. Ndaj mos harro kartën kur të shkosh të bësh pazar…
Në Dibër kohët e fundit kanë filluar edhe të shahen e zihen, qeveritarë dhe qytetarë pushtetarë dhe opozitarë, si gjithmonë në gjuhën shqipe. Ama gjobat e policisë i marrin në gjuhën maqedonase…
Tymi i deponisë vazhdon të digjet. Herë i zi e herë i bardhë, sipas mallit…