Cerjani, një fshat i braktisur dhe i rrënuar nga migrimi


Cerjani është një nga katër fshatrat e zonës së Bellovës që shtrihet në verilindje të qytetit të Peshkopisë, rreth 7 km larg tij. Ai është fshati më i largët i zonës nga qyteti, fshat kufitar. Ai ndodhet në lartësinë 1240 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një pllajë trekëndëshe në mes dy përrenjve, në rreze të vargmaleve të Korabit. Sipër fshatit shtrihet brezi i pyjeve me dru ahu e pishe dhe sipër këtij brezi shtrihen kullotat alpine në një terren të thyer malor deri në maje të maleve në lartësi 2100 mbi nivelin e detit dhe grykën e Skërtecit ku lind çdo mëngjes dielli rrezeart.
Të katër fshatrat e zonës: Bellova, Cerjani, Rabdishti e Zagradi e kanë origjinën e themelimit të tyre që para mesjetës, kohës së Skënderbeut, gjë që argumentohet nga gjetjet arkeologjike të zbuluara nga arkeologët në zonën e Bellovës si enë qeramike dhe vegla e shtiza prej hekuri. Këtë e dëshmojnë dhe defterët e regjistrimit të popullsisë dhe ai i mbledhjes së taksave në kohën e pushtimit osman. Kështu në defterët e pushtuesve turq të vitit 1467 rezulton që Cerjani të ketë 19 shtëpi, Biloja (Bellova) 6 shtëpi, Zagradi 4 shtëpi dhe Radibodishti (Rabdishti) 9 shtëpi. Cerjani figuron si fshati më i madh i zonës në këtë kohë. Po sipas defterëve osmane të kësaj periudhe rezulton që popullsia e katër fshatrave të zonës sonë, por dhe i gjithë fshatrave të Dibrës të ishte i besimit katolik, sepse taksa mbledhësit turq shënonin në defterët e tyre dhe emrat e fshatareve nga të cilët mblidhnin taksat e tyre në të holla dhe në drithëra buke dhe në tërshërë e elb, emra katolik.
Vetëm pas vdekjes se Skënderbeut, nga mesi i shek. XVI, kur sundimi turk u konsolidua në Arbëri dhe turqit ngritën teqe e xhamia, mejtepe për të mësuar turqishten u përhap myslimanizmi. Banorët e fshatrave e të qyteteve tona të ndodhur nën trysninë dhe shtypjen e shfrytëzimin e egër të turqve osmanë u detyruan të ndërrojnë fenë, të kthehen në myslimanë. Për shekujt e sundimit turk ka pak ose fare të dhëna për banorët e fshatrave tona. Vetëm në vitin 1903, sipas prof. Kristo Frashërit, kemi një të dhënë të regjistrimit të shtëpive në zonën tonë i bërë nga Instituti Gjeografik i Sofjes. Sipas këtij regjistrimi të këtij viti fshati Bellovë ekziston me 50 shtëpi, Cerjani me 75 shtëpi, Rabdishti me 80 shtëpi dhe Zagradi me 35 shtëpi. Fshati Rabdisht e Cerjan janë me popullsi më të madhe në zonë. (K. Frashëri, “Historia e Dibrës”) Po sipas regjistrimit të vitit 1927, në kohën e mbretit Zog, Bellova na del si fshati me popullsi më të madhe në zonë. Në këtë fshat banonin 325 banorë, në Cerjan 231 banorë, në Rabdisht 233 banorë dhe në Zagrad 106 banorë.
Në këtë shkrim duhet të shënojmë dhe masakrat e shovinistëve serbe në fshatrat e krahinës sonë fill pas shpalljes së Pavarësisë. Kështu në vjeshtën e vitit 1913 serbët plaçkitën shtëpitë e fshatrave tona, grabitën bagëtinë, dogjën shtëpi e vranë njerëz të pafajshëm. Dogjën e plaçkiten më 1913 Cerjanin, plaçkitën Zagradin, kurse në Rabdisht dogjën shumë shtëpi e vranë rreth 70 vetë: burra, gra, pleq e plaka e fëmijë të pafajshëm. Në vjeshtën e parë të 1918 serbët kapën, lidhën e pushkatuan 19 djem e burra të rinj cerjanas në vendin e quajtur Greke ku ekziston edhe sot një lapidar në kujtim të këtyre martirëve të vrarë. Lufta kundër serbëve vazhdoi në Dibër deri në fund të vitit 1920. Serbët hynin e dilnin në kufijtë tanë të 1913 dhe sa herë që hynin ata plaçkitnin, grabisnin bagëti, digjnin shtëpi e vrisnin njerëz.
Dihet se vendi ynë më 1938 kishte rreth 800 000 banorë. Ishte vendi me i varfër dhe me i shkatërruar nga Lufta e II Botërore në Europë. Skamja, mjerimi i fshatarëve ishin në kulm. Anafalbetizmi kapte mbi 90% të popullsisë. Shumë fshatarë të zonës e sidomos nga fshati Cerjan morën që në kohën e Zogut rrugët e kurbetit (si sot), shkonin për të punuar e për të mbajtur gjallë me bukën e gojës familjet e tyre. Shkonin për punë në Greqi, Bullgari, por punonin si qiraxhinj dhe në Prizren e Tetovë, në Tirane e Gostivar.
Megjithëse të varfër e analfabete, banorët e zonës sonë e përkrahën fuqimisht LNCl. Si patriotë të vërtetë rreth 40 të rinj nga fshatrat e zonës sonë rrokën armët për lirinë e vendit. Ata u regjistruan në formacione të ndryshme të ushtrisë NCl dhe luftuan deri ne çlirimin e plotë të vendit. Vetëm nga fshati Cerjan dolën 12 partizanë (djem të rinj) dhe tre prej tyre derdhën gjakun në altarin e lirisë duke u shpallur dëshmorë të atdheut: si Nesim Kaza, Shemsi Haka dhe Zenel Paci. Pas çlirimit në të gjithë vendin rilindi jeta. Populli me besim e optimizëm te pushteti i ri popullor ju përvesh punës për zhdukjen e pasojave të Luftës si dhe për rindërtimin e vendit. Puna ziente kudo, në fshat e qytet. Shumë të rinj nga fshatrat e zonës sonë ju përgjigjen thirrjes së Partisë e të pushtetit popullor për ndërtimin e veprave të reja siç ishin: ndërtimi i hekurudhave të para, hapja e rrugës automobilistike Kukës-Peshkopi, ndërtimi i hidrocentraleve të para, i kombinatit të tekstileve në Tiranë e të shumë veprave të tjera industrial e bonifikuese dhe të rrugëve.
Krahas punës për rindërtimin e ndërtimin e vendit dhe sistemimin e mbjelljen e tokës, një punë të madhe bëri pushteti popullor që në vitet e para të çlirimit në luftën kundër analfabetizmit që ishte një plagë e rëndë e shoqërisë shqiptare të kohës. Duhesh më shumë punë dhe më shumë dije e kulturë. Që më 1945 në të gjithë fshatrat u hapën kurse kundër analfabetizmit. Që më 1945 u rihap në Bellovë shkolla fillore, kurse në shtator të 1947 u hapën shkolla të CU në fshatrat Cerjan, Rabdisht e Zagrad. Si mësues shërbyen shumë mësues atdhetarë të ardhur nga Elbasani, Korça, Gjirokastra etj. Zymtësia e jetës filloi të terrej nga sytë e popullit. Fshatarët filluan të mbjellin e të shfrytëzojnë më mirë tokën, të rrisin numrin e blegtorisë, të shkollohen, të ndërtojnë shtëpi të reja e të punojnë sipas mundësive dhe në ndërmarrje të ndryshme shtetërore duke përfituar të ardhura dhe zanate e mjeshtëri. Krahas përmirësimit të jetës në sajë të punësimit të njerëzve dhe shërbimeve më të mira shëndetësore, arsimore e kulturore filloi të rritej popullsia e fshatrave tona, të krijoheshin familje të reja e të ndërtoheshin shtëpi të reja. Kështu në vitet 1950 Cerjani kishte rreth 56 shtëpi me rreth 350 banorë.
Rritje e zhvillim ekonomik, social e kulturor patën fshatrat e Bellovës pas vitit 1967 kur u krijua koop. bujqësore dhe fshatarët e vuajtur në shekuj bashkuan tokat, mjetet e forcat e punës për ndërtimin e jetës së re. Ky zhvillim e përparim u rrit më shumë pas elektrifikimit të fshatrave në shtator të 1970. Autori i këtij shkrimi është rreth 70 vjeç dhe këto ndryshime sociale, ekonomike, kulturore e historike i ka parë me sy dhe i ka ndjerë e përjetuar vetë. Jeta kish marrë zhvillim e përparim në shumë dimensione. Përveç dritës elektrike në fshat erdhi dhe radio e televizioni që përhapnin në shtëpitë tona arsim e kulturë. Që në vitet e para të çlirimit apo më saktë në vitet ‘50 nga fshatrat tona filluan të dalin kuadrot e para si mjekë, mësues, oficerë, ekonomistë e inxhinierë që i shërbyen popullit e atdheut atje ku kish më tepër nevojë. Në fshatra u ngritën kopshte e çerdhe, infermieri, furra buke, vatra kulture që përmirësonin e ngazëllenin jetën e punën e fshatarëve. Që më 1963 në qendrën e zonës, Bellovë, u hap shkolla 8-vjeçare “Shemsi Haka” e cila u bë detyrueshme për çdo fëmijë nga qeveria. Krahas punës në prodhim e ndërtim, shumë fshatarë e familje të reja, konform rregullave të urbanistikës dhe me ndihmën e koop. bujqësore, filluan të ndërtojnë shtëpi të reja. Numri i lindjeve rritej nga dita në ditë dhe kështu rritej dhe numri i familjeve dhe i popullsisë për çdo fshat. Kështu në vitin 1979 fshati Bellove kishte 105 familje me 629 banorë, fshati Cerjan kishte 94 familje me 654 banorë, Rabdishti kishte70 familje me 499 banorë dhe Zagradi kishte 41 familje me 262 banorë. Si zonë gjithsej Bellova kishte 310 familje me 2044 banorë. Numrin më të madh të banorëve e kishte fshati Cerjan. Më1984 ky fshat kishte 116 familje me 820 frymë. Kishte shkollë të ciklit të ulët me 4 fuqi mësimore, me 84 nxënës, kurse sot (me 2017) Cerjani ka vetëm 15 familje me 112 banorë, një shkollë në shtëpi private me një fuqi mësimore me 7-8 nxënës nga kl. I në kl. e V-të. Ritmet e rritjes në ekonomi e popullsi rriteshin nga viti në vit se atëherë lëvizjet e popullsisë ishin të kontrolluara e s’mund të ikje kund pa leje. 60% e popullsisë jetonin në fshat.
Pas përmbysjes të sistemit socialist më 1991 ndryshoi komplet punë dhe jeta në fshat. Me prishjen e koop. bujqësore dhe hapjen e rrugëve për lëvizje të lira në vend e jashtë tij shumë familje e banorë të fshatit Cerjan, por dhe të fshatrave të tjerë filluan të lëviznin, të migronin nëpër qytete si në Peshkopi apo Tiranë, si dhe të rinjtë të lëviznin për të gjetur punë jashtë vendit si në Greqi, Itali apo Angli. Gjatë këtyre 27 vjetëve pluralizëm 80% e familjeve cerjanase kanë lëvizur për një jetë më të mirë pranë qendrave urbane. Rreth 50 familje braktisën shtëpitë e tyre në fshat dhe erdhën e u nguliten në lagjen Llixha të Peshkopisë. Thënia e vjetër: “Rëntë Cerjani te banjat” u bë realitet tani në ditët e sotme, ku kanë ngritur strehet e tyre të reja e të bukura 50 familje cerjanase. 30 familje banojnë në lagjet e tjera të Peshkopisë dhe disa familje të tjera banojnë në qytetin e Tiranës, në rrethin e Durrësit apo të Lushnjës. Nga migrimi i njerëzve dhe ulja e numrit të lindjeve, Cerjani nga fshati me i madh i zonës ka mbetur fshati më i vogël nga numri i popullsisë. Sot fshati më i madh mbetet fshati Rabdisht. Ai sot ka 530 banorë dhe Bellova 324 banorë. Edhe nga këto fshatra janë larguar shumë familje e njerëz, por jo si në Cerjan ku largimet kanë qenë masive. Rabdishti është shpallur këtë vit fshat turistik ndër 100 fshatra te Shqipërisë dhe së shpejti do t’i vijë e mira tek dera si asfalti, turisti i huaj, paraja, teknologjia e re, etj. Të vjen keq e trishtohesh në shpirt, kur sheh sot vendlindjen tënde të braktisur e të shkatërruar totalisht në shumë aspekte.
Dikur para 30 vjetësh Cerjani ishte një fshat i bukur me rreth 120 shtëpi e 820 banorë, me shtëpi të reja e të bukura plot dritë, të ndërtuara pranë njëra tjetrës, me rrugë të pastra e të shtruara me kalldrëm, me shpirt bujar e mikpritës, me objekte social-kulturale e shkolle te mirë e mbi te gjitha me një rini punëtore, të kulturuar e dinamike. Sot ai duket i braktisur, i heshtur e i sfilitur se ka pak banorë. Të shohësh Cerjanin sot nga Bregu apo nga qielli te duket se këtu ka rënë bomba atomike e Kim Jongut, sepse shumë shtëpi të braktisura në vite nga njerëzit janë shkatërruar e rrënuar se shtëpitë i mban gjallë në këmbë fryma e kujdesi i njeriut. Ata janë shkatërruar vetvetiu nder vite nga agjentet atmosferike si shiu, bora, era, etj. Mallëngjehesh, trishtohesh e përlotesh nga kjo katandisje e vendlindjes. Pas vitit 1990 brenda 2-3 vitesh u shkatërruan dhe objektet social-kulturore, shkolla e fshatit dhe stallat e blegtorisë në Smile. Fshati s’ka më ambulancë si dikur. Kabina elektrike e fshatit e ngritur që më 1970 është gati në të shembur se nuk është vënë dorë fare mbi të që 58 vjet as nga Elektriku e as nga komuna. Edhe rrugët e fshatit e të blloqeve të arave janë ngushtuar e degraduar se s’punon mirë pleqësia e fshatit. Mungon fryma kolektive e punës, fryma e aksionit dhe humanizmi për të ndrequr diçka. Njerëzit kanë firuar, blegtoria është pakësuar.
Rruga automobilistike e fshatit është në gjendje të mjeruar. Ajo është tërë gurë e gropa, e paasfaltuar dhe s’ka punëtor mirëmbajtës. Edhe ata pak njerëz që jetojnë në fshat jetojnë në kushte të vështira, sepse mungojnë kushtet social-kulturore, shëndetësore, mungon rruga, fugoni, ambulance, dyqani i tregtisë, shkolla, fryma e solidaritetit vëllazëror, etj. Përpiqen bashkëfshatarët e mi të gjorë të punojnë tokën, të prodhojnë sa më shumë patate, grurë, etj, por mungon rruga, mungon shpesh mekanika bujqësore, janë shtrenjtësuar shumë farërat e plehrat kimike e mbi të gjitha mungon tregu i shitjes së patates se shteti ynë i handakosur s’e ka mendjen te fermeri i gjorë e prodhimet e tij si administrues i jetës shoqërore, ekonomike e politike të vendit. Fshati Cerjan ka pasur poste kufitare që nga viti 1948 e deri më 1991 kur u prish sistemi. Në Cerjan janë bërë kërkime gjeologjike që nga 1965 e deri në fund të viteve 1970, për 15 vjet rresht me radhë ku janë zbuluar rezerva bakri e mangani.
Dikur ne kohen e kooperativës si në Cerjan e në mbare kooperativën prodhoheshin qindra e mijëra kv patate, te cilat shteti i tërhiqte me kamiona e i transportonte anë e mbanë vendit si ato për tregti, edhe ato për farë që dërgoheshin për t’u mbjelle në Myzeqe që në janar. Disa fshatarë që banojnë në qytet kanë mbuluar shtëpitë e tyre me llamarinë që të mos i kapë pika e të rrënohen. Disa prej tyre në pranverë e verë venë çdo ditë nga qyteti në fshat për të punuar tokat që ata të mos ngelin djerrë, por me vështirësi të panumërta, sepse mungon rruga, asfalti, mungon mekanika bujqësore, mungojnë subvencionet e shtetit në farëra e plehra kimike. Në një vend ku ndihet dora e shtetit jeta ndryshon, prandaj shteti duhet ta shohë më mirë fshatin me shpirt e mendje, me zemër e fonde se dhe atje jetojnë njerëz qe prodhojnë bukën e perimet e popullit, mishin e qumështin.
Në Cerjan tani është urgjente që Bashkia e njësia administrative të investojnë në rregullimin e rrugës që të shpie në fshat, në rregullimin e kabinës elektrike të fshatit dhe në drejtime të tjera sociale. Shpresa thonë se vdes e fundit. Le të shpresojmë se jeta në fshatin tim do të rilindë e do të gjallërohet dhe fshati do të rritet e rinohet. 7.03.2018