Ftesa ime për një kafe me profesor Bexhet Shehun është pritur mjaft mirë prej tij, por të duket se koha nuk mjafton, për t’i thënë të gjitha, jo thjesht gazetari me intervistuesin, por edhe ish mësuesi me ish nxënësin e tij… Vërtet të duket pak, mbi të gjitha, kur ai nis rrëfimin e tij të jetës sportive dhe veçmas, asaj që lidhet me futbollin dibran. Ish trajneri i kthyer në legjendë, shpeshherë krahasohet me një “Ferguson” të Korabit, kur mendon që 20 vite me radhë, ishte në timonin e një skuadre futbolli, konkretisht Korabit. I qetë, i matur, i veshur bukur edhe sot të duket se është i gatshëm të ulet në bankinë edhe pse ka kaluar 80 vite mbi supe. Në fakt, unë pata fatin ta kisha edhe mësues, edhe trajner, por që më së shumti kujtoj orët e tij të mësimit, mjaft të larmishme në orën e edukimit fizik, por po ashtu, stërvitjet korrekte në fushën e futbollit… Pas kaq e kaq vitesh, riulemi në një lokal në rrugën “Bardhyl” në Tiranë, aty ku ka edhe shtëpinë dhe, ndërsa bisedojmë për futbollin, rreth nesh janë dhjetëra sy që e shohin dhe duan ta respektojnë profesor Bexhetin, siç e thërrasin të gjithë… Edhe në atë lagje të vjetër të dibranëve, ai ka vendin e tij të merituar, edhe pse ka ardhur pas viteve 90-të këtu.
cili është mësuesi dhe trajneri i shquar dibran Bexhet Shehu?
Për fatin e keq, ai është rritur jetim, sepse nëna e kish lënë kur ishte vetëm 10 vjeç. Kjo e detyroi të vijë nga Dibra në Tiranë dhe të nisë të prekë nga afër një ëndërr të jetës së tij, atë të futbollit. Bashkë me Zyber Konçin, nis të gatuajë dëshirën për topkëmbën dhe në fushë spikasin disa cilësi që e bënin të dallueshëm Bexhetin e vogël. Në vitet 1952-1955 ai shkon në teknikumin e fizkulturës dhe tiparet e tij bien në sy, ashtu si Bejkush Birçes, bashkëmoshatarit të vet. Në vitin 1954, ai bie në dorë të një ustai brilant për këtë sport, si trajneri Xhavit Demneri, një specialist i mirëfilltë i futbollit dhe nis të luajë në ekipin e tij. Edhe pse disi trupvogël, shpirti i garës dhe puna e madhe në stërvitje e bënin diferencën dhe Bexheti ishte i preferuari i trajnerit kryeqytetas. Edhe pse shkon ushtar në Kukës, Dinamo e tërheq dhe luan për këtë ekip, por në maj 1956, Dibra kërkon këtë futbollist të jetë në radhët e skuadrës së saj të futbollit. Korabi në ato kohë krijon një ekip të fuqishëm dhe mes tyre ndodhej edhe Bexhet Shehu, një futbollist tejet punëtor. Në vitin 1957 Korabi krijon një emër të mirë në futboll. Por vetëm një vit zgjat kjo pjesëmarrje e tij, sepse ai shkon në shkollën e lartë të sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë. Në vitin 1963 ai rikthehet në shtëpinë e tij në Peshkopi, madje si drejtues i sporteve dhe që nga ai vit deri në 1986, bëhet trajner i futbollit në ekipin Korabi, duke shënuar një rekord në këtë rol. Aftësitë e tij të drejtimit dhe punës në grup krijuan profilin e njeriut të aftë dhe profesionist, por që dinte të bashkëpunonte edhe me emra të tillë të mëdhenj që erdhën nga Tirana, si Refik Resmja, Rexhep Spahiu, etj. Korabi ishte një ekip që nga kategoria e parë doli në kategorinë e dytë, madje shpeshherë ju afrua së parës, por në stacionin e fundit nuk arrinte dot të kalonte me sukses. Profesor Bexheti kishte një veshje model, që rrezatonte qytetari dhe këtë ua impononte edhe djemve futbollistë. Korabi i atyre viteve ishte bërë një ekip potent dhe me personalitet dhe kudo ku luante, brenda apo jashtë fushës së tij, merrte duartrokitjet e publikut.
Kujtimi më emocionues i jetës së tij
Ishte momenti kur pas ardhjes së ndryshimeve të mëdha politike krijohet mundësia e takimit mes dibranëve. Kufiri u hap dhe Korabi i Peshkopisë shkon në një vizitë dhe bën një ndeshje miqësore me Korabin e Dibrës së Madhe. Profesor Bexheti kujton me lot në sy atë ditë, që e kish ëndërruar në sa e vite e dekada. Vetëm lot, – pohon profesori, na shkonin në sy dhe nuk ngopeshim të ishim të gjithë bashkë. Kaluam çaste të paharruara dhe i gjithë qyteti erdhi në stadium. Tashmë gjaku u bashkua dhe takuam shumë njerëz që na lidhte jo vetëm futbolli, por edhe ishim të një gjaku. Për mua ai moment mbetet i pashlyer, – kujton Bexhet Shehu.
Tetova akoma flet për Bexhetin
Profesori kishte emrin e tij të mirë, një emër që e shoqëroi atë edhe pas viteve 90-të, kur vajti në Tetovë dhe drejtoi një sezon Shkëndijen e Tetovës, një skuadër që e nxori nga liga inferiore dhe e bëri pjesë të elitës së futbollit maqedonas. Akoma sot në këtë qytet, kur marrin vesh se je dibran, menjëherë pyetja që shtrojnë është: “A e njeh profesor Bexhet Shehun? Ishte rob zoti, ishte i paarritshëm…!”
Familja Shehu, arsim dhe sport!
Prej vitesh ai jeton në Tiranë, por dua të kujtoj se jo vetëm kontributi personal i tij për sportin dibran, por edhe i vajzës së tij, Aida Shehu, një prej volejbollistëve më të mira në Peshkopi dhe në Shqipëri. Ajo sot është pedagoge në universitetin e sporteve në Tiranë, por kujtojmë faktin që ka qenë për vite me radhë trajnere e skuadrës së Studentit në volejboll femra. Ndërkaq që Naferidja është një prej mësueseve më të zonja që njihte arsimi në Peshkopi dhe që ishte në krah të Bexhetit prej kaq e kaq vitesh, duke lindur e rritur edhe djalin Adin, që jeton prej vitesh në Gjermani, por që si futbollist dhe ping-pongist tregoi vlerat e tij në vitet e rinisë.