Lavdrim Krashi – dibrani që menaxhon politikat e strehimit në bashkinë e Londrës


Lavdrim krashi 2 me dicituren: Me kryetarin e bashkisë së Londrës, Sadiq Khan

“Atdheu përfaqëson vlerat me të cilat jam rritur, trashëgiminë kulturore të paraardhësve, të njerëzve që do…, përfaqëson vendin ku ndihem gjithmonë ‘në shtëpi’ edhe pse kaloj vetëm një muaj në vit atje”. Kështu shprehet Lavdrim Krashi, dibrani që për më shumë se 20 vite menaxhon aspekte të ndryshme të politikave të strehimit në kryeqytetin e Britanisë së Madhe.

Patriotizmi ka rrënjë të thella në mendjen dhe shpirtin e tij. Kjo edhe për faktin se ka lindur në Arras, pranë Kepit historik të Qytetit në grykën e bukur turistike të Setës, mbi kalanë natyrale të Gjergj Kastriotit. Po këtu ka hedhur edhe hapat e para në rrugën e dijes, duke kryer arsimin e detyrueshëm 8-vjeçar. Ruan kujtime të bukura fëminore përgjatë këtyre viteve. Në memorien e tij është ngulitur mësuesja e klasës së parë Zana Bajraktari (një intelektuale e spikatur nga Shkodra, e cila ka edukuar shumë breza në këtë zonë) si edhe mbarimi i klasës së 8-të dhe dëshira për të përfaqësuar veten e tij, familjen dhe zonën sa me denjësisht.

Prindërit e tij kanë patur një etje të madhe për dije dhe arsimim. Të dy ishin të përkushtuar që të gjithë fëmijët të mbaronin universitetin.

I ati, Mersim Krashi, ka qenë një nga emrat shumë të njohur të krahinës, madje edhe më gjerë në gjithë Dibrën. Ai ka spikatur që në moshë të re për zgjuarsinë natyrale dhe të kultivuar, dhe si drejtues në disa vepra zhvillimore, si aeroporti i Rinasit, rruga kombëtare Tiranë-Mirditë-Kurbnesh si dhe në zhvillimet me përgjegjësi gjatë viteve ‘60, ‘70 dhe ‘80. Ata që e kanë njohur nëpërmjet punës e vlerësojnë si një njeri korrekt, të përkushtuar ndaj njerëzve dhe me një intelekt natyror të jashtëzakonshëm.

Nëna e tij, Dylbere Krashi është nga Xhediket, (kështu ai është nip tek Xhediket në Zall Dardhë), një familje e penës, punës e pushkës ku spikasin kompozitori i famshëm, themeluesi i tangos shqiptare, Muharrem Xhediku, Dr. Emin Xhediku, Ing. Elmaz Xhediku etj.

Në familjen e Mersim Krashit me 7 motra dhe vëllezër, kur u diplomua vëllai i vogël i tij në 1995, kënaqësia e prindërve ishte krejt e dukshme, së bashku me krenarinë. Në këtë familje të ngushtë  ka mjekë, inxhinierë, mësues, agronomë, oficerë, dhe natyrisht, pasi të gjithë kanë krijuar familjet e tyre, janë shtuar edhe profesione të tjera.

Udhëtimi i tij me Anxhelën, shoqen e jetës, filloi para 20 vitesh dhe familja sot është e kompletuar me fëmijët, Mersimin 18 vjeç dhe Elmën 11 vjeçe (jo rastësisht djalin e kanë pagëzuar me emrin e babait, në shenjë mirënjohje dhe siç e ka tradita). Së bashku si familje e vizitojnë Shqipërinë shpesh e me mall. Asnjëri prej prindërve të tij nuk jetojnë më, pasi i ati ndërroi jetë në fund të vitit 1995 në moshë shumë të re dhe nëna e tij tashmë  ka pesë vite që nuk jeton më.  Sa herë që Lavdrimi vjen  në Shqipëri, vizitën e parë e bën te prindërit, duke u përkulur pranë vendit të tyre të përjetësisë.

Arsimin e mesëm e ka kryer pranë shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, pra si të thuash është një gjysmë ushtarak. Me gjithë vështirësitë e jetës si nxënës larg familjes nga mosha 14-18 vjeçare, ai vazhdon akoma të ruajë kujtime të bukura pranë këtij institucioni arsimor mbi të gjitha, ku u mësuan ta duan njëri-tjetrin, të ndanin ato pak gjëra që kishin së bashku, të vlerësonin besnikërinë dhe miqësinë e sinqertë. Atje u brumosën me dashurinë për atdheun dhe kombin.

Largimi për të vazhduar arsimimin në kryeqytet shënon edhe “largimin” nga vendlindja. Për të, kjo ka qenë një nga “ndarjet” më të vështira  dhe sfida ishte e jashtëzakonshme për një adoleshent që vinte nga një zonë e thellë për të vazhduar jetën në metropolin e vendit.

Pasi mori formimin bazë pranë shkollës “Skënderbej”, vazhdon studimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Kjo pasi në atë kohë (vitet 80-të), dhjetë nxënësit me rezultatet më të larta kualifikoheshin në Universitetin Shtetëror për nevojat e ushtrisë. Në atë kohë dega më e pëlqyeshme ishte Inxhinieria Elektronike dhe ndonëse ishte me të gjitha notat 10-ta, shoku i tij i ngushtë kishte një përparësi ndaj tij pasi ishte kandidat për anëtar partie, ndaj kjo degë iu rezervua atij. Pavarësisht kësaj, Lavdrimi tregon se ai mbetet  një nga miqtë e tij më të ngushtë edhe sot e kësaj dite.

Vitet studentore pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, ku studioi për Inxhinier Kimist, kanë qenë të mbushura me plot ngjarje që kanë ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve në vendin tonë dhe më gjerë. Ai bën pjesë në atë brez studentësh që i kanë jetuar të dy sistemet, gjysma e parë në fund të viteve ‘80 dhe pjesa tjetër në fillim të viteve ‘90. Përjetimet plot dhimbje për kohën kur Shqipëria ishte e lodhur nga komunizmi dhe varfëria, fillojnë të përballen me dëshirën për të ndryshuar gjërat, ku protagonistë ishin studentët. Kjo pjesë vitale e shoqërisë, ku bënte  pjesë edhe ai,  i dha shpresën lëvizjes për ndryshime dhe atëherë kur e tashmja dukej e zymtë; rinia tregoi se e ardhmja ia bënte me sy të shkonte drejt saj me shpresë dhe konfidencë.

Ndonëse ka marrë pjesë në shumë ngjarje të asaj kohe, politikisht e gjeti veten në anën e Partisë së transformuar në Socialiste. Ai ka qenë  pjesë e një grupi prej gjashtë studentësh (Pandeli Majko, Ilir Zela, Flamur Metollari, Arjan Kokoshi, Haki Morina dhe Lavdrim Krashi) që ideuan së bashku formimin e FRESSH – si formacioni më i madh rinor i kohës. Ky forum do t’i jepte frymëmarrje PS dhe jetës politike të vendit. Në këtë angazhim u pritën mirë nga drejtuesit dhe nga forumet e kohës.

Një çerek shekulli më parë, kur u gjend mes atyre mijëra studentëve që aspironin për një Shqipëri si gjithë Europa, Lavdrimit as që i kishte shkuar ndërmend se do të bënte karrierë në vendin me demokraci dhe institucione demokratike të konsoliduara. Sidoqoftë do të ishin rezultatet e shkëlqyera në studimet pasuniversitare, master në Kiminë e Mbrojtjes së Ambientit, që do t’i hapnin perspektivën e angazhimit të drejtpërdrejtë në administratën vendore britanike. Pas përfundimit të studimeve, rrethanat e sollën që të qëndronte në Angli. Ka rreth 20 vite që punon në Bashkinë e Londrës, ku ka menaxhuar aspekte të ndryshme të politikave të strehimit. Në proces, ka kryer disa kualifikime profesionale në fushën e planifikimit dhe strehimit si “Prince 2 Project Management”, “Politikat e Strehimit dhe Planifikimit dhe Kuadri i tyre Ligjor”, ndërkohë që është anëtar i Chartered Institute of Housing, Royal Institute of Purchase and Supply dhe organizata të tjera profesionale.

Por për të, aspekti profesional nuk ka qenë fokusi i tij i vetëm.

Angazhimi me komunitetin zë një vend të veçantë në aktivitetin e tij  në Londër, sidomos gjatë viteve të vështira për shqiptarët e Kosovës 1998-99, deri në çlirimin e saj.

“Nuk ka kënaqësi më të madhe  kur ndihmon me këshilla dhe zgjidhje praktike për çështje të ndryshme që ka komuniteti – shprehet ai.  Unë kontribuoj në mënyrë vullnetare me Programin Shpresa, Chrysalis Family Futures, Shoqata Ardhmëria, Mother Teresa Albanian Union etj”. Asistenca konsiston kryesisht në ndryshimet ligjore për sa i takon shërbimeve publike si strehimi, shëndeti publik, e drejta për blerjen e banesave, projektet dhe programet e zhvillimit.

Qëllimi i këtyre aktiviteteve është të ndihmojë komunitetin për ingranimin në shoqëri dhe ruajtjen e traditës e kulturës shqiptare edhe në Angli. Integrimi kryhet duke ndihmuar njëri-tjetrin në zhvillimin e karrierës së tyre nëpërmjet rrjeteve profesionale, zhvillimin e kurseve të ndryshme, duke ofruar ndihmë për studentet dhe të sapodiplomuarit etj. Nga ana tjetër komuniteti është shumë i ndjeshëm ndaj dëshirës për të qenë pranë njëri-tjetrit në festa kombëtare kur bashkohen shpesh për të festuar e kujtuar se gjërat që i bashkojnë janë më shumë se ato që i ndajnë dhe që jashtë shtetit janë madje edhe më pranë njëri-tjetrit.

Por politika për të vazhdon të mbetet një pasion. Ai i kushton një pjesë të kohës së tij zhvillimeve politike të vendit ku jeton dhe punon aktualisht. Angazhimi i tij në këtë fushë merr forma të ndryshme si anëtar i partisë Laburiste, kontributi i vazhdueshëm për zgjedhjet bashkiake, referendumi historik për marrëdhënien e re të Anglisë me BE,  zgjedhjet parlamentare etj.