Të rinjtë…


Ne ujvarn e Pocestit

Të jesh i suksesshëm jo gjithmonë duhet të kesh vëmendjen e të gjithëve apo të jesh i mbuluar nga jehona e punës. Të punosh fort në heshtje, pa bujë, ashtu siç kanë bërë dhe po vazhdojnë të bëjnë të rinjtë e palodhur dibranë, mund të quhet një sukses i dyfishtë.
E kam fjalën për shumë të rinj që prej disa vitesh kanë kontribuar fuqishëm në veprimtari, shërbime, promovim dhe përmirësim të mentalitetit dhe mënyrës së të jetuarit në qytetin e Peshkopisë. Pozita gjeografike, mungesa e infrastrukturës dhe e dëshirës për investime në këtë qytet nuk ka zbehur dëshirën e tyre për të punuar dhe ti dhënë jetë qytetit. Organizata të mëdha zënë vend kryesor në thithjen e resurseve të pashtershme të dëshirës për ndryshim në Dibër. Të rinj të shumtë dhanë kontributin e tyre duke krijuar dhe një organizatë tërësisht dibrane. Më shumë se 100 të rinj në veri të Shqipërisë po punojnë së bashku për të arritur ëndrrat dhe për të ndryshuar në mënyrë pozitive vendin e tyre.
“Changing the future”, një togfjalësh i cili të jep idenë e shpresës për një ndryshim të një situate, është emri i organizatës rinore, e cila përmbledh në vetvete të rinjtë e palodhur dhe të pakursyer për të ndryshuar të ardhmen e vendit të tyre. Ata kanë thyer klishetë e këtij brezi me mungesë mundësish duke treguar në komunitetin e tyre energjitë, talentin dhe shpresën.
Krijimi i këtij grupi i kishte fillimet e tij në verën e vitit 2011, ku 11 vullnetarë po punonin me kampet verore të organizuara nga World Vision. Ata ftuan miqtë e tyre për t’iu bashkuar grupit dhe për t’u shërbyer me dashuri këtyre fëmijëve dhe, nëpërmjet tyre, filluan të identifikonin nevojat e komunitetit. Në mënyrë që të mos humbasin interesin për të vepruar në komunitet, ekipi i World Vision i ftoi të rinjtë që të ndërmerrnin iniciativa ku të identifikonin çfarë nevojitet të ndryshohet në komunitetin e tyre, duke përmirësuar dhe kontribuar në jetët e fëmijëve. Të rinjtë u trajnuan mbi aftësimin për jetën, për planifikimin e projektit, mbi parimet bazë të zhvillimit të komunitetit. Grupi u rrit shumë për një kohë të shkurtër dhe ishte e qartë që kërkonin të ishin pjesë e një grupi kuptimplotë që duke fituar eksperiencë, të fitonin punë, gjë e cila ndodhi te shumë të rinj.

Te rinjte e Change dhe future duke mbledhur ndihma per familjet ne nevoje

Grupi i të rinjve angazhoi aktorët e zonës si biznese lokale, prindër, mësues, drejtorinë rajonale arsimore, qeverisjen lokale dhe anëtarë të komunitetit. Kjo bëri të munduar që të rinjtë të ngrenë zërin dhe të ndërhyjnë në hapjen e dy kopshteve në dy dy zona ku kishte vite që fëmijët nuk kishin një vend ku të mësojnë, fushata të ngritjes së fondeve dhe ndërgjegjësimit, organizimin e kampeve verore me fëmijë duke u dhënë atyre buzëqeshje, dashuri dhe të qeshura pafund.
Organizimi i panaireve me shitjen e produkteve bujqësore dhe grumbullimi i të ardhurave për qëllim human, ndihma periodike e disa familjeve në nevojë e shumë veprimtari pafund, shërbejnë si provë e gjallë që akoma ka të rinj që punojnë fort, dëshirojnë një komunitet ndryshe. Veprimtari të shumta me fëmijët jetim, ato me aftësi ndryshe dhe gjithëpërfshirja e komunitetit rom në jetën shoqërore janë disa nga drejtimet e punës së të rinjve edhe në të ardhmen. Organizimi i grupeve dhe vullnetarëve u rrit ndjeshëm, pothuajse 300 të tillë, por pas mbylljes së universitetit ky numër u përgjysmua.
Disa të rinj e shohin përfshirjen në grupin vullnetar që prej gjashtë viteve qe operon në Dibër si një mundësi për tu argëtuar apo për të parë mundësi të reja. Mund të themi me plotë gojën që të rinjtë e Changing the Future bëjnë një jetë më aktive se pjesa tjetër e të rinjve në Dibër.

Gjate nje aksioni per pastrimin e mjedisit

Pjesëmarrja dhe njëkohësisht aktivizimi në këto veprimtari i të rinjve dibranë ka shërbyer si një trampolinë për të qenë të suksesshëm dhe në profesionet dhe karrierën e tyre.
Disa të rinj janë punësuar në punë shumë të mira dhe pohojnë që angazhimi në Changing the Future ka ndikuar thelbësisht në formimin e tyre. Falë aftësive që kanë fituar e kanë pasur më të lehtë të fitojnë vendet e punës. Erblini, Ilirjana, Blerina, Bedria, Arturi, Sameti që tashmë punojnë si staf i organizatës ndërkombëtare World Vision flasin me nostalgji për ato vite dhe krenari për atë ç’ka këto të rinj kanë bërë për një zonë që jep pak shpresë, sa Dibra. “Gjatë veprimtarive që zhvilloheshin unë zbulova që kisha talent kërcimin. Tani jam pjesë e ansamblit popullor të Dibrës”, tregon me entuziazëm gjatë një takimi me organizatat partnere Reisi, një nga vullnetarët më të rinj të Changing the Future.
Sot, pas 6 vitesh, këto të rinj po pasojnë njëri-tjetrin duke mos lënë vetëm asnjë çast nevojat që Dibra ka. Dhe pse vitet ikin, puna për ndërgjegjësim, promovim dhe vullnetarizëm në kauza të ndryshme nuk mungon.
“Shumë të rinj ikin për arsye të tyre jashtë Dibrës, e shumë të tjerë vijnë pranë organizatës tonë me një dëshirë për t’u aftësuar vetë dhe për të dhënë kontributin e tyre”, thotë Ilir Poçi, drejtori i organizatës rinore Changing the future, i cili po ashtu ka qenë pjese e grupit vullnetar. Iliri mbështetet fort nga disa të rinj si Endri, Kudreti, Linda, Sidorela dhe Mira, të cilët pavarësisht punës që bëjnë, gjejnë kohë për të kontribuar në veprimtaritë e CHF. Mungesa e mundësive të përfshirjes së të rinjve në veprimtari të organizuara nga shteti u jep mundësi organizatave të thithin këto të rinj dhe ti mbështesin ato në nismat që marrin për ndryshimin e situatës së komunitetit përreth tyre.
Aktualisht, të rinjtë e Changing the Future janë shumë aktiv në qytetin e Peshkopisë. Ata bashkëpunojnë me shumë institucione lokale ashtu dhe me organizata të ndryshme partnere që operojnë dhe kanë ndikim në këtë zonë. Ato akoma vazhdojnë rrugëtimin me vizionin : “Të rinjtë agjent ndryshimi në komunitet”. Synimet kryesore janë mirëqenia e fëmijëve si dhe fuqizimi i të rinjve për punësim. Po punohet vazhdimisht për promovimin e turizmit malor në Dibër. Turizmi në lupën e tyre shihet si një mundësi e mirë për gjenerimin e të ardhurave. Gjatë verës të rinjtë bëhen pjesë e kampingjeve verore malore në malin e Korabit, Hinoskë, Liqenin e Gramës, Ujvarën e Pocestit e shumë vende të tjera që natyra ka treguar bujarinë. Këto të rinj kanë hartuar guida turistike të mirëfillta me çmime shumë të arsyeshme.
Ata janë heronj të heshtur, për të cilët askush nuk flet. Por për ta flet puna. Ata arritën të ndryshojnë mendimin se “nuk punohet vullnetar”, duke arritur të bëhen pionierët e ndryshimit dhe të punojnë fort për të thyer barrierat që paraardhësit tanë i vendosen. Ato nuk shikojnë se ç’po bën qeveria, por rendin drejt çdo të mire që mund t’i bëjnë vetes së tyre dhe komunitetit.