Asllan Keta: Më shumë se Partinë, dua Shqipërinë


JETESHKRIMI I ASLLAN KETES

Asllan Keta, sipas dokumentacionit zyrtar dhe arkivor ka lindur më 6 Maj 1928 dhe, këtë vit, ka 90 vjetorin e lindjes. Respektohet kjo datë sepse ajo shoqëron jetëshkrimin e tij në arkiva dhe në libra historikë. “Ishte i biri Bajramit dhe Tushes – shkruhej në “Certificatë- Lindje” lëshuar në shtator të vitit 1938, kur Asllan KETA, sipas dëshmisë që përpilonte mësuesi i shkollës fillore Asllan Zeneli. Kishte përfunduar tremujorin e parë të vitit të tretë të shkollës së detyrueshme fillore në Bulqizë”. (AQSH, Nëprefektura e Artës (Zerqanit), f 284, v. 1938, d. 284, fq 2-3).
– Me vendim të Ministrisë Arsimit Nr 37 dt. 23.VII. 1938, u vendos kuotë pranimesh në “Internatin Dibra” të Kastriotit për vitin mësimor 1938- 1939 gjithsej 25 veta. (AQSH, f.295, v. 1938, d. 152) Nga këto, 10 bursa i planifikoheshin Nënprefekturës Zerqanit. (Po aty, Nr 187/VI Res, Peshkopi më 12.09. 1938, fleta 141).
– Me vendimin Nr 91. 27. 08. 1938 të Këshillit Adminitrativ të Nëprefekturës Artës (Zerqanit), në nuërin rendor 4 ishte emri i Asllan Bajram KETA nga Koçaj Bulqizë.
– Ministria e Arsimit më datë 29. 07. 1938 miraton këtë listë me shkresën Nr. 317/II Res, Tiranë, dt. 27. 09.1938.
– Në listën e nxënësve që raportonte “Internati Kastriot” për vitin mësimor 1938- 1939, nga 98 nxënës gjithsej, Asllan Bajram KETA ishte i regjistruar në klasën e tretë me 24 nxënës dhe mbante numrin 16 në listën e kësaj klase. (AQSH, f. 295, v.1938, fq 357). Po në këtë klasë, nga Bulqiza ishin: Hysen Ali Alliu, Qamil Mustafa Gjini dhe Muharrem Dullë Gjini.
– Në listën e nxënësve të klasës katërt në “Internatin Dibra”për vitin mësimor 1939- 1940, Asllan KETA mbante nr rendor 47 ndërsa në vitin e pestë 1940- 1941 nr rendor 42.
– Në shtator 1941- prill 1943 Asllan KETA ishte në Institutin Bujqësor të Kavajës dhe mbylli edhe semestrin e parë të vitit të tretë, nga katër vjet që ishte programi studentor i Institutit.
– Në prill- qershor 1943, Asllan KETEN e gjejmë të përfshirë në lëvizjen studentore dhe në maj 1943 kishte kaluar në ilegalitet sepse ndiqej.
– Në qershor 1943, Asllani ishte në listën e 17 studentëve që ju bashkuan Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Ja lista: Njazi Islami, Emin Agolli, Rexhep Doda, Asllan KETA, Sali Hoxha, Prokop Murra, Muntaz Kodra, Veli Cani, Vehbi Skënderi, etj. (Lufta Nacionalçlirimtare e Popullit Dibranë, 23 gusht 1969, komisioni redaktues, fq 47).
– Asllan KETA në qershor 1943 mbante numrin 11 në çetën partizane të “Grykës Madhe” nga 56 veta gjithsej. Po në këtë çetë, në numrin rendor 46 ishte Sadik KETA (Po aty, Historiku Br18S, fq 331)
– Aksionin e parë luftarak në Dibër, Asllan KETA e bëri më 22 qershor 1943 tek “Hani Trebishtit” të zonës Gollobordës. Këtu u zhvillua “luftim në pritë” kundër një autokolone italiane që lëvizte nga Struga në Dibër. Në këtë aksion, çeta vrau 3 karabinierë italianë, zunë 5 robër, ndër ta 1 oficer.
– Asllan KETA pas disa luftimeve në Dibër delegohet në batalionin e Çermenikës ku komandonte Gafurr Mehmeti. Në batalionin e Çermenikës kombinohej magjishëm përvoja e një komandanti në moshë të pjekur dhe i rreshkur në llogore me një student që vinte nga radhët e demonstruesve antifashistë.
Në batalionin e Cermanikës Asllan KETA sillte, veç inteligjencës së një studenti të shkollës amerikane edhe përvojën luftarake të çetës/batalionit të Dibrës me në krye mikun e shtëpisë së tij, Haxhi Lleshi.
– Në Çermenikë Asllan KETA përballojë situata tepër të vështira, sidomos në “Operacionin e Dimrit”. Në këtë periudhë, Asllan KETA mori plevit të rëndë, por asnjëherë nuk e braktisi Luftën.

Në Brigadën e XVIII Sulmuese

Qysh në krijimin e Brigadës XVIII Sulmuese, Asllan KETA emërohet Komisar në kompaninë e parë të batalionit të katërt dhe Ibe Palikuqi zevendeskomisare. Të dy vinin nga bota studentore. Të dy ishin ushtarë lirie. Të dy ishin “truri” i “Gazetës Xhepit” që nxirrte batalioni i katërt, ku i bëhej jehonë luftës dhe heroizmit partizan. Të dy ishin efektiv të batalionit të katërt që kishte një komandant trim, Gafurr Mehmetin, me përvojë të gjatë luftarake.
Batalioni i katërt me efektiv 453 veta ishte më i kompletuari në raport me batalionin të parë që kishte 428 veta. I dyti 366 veta dhe i treti 403 veta. Duke qenë në funksione drejtimi, aq më tepër komisarë, Asllani dhe Ibja mund të mos ishin gjithnjë në vijë të parë por në vendkomandë të kompanisë, që ishte më në thellësi, e maskuar dhe relativisht e mbrojtur. Për rrjedhojë, edhe më pak të rrezikuar për jetën.
Por Asllani dhe Ibja do ishin në vijën e parë. Se ndryshe – thoshte Asllan KETA- nuk mund të ishe komisar i besueshëm para njerëzve që komandoje dhe edukoje. Sipas Asllanit, komisari nuk kishte detyrë t’u imponohej partizanëve me fuqinë e funksionit si “Osman Gazepi”, por të udhëhiqte nëpërmjet shembullit që fliste më shumë se fjala.
Sipas Asllanit, detyra e komisarit nuk ishte të shihte si luftonin të tjerët dhe në fund t’ju “vinte notat” por të luftonte vetë i pari dhe, pas sulmit, secili partizan të vinte notën vetes në raport me komisarin.
Ibe Palikuqi dha shembullin e vajzës idealiste, që edhe se vetëm 17 vjeç, solli modelin e brezit të vet, që vinte si vazhdimësi e traditës luftarake dhe atdhetare e vajzave shqiptare që nga e “Bukura e Lalës” e betejave të Vajkalit deri tek Shote Galica e dy luftrave ballkanike.
Titulli “Heroinë e Popullit” dhënë Ibe Palikuqit për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, një arsye më shumë për vlerësimin e gjithë kompanisë ku komisar ishte 19- 20 vjeçari Asllan KETA.

ASLLAN KETA DHE GAZETA E XHEPIT

Edhe në kohë lufte ka funksionuar shtypi. Nevoja për informim, motivim, pasqyrimi i dinamikës së veprimeve luftarake sa më afër veprimeve luftarake, përgjithësimi i shembullit pozitiv në to, e bënin shtypin më shumë se të domosdoshëm.
Gazeta e Xhepit, duke qenë afër njerëzve, secili kishte mundësinë të gjente veten në të. Ndaj dhe interesi për këtë lloj informacioni, që ishte real dhe në kohë, pati efekte pozitive dhe gjithnjë në ngritje. Shtypi ndihmonte për njohjen e gjendjes, përgjithësimin e përvojës dhe rritjen e mobilizimit.
Asllan KETA, qysh kur ishte në kompani, bashkë me Iben, ishin pjesë e stafit të “Gazetës Xhepit” që nxirrte batalioni i katërt, një rast i rrallë për ushtrinë e asaj kohe, që batalioni të kishte gazetë.
Qënja në krye të kompanisë në moshë kaq të re, thjeshtësia e tyre, që edhe se ishin në detyra drejtimi, silleshin si të barabartë mes të barabartëve, ju dhanë atyre qysh në fillim autoritet të merituar.
Asllan KETES dhe Ibe Palikuqit, edhe se Asllani ende pa kaluar brisk në faqe dhe Ibja vetëm 17 vjeç, partizanët ju ngriheshin në këmbë në shenjë respekti dhe dashurie. Asllani, prej kësaj sjellje kaq dashamirëse ndaj tij e shihte të tepruar dhe ndjehej keq. Mënyra për ta kthyer këtë respekt ndaj njerëzve që e rrethonin, ishte:
Shembull personal në veprime luftarake, qëndrimi sa më pranë partizanëve në nevojë dhe reflektimin e inteligjencës jo me fjalë por me vepra.
“Gazeta e xhepit” ishte mundësia e parë për Asllanin dhe Iben ku ata patën mundësinë të shfaqeshin jo vetëm në inteligjencë. Nëpërmjet gjuhës së thjeshtë, mendimit të ngjeshur, fjalisë së shkurtër, pasqyrimit të ngjarjeve flakë për flakë, gazeta u kthye në “ditar lufte” dhe e pranueshme për të gjitha nivelet.
Po të vëzhgohet me kujdes problematika e “Gazetës Xhepit” dhe roli që ajo luajti edhe si burim arkivi, kupton inteligjencën e atyre të rinjve që e drejtuan atë me kaq pasion. Kjo mbetet objekt i një studimi të veçantë.

KU E GJENTE “PAPREKSHMERINE” ASLLAN KETA?

“Nëse ndjehesh komisarë- thoshte Asllan KETA- duhet të luftosh në vijë të parë! Nëse komisari është në ballë duke luftuar, njëkohësisht ka komanduar.”
Ja pse Asllan KETA ishte aq i besueshëm. I pranuar nga të gjithë. Aq i guximshëm dhe i drejtpërdrejtë në mendimet e veta. Aq i kthjelltë në mbrojtjen e parimeve. Aq këmbëngulës në mendimin kundër, aty ku ai gjykonte se kishte të drejtë. Që kishte guximin të merrte”zjarr mbi vete” aty ku mendonte se po bënte më të mirën për atdheun e vet.
Ku e gjente këtë guxim?
Ishte niveli intelektual dhe shpirti i revoltës ndaj çdo padrejtësie, që tek Asllan KETA ishin kalitur qysh student.
Rritja në jetë konviktore qysh 12 vjeç, mes kolektivit të gjithë niveleve dhe krahinave, regjimi ditor me disiplinë kolegji në “Internatin Dibra dhe, veçanërisht në “Institutin Bujqësor të Kavajës”, kishin kultivuar tek Asllani elemente të “disiplinës spartane”, ku zgjimi dhe pushimi bëhej si në ushtri, me bori.
Asllan KETA, i mësuar me regjimin e zgjimit qysh nga gjyshja “që dielli nuk duhej të zerë në krevat” dhe në Institut ku konviktorët zgjoheshin në orën 05.30 të mëngjesit, sepse, veç regjimit studentor, përballonin dhe ekonominë didaktike bujqësore dhe blegtorale që kishte Instituti. Shkolla dhe puna e formuan Asllanin qysh kërthi me instiktin e disiplinës si në ushtri sikur të ishte “Skënderbegas”.
I rritur me korrektesën në orar, me rigorozitet në regjimin ditor, formësuan tek Asllani vlerësimin për kohën në funksion të detyrave kryesore dhe atyre ndihmës, nxitën aftësinë për të punuar në grup dhe marrë përgjegjësi lideri. Ishin këta faktorë që e bënin Asllan KETEN rast të veçantë dhe pati funksione aq befasuese dhe aq të vlerësuara në një moshë aq të re. Madje, vështirë ta qortoje. Aq më tepër ta ndëshkoje. Sepse ai ishte i “blinduar” në karakter. Kishte formimin e duhur intelektual dhe nuk të jepte shkak, ç’ka nuk e kishin të gjithë, aq më tepër, në moshë të tij.
Pyetja shtrohet: Për atë moshë që kishte Asllan KETA, në ato kushte që ishte rritur Asllan KETA, çfarë shkolle më të mirë pati Shqipëria e kohës së tij dhe ai nuk e bëri?
Ç’la pa bërë Asllan KETA në aq pak jetë sa i fali Zoti? Dhe, nëse në qindra kërkesa, Asllan KETA, fitonte me konkurs edhe Internatin Dibra edhe Institutin Amerikan të Kavajës; nëse nga lista e shumtë studentëve antifashistë, Asllan KETA, do ishte në listën 17 studentëve të parë elitarë që ju bashkuan luftës dhe u dërguan në përforcim të saj, a nuk kemi të bëjnë me një individualitet të spikatur qysh në rini?
Nëse në listën prej 17 studentësh që dilnin nga demonstratë antifashiste dhe ju bashkuan luftës, Asllan KETA, ishte i katërti në këtë listë, dhe nëse katër prej kësaj liste do i kishim ministra pas lufte ( Rrahman Hanku, Prokop Murra, etj), ku mund ta kishim Asllan KETEN nëse do e kishim gjallë?

Çfarë thonin bashkëkohësit?

“Tek Asllan KETA vështirë të gjeje një grimë mangësie, mendjemadhësie, arrogance, shtirje në karakter. Ai ishte shëmbëlltyrë e rinisë idealiste që ëndërronin një Shqipëri ndryshe, të çliruar nga fashizmi dhe nazizmi. Pas lufte, Asllani, synonte t’i kthehej shkollës”..1
Po ata:
“Asllan KETEN e kishte falë Zoti si një syth pranveror për nga hijeshia dhe zgjuarsia. Ai bënte diferencën mes nesh, sepse kishte shkollë dhe formim më shumës e ne. Ndaj dhe pati funksione më të larta se ne. Sepse Asllan KETA, sa ishte në shkollë, kudo ku mësoi dhe studioi, dallojë. Edhe kur ju bashkua luftës, kudo ku ai i luftoj dhe edukoj, mes gjithë nesh bënte diferencën. Sepse forca e Asllanit nuk vinte nga imponimi: zbato urdhrin se jemi në ushtri, por tek ndërgjegjësimi i njerëzve me bindje, kulturë dhe butësi. Mbi të gjitha, duke i gjykuar të gjithë me drejtësi. Dhe kurrë nuk ngriti zë por foli ulët. Se tek e Asllani ishte kjo mendësi:
“Edhe ai që firmoste me gisht, por kishte dalë në luftë për liri, e deshte Atdheun njëlloj si ai”.2
Ishte ky formim i Asllan KETES që i jepte atij aq shumë fuqi, aq sa askush nuk bënte çudi:
Kush prekte Asllan KETEN, që ishte simboli i trimërisë, inteligjencës, arsyes, sinqeritetit dhe entuziazmit të rinisë, kishte prekur shpirtrat e 453 luftëtarëve të lirisë!
Ndaj Asllan KETA pati funksion madhor qysh 19- 20 vjeç, që njësohet dhe sot me gradën madhore major.

Pse funksion madhor?

Sepse gjithë Brigada e XVIII Sulmuese kishte vetëm 4 batalione dhe në krye të njerit prej tyre do ishte Asllan KETA.
Sepse ndër 17 studentët që ju bashkuan luftës në një ditë me Asllan KETEN, askush nuk e pati funksion kaq të lartë sa Asllan KETA, kur batalionet numëroheshin me gishtat e dorës.
Ishin këto arsyet që Asllan KETA ishte dinjitoz në detyrën që ju besua. Kishte guximin të ngrinte probleme aq delikate, që sot vështirë t’i besosh nëse nuk do ju referohesh burimeve historike dhe arkivore.

Ku e gjente forcën?

Ndoshta tek tradita luftarake e krahinës , që fillonte me tre beteja të mëdha të Skënderbeut në Bulqizë; lufta me Haredin Pashën; dy luftërat ballkanike dhe Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare ku Asllani, bashkë me Feritin3, do ishin pjesë.
Ndoshta, burim force shkrimi në pllakë guri të kullës së katragjyshëve të Asllan KETES ”Atdheu mbi të gjitha”.
Ndoshta burim force shpirti i revoltës i fshatit të tij që sillte qeverinë në Koçe kur ishte fjala për shkollë, vlerësim kushtesh dhe pamundësinë e pagimit të taksave.
Ndaj Asllan KETA, veç kësaj tradite, kishte dhe formim e vet si qytetar dhe atdhetar aq sa, kur bëhej fjalë për çlirimin kombëtarë, ai, “nuk pranoj kompromis as me vdekjen”.

Mund të kishte dhe një faktor të fundit:

Asllan KETA, me shembullin e vet, ndoshta, i kishte dhënë vetes detyrën të shfaqte në batalion dhe jo vetëm, modelin e njeriut të së ardhmes që kishte nevojë Shqipëria e nesërme. Që, aq sa e kishte “shpirtin det”, po aq, kthehej në “dallgë deti” kur shihte: intrigë, pabesi, tradhëti. Kjo i dha tek vetja më shumë guxim, trimëri,respekt, autoritet dhe dashuri. Aq sa:
Kush prekte Asllan KETEN, kishte prekur zemrat e 465 partizanëve që kishte batalioni i tij. Kush prekte Asllan KETEN, kishte prekur dhe komandantin veteran të batalionit të katërt, Gafurr Mehmetin. Se ata ishin të lidhur si zemra me damarët e gjakut me gjithë partizanët me të cilët bashkëluftëtonin pas as më të voglin dallim me atë të vijës së pare të zjarrit. Kjo i bënte ata :
Komandë unike në shpirt, karakter,ideal. Edhe komandanti me Kosarin se ishin me diferencë moshe midis tyre, ata plotësonin njeri tjetrin mrekullueshëm:
Komandanti, me përvojën e luftës dhe me maturi. Komisari, me energjinë e moshës dhe dituri.

Gafurr Mehmeti thoshte:
“Asllanin Komisar, nga pikëpamja ushtarake, e kam rritur me këta duar, që kur ishte ushtar në luftime të përgjakshme nga Okshtuni në Opar. Por ai do bëhet më i mirë se unë sepse, veç trimërisë, ka “magjinë” të bëj gjithë batalionin për vete.
Prandaj kur flet Asllan KETA, nuk pipëtin as miza. Se ato që thotë Asllani, i thonë dhe 453 partizanë të batalionit. E kam thënë dhe unë. Prandaj ato që vendos komanda jonë, s’e luan as “topi i karadakut”. Ku dallonte Asllani? Nuk të imponohej me hu’ por me tru. Prandaj, kush prekte Asllanin, kishte prekur batalionin”.

Ky ishte çelësi i suksesit të Asllan KETES që në gjithë jetëshkrimin e tij na ofron modelin e një “kampioni”. Mos u çudisni: Para se të vijmë tek tre djemtë e sotëm të “KETA Kampionëve”, kulla e KETES ka pas dhe dy të tjerë para tyre.

Kush ishin ata?

Asllan KETA, qysh në Internatin e Kastriotit (12 – 15 vjeç) ishte pjesë e skuadrës së volejbollit të grup moshave. Dhe në Institutin Bujqësor të Kavajës (16-18 vjeç) ishte në skuadrën “kampione” të Institutit.
Në historikun e mundjes të ekipit të Korabit të Peshkopisë (që në ato vite ishte në elitë të mundjes shqiptare), sa ishte Izet KETA në ekip të Korabit nuk doli një i dytë t’i zinte vendin në peshën e tij. Kjo arsye që i ngjitën nofkën: “Arusha e Malit të Bardhë!”
Ja pse nuk duhet të çuditeni pse tre herë kampioni i Botës Ismaili dhe pas tij, Gjetani dhe Feriti, janë kaq të suksesshëm. Se as këta nuk kanë dalë në boshllëk por nga një “traditë luftarake” edhe në sport.

ASLLAN KETA: KURRE NUK KOMANDOVA “PARA PARTIZANE” POR “TE GJITHE PAS MEJE, PARA PARTIZANE!”

Asllani dhe Ibja, ishin bashkë në luftë kundër gjermanëve. Ishte koha kur gjermanët kishin ndërmarrë në katër drejtime operativo- strategjike operacionin “Fuchsjargd” (Gjahu i Dhelprave) me synimin:
Për të shuar përfundimisht rezistencën shqiptare! Në kuadër të kësaj rezistence, batalioni i katërt i Br. XVIII Sulmuese (gusht 1944) mori detyrë: Si repart autonom, bashkë me njësi të tjera, të marshonte në drejtimin Kërçovë- Gostivarë. Batalioni i katërt i Brigadës XVIII Sulmuese kapi lartësitë mbi Goran dhe Shutovo.
Kompania e parë me komisar Asllan KETA dhe zevendeskomisar Ibe Palikuqi, ishin në rrethina të Kërçovës. Luftohej me gjermanët. Raporti forcave ishte krejt i pabarabartë në favor të gjermanëve, por asnjë nga kompania nuk e braktisi rajonin mbrojtës. Në vijën e parë të zjarrit të kompanisë ishin Asllani dhe Ibja.
Për të qenë të pranishëm në çdo veprim luftarak, para çdo luftimi, Asllani dhe Ibja ndanin togat ku do të ishin për drejtim dhe luftime. Në luftimin e Kërçovës, pyet Asllani:
-Ibe, tek cila togë dëshiron të shkosh?
– Pse unë vendos? Jemi në luftë komisar! Më thuaj ku të shkoj dhe pikë- përgjigjet Ibja.
– Jo, edhe sot do zgjedhësh ti. Kemi shumë armiq përballë. Të kemi vajzë. Je më e vogël. I vogli zgjedh.
– Mirë. Në kompani të parë dhe, pasi e toku “paçim“ me majë bajonete automatikun e Asllanit, “fluturoj” në drejtim të sektorit të togës parë. Asllani e thirri të ndaloj pak. E urdhëron të hapë gjerdanin e fishekëve. Pa dhe të tijët. I shtoj Ibes një ballë fishekësh nga të vetët. Ibja kundërshtoj por Asllani, jo me urdhër por me arsye, i thotë me butësi:
– “Jemi të dy nga Dibra e Epër. Zakonet i kemi njësoj. Detyrat po ashtu. Por ti je dy vjet më e vogël se unë. Je dhe vajzë mes nesh. Prandaj, sa të jetë Asllan KETA komisar, ti, bukë dhe fishekë gjithmonë do marrësh e para dhe gjithmonë do zgjedhësh.”
– Ou? Për sa kohë kjo?
-Sa të kem jetën!
– Domethënë dhe pas lufte? Pushka top! – uroj Ibja dhe “qoku paçim” përsëri tytat me Asllanin dhe fluturojë në drejtim të togës parë. Asllani e përcolli me sy Iben deri sa ajo kalojë kreshtën. Edhe Ibja, para se të futej në një rrëpirë, kthej kokën nga Asllani. U ndje mirë që ai po e ndiqte me sy. Ngriti armën në shenjë përshëndetëse.Të njëjtin gjë bëri dhe Asllani. Ibja, zuri vend në pritë në mes të togës dhe nga koka nuk i largohej fjalia e fundit e komisarit: “Ti e para sa të kem jetën!”
Dhe për herë të parë dhe të fundit, Ibja, ëndërroj dhe për jetën e pasluftës, që e mendonte më shumë se të lumtur. Se tek e fundit, pse luftonin?

* * *
Lufta fillojë shumë e ashpër. Në luftime plagoset Ibe Palikuqi. Nga kjo plagë, Ibja, pas ca kohësh vdiq. Personi që e plagosi, fatkeqësisht ishte shqiptarë. Në vitin 1945 ai kapet.
Pohimi befasues i tij në gjyq:
“Kisha përballë një armë që villte zjarr mbi mua. Po bënte kërdinë mbi të tjerë. Shënova mbi të. Zjarri pushoj. Mendova se mos i mbaruan fishekët. I afrohem. U shtanga kur para meje u çfaq një vajzë. Ishte plagosur. I shtyrë nga trimëria e saj e mora në krah dhe e çova tek hoxha. Aty mora vesh se ajo ishte zevendeskomisare.
Ajo më tha:
Kot e keni o të mjerë. Luftën do e fitojmë ne!”
(Perifrazuar nga Gazeta “Flaka e Vllaznisë”, Shkup Nr 17, 1946, cituar tek Historiku i Br 18S, fq 78 – 82. )
Vrasja e Ibes i hidhëroj të gjithë, por mbi të gjithë, Asllan KETEN. Filluan t’i shfaqeshin në ëndërr:
“Tokja e armës. Pushka top. Ou, për sa kohë? Për gjithë jetën!” Po sa qenka jeta? Ka gjysëm jete? Pse sëmundja po zgjat kaq shumë? Mos dhe unë….?
Asllani kishte “plagosur gjumin”.
Kishte të drejtë. Ishin të rinj. Vetëm dy vjet diferencë me Iben. Ngjanin si motër e vëlla. Mirëkuptoheshin për gjithçka.
Në gjumë, Asllani “ishte i plagosuri”. Por ndryshe nga Ibja që mori plagë pushke, ai kishte marrë plagë shpirti. Humbja e Ibes ishte një “plevit i dytë” për të.

ASLLAN KETA DHE ANGLISHTJA “BULZAKSHE”
Duke qenë komisar batalioni, Asllani, kishte takime të shpeshta me misionarët anglezë, që edhe se jo të atashuar direkt në batalionin e tij, ata, ishin “shëtitës” sa në një batalion në tjetrin që të njiheshin me gjendjen dhe të jepnin ndihmesë. Asllani, duke ditur anglishten përgjithësisht mjaftueshëm, një arsye më shumë për t’u miqësuar me anglezët, aq sa krijojë një fare xhelozie tek mediokrët, por ky jo faji i Asllanit.
Në shkollë ai kishte mësuar anglisht dhe italisht dhe shumicën e provimeve i kishte dhënë në këto gjuhë. Librin nuk e ndante nga çanta e shpinës. Kjo arsye: Misionarët e huaj, me Asllanin ‘thyenin” gjuhën, këmbenin libra dhe “përkthenin idioma” të anglishtes dhe “bulzakses”. Secila palë ishte e kënaqur nga ky bashkëpunim humori ku secili ofronte diçka për të qeshur. Kishin gjetur këtë formë komunikimi që, anglezët të perfeksiononin shqipen. Asllani, anglishten.

Ku befasia?
Anglezët ishin “shkrirë” gazit një ditë me humorin e Asllan KETES kur ju kishte “shpjeguar”: “Mos e kërkoni origjinën e kthimit të “i-së” në “ a” në vend tjetër, as idjomat (që kërkonte t’i reduktonte Robert Shou) mos i kërkoni në vend tjetër veçse tek dialektorja e shqipes e krahinës Bulqizës, ku: mirë= majr, ose: Mos çaj kokën=Tetja e menje t’ljen! Ose: gjej një vend të sigurt= venoje qita.
Të gjitha këto, ishin “prova” – bënte humor Asllani -se idjoma nuk kishte vetëm anglishtja por dhe bulzakshja.
Që nga ajo ditë, anglezët, sa herë takonin Asllanin, do pyesnin “bulzakshe”:
-Po taj, majr? 1
– Majr, majr, por ka ene ma majr!

NGA SHAKAJA TEK SERIOZITETI
Anglezët nxitonin të shënonin të tjera “idioma të anglishtes bulzakshe” nga Asllan KETA, që t’i kishin për humorin tjetër të radhës. Asllan KETA, të mësonte sa më shumë nga pafundësia e idiomave të gjuhës angleze, ku ai e ndjente se duhej të dinte më shumë.Por në fakt, dialekti i Bulqizës, krejt i veçantë në llojin e vet, bashkë me etnografinë e veshjes, nuk ishte vetëm objekt shakaje. Veçoria e këtij dialekti, me shpjegimet që jepte Asllan KETA, i bënte kurioz anglezët dhe i vinte në mendime, ashtu siç kishin bërë kurioze “Zonja Lane për Shqipërinë”, kur kishte ngrënë një drekë tek “Gurët e Skënderbeut”.
Ishin misionarët e huaj që jepnin konstatimin për Bulqizën:
“Tek veçoria e kësaj gjuhe dialektore që ka Bulqiza, duhet kërkuar etnia dhe lashtësia e kësaj krahine thellësisht arbër të pastër. Tek veshja, do parë qytetaria e saj.”
Ky konstatim ishte kthyer në vlerësim nga “ustallarët e fushës” që kishte Akademia e Shkencave të Shqipërisë, që shumica ishin pjesë e “ Institutit të Studimeve Shqiptare” që edhe se në kohë fashizmi, bënë gjëra të mëdha për Shqipërinë. Ishin këto vlera të veshjes Bulqizës, që Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore”, 40 vjet, hapi dhe mbylli, koncertet në mbarë botën me “vallen dhe veshjen e Zerqanit” që u modifikua me “Vallen e Shqipeve”. Sepse, tek gjuha dhe veshja e Bulqizës, ishte dhe një pjesë nga lashtësia dhe qytetaria e Kombit shqiptar. Se Bulqiza,- thoshte Asllan KETA- ishte dhe është në kërthizë të Arbërisë, prandaj Skënderbeut, sa herë i kërkohej koka, do mbrohej në Bulqizë. Se këtu ishte qendra e shtetit të tij. Këtu ishte Valikardha, vend atashimi i përfaqësive të huaja pranë Skënderbeut dhe, prej këtej, ju raportohej kancelerive të Botës qysh në Betejën e Torviollit dhe në dy betejat e Vajkalit, se çfarë po ndodhte në Arbëri. Këtu ishin “dy portat çelës” të Dibrës. Këtu ishte boshti i rrugës e Dibrës/Arbërit që sillte aq afër Durrësin me Shkupin. Këtu kështjellat në vijë nga Sopostika dhe Kalkadreni deri në Krujë dhe Rodon. Këtu distancat aq afër nga Kruja dhe Ohri i Dibrës. Këtu grykat dhe bigat e Valkalisë” që e bënin luginën për nga vlerat mbrojtëse, të dytën mbas Kaudineve në Itali. (Barleti).

ASLLAN KETA: ME SHUME SE PARTINE, DUA SHQIPERINE!
Sllovë. Nëntor 1944. Ishte çliruar Prizreni. Asllan KETA me shokë kishin vendosur flamurin shqiptar mbi kala. Të nesërmen flamuri ishte hequr. Kush? U tentua rivendosja nga Asllan KETA me shokë por jugosllavët kishin sqaruar “qetësisht”:
“Ne, kemi një komandë të përbashkët. Po na dhanë urdhër ta heqim, e heqim. Po na dhanë urdhër për ta vendos, e vendosim. Ne, jemi zbatues.”.
U bë ankesë nga Asllan KETA.
Erdhi këshilla e çuditshme “nga të vetët”:“Mos provokoni sherr me Jugosllavët. Çështja e Kosovës dhe e Flamurit do zgjidhet mbas lufte në mënyrë paqësore”.
Kush ishte pas korrierit që solli këtë mesazh?
Këtë të panjohur Asllan KETA e mori me vete në varr.
Viti 1945. Asllan KETA vazhdonte të ishte i sëmurë, por asnjëherë nuk kishte kërkuar të shkonte në spital. Ishte në krye të batalionit edhe se me ethe. Por durimi kishte një kufi. Bindet që duhej të bënte një kontroll të specializuar në Spitalin Ushtarak të Prizrenit mbasi kishte marrë ndihmë në spitalet ushtarake të Zerqanit dhe Kukësit. Shkoj. U vizitua. Gjëndja u vlerësua e rëndë. U shtrua. Mjekimi fillojë intensiv. Mes mjekëve ishte një jugosllav. Ishte shefi. Ai dhe komisar spitali. Merrte pjesë vetëm në konsultat javore. I sëmuri nuk lejohej të ishte i pranishëm në konsultë. Vetëm në fund i komunikoheshin përfundimet nga shefi ose nga i autorizuari i tij.
I vjen radha Asllanit. Hyri. Përshëndetet. Shefi jugosllav, mbasi e merr vesh se ishte komisar, i drejtohet:
– E shikon se ç’bën Internacionalizmi Proletar? Mjekohesh në Prizren edhe se je shqiptar!
Doktor! Nëse më flisni për “Internacionalizëm Proletar” pse nuk lejohet të ngrihet Flamuri Shqiptar në Gostivar? Prizreni Doktor, është Shqipëri njëlloj si për ju Beogradi në Jugosllavi. E dini se Tirana dhe Prizreni u çliruan prej shqiptarësh në një ditë?
Nga Prizreni, Asllan KETA thirret në Sllovë. Bëhej seminar me agjitatorët e Partisë. Pyetjet kishin ardhur nga lart. Agjitatorët duhej të dinin ndër të tjera: për Revolucionin e Tetorit, miqësinë me Titon, internacionalizmin proletar, ç’dini për Abaz Kupin, etj.
Këto lloj pyetjesh e revoltonin Asllan KETEN sepse, askush nuk vinte gishtin në plagë:
Do të na kthehej Kosova?
Kjo ishte një tjetër plagë shpirti e Asllan KETES. Ndaj kishte kaluar në të treja kompanitë dhe i kishte sqaruar:
Nëse shqiptarët po luftojnë në Kosovë dhe Gostivar, mbas ikjes gjermanëve, aty duhet të valvitet flamuri shqiptar. Po nuk ndodhi kjo, pse luftuam? Nuk ka humbje më të madhe nga lufta nëse kishim Kosovën nën pushtimin italian dhe gjerman, por do t’ia lemë Titos si “mollë të qerueme” pas lufte. Kjo, nuk duhet të ndodhë!
Këto fjalë të Asllan KETES me agjitatorët në parti, kaq hapur dhe qartë, nuk guxonin t’i bënin të gjithë . Ku e gjente këtë guxim Asllan KETA, një zot e di! Gjithsesi:
Partizanët mendonin dhe besonin se lufta do të na e kthente Kosovën ashtu si e dëshironte komisari i tyre dhe ata vetë, Por, ca “komisarë” të tjerë flisnin, vetëm “për miqësi me Jugosllavinë sepse, “rreziku i Kosovës nuk ishin jugosllavët por gjermanët”.
Partizanët e thjeshtë viheshin në dyshim:
Kush kishte të drejtë?

* * *
Bëhet seminari përfundimtar. Vjen komisioni nga komanda eprore. Inspektohej çdo kompani e batalionit. Asllan KETA shoqëronte ekipin. Ushtari në kompani të dytë, bëri pyetjen befasi:
-Pse nuk ngrihet Flamuri shqiptar në Kosovë?
Kur kthehen në çadër, i “deleguari ” që vinte nga “Shtabi i Divizionit”, i ishte drejtuar Asllanit:
-Ku e gjeti atë pyetje ai partizan që nuk dinte as shkrim e as këndim?
– Ai ishte mendimi im, – përgjigjet Asllani.
– Ou? E dini se këto pyetje janë antiparti? Ne me Titon jemi në miqësi. Këtë, ti, nuk e di?
– Po, i nderuar e di! Por këtu bashkë jemi ndarë edhe se të dy jemi komisarë. Para interesit të Partisë unë shoh interesin e Shqipërisë.(AQU, Fondi UNCSH, Brigada e XVIII Sulmuese, Viti 1944& Historiku i Br18S: pyetjet që u bënë në kompaninë e dytë të b4Br 18S, fq 97)

ASLLAN KETA NE CLIRIMIN E PRIZRENIT NE NJE DITE ME TIRANEN
Çlirimi i Prizrenit u përjetua me gëzim nga Asllan KETA por gëzimi nuk zgjati shumë. Gjendja shëndetësore vinte duke u rënduar. Kjo arsye: ju propozua të bënte një rikontroll në spital.
Prill 1945. Vazhdonte lufta tej kufijve shtetërorë. I përlotur, Asllan KETA ndahet me 453 djem e vajza të batalionit që ai udhëhoqi. Ju drejtua “Spitalit të Kohës Luftës në Prizren” i shoqëruar nga shefi i shërbimit shëndetësor të brigadës.
I jepej kurajo Asllanit se kjo ishte një ndarje e përkohshme. Shtrimi në Prizren ishte i domosdoshëm sepse, “Spitali i Kukësit dhe Zerqanit” nuk ofronin ndihmë mjekësore të specializuar jo për mungesë personeli por kushtesh.
Kur shtrohet në spital dhe komanda njihet me diagnozën, Asllan KETA u zëvendësua në detyrën e komisarit, fillimisht nga Emin Agolli dhe pastaj nga Shaban Maqellara sepse, përfundimi i mjekëve ishte kategorik:
“Asllani ishte i sëmurë rendë dhe me këtë gjendje nuk mund të përballonte luftën. Regjimi i shtratit spitalor dhe kurimi intensiv ishin mundësia e vetme për të shpresuar tek mrekullia, sepse:
“Pleviti kishte marrë përmasa të frikshme”.

* * *
Asllan KETA, qëndroi një muaj e gjysëm i shtruar në spitalin ushtarak të Prizrenit. Kujdesi për të ishte maksimal. Ishte nga më të vizituarit. Çdo ditë, personeli mjekësor do ishte tek krevati i tij. Ishte pacienti që kishte funksionin më të lartë nga të gjithë të shtruarit. Kishte moshë tepër të re. Sjellja e kulturuar e Asllanit, pamja e tij engjëllore, mos ndarja e librit nga jastëku, i befasonte të gjithë. E donin të gjithë.
Por fundi ishte fatal: u humb çdo shpresë!
Këtë e kishte kuptuar edhe Asllani por nuk e jepte veten. Madje, vendosi të kthehej përsëri në luftë. Efektivi i batalionit e priti me urra të zgjatur dhe me gëzim të madh duke menduar se ishte shëruar. Por gjendja ishte tepër e renduar.
Ç’ndodhi?
Me këmbënguljen e eprorëve, u gjet kompromisi:
Të mjekohej në shtëpi. Në Koçe. Këtë propozim e miratuan dhe mjekët “si të keqen më të vogël”.

FUNDI TRAGJIK I ASLLAN KETES
Pleviti që kishte marrë në “Operacionin e Dimrit” kishte qenë me pasoja të pakthyeshme. Ditën që Asllan KETA u largua përfundimisht nga lufta, komanda e përcolli me këto fjalë:
“Batalioni i katërt nuk e harron komisarin e vet. Komanda e Brigadës vlerëson kontributin tuaj por mbi shëndetin nuk ka. Shqipëria u çlirua dhe kujdesi për jetën tënde është detyrimi ynë. Kërkesa jonë nuk është urdhër por lutje për mirëkuptim:
Të shkosh në Koçe por i shoqëruar prej shërbimit shëndetësor të Brigadës. Neve do vijmë të marrim dhe do të shoqërojmë për në Spital të Prizrenit sa herë të kesh datën e rikontrollit. Do të na kesh pranë si në llogore lufte.”

* * *
Kur troket Asllani tek porta, nëna e tij grafi:
Ej lumja unë kush na paska ardhë!
E mbuloj të birin në përqafime.
Kur hyn Bajram KETA dhe pa të birin “aq të tretur”, sikur i ra “Mali i Bardhë” mbi kry, por nuk e dha veten.
E mori ngrykë të birin si burrat, i mbështolli kokën në gjoksin e vet. E mbuluan lotët. I rridhnin jashtë çdo kontrolli si curril akulli kur del dielli. Një pikë loti sa sumlla e mitanit i njomi faqen Asllanit.
Pse po qan babë?
Kur Asllani diktoj lotët e të atit që i kishin njomur gjoksin leshtor, ku ai kishte vendos kokën, u bë keq. Ju hodh në qafë babës. I lëpiu me të puthura lotët që i kishim mbuluar mjekrën bashkë me qimet dhe kishin lënë vragë mes rrudhave të fytyrës së Bajram KETES si vijat rrushkulluese në një hartë topografike.
Janë lot gëzimi or bir, – gënjeu Ymer KETA.
E di e di, bëri sikur nuk kuptoj Asllani dhe ju lut: mos u bëj merak Babë! As ti nanë! As ju të gjithë. Jam shumë mirë. Po qatë, ika tek shokë!
Do qetësonte nana:
“Kush t’ tha se nuk je majr or gjega ime përmallë? Si zog t’ ka nana! Taj qenke ba burrë. Lufta t’ paska tret pak si qingji kur del dimnit por taj do bahesh si pllum prej k’saj nane.Mos m’thançin Tushe KETJA po s’tbana si uk’. Do t’vej nana t’lin, tamil, mishin e vajçit dhe do t’bahesh majr. Pastaj do t’ gjej nana ni nuse dhe ”ta bojm tem”.
Dhe, ja nisi këngës:
“Kush s’të thotë marshallah te’,
Jalla t’pjaçin ata se’!”
-Pse, kang’ nusesh i kno’ gjalit taj? – do bënte ojna Ymer KETA.
– Pse, nuk e kam gjalin si nuse? Eeeej fale o Zot!
Do t’ gjej nana ni nuse or Asllan dhe do t’ bojm darsum t’ madhe.
Pastaj, ju drejtua Asllanit me buzën në të qeshme:
-A mos ja ke vu’ seun noj cuce partizone? Kalun ni dit k’nej. Hak dhe cucat partizone ishin t’ ellshme fort. E kam qa’ si cucën teme kur n’gjova se një shoqen tane e kishin vra. Hej lumnja un’ qi te’ t’ paska shputu Zoti prej pjumash or bir! Kaq desh nana. Qerat i kudis vetë!”

* * *
Në Kullë të KETES nuk fikeshin dritat gjithë natën. Vinin miq nga Selishta, Cermenika, Kavaja, Sllova, Kastrioti.
Asllanit i ra një nur tjetër. Të gjithë menduan se ja hodhi. Por jo! Përmirësimi kishte qenë vetëm një truk. Asllani e fshihte sëmundjen. Kaluan ditë. Filluan lëngimet në shtrat. Prindërit me sytë mbi të birin. Shihej me të njëjtin merak siç shihej kusia e tamlit në prag vlimi. I qëndronin mbi kry, pa vënë gjumë në sy. I luteshin “Teqes Madhe”. I luteshin në heshtje Perëndisë:
“Aman o Zot! Edhe në të paçim shkelë pa dashje, mos na dëno kaq randë! Të lutemi o Zot: Na e ngre Asllanin në kamë!”

* * *
Ymer KETA i rrethuar mes 40 burrash përtypte ca kokrra kafeje për të forcuar zemrën. Nanë Tushja, ishte bërë petë në prenë të kunatës së vet. Kunata, i kishte futur dorën poshtë mitanit dhe i kontrollonte tik-takun e zemrës që i rrifte dobët. Pastaj bëri një “ofooooo…” të lodhur dhe i drejtohet nanës Asllanit:
Mbaju oj Tushe: Asllani na la!
Ishte 14 dhjetori i vitit 1945. Asllan KETA, rreth 20 vjeç, u shua.

* * *
Plasi morekujeja në Koçe.
Por Bajram KETA ju grafi grave, sa me lutje, aq dhe me urdhër, por i mbuluar në lot:“Pashi at Zot!,- mos morekujej. Se morekujeja sjell morekujejë. Zene se e mori plumbi. Trajmat nuk qahen!”
Pa mbaruar mirë llafin, u këput si qarr kur i bie rrufeja. E kishin lane gjunjët por jo mendja. Gelltiti dhimbjen në vetminë e vet deri sa u zatek. Askush nuk guxote t’i afrohej. Mustafa Dervishi, daja i Asllanit, doli në krye vendi dhe u ul “për kryshnosh”. Thirri dhe Bajramin të ishte në krye vendi. Oda mbushej e zbrazej orë e minut. Vetëm Male Shyti, kafexhiu, yzmetçiu dhe miqtë e largët nuk lëviznin. Të tjerët lironin vend kur vinin të tjerë por nuk iknin. Asnjë sekondë nuk rrinte dhoma bosh. As lama e KETES.
“Zoti i rujt’ menjen! Kjo mortje pjas gurin e drunin – do përshpriste Sheh Aliu”, që ishte ulur afër kafexhiut. Pas tij vinte Muharem Gjini, shok klase i Asllanit në Internat dhe nuk i thaheshin lotët.
Dane Ketja e Vajkalit, e vajtoj me zakon vendi “kushajnin e vet”. Përloti edhe pleqtë e kërrusur mbi mutafët që ishin shtruar deri në odë të Koxhës. Cudia ishte:
Edhe se dimër, kodra e Koçeve nxinte si “Drini i Zi” me njerëz. Lajmi ishte shpërndare me shpejtësinë e erës sapo ishte ndëgjuar morekujeja e parë në Koçe. Se sëmundja e Asllanit dihej në çdo voter Bulqize. Pjestohej dhimja. Ndaj nuk pati nevojë për ilanë, edhe se 12 djem shkuan me lista në dorë, derë më derë deri në Ternovë. Zenel Duva,shkoj në Zerqan dhe, me telegrame dhe telefon njoftoj miqtë e largët. Asllan KETA u përgjua gjithë natën. Gjithë koçet, kishin hapur shtëpiat. Të gjithë me krytë në tokë. Nuk gjenin fjalë.
Kryetari mortjes po jepte porosi për bukën, sofrat. Ndërhyn Bajrami:
“Bukën e dua si për darsëm. Jo bukë morjtje! Zene se e martova. Vetëm lodrat do mungojnë. Sot duhet t’u kisha thirrë për dasëm, por ky fati im! Pa mbaruar llafin, Bajrami, u myt në vaj. Burrat e gjatë si qarrat, ishin mbledhë gusht dhe fshihnin sytë nga njeri tjetri se te gjithë ishin bërë qullë nga lotët. Gdhiu. U hap vaji tek gratë. Burrat, kafe pa sheqer dhe duhan. Zani i Dane KETES së Vajkalit shpoj qiellin. Kishte za pushke që përcillte dhimbjen, si sinjalet në kohë lufte.
Numëroj në vajë këtë fjalë “plumbi” që përplaseshin nga mali në mal:
“Darsmën tande, e kam pas andër,
Or vlla lumi!
Sojt, duhet t’krajsnin lodrat për dhandër,
Or vlla lumi!
Por taj para jetës, vune Shqipninë,
Or vlla lumi!
20 vjeç u bane dhandër me “Lirinë”,
Or vlla lumi!”

* * *
Asllan KETES varrimi ju bë në Koçe. Ishin shokët e tij të armëve që i bënë roje nderi. E përcollën me marrshin e trumpetës dhe të mbuluar me Flamurin Kombëtar. Pesë batare armësh, tundën malet që dukeshin sikur, edhe ata, Perëndia i kishte rreshtuar për ceremonial:
Dhoksi dhe Murriqi rrinin përballë Balgait dhe Temlës. Dukej sikur, Zoti vetë, edhe maleve ju kishte dhënë komandën:
“Për nder armë!
Krisma e pushkëve në Kodër Koçe mbushi vendin me erë baruti dhe gezhoja plumbash. Po aty, sot, kemi një lapidar në kujtim të Asllan KETES. Pak më poshtë, shkolla me emrin Asllan KETA.
Krisma e pushkëve përplasej në male dhe malet përcillnin ilanin bubullimë:
“Heeeeeej!
Asllan KETA u bë dhandër me lirinë!”

* * *
Në nderim të Asllan KETES Shkolla e Mesme e Përgjithshme në Fushë Bulqizë rrimerr emrin e shkollës së fshatit Koçe dhe sot mban emrin “Asllan KETA”. Kjo shkollë, më 6 maj 2018 do përkujtoj 90 vjetorin e lindjes së Asllanit dhe të shkollës së parë të Xhihanës ku mësoj dhe Asllani.
Bashkë me të, do të përkujtohet dhe përvjetori i shkollës së parë shqipe në Bulqizë. Se Koçet ishin Bulqiza. Se Asllan KETA ishte i Koçeve, i Bulqizës, i shkollës, i luftës, i Shqipërisë!

Azis KETA

1 Ndjesë lexuesit që shkruaj pjesërisht dhe në dialektin bulqizakëshe, por arsyeja është kjo: nëse provë idenditeti ishte “Bulqiza e Epër” me shkrime shkembore në afërsi Rubiku, dhe kjo vërteton jetë urbane në vendbanim prehistorik ( Korkurti); nëse zbulimet e mëdha në arkeologji të Bungurit në zonën e Bulqizës, janë provë idenditeti; po kaq janë prova identiteti dhe gjuha dialektore dhe etnografia e veshjes së Bulqizës ( që dallojn sa kalon Qafën e Buallit dhe Grykën e Madhe , ku dhe Buqliza pjesë) janë prova autoktonie të kësaj popullate të ngulitur në këto gryka në shekuj . Kjo arsye që gjuhën dialektore e cek jo pa qëllim, për të nxitur studime të thelluara nga specialistët edhe në këtë fushë.