Dinastia Keta vijon të nxjerrë kampionë të mëdhenj të ringut europian dhe botëror


Ferit Keta

Pas fitores së fundit në boks, ky sportist siguron të drejtën të konkurrojë për titullin kampion Europe në kikboks.
Fitorja e fundit përballë kundërshtarit polak në boks ngjiti në renditje boksierin nga Bulqiza, njërin prej tre mosketierëve të dinastisë Keta, Ferit Keta. Ai e mposhti me KO kundërshtarin polak Lukas Zingmunt në ndeshjen e zhvilluar në Berlin që në raundin e parë dhe tashmë ngre më lart vlerat e tij.
Kjo ishte ndeshja e 8-të për boksierin shqiptar që konkurron në Gjermani për ngjyrat e flamurit tonë kombëtar, ashtu siç kanë bërë edhe Ismail dhe Gjetan Keta, djemtë e xhaxhait të tij. Ndërkaq që në disiplinën tjetër, atë të kikboksit, ka zhvilluar 40 ndeshje, prej të cilave ka fituar 37 dhe ka humbur vetëm tre. 27-vjeçari Ferit Keta, përmes një interviste ekskluzive për gazetën “Rruga e Arbërit”, rrëfen historinë e ngjitjes në ring, por edhe objektivin që ka tashmë për një titull Europe në kikboks…

Si lindi dëshira juaj për boksin dhe kikboksin?
Duke pasur në shtëpi dy vëllezër si Ismaili dhe Gjetani, që u bënë kampion të mëdhenj, kjo më shtyu edhe mua të ec në gjurmët e tyre. Unë kam nisur në vitin 2010 të bëj ndeshjet e para në kikboks dhe në harkun e këtyre viteve kam zhvilluar 40 ndeshje, duke humbur vetëm tre.
Por suksesin më të bukur duket se e kam pasur në boksin profesionist, sepse brenda një viti e gjysmë kam zhvilluar tetë ndeshje dhe s’kam humbur asnjë. Fillimet e mia ishin të vështira, por pastaj duke punuar fort, arrita të fitoj sigurinë e duhur për ndeshje të niveleve të tilla.

Ku është më vështirë, në boks apo kikboks?
Të dyja thuajse kanë të njëjtën vështirësi, por rreziku është më i madh në kikboks, sepse aty goditja është edhe në pjesën e poshtme të trupit, por edhe lart. Gjithsesi, kur hyj në ring e harroj frikën dhe mendoj vetëm fitoren.
Prej shtatë vitesh ju stërviteni nga kushëriri juaj, por që është trajner dhe kampion bote, Ismail Keta. Më mirë apo më keq për një sportist të punojë me njeriun e afërt të tij?
Për mua ka qenë fat që kam punuar dhe vazhdoj të punoj me një njeri si Ismail Keta. Ai, sa i rreptë të duket në ring, aq i qetë dhe i dashur është jashtë tij.
Natyrisht, edhe ai me punë u bë kampion dhe mua më duhet të djersij fort t’i ngjaj atij, por edhe Gjetanit.
Ndeshja e fundit më bëri të besoj më shumë te vetja dhe cilësitë e mia, sepse kundërshtari polak ishte shumë më i madh dhe i rëndë në trup.
Por duke besuar te vetja ia dola dhe duke dëgjuar këshillat e trajnerit, që më mësonte pikat e dobëta të tij, derisa edhe ia dola me sukses duke fituar që në raundin e parë me KO.

Ju kemi parë edhe në ringun shqiptar, si në Bulqizë, ashtu edhe në Tiranë. Sa e ndihmon një sportist publiku, sepse i keni fituar të dyja takimet?
Ku ka si publiku shqiptar. E rëndësishme është që mbështetjen e tyre ta marrësh pozitivisht në emocionet që përcjell dhe unë i kam ngjarë edhe Gjetanit, që emocione të tilla i ka bërë pronë të tij drejt fitores. S’e harroj Bulqizën në tetor 2014 dhe Tiranën në shkurt të vitit që shkoi.

Pikërisht kjo ndeshje ju ngjiti shumë në ranglistën e federatës europiane dhe tashmë keni fituar të drejtën për t’u ndeshur për kampion Europe në kikboks. Si e prisni këtë duel, ku dhe kur mund të bëhet?
Pak ditë më parë trajneri im Ismail Keta më lajmëroi që e kam fituar tashmë të drejtën për të bërë një finale për titull kampion Europe në kikboks dhe më pas e dua edhe në boks. Vendi dhe koha mbeten akoma enigma, por mesa kam mësuar është muaji qershor që do ta ftoj për duel në Gjermani dhe shpresoj t’i nderoj sërish shqiptarët me një titull të ri. Shembullin e kam brenda familjes dhe dua t’ju ngjaj kampionëve me gjakun tim…