Dafi (Defrim) Derti: Dibra ka vlera dhe njerëz të mrekullueshëm


Dafi Derti është një nga këngëtarët më të kërkuar në tregun muzikor shqiptar. Ai ka lindur dhe është rritur në fshatin Blliçe të Dibrës. Emri i tij i vërtetë është Defrim Derti. Suksesin më të madh e pati në hitin absolut me bashkëshorten e tij, këngëtaren e mirënjohur, Silva Gumbardhi. Kënga “Të ka lali shpirt” u bë një super hit, duke thyer rekorde klikimesh. “Kur isha vogël dëgjoja shumë hip-hopin dhe me kalimin e kohës, ky zhanër muzikor m’u kthye në profesion”.

Gjatë një interviste për rubrikën tonë “Të rinj – të talentuar”, Dafi thotë se “Jam krenar që jam dibran, sepse Dibra ka vlera dhe njerëz të mrekullueshëm”.

Dafi, je një nga këngëtarët dibran më të njohur. Mund të na flasësh pak për fëmijërinë tuaj në Dibër?

Unë kam kaluar një fëmijëri të jashtëzakonëshme, sepse jam rritur në fshat dhe dihet që jeta në fshat është shumë aktive. Unë jam nga fshati Blliçe, ku kam kujtime të paharrueshme, që kudo që jam, dua t’i ndaj me çdo njeri. Kudo që jam kujtimet më rrinë para syve. Më kujtohet vera që gjithmonë iknim të laheshim në Dri apo kur mezi prisnim të binte borë dhe dilnim me “cullt e katundit me shqit”, e pafund gjëra të tjera që jam i bindur që çdokush që po lexon këtë intervistë i kujtohen.

Cilat ishin disa sfida që hase kur ike në Tiranë e derisa u bëre i famshëm?

Sfida? Eh jeta e gjithë është një sfidë, por realisht ne që kemi ardhur nga rrethet kemi pasur shumë vështirësi. Edhe në karrierë kemi hasur vështirësi, por vullneti dhe ambicia ime s’më ka lënë kurrë që unë të ndalem. Sfida nuk kisha vetëm unë si person, por sfidë të madhe hasën edhe prindërit e mi, që lanë gjithçka që kishin ndërtuar në Dibër dhe erdhën në Tiranë dhe ia filluan nga zero, që unë të filloja shkollën dhe të kisha një jetë më të mirë. Vështirësi ka pasur pafund, sidomos në kohën kur sapo mbaroja mësimin ikja në punë, pas punës në studio dmth, netë të tëra pa gjumë, e shumë e shumë gjëra të tjera që më mirë mos i kujtojmë.

Kush është Dafi jashtë profesionit të këngëtarit dhe a përshtatet Silva me traditat dibrane?

Dafi jashtë profesionit është një njeri që bën shumë gjëra. Jam një njeri i thjeshtë në përgjithësi. Momentalisht po vazhdoj studimet e larta për Shkenca Politike dhe një pjesë të madhe të kohës ia dedikoj dhe djalit, i cili na ka ndryshuar jetën.  Silva është shumë praktike në çdo aspekt të jetës dhe normale që po i mëson mjaft mirë traditat dhe gatimet e Dibrës, madje ajo ka mësuar të flasë si dibrane (qesh).

Kush janë artistët dibranë që ti i vlerëson me të vërtetë?

Dibra ka pasur, ka dhe do të ketë artista që jo vetëm unë, por të gjithë i vlerësomë shumë. P.sh., Stine, që më ka përkrahur në fillimet e mia, dua ta falenderoj shumë. Pastaj janë emra të paharrueshëm si: Liri Rasha, Vera Laçi, Arif Vladi, Noyzi e shumë të tjerë. Ka shumë të tjerë që u kërkoj ndjesë që nuk më kujtohen emrat. Duhet të ndjehemi të gjithë krenarë për ata artisë që na kanë përfaqësuar denjësisht.

Një nga projektet e tua në bashkëpunim me Silvën u bë hit absolut. Kush ishte ndjesia juaj për këtë?

Kënga jonë që u bë hit ndërkombëtar “Të ka lali shpirt” realisht ne e prisnim për një këngë të suksesshme, por jo në ato përmasa që mori ajo këngë. Normal që u ndjemë shumë mirë, sepse ëndërroja që një këngë ta kishim hit dhe ajo tejkaloi çdo limit të suksesit. Faleminderit Zot!

Ti je shembull për t’u ndjekur nga të gjithë të rinjtë. Cili do të ishte një mesazh që do t’u jepje atyre?

Mesazhi im për rininë dibrane është që të punojnë sa më fort dhe të arrijnë qëllimet e tyre në jetë dhe kudo që të shkojnë duhet ta bëjnë krenar Dibrën dhe veten e tyre. Kurrë mos e harroni Dibrën, çfarëdo që të bëni dhe kudo që të shkoni.

Cilat do jenë disa projekte në të ardhmen që mund t’i ndash me ne?

Siç e përmenda dhe më sipër, tani po studioj për Shkenca Politike dhe përkushtimi ndaj familjes dhe djalit më detyruan që të bëja një pause në muzikë. Por tani kam filluar që të punoj më shumë në studio për të publikuar albumin tim të parë. Kënga që sapo kemi lançuar ka ecur mirë.

Çfarë do të bëje për Dibrën, në qoftë se do të ishe kryetar bashkie?

Eh, po të isha unë kryetar bashkie, sa ndryshime do të bëja në Peshkopi nuk ka fund, ama do e nisja me fiksimin tim, tek gropat tek karburanti, që i kam pasur gjithmonë inat (qesh), që i mbaj mend që 11 vjet që kam ikur nga atje. Normal spitalin do e kisha pikën kryesore, plus në shkolla do të investoja shumë, sepse baza e një shoqërie është arsimi. Do shtroja çdo rrugicë të qytetit dhe në çdo qoshe do ta bëja më ndriçim. Mos vazhdoj më shumë, sepse kam aq shumë gjëra për të ndryshuar, saqë nuk do të mbaroja kurrë.