Staravec, rruga po rikthen besimin te investimet


Kjo është një rrugë, e cila përveç banorëve të Staravecit lidh me qytetin fshatrat Shimcan, Bahute, Zimur si dhe për bjeshkët fantastike të Gramës, të cilat i shoqëron  një bukuri e pashoqe

 

Ne jetojmë në një vende që duhet punuar me të vërtetë fort për të plotësuar minimumin e kërkesave bazë të jetesës. Jemi të vetëdijshëm për problemet të cilat pengojnë fuqishëm zhvillimin e zonës dhe e dimë mjaftë mirë ç’farë na nevojitet për të sheshuar disi këto probleme. Dibra do ishte ndryshe në qoftë se do kishte një infrastrukturë më të zhvilluar rrugore dhe zhvillimi i saj do shumëfishohej në qoftë se “Rruga e Arbërit” do ishte ndërtuar. Por jo vetëm Dibra në përgjithësi, por edhe zonat brenda saj kanë probleme serioze në urbanistikë dhe në sistemet rrugore. Rruga është një nga faktorët kryesorë për zhvillimin e çdo zone apo krahine.

Prej vitesh fshati Staravec është përballur me vështirësinë e transportit rrugor për arsye se rruga prej 1.5 km nuk ishte aspak e përshtatshme për të mos thënë totalisht e amortizuar duke penguar ndjeshëm qarkullimin dhe zhvillimin e kësaj zone kaq pranë qytetit. Kjo është një rrugë, e cila përveç banorëve të Staravecit lidh me qytetin fshatrat Shimcan, Bahute, Zimur si dhe për bjeshkët fantastike të Gramës, të cilat i shoqëron  një bukuri e pashoqë. Rruga kalon përmes lagjes së Kamenit, më pas në Cipure, kalon përbri lagjes së Lusheve dhe maloreje pas maloreve ngjitesh në zonat e “4 copë katundeve” siç quhet në mënyrë popullore nga banorët e zonës. Për vite me radhë ky aks rrugor është bërë pengese e zhvillimit ekonomik të kësaj zone, sepse siç dihet, zhvillimi i çdo vendi suksesin e ka tek rruga. Rruga, është një faktor kryesor lëvizjes së popullsisë nga fshatrat drejt zonave urbane. Mungesa e shërbimeve bazë detyron këto banorë të migrojnë gjithmonë e më larg zonës. Pothuajse në çdo vit elektoral, si në zgjedhje  vendore apo lokale pika mbështetëse e fushatës në këtë zonë ka qenë rehabilitimi i rrugës. Pavarësisht faktit që ky aks rrugor në kilometra dhe në pamje të parë duket i pa përfillshëm gjendja për vite të tëra sa vjen edhe rëndohej.

“I lejmë makinat në lagjen e Kamenit (në gjysmë të rrugës)”, shprehen banorët duke qenë që rruga është e asfaltuar deri aty. Në rast se kemi emergjenca shëndetësore detyrohemi të lëvizim me makina të mëdha apo në raste të veçanta në këmbë duke qenë se rruga është e papërshtatshme. Në jetën e përditshme këto banorë zakonisht lëvizin me mjete publike si janë fugonët. Shoferët e linjave të fshatrave të sipërpërmenduara theksojnë që kostoja e mirëmbatjes së mjetit  me këtë rrugë është e papërballueshme.

“Kam ndërruar 4 furgonë për periudhën e 4 viteve”, tregon një nga shoferët e linjës. “Çdo 2 ose 3 javë”, shton ai, mjeti duhet të çohet tek mekaniku pasuar kjo më një kosto thuajse të papërballueshme. Këtu nuk ka vënë dorë askush, pëveç 2-3 makina zhavorr çdo vit zgjedhor”.

I revoltuar, një 70 vjeçar, tregon se si çdo vit gënjehen banorët. Të revoltuar shprehen edhe pronarët e disa minifermave që kanë aktivitetin e tyre në fshat por e kanë pothuajse të pamundur transportimin e mishit, bulmetrave, qumështit apo çdo produkti në tregun kaq pranë dhe kaq larg duarve të tyre.

Por pas shumë premtimeve dhe tentativave të shkuara dëm për investime në këtë fshat , këtë muaj  duket se qeveria lëshoi dorën për këto banorë duke akorduar  një fond prej rreth 40 milionë lekë për zgjerimin dhe asfaltimin e kësaj  rruge. Për hartimin e projektit dhe marrjen e fondit për ndërtimin e kësaj rruge u angazhuan shumë aktorë, pjesëtarë të komunitetit që ngulmuan fort duke lobuar fuqishëm për të bërë të mundur një vepër që për vite me radhë nuk u arritur. Pas shumë përpjekjeve u sigurua fondi për hartimin dhe zbatimin e projektit të rrugës “Staravec- Shimcan- Zimur”. Projekti konsiston në zgjerimin dhe asfaltimin e aksit rrugor Peshkopi-Staravec 1.5 km dhe rehabilitimi i aksit tjetër të mbetur deri në fshatin Zimur. Ky projekt i mbështetur nga bashkia Dibër ju besua një kompanie ndërtimi me peshë në qytetin e Peshkopisë. Kompania e ndërtimit “Selami shpk” filloi punën menjëherë pas mbarimit të dy akseve të tjera si ajo e Dovolanit dhe ajo e Herbelit. Rruga e ndërtuar sipas inxhinierëve dhe mbykqyrësve të punimeve i përket standarteve optimal, rreth 4 metër e gjerë, gjë e cila e bën të mundur qarkullimi i lirshëm dhe komod për një kohë mjaftë të shkurtër.

Tashmë banorët ndihen shumë të kënaqur për vetë faktin se më në fund diçka në të mirë të tyre ndryshoi duke krijuar më shumë benefite dhe lehtësi për to dhe jo vetëm. Ato shprehen se kanë vite që e presin që ky investim të bëhej madje ishin të gatshëm që të bashkëpunonin me të gjithë aktorët që bënë të mundur që ky investim të bëhej. Disa prej tyre vazhdojnë të bashkëpunojnë duke zhvendosur mbrojtëset e pronave të tyre në mënyrë që rruga të ishte e disa standardeve kryesore që projektuesit e projektit vendosën. Pjesa më e madhe e aksit Peshkopi- Staravec duket se ka përfunduar gjë e cila ndjehet shumë në shtimin e qarkullimit të mjeteve të tonazheve të ndryshme. Kudo flitet për rrugën dhe normalisht qe ka dhe skeptikë mbështetur në mendime personale apo interesa personal.

R.Trupja, banor i këtij fshati, flet për gazetën “Rruga e Arbërit” duke cituar  se nuk intereson asnjë parti, apo kush insistoi të bëjë këtë investim. Mua dhe bashkëfshatarët e mi na intereson që kjo rrugë hapi siparin e investimeve dhe zhvillimit. Fshati jonë ka shumë nevojë për ndërtimin dhe sistemimin e kanaleve të zeza dhe shpresoj që pas rrugës të vijë dhe radha e ndërtimit të tyre. Do na ndihmonte mjaftë, shton ai, duke falenderuar personat që bënë të mundur këtë investim.

Falenderues, entziastë dhe të liruar nga një barrë e rëndë janë  fermerët dhe bujqit, të cilët shpresojnë të shtojnë aktivitetin e tyre. Rregullimi i rrugës do tu jepte mundësinë për të qenë më afër tregut të cilin do shisnin produktet e tyre bio që rralle i gjen në tregjet e mëdha. Një nga blegtorët më të vjetër të zonës me rehabilitimin e sistemit rrugor mendon të investojë vërtetë dukë planifikuar ndërtimin e një baxhe për përpunimin e qumështit e më pas tregtimin e tij si një produkt 100% bio dhe po kaq perqind të shëndetshëm për konsumatorin Dibran dhe jo vetëm.

Ky investim mjaftë me vlerë u jep mundësi banorëve të larguar në zonat urbane të këtyre fshatrave të kthehen me investime në pronat e tyre. Ndërtimin dhe rikonstruktimin e shtëpive të braktisuara dhe shumë benefite të tjera kjo zonë do të ketë përfitojë gjatë kohës që vjen. Bjeshkët e Gramës në qoftëse ky projekt do realizohej 100% do ishin një atraksion dhe një pikë mjaftë e vlefshme për zhvillimin turistik të kësaj zone. Bukuritë e atyre bjeshkëve kanë mbetur të izoluara për shkak të një rruge aspak të përshtatshme deri në destinacion.   Por duhet thënë që ndërtimi i rrugës ka zgjidhur shumë halle të këtyre njerëze. Kjo zonë ka nevojë për shumë investime të cilat disa prej tyre janë emergjente po ashtu sa vetë rruga. Kanalizimet e ujërave të zeza, furnizimi me ujë të pijshëm dhe me atë vaditës mbeten me të vërtetë problem që duhet të zgjidhet.  Rruga ishte një nga qindra halle që këto banorë kanë mbajnë mbi kurriz këto njerëz.

Na mbetet të jemi me shpresën që të kemi zgjedhje çdo vit apo çdo 6 muaj duke shpresuar që të bëhet diçka për vendin dhe komunitetin. Komuniteti jonë ka nevojë për çdo lloj investimi, qoftë i vogël i mesëm apo investim i madh. Të gjithë jemi pjesë e një situate jo aq të kënaqshme dhe që kërkon shumë vëmendje të çdo lloj pushteti apo organizimi. Na mbetet te shpresojmë që ditë të mira do të vijnë, do punojmë pak më shumë e do përpiqemi te vjedhim apo mashtrojmë pak më pak.