Forum i hapur për rrugën e arbrit, organizuar nga grupi i lobimit


Me iniciativën e profesorit të Universitetit të Birmingamit, Dr. Gëzim Alpion, nismëtari i peticionit online për Rrugën e Arbrit, një forum Forumi i Hapur u zhvillua në hotel Tirana më 17 Prill 2017, me pjesëmarrjen intelektualëve të angazhuar, përfaqësues shoqatash, deputete dhe qytetare…
Debati mbi këtë çështje ishte i hapur dhe i gjithanshëm. U diskutua mbi mënyrat e reja te protestave dhe qëndrimin që duhet të mbajnë anëtarët e shoqërisë civile si dhe firmëtarët e peticionit ne lidhje me premtimet për Rrugën e Arbërit.
Bujar Karoshi, një nga aktivistët dhe redaktor i gazetës, tha në fillim të takimit se “kur unë i jam bashkëngjitur kësaj iniciative, kemi vendosur që do të qëndrojmë së bashku deri në ndërtimin e metrit të fundit. Dhe unë jam shumë i kënaqur të them se ne bashkëpunojmë më shumë të rinj dhe të reja, aktivistë, veprimtarë, pensionistë të cilët kanë harxhuar nga koha e tyre për bërë punë konkrete në këtë drejtim. Ata nuk janë të pranishëm sot këtu sepse janë të shpërndarë në katër anët e botës në kërkim të studimeve dhe të punës, por me shpirt dhe me zemër janë mes nesh”.
Ai tha se ky forum kërkon të diskutojë në lidhje me mënyrat dhe format se si mund ta çojmë këtë çështje përpara, për shkak se kemi ardhur në një fazë që mendonim se do t’i vinte fundi protestës tonë për rrugën e arbrit por në fakt siç ka ndodhur në gjithë këto vite ne jemi kthyer sërish në planet fillestare”.
“Ne nuk jemi mbledhur këtu që të bërtasim kundër politikës, tha Gëzim Alpion. Ne nuk jemi këtu për t’i treguar njerëzve se për kë duhet të votojnë, por ca gjera është mirë të thuhen troç: në qoftë se politikanët kanë kohë që gënjejnë Dibrën, përse ne duhet t’u besojmë atyre? Dibra është varfëruar, ka 25 vjet që askush nuk ka vendosur dorë në të. Rruga e Arbërit nuk do ta shpëtojë Dibrën, rruga e Arbrit në mënyrë simbolike do të japë një impuls Dibrës. Ne nuk po lobojmë vetëm për Dibrën, ne po lobojmë për Shqipërinë e harruar, për Shqipërinë provinciale dhe në mënyrë simbolike ne duam t’i kujtojmë kësaj klase politike që Dibra, Mati do të rigjenerohen. Ne nuk do të diskutojmë më për fizibiliteti i një zone e cila vetëm për patriotizmin e saj meriton këtë rrugë. Të mos flasim për kromin e çfarë i ka dhënë Dibra Shqipërisë, që nga krijimi i shtetit shqiptar. Është fakt që në këto 105 vjet të shtetit shqiptar Dibra vazhdon të ndjehet viktimë e 1913-ës dhe viktimë e dy shteteve, shtetit shqiptar dhe shteti maqedonas”.
Ai i ftoi të pranishmit që të diskutonin dhe të japin mendime se çfarë roli mund të luajë shoqëria civile në ta ardhmen dhe mënyrat dhe format se si presioni ndaj qeverisë, që ta vejë sa më parë në zbatim nisjen e punimeve të Rrugën e Arbërit.
Ing. Shefki Aliti, i ardhur posaçërisht nga Shkupi, tha se e njeh mirë këtë projekt dhe është i gatshëm që të japë asistencën e tij në këtë drejtim, por ai theksoi se qeveritë shqiptare kanë qenë indiferente ndaj këtij projekti, ndaj edhe kjo çështje ka ardhur deri në këtë pikë, ku askush nuk e di më se çpo ndodh me të.
Diplomati Sulejman Tomçini e vuri theksin te përdorimi i zgjedhjeve që po vijnë për ta ringritur edhe njëherë fuqishëm këtë problem. “Mendoj që në Peshkopi apo në Tiranë, Mat e Klos, njerëzit kur të bëjnë mitingje zgjedhore të dalin me pllakata “Na ndërtoni Rrugën e Arbrit”, dmth mitingu të jetë një formë proteste dhe pllakata që t’i kujtojë politikanëve se deri më tani kanë gënjyer me këtë çështje. Pasi ritheksoi një varg arsyesh se kjo rrugë do të riktheje fuqishëm zhvillimin ekonomik në rajon, ai tregoi një rast nga përvoja e tij me Fondin Saudit të Zhvillimit, nga ku mund të gjenden fonde, por për këtë nevojitet një projekt zbatimi, dhe këtë qeveria shqiptare nuk e ka”.
Faik Xhani, kryetar i Shoqatës së pensionistëve të Shqipërisë, tha se deri më tani forma e reagimit qytetar ka qenë shumë demokratike, por mendoj se tani ka ardhur koha e protestës. Jemi në pikën e valimit, dhe mendoj që edhe qeveritarët ta kuptojnë mirë se boll na kanë gënjyer . Tani duam zgjidhje!
Artan Lleshi vuri theksin te hartimi i statistikave dhe studimeve në trafikun që pritet të lëvizë në Rrugën e Arbërit, për të qenë më të përgatitur kundër zërave që e kundërshtojnë ndërtimin e rrugës për shkak të mungesës së fizibilitetit.
Kastriot Frashëri, një aktivist i shoqërisë civile tha se “ajo që më shqetëson mua dhe ndoshta thelbi i gjithë problemit është që Rruga e Arbërit nuk bëhet për shkak të korrupsionit. Ky vërtet është një projekt kombëtar, por korrupsioni është më i fortë me sa duket se sa zhvillimi i Dibrës apo dhe vetë përfundimi i këtij projekti”.
Dashamir Marku, i ardhur posaçërisht nga Dibra e Madhe, solli shembullin se si shoqëria civile u soll me rastin e Radikës, dhe këtë shembull ta ndjekim edhe në këtë rast. Ai vuri theksin në mënyrën se si duhet të shihet rëndësia e kësaj rruge në aspektin kombëtar. “Rruga e Arbrit nuk i ndihmon veç dibranët, por ndihmon gjithë popullin, edhe pse quhet Rruga e Arbërit për mua është arteria e kombit”.

Profesor Astrit Gjunkshi hodhi propozimin që shoqëria civile të gjejë modelitete të përfaqësimit politik jashtë partive politike, si një mënyrë që zëri i kësaj shoqërie të përfaqësohet në sallën e parlamentit.
Profesor dr. Petrit Bare kërkoi më shumë angazhim në këtë proces të intelektualeve dhe profesionistëve, si njerëz me integritet dhe të pavarur nga partitë politikë, që mund ta çojnë këtë proces përpara. “Unë propozoj që të krijojë një listë për gjithë intelektualët e Dibrës, të bashkohen që të gjithë, të marrë përsipër secili detyrat qoftë mediake, qoftë propagandë dhe të marrin pjesë në fushatën elektorale të Dibrës edhe të tregojmë arsye ekonomike. Dibra është në varfëri. Dibra është pa banesa. Dibra është pa rrugë. Nuk ka rreth të republikës që të mos ketë rrugë”.
Gazetari Jaho Margjeka tha se askush tjetër në Shqipëri dhe ndër shqiptarë nuk duhet të diskutohet rëndësi e këtij projekti. Ai theksoi rëndësinë e përfshirjes në këtë projekt të diasporës, jo vetëm nga ana intelektuale, por edhe me mbështetje financiare.
Ramiz Lushaj, gazetar e botues, tha se qeveritë e çdo kohë, dhe ato që ishin dhe ato që do vijnë, nuk duhet të gënjejnë më gjatë, po të vihet në lartësinë kombëtare. Lufta më e madhe në botë është lufta e korridoreve, rrugore dhe hekurudhore. Shqipëria duket se është e papërgatitur në këtë çështje”.
Bashkim Lami, kryetar i shoqatës Bulqiza, tha se “përpjekjet e dibranëve kanë hyrë në një rrugë që mund të shkojnë te qëllimi. Ky problem zgjidhet nga qeveria. Me qeverinë nuk duhet të jemi paqësor, duhet të jemi pak të fortë. Të gjithë kanë premtuar, në çdo fushatë dibranë u është bërë e sigurt se do bëhet rruga e Arbërit dhe fakti është se ajo nuk bëhet. Kemi përfaqësuesit tanë në parlament që kanë mbajtur ndonjë fjalim patetik sa për të thënë se po flas për rrugën e Arbërit. Por as këto fjalime nuk na kanë çuar atje te zgjidhja”.
Mësuesi i nderuar Ismail Erebara tha se “duhet të kapërcejmë kufijtë e lobimit. Nuk është bërë aq sa duhet”.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe deputeti Roland Keta. Ai tha se “nuk më vjen mirë që në këtë sallë nuk ka edhe deputetë të tjerë. Ne jemi në krizë, sepse nuk jemi në gjendje të bëhemi të gjithë bashkë në Parlament. Diçka nuk shkon me ne. Më shumë e ngrenë zërin të diasporës sesa dibranët. Po të ishim të gjithë bashkë sigurisht që bënim. Duhet të bëhemi të gjithë bashkë sepse Dibra është në krizë”.
Historiani Moisi Murra vuri theksin në ngritjen e një grupi pune dhe verifikimin në terren të asaj çfarë është bërë deri më tani. Poeti Hamdi Skeja dhe ekonomisti Halit Hoxha theksuan se e vetmja rrugë që ka mbetur është protesta.
Në fund të këtij takimi u ra dakord që të hartohej një rezolutë dhe në ditët në vazhdim do të shihen modalitetet për gjetjen e rrugëve të reja të lobimit dhe protestës për rrugën e Arbërit. Sepse, pas 25 vitesh, nuk ka më asnjë kuptim që një fushatë elektorale të zhvillohet sërish Klos, Bulqizë, Mat e Dibër me temë kryesore Rrugën e Arbërit.
Korresp. Rr.A