Tenori Gerald Murrja: Ëndrra ime është të këndoj në skenat e operave në botë


Gerald Murrja është një nga artistët premtues dhe i talentuar në tregun muzikor në vendin tonë. Me babain nga Luznia dhe nënën nga Topojani i Dibrës ai lindi në qytetin e minierës, në Bulqizë.
Në moshën 5 vjeçare bashkë me familjen e tij udhëtuan drejt Tiranës për një jetë më të mirë. Është vetëm 23 vjeç dhe sipas maestro Zhani Cikos mbetet i vetmi tenor dibran në aq kohë sa ai ka drejtuar operan. Ai është pjesë e një grupi muzikor të quajtur “Classic Boys“ të krijuar në spektaklin e muzikës “X Factor” në televizionin Klan. Ishte pjesëmarrës në këtë spektakël ku nga 8 mijë konkurrentë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i zi arriti të shkojë në 4 më të mirët në X Factor sezoni i dyte. Vazhdimisht merr pjesë në spektakle elitare të muzikës në vendin tonë si Kënga Magjike, Festivalin e këngës në Radio Televizonin Shqiptar, në këndimin e hymnit kombëtar në ndeshjet përfaqësues përkrah të madhit Kastriot Tusha.

– Gerald, ti je një i ri premtues në botën e muzikës dhe ne jemi me fat që je nga Dibra. Na fol pak më shumë rreth vetes tuaj për një publik më të gjerë.
– Faleminderit për fjalët e mira dhe unë jam krenar që vij nga kjo zonë kaq e nderuar dhe kaq bujare. Unë vij nga një familje e thjeshtë dibrane me babain nga Luznia dhe nënën nga Topojani, por vetë kam lindur në qytetin e Bulqizës. Në moshën 5 vjeçare bashkë me familjen u zhvendosëm për në qytetin e Tiranës për të pasur më shumë mundësi të mira jetese. Unë jam 23 vjeç dhe që nga klasa e parë jetoj në kryeqytet. Tani jam student i Universitetit të Arteve.

– Si e zbulove talentin tënd në këndim dhe kush kanë qenë disa nga projektet e tua?
Unë kam filluar të merrem me muzikë që në shkollën 9-vjeçare ku merrja gjithmonë pjesë në koncertet që organizoheshin në shkollë. Më pas mora pjesë në një talent show në Vizion Plus të quajtur “Elefant Show” dhe vitin e parë nisa në liceun artistik për kanto. Aty fillova mësimin me pedagogen Zina Zdrava, ku mora mësimet e para në muzikën klasike, ndërkohë në lice paralelisht kam marrë pjesë në disa kompeticione ku jam vlerësuar me çmime të ndryshme. Më pas mora pjesë në në “X Factor” ku në fillim isha solist dhe më pas u bëmë grup ku atë e quajtëm “Classic Boys” nga vetë rryma e muzikës që këndonim. Nga 8 mijë konkurrentë që kishin marrë pjesë nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia ne arritëm të shkonim në 4 më të mirët në edicionin e parë të “X Factor”.
Më pas na u hapën shume dyer, ku konkurruam për herë të parë në këngën magjike ku arritëm të shkonim më finale dhe të fitonim çmimin “Best Grup” me këngën “Poltroni jot bosh”.
– E mendoje ndonjëherë që do punoje dhe konkurroje në spektaklet më të njohura në Shqipëri?
Mendoj që në qoftë se punon çdo gjë bëhet. Unë kam fatin e madh të punoj dhe këndoj me një nga këngëtarët (tenor) më të famshëm në Shqipëri si Katriot Tusha. Me një emocion të madh kam pasur nderin e madh të këndoj himnin tonë kombëtar në ndeshje shumë të rëndësishme të kombëtares sonë në stadium si ajo kundër Izraelit, Sllovenisë dhe kohët e fundit kundër kundra Italisë. Kam marrë pjesë në emisionin “100 vjet muzikë” sërish në televizionin Klan ku kemi bashkëpunuar me Elia Zaharinë (gruaja e princ Lekës), Renis Gjokën dhe Redon Makashin.

– Përveç muzikës Gerald, ke ndonjë hob apo pasion tejtër?
– Po. Unë e pëlqej shumë futbollin dhe para ca vitesh kam qenë pjesë e ekipit të Partizanit B. Tani nuk është se kam shumë kohë për ta praktikuar, por sa herë e gjejmë kohën dhe luajmë. Më pëlqen të dëgjoj muzikë dhe një nga këngëtari im i preferuar është një këngëtar grek me emrin Mario Frangoulis. Lexoj dhe libra, madje libri që tani po lexoj është Harku i Triumfit. Po më shijon. Mendoj që koha në ditët e sotme është shumë e kufizuar, por në qoftë se ne e menaxhojmë ashtu siç duhet, ia dalim të bëjmë çdo gjë.

– Si është një ditë e jotja Gerald?
– Mua më pëlqen shumë gjumi i mëngjesit dhe ca është e vërteta ngrihem pak vonë. (Qesh). Më pëlqen që kafenë në mëngjes ta pi me familjen ose me shoqërinë.
Më pas në shkollë, studim futboll. Darkat më pëlqen ti kaloj me familjen. Unë kam dhe dy vëllezër më të vegjël të cilët përpiqem të kaloj sa më shumë kohë me ta. Mendoj që kjo është një ditë e zakonshme e imja.
– Projektet e tua në të ardhmen dhe mendon që mund të provosh të fillosh një karterë solo?
– Tani shpejt më datën 3 prill me orkestrën dhe korin e universitetit të arteve bëhet “Rekujemi i Tonin Harapit” ku unë do të kem disa numra solo. Ky aktivitet do të xhirohet edhe do të mbetet si dokument. Për sa i përket pyetjes tuaj nëse kam menduar të këndoj solo, përse jo. Do ta mendoj. Kam në plan të bëj disa këngë të reja përse jo edhe një klip. Për sa i përket festivaleve mendoj serish te Kënga Magjike dhe Festivalin në Radio Televizionin Shqiptar. Përveç kësaj kam në plan të vazhdoj studimet për specializim jashtë Shqipërisë. Ëndrra ime është të këndoj në skenat e operave në botë dhe shpresoj që një ditë do të bëhet realitet.

– Kush është mendimi juaj për rininë shqiptare?
– Tani, për sa i përket te rinjve sot, ku dhe unë bëj pjesë, kemi harruar të shijojmë shumë gjëra duke u bërë tepër të varur nga teknologjia. Unë do doja t’u thoja që të merreni më shumë me sport, art dhe të lexoni sa më shumë për të pasur një të ardhme më të mirë. Të punojmë sepse për veten tonë e kemi.

– Ti the që ke ikur i vogël nga Dibra, vjen shpesh ta vizitosh?
– Unë kam dajat në qytetin e Bulqizës dhe çdo vit shkoj dhe qëndroj. Kënaqem me ajrin e pastër dhe me njerëzit që unë kam atje. Edhe në Peshkopi unë kam miq, të cilët i takoj shpesh dhe ndihem shumë mirë kur flas me ta. Fundja ajo është vendlindja jonë dhe çdokush ka detyrë të kontribuojë dhe ta dojë ashtu siç është, ashtu siç bëni edhe ju.