Rruga e Arbrit nga premtim në realitet


Një nga paradokset e mëdha është se Dibra me pasuritë e saj ka ndihmuar në zhvillimin e vendit, shumë më tepër seç ka mundur të ndihmojë veten, sepse nga njëra anë, mungesa e rrugës, gjë që shumëkënd e bën të jetë hezitues për të ardhur deri këtu dhe nga ana tjetër, mungesa e vëmendjes që ndjehej kudo në Dibër deri përpara shumë pak vitesh kanë bërë që banorët e kësaj zone të jenë dëshmitarë vetëm fushatash elektorale dhe të tjerët të mos bëhen dot dëshmitarë të bukurive e të pasurive të jashtëzakonshme që ka kjo zonë.

Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, ne nuk do kemi vetëm një aks të brendshëm, por edhe një pjesë të rëndësishme të një korridori ekonomik në rajon. Prandaj, në takimin me kryeministrin e Maqedonisë dakordësuam për të realizuar së shpejti një mbledhje të dy qeverive, ku në pikën e parë të rendit të ditës, qeveria jonë do të vendosi domosdoshmërinë që edhe pala maqedonase ta kompletojë Rrugën e Arbrit në krahun tjetër, me qëllim që përmes Dibrës, porti i Durrësit dhe zona të tjera të Shqipërisë që lidhen jo vetëm me Maqedoninë, por dhe me Bullgarinë, me Turqinë dhe më tej…

Nga Edi Rama

Viti i ardhshëm është viti i 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Duke filluar nga 28 Nëntori deri në 28 Nëntorin e ardhshëm, qeveria e ka shpallur Vitin e Skënderbeut, i cili është një vit që pak më shumë se gjithë të tjerëve i përket zonës së Dibrës, sepse është pikërisht këtu, në tokën e kësaj krahine, ku mori jetë edhe legjenda e gjallë e Skënderbeut dhe bashkë me të mori jetë dhe historia e shtetformimit të Shqipërisë.

Viti i ardhshëm është viti i Skënderbeut dhe njëkohësisht është viti i Dibrës, sepse 19 nga 24 betejat e tij më të famshme u zhvilluan në Dibrën shqiptare, në Dibrën këndej dhe andej kufirit të sotëm. Svetigradi, Oraniku, Uji i Bardhë, Vajkali janë vetëm disa prej emrave të këtyre betejave që na kanë mbetur në mendje, qysh kur e kemi lexuar për herë të parë historinë e Skënderbeut, ku u shkrua me germa të arta një përpjekje kolosale e shqiptarëve.

Megjithatë, ndonëse kanë kaluar pothuajse 6 shekuj, në shumicën e këtyre vendeve që përmenda, përsëri, mënyra më e thjeshtë për të shkuar është si në kohën e Skënderbeut, me kalë, sepse rrugët, edhe aty ku ekzistojnë janë në gjendje aq të mjerueshme, saqë nuk ka automjet që të konkurrojë kalin. E gjithë krahina e Dibrës, në fakt, për çerekshekulli pas rënies së komunizmit u la në një izolim shumë të thellë. Rrënimi që në trashëguam ishte vepër e harresës së të gjitha qeverive të mëparshme ndaj një zone ku ka mjaftueshmërisht pasuri natyrore, trashëgimi historike dhe kulturore, që jo vetëm banorët e të gjithë Qarkut të Dibrës, por edhe vetë ekonomia jonë kombëtare të mund të ishin sot në një situatë krejt tjetër.

Është fakt se po të shkosh mbrapsht dhe të hapësh librat e Shqipërisë-shtet në këto 25 vjet të para, gjen më shumë emra koncesionarësh dhe më shumë kontrata koncesionesh për ndarjen e galerive të minierave, si të ishin thelat e një mishi pa zot, sesa investime për të gjithë këtë krahinë të bekuar me pasuritë dhe bukuritë e saj. Një nga paradokset e mëdha është se Dibra me pasuritë e saj ka ndihmuar në zhvillimin e vendit, shumë më tepër seç ka mundur të ndihmojë veten, sepse nga njëra anë, mungesa e rrugës, gjë që shumëkënd e bën të jetë hezitues për të ardhur deri këtu dhe nga ana tjetër, mungesa e vëmendjes që ndjehej kudo në Dibër deri përpara shumë pak vitesh kanë bërë që banorët e kësaj zone të jenë dëshmitarë vetëm fushatash elektorale dhe të tjerët të mos bëhen dot dëshmitarë të bukurive e të pasurive të jashtëzakonshme që ka kjo zonë.

Rruga e Arbrit është shfaqur si premtim, sa herë janë shfaqur këtu politikanët, kur u janë dashur votat dhe është harruar si premtim, sa herë kanë mbaruar zgjedhjet, deri kur ne e morëm seriozisht përsipër këtë zotim, me vetëdijen se Rruga e Arbrit nuk është thjeshtë një rrugë që do lidhë një zonë me një zonë, por është një zhvillim strategjik për ekonominë, për punësimin dhe padyshim për turizmin, që do të sjellë shumë zhvillim dhe shumë punësim në të gjithë këtë zonë.

Për të mos shkuar shumë larg, vetëm pak vite më parë, një paraardhësi im thoshte, “ky 4-vjeçar, (4-vjeçari para këtij që iku) do të jetë 4-vjeçari i përfundimit të rrjetit modern rrugor, që do të përgjysmojë distancën me Tiranën nga të gjithë skajet e vendit” dhe përmendte skaje pas skajesh dhe vjen deri te Dibra. Pra, sipas këtyre fjalëve, sot duhet të kishim ardhur ne nga Rruga e Arbrit dhe duhet të ktheheshim nga Rruga e Arbrit. Pastaj shkonte më tutje dhe thoshte “brenda dy viteve (pra, këtu e 6 vjet më parë) do përfundojë Rruga e Arbrit, do përfundojë Qafë Plloçë-Kukësi, do përfundojë boshti i jugut, trajektoret në Elbasan, Belsh-Kuçovë, Kardhiq-Delvinë, Konispol-Sarandë, do përfundojë autostrada Fushë Krujë-Ura e Limuthit dhe do shndërrohet në 4 korsi autostrada Shkodër-Vlorë”. Keni parë ju ndonjë gjë nga këto? Zero. As për dy vjet, as për 4 vjet. Në fakt, ajo që keni parë ju dhe kanë parë të gjithë kanë qënë shiritat e pafundmë që janë prerë për këto rrugë dhe kilometrat e numëruara në letër, që i janë treguar popullit si kilometra të realizuar në realitet.

E vërteta është që gjithçka trashëguam nga ai kapitull ishte një mal me borxhe dhe rrugët të gjitha të lëna rrugëve. Vetë Rruga e Arbrit u la rrugëve pa filluar, me disa shfaqje mizerabël elektorale, me disa shirita e me daulle për një copë të vogël këtu, një copë të vogël atje, vetëm për t’iu hedhur hi syve njerëzve.

Sot, ne jemi këtu për t’ju thënë se tanimë, Rruga e Arbrit nuk është më as ëndrra shekullore e dibranëve, që këtë rrugë e kanë dashur të paktën prej një shekulli, as nuk është më një premtim politikanësh, por është një zotim i mbajtur, për të cilin ne jemi angazhuar qysh ditën e parë këtu e 4 vjet. Ky është momenti edhe për t’ju treguar sot, – sepse kur e tregoja më parë dukeshin si justifikime, – se çfarë kemi fituar me këtë vonesë. Rruga e Arbrit do të ndjekë rrugën e vjetër të karvanëve që e kanë lidhur historikisht Tiranën me Dibrën dhe do ta bëjë Dibrën mushkërinë tjetër të metropolit të Shqipërisë, bashkë me Durrësin, me Tiranën, si shtyllën kurrizore të këtij metropoli.

Është një rrugë shumë më e shkurtër dhe do të zgjidhë një problem kaq të madh, që i ka torturuar prej çerekshekulli, të paktën, të gjithë dibranët, nga Peshkopia në Klos, në Burrel dhe në Bulqizë. Nëse gjurma ekzistuese sot për të shkuar nga këtu në Tiranë është 125 km e gjatë dhe mirë që është 125 km, por është në atë derexhe që është në një pjesë të konsiderueshme të saj, segmenti i ri e bën Bulqizën vetëm 30-40 minuta nga Tirana dhe natyrisht, me standarde europiane, jo me standarde kalorësish.

Nga ana tjetër, nëse Tiranë-Bllatë është sot 160 km, atëherë, segmenti i ri e bën kufirin me Maqedoninë vetëm 75 km. Rruga e Arbrit ka një gjurmë që është pothuajse e drejtpërdrejtë. Me përfundimin e Rrugës së Arbrit, ne nuk do kemi vetëm një aks të brendshëm, por edhe një pjesë të rëndësishme të një korridori ekonomik në rajon. Prandaj, në takimin me kryeministrin e Maqedonisë, në tetor, dakordësuam për të realizuar së shpejti, në Pogradec, një mbledhje të dy qeverive, ku në pikën e parë të rendit të ditës, qeveria jonë do të vendosi domosdoshmërinë që edhe pala maqedonase ta kompletojë Rrugën e Arbrit në krahun tjetër, me qëllim që përmes Dibrës, porti i Durrësit dhe zona të tjera të Shqipërisë që lidhen jo vetëm me Maqedoninë, por dhe me Bullgarinë, me Turqinë dhe më tej të mund të aksesohen më shpejt.

Në fund të katër viteve të ardhshme, ne duam që jo vetëm Shqipëria të jetë më afër se asnjëherë Bashkimit Europian, por rrugët tona të jenë europiane. Sot, ne nuk kemi asnjë rrugë europiane. Rrugë europiane do të thotë një rrugë e certifikuar sipas standardeve të Bashkimit Europian, që garanton lëvizshmërinë dhe sigurinë e jetës së njerëzve.

Më thoni një rrugë ku nuk ndihesh i rrezikuar? Më thoni një rrugë ku hyn dhe del në fund, pa pasur kërcënimin e gjithfarëlloj ndërhyrjeve dhe interferencave të makinave, të njerëzve, apo edhe të kafshëve?

Nuk ka asnjë!

Për të mos thënë që rrugët tona, ato rrugë për të cilat janë harxhuar miliarda, janë ndërtuar edhe në një aks me standarde të ndryshme. Fillon me një standard, vazhdon me një standard tjetër, ecën me një standard tjetër. Për të dhënë një shembull më të thjeshtë, është njësoj sikur rrobaqepësi të më marrë mua masën për një kostum, por masën e mëngëve t’ia marrë Erion Braçes, masën e shpatullave t’ia marrë Mimi Kodhelit dhe unë ta vesh. Edhe pantallonat Bashkim Finos. Kështu janë rrugët e Shqipërisë. Ose e kundërta, t’i qepin Erionit ose Bashkimit kostum, me masën time për pantallona. Rrugë komplet jashtë çdo standardi.

Ne duam që të gjitha këto rrugë t’i fusim në standard. Ne duam që kur të shkosh nga Tirana në Vlorë, të shkosh me standarde europiane, me siguri të plotë përsa i takon kërcënimit që iu vjen drejtuesve të automjeteve, njerëzve që janë në automjete nga të tjerët që futen në rrugë nëpër shtigje që do të mbyllen të gjitha.

Ne duam që rruga nga Tirana drejt veriut, qoftë drejt Shkodrës dhe Malit të Zi, qoftë drejt Kukësit dhe Kosovës, në të gjithë gjatësinë e saj të jetë me standarde europiane.

Ne duam të njëjtën gjë për rrugën që shkon drejt Korçës.

Ne duam të njëjtën gjë për të gjitha akset kryesore të Shqipërisë, edhe për rrugën që shkon nga Vlora në Himarë e me radhë.

Ne për këtë jemi shumë të përgatitur dhe më vjen shumë mirë që rruga e parë me standarde europiane, nga fillimi në fund do të jetë Rruga e Arbrit, që do të jetë një rrugë edhe spektakolare për faktin se kalon përmes një natyre të mrekullueshme, që deri më sot ka mbetur tërësisht e izoluar nga shqiptarët, që as nuk e dinë fare se ekziston gjithë ajo pjesë e mahnitshme e natyrës dhe një natyrë e mrekullueshme që do të kthehet tamam në oborrin e pasmë të metropolit tonë, ku njerëzit që kanë emigruar do të shikojnë mundësitë për të investuar në turizëm, në agro-turizëm, në ferma bujqësore dhe blegtorale, që do të sjellin ekonomi, do të sjellin punësim, do të sjellin zhvillim.

Tani, më lejoni t’ju shpjegoj ato që deri dje dukeshin si justifikime. Ne sot kemi një rrugë që është projektuar me një dobishmëri shumë më të lartë, sesa projekti që trashëguam. Ne trashëguam një projekt dhe një marrëveshje të bërë me sy mbyllur, si të gjitha marrëveshjet që bënte më parë paraardhësi im, për një segment vetëm 26 kilometra, me një standard më të ulët, C3, ndërtimin e tunelit vetëm me një hyrje, me një tub dhe pa tub emergjence, d.m.th., që në fillim jashtë standardit të Bashkimit Europian dhe me kërcënim për sigurinë e njerëzve.

Në rast se ne do të kishim ecur me atë projekt, që ishte shumë i shtrenjtë, ne nuk do ta mbaronim dot rrugën. Edhe një tjetër rrugë që do mbetej rrugëve me filozofinë, “ta fillojmë njëherë, pastaj shohim e bëjmë”. Nuk do vihej dot në funksion, sepse do të mbetej 1.1 kilometër për të bërë lidhjen me Tiranën dhe do të mbeteshin 9.1 kilometra për të shkuar në Bllatë, pjesë që as nuk ishin marrë parasysh dhe që sot janë të përfshira në projektin e ri. Nuk do të mund të ndërhynim dot në atë projekt në 15 kilometra që janë filluar dhe janë lënë rrugëve dhe nuk kanë as shtresa, as mbrojtje skarpatesh, as sinjalistikë. Pra, Rruga e Arbrit do ishte, hyr në një rrugë siç duhet dhe pastaj, po dole në fund, dole, duke vazhduar në një segment me gropa e me rreziqe nga të katër anët. Nuk ishte parashikuar degëzimi i Klosit, që faktikisht do të bënte që Klosi dhe Burreli të mos kishin akses në Rrugën e Arbrit. Për çfarë? Për 3.1 kilometra. Nuk do mund të bënim dot atë që do bëjmë me këtë projekt, rindërtimin e segmentit Maqellarë-Bllatë, që është jashtë standardit sot, është një shteg.

Vlera e këtij projekti, me pothuajse gjysmën e kilometrave që do ndërtohen sot, ishte më e madhe, sesa vlera e këtij projekti që është pothuajse dyfishi i kilometrave e që do t’i japë mundësi jo vetëm Bulqizës, apo Peshkopisë, si zona, por dhe Klosit e Burrelit, që të shkurtojnë dramatikisht distancën. Janë 90 kilometra në një shteg për të shkuar nga Burreli në Tiranë. Do bëhen 50 km, gjysmë për gjysmë dhe koha do jetë shumë më e shpejtë. Pa llogaritur Klosin që do të shkurtohet në 30 kilometra, ndërkohë që për të shkuar sot në Tiranë nga ajo rruga e dhive ka më shumë se 100 kilometra.

Rruga e sotme që u prezantua dhe që do fillojë nga puna na jep mundësinë që brenda një harku kohor, që është brenda këtij mandati nuk diskutohet, por që ne besojmë se do të jetë vetëm 3 vjet, ta kemi të përfunduar njëherë e mirë këtë rrugë që është një ëndërr 30 x (shumëzim) shtojeni vetë sa vjet e parealizuar, e gjithë kësaj zone.

Përfitoj nga rasti t’ju them ju dhe atyre që na ndjekin, – se nuk na ndjekin vetëm njerëzit që jetojnë në këtë zonë, por edhe të tjerë që janë jashtë kësaj zone, ose edhe jashtë Shqipërisë, – ne kemi buxhetin e vitit 2018, falë reformave, falë edhe dhimbjeve e sakrificave të bëra për reformat që bëjnë shtet, 42% më shumë financime për infrastrukturën, sesa në buxhetin e një viti më parë, që do të shkojnë jo vetëm për rrugët, por edhe për ujësjellës dhe kanalizime.

Përsëri dua ta nënvizoj, 90 ditë kohë, – tani janë disa ditë më pak, – kanë të gjithë ata që janë të lidhur në mënyrë të paligjshme me sistemin e ujësjellësit për të marrë ujë të pijshëm, që të shkojnë dhe të legalizojnë lidhjen e tyre. Çfarë iku, iku! Nuk do u kërkojë njeri para për çfarë kanë marrë deri më sot qyl, duke abuzuar në kurriz të atyre që e paguajnë, por në 1 shkurt nuk do përgjigjen më përpara ndërmarrjes, por përpara Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Uji është pasuri kombëtare. Uji nuk mund të vidhet. Mbi të gjitha është një pasuri që ne do ta kthejmë në mirëqenie, jo ta kemi problem, siç e kemi prej kaq shumë vitesh, pikërisht sepse e abuzojmë dhe e shpërdorojmë.

Në Shqipëri, për 1 litër nevojë shpërdorohen 4 litra ujë. Në Shqipëri, sikur ne të jemi normal në marrëdhënie me ligjin, në marrëdhënie me shtetin e komunitetin dhe secili të marrë përsipër atë që i takon, na mjafton 1% e pasurisë ujore që kemi, që të plotësojmë të gjitha nevojat për ujë. Është një turp shumë i madh për të gjithë ne, që jemi vendi i dytë më i pasur në Europë për ujë. Uji, sot konsiderohet nafta e shekullit XXI. Të tjerët nuk e kanë dhe ne të jemi shumë më keq se ata që nuk kanë ujë. Ky është një turp i qeverive shqiptare, një turp i politikës shqiptare, por është një turp që na mbetet të gjithëve si popull dhe si shoqëri, nëse nuk bëhemi të vetëdijshëm se secili duhet të japë kontributin e vet për aq sa konsumon.

Mos u merrni me puset, se nuk ka thënë njëri që do të vëmë taksë për puset e gjyshit, për puset e Skënderbeut. Nuk ka asnjë lloj takse, se nuk është taksë. Çmimi i ujit nuk është taksë, është mall. Do blesh mallin. Por nuk merremi me puset, as me ato që janë hapur për vaditje, aty ku nuk ka sistem vaditës, se nuk mund t’iu themi njerëzve, mbyllni puset dhe rrini pa ujë, për sa kohë shteti nuk i ka çuar ujë për vaditje. Thjesht, puset që janë për vaditje duhen regjistruar. Pastaj, në të ardhmen do t’iu takojë ndërmarrjeve të ujësjellësit të bëjnë atë që shohin të arsyeshme.

E dini që ka kompani që shesin ujë dhe e blejmë ne të gjithë. Nga e marrin ujin, nga shiu, nga lart? Jo, e marrin nga poshtë, nga toka. Prodhojnë me miliona litra dhe nuk paguajnë asgjë. Tani, për pusin e tyre duhet të paguajnë të tjerët?

Të tjerë që ndërtojnë resorte turistike dhe e marrin ujin vetë nga poshtë për të furnizuar të gjitha vilat, a duhet ta paguajnë ujin? Puse janë dhe këto. Për këto puse e kemi fjalën ne. Puset e tjera, ato që janë për vaditje do të regjistrohen dhe aty ku sistemi i vaditjes është në rregull, pastaj do të merret vetë bashkia, kompanitë e ujësjellësit, për të ndërtuar marrëdhëniet e duhura me ta. Por ideja që “unë e shpoj vetë, ç’të duhet ty…!”, a nuk shpon për të marrë pasurinë e përbashkët poshtë? Shpo njëherë në Europë, në Gjermani dhe shiko, të del uji përpara, apo të del polici.

Njerëzit nuk kanë faj, se kështu u mësuan dhe kështu shkoi kjo punë, por s’ka si shkon më, në qoftë se duam të kemi investime. Disa thonë, investoni njëherë, pastaj tjetra, po ku i gjen shteti paratë për të investuar? Shteti është kontributi i secilit si familja. Ka ndonjë familje ku iu thuhet prindërve, na e bëni njëherë shtëpinë, pastaj të shohim, do të punojmë, apo s’do të punojmë. S’ka, sepse familja funksionon me të ardhurat që ka. Edhe shteti është një familje e madhe, që të ardhurat vijnë nga secili. Sigurisht, kush fiton më shumë do të paguajë më shumë. Kush fiton më pak, do paguajë më pak. Kush nuk ka fare, që është me ndihmë ekonomike nuk paguan, por për këtë është shteti, që të të mbështesë. Prandaj 16 milionë dollarë çdo vit i harxhojmë për t’ua dhënë familjeve me ndihmë ekonomike për faturën e energjisë elektrike, që të mos iu rritej çmimi i energjisë nga heqja e fashës. Atyre iu takon dhe për këtë është familja. Familja e ndihmon një nga anëtarët e vet që nuk ka aftësinë të shkojë në punë. Por nuk mundet dot që të jetë, babë ti paguaj ujin, unë po nxjerr tubin jashtë dhe po luaj me ujin. Kjo nuk shkon. Kjo është ajo që duhet të kemi parasysh.

Investimet në ujësjellës, që ne e kemi rritur si fond, do t’i bëjmë për ato bashki dhe ndërmarrje që do të bëjnë këtë dhe jo merr lekë këtej dhe hidh ujë andej. Sepse po të shikoni llogaritë e shtetit, me paratë që janë harxhuar nga arka e shtetit, që janë paratë tuaja, paratë e shqiptarëve, për të investuar në ujësjellës, do ishin ndërtuar të gjithë ujësjellësit e Shqipërisë dy herë nga e para. Pse nuk i kemi? Edhe për shkak të korrupsionit, projekteve mizerabël, kontratave mizerabël, zbatimit mizerabël e të supervizionimit mizerabël, edhe për shkak se nuk ka duk investimi, nëse ti vjedh veten. Pra, investo sa të duash, por, nëse aty lidhjet e paligjshme vazhdojnë dhe uji nuk paguhet, si do të dalim në një kapitull tjetër?

Përveç buxhetit që është 42% më i lartë, ne kemi edhe Programin “1 Miliardë për Rindërtim”. Dëgjova që ky miku im Luli thoshte, “është programi i krimit”, d.m.th., krimi ka filluar të ndërtojë edhe rrugë në Shqipëri.

Programi “1 Miliardë për Rindërtim” është programi i zhvillimit, jo i krimit. Është programi i një zhvillmi që i ka munguar këtij vendi për vite të tëra dhe që ne do t’ia japim këtij vendi, do, s’do Luli. Kush nuk do, le të mos dojë, ne do t’i bëjmë të gjitha ato që kemi marrë përsipër, se shqiptarët na kanë dhënë besimin dhe detyrën që të bëjmë këto punë. Atyre iu ka dhënë detyrën të merren me ne. Ata të vazhdojnë të merren me ne, ne do të merremi me Shqipërinë dhe me punët e Shqipërisë. Pastaj në fund, njerëzit le të gjykojnë.

Programi “1 Miliardë për Rindërtim” faktikisht do krijojë numrin më të madh të vendeve të punës, që një program shtetëror ka krijuar në këto 27 vjet. Do stimulojë ekonominë familjare, sepse do stimulojë rritjen ekonomike dhe në fund të këtij 4-vjeçari do stimulojë zhvillimin, biznesin, turizmin, zhvillimin social, duke filluar nga Milot-Balldreni që ka mbetur aty si një zonë pa zot, në lidhjen e Thumanës me Vorën dhe Tiranën, Karrdhiqin me Delvinën që është përmendur historikisht, se edhe ata atje poshtë e kanë një “Rrugë Arbri”, në kuptimin e përmendjes dhe të premtimeve, aksi i ri Kashar-Rrogozhinë dhe rindërtimi i plotë i të gjithë aksit nga Plepat deri në Vlorë. Janë ambicie që ne do t’i bëjmë realitet, duke qenë të bindur se këto, Shqipëria nuk mund t’i presë më.

Këto nuk mund të dalin dot më nga kazani. Këto vijnë nga puna dhe nga përpjekja me vullnet dhe me durim. Ne nuk kemi shkop magjik. Nuk mund t’i bëjmë të gjitha ato që nuk u bënë, por, nëse në 4 vitet e para kam thënë që do të bëjmë në 4 vitet e ardhshme më shumë se çfarë është bërë në 20 e ca vite të marra së bashku dhe këtë njerëzit e dëshmojnë në çdo qytet ku jetojnë, sot po përsëris atë që kam thënë para 25 qershorit, në këto 4 vjet do të bëjmë shumë më tepër seç bëmë në 4 vitet e para dhe do t’u japim shpresë, do t’u japim mundësi, do t’u japim rrugë zhvillimi individual, familjar, komunitar dhe kombëtar të gjithë njerëzve të këtij vendi.

E fillova me Skënderbeun, po e mbyll me Skënderbeun, me një shprehje të tij që thotë: “Çfarëdo që të ndodhë, unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit”. Çfarë rezervon fati është punë e fatit. Unë nuk besoj tek fati. Unë besoj se fati është karakter i njeriut. Vendosmëria për të arritur realizimin e një ëndrre që e shohim me sy hapur, është mënyra që çdo ëndërr ta bëjmë realitet. Ja ku e keni këtu. Ishte ëndërr. Sot fillon të kthehet në realitet. Brenda 3 viteve do të jetë realitet. Në fushatën e ardhshme do vijnë dhe do dëgjoni çudirat e radhës, por ama Rruga e Arbrit do të jetë aty. Po s’deshët të merrni pjesë në miting, merrni makinën e për 40 minuta jeni në Tiranë dhe lërini ata këtu, të flasin e të premtojnë gjëra që s’do t’i bëjnë dot kurrë.