Klara, vajza 11 vjeçare që ngjiti malin e Korabit
Nga Grehans Uka


Klubi Discover Albania që në muajin Mars 2017 organizoi një seri guidash që do të finalizoheshin në datën 2 korrik me ngjitjen në malin e Korabit. Për këtë arsye ky turne u quajt “Misioni Korab 2017”.

Që në Panairin e Turizmit u prezantova si guidë lokale dhe shkëmbeva kontaktet me përfaqësuesit e klubit, për  përgatitjen e turit në Korabi. U formalizua gjithçka.

Me datën 30 qershor nisemi për në Radomirë. Unë arrita në Radomirë nga Peshkopi ndërsa grupi turistëve nga Tirana. Gjatë rrugës u miqësova me shoferin e linjës, Petrit Tanushin. Pas një orë udhëtimi arrita tek bujtina e Haxhi Himës. Këtu më priste djali i Haxhiut dhe njëkohësisht shoku im Agroni, një djalë i shkathët dhe i zgjuar, i cili të krijon një mjedis gazmor në bujtinë. GPS shënoi 1260 metra lartësi. Ajri i freskët dhe i pastëer ndjehet menjëherë. Kënaqësia ime u rrit kur këtu në bujtinë takohem me  Fation Plakun, fotografin profesionist në Shqipëri. Me Fatjonin biseduam gjatë rreth zhvillimit të turizmit, veçanërisht në Dibër. Rreth orës 22:05 grupi arrin në fshat. I gjithë grupi  ishin të rinj dhe me profesione të ndryshme. Më e vogla e grupit ishte Klara, vajza 11 vjeçare që ishte e vendosur në qëllimin e saj për t;u ngjitur në Korab, së bashku me babain e saj.

Të nesërmen,  rreth orës 07:15 fillojmë ngjitjen drejt majës. Gjatë ecjes bënim ndalesa të shkurtra derisa grupi të bashkohej dhe të normalizoheshin të gjithë. Shikoja në fytyrat e secilit që mrekulloheshin me peizazhin e natyrës. Në lartësinë 2200 metra që ishte më shumë se gjysma e rrugës kishim ecur shkëlqyeshëm. Gjatë rrugës takuam edhe grupe të tjera me turistë. Ishin në mosha të ndryshme,  nga SHB, Kosova, Tirana, Çekia.

Në orën 12:30 arritëm në majë dhe për 1 orë ne shijuam qëndrimin në majën e Korabit, duke realizuar disa foto por dhe duke marrë përshtypje pozitive nga natyra përreth. Ajo që na gëzoi më shumë ishte dhe ngjitja e vajzës 11 vjeçare deri në majën e Korabit. Për të gjithë grupin dhe sidomos për mua si guidë ishte arritje sepse ishte personi më i vogël që ngjitej në Malin më të lartë të Shqipërisë pa asnjë problem.  Dalëngadalë ne filluam zbritjen drejt fshatit ku gjithçka na shkoi sipas parashikimeve.

Gjatë mbrëmjes shijuam gatimet tradicionale si dhe bisedat e ngrohta.

Me datën 2 korrik së bashku me grupin rreth orës 10:00 u ngjitëm te Liqeni i Zi. Grupit i pëlqeu mjedisi nën hijen e pishave dhe cicërimat e zogjëve rreth e rrotull. Pas shëtitjeve  nëpër park rreth liqenit, grupi vendosi që të bënte edhe pak joga në qetësin e parkut. Çdo detaj fotografohej nga pjesëtarët e grupit që u mahnitën. Pak më vonë aty erdhën edhe një grup banorësh të fshatit që festonin në këtë ditë Festën Tradicionale të Radomirës. Kjo e bëri edhe më tërheqëse mjedisin për turistët.

 

Për një guidë turistike në Dibër kontakto me Gresin në email:

udhëtomegresin@gmail.com.

Telefon: (+355) 67 36 25 835

(What’s App & Viber)