Kultura, Historia dhe Tradita Shqipëre prezantohet në Minnesota


Stenda Shqiptare në Festivalin e Kombësive.

“Edhe pse Stenda ishte, sipas mendimit tonë modeste, nga përshtypjet e vizitorëve doli një nga më të mirat. Interesimi për Shqipërinë, është i jashtëzakonshëm, dhe ndoshta duhet menduar më seriozisht për turizmin e organizuar. Shqipëria, edhe sikur vetëm turistike, do ishte një minierë floriri për banorët e saj”.

Agim Deva, bashkëshortja e tij Suela, së bashku me vullnetarë të tjerë nda Komuniteti Shqiptar, për katër ditë me radhë prezantuan Shqipërinë në Festivalin e Kombësive, që u mbajt në Minnesota të SHBA më 3-6 maj 2018.
Agimi i veshur me një kostum tradicional dibran dhe Suela një kostum të punuar shumë bukur të Tiranës, ngjallën interesimin e shumë vizitorëve në këtë panair, ku marrin pjesë 42 shtete.
Një baner me foto nga Shqipëria, Shkodra, Butrinti, Tirana, Kruja, si dhe portretet e Skënderbeut, Ismail Qemalit e Ahmet Zogut ishin vendosur në krye të stendës, ndërsa më poshtë objekte që tregojnë trashëgiminë tonë kulturore si çiftelia, fyelli, çajniku dhe objekte në miniaturë të një pusi apo punime me dorë të çantave, mbulesave, zbukurojnë stendën, ndërsa në krahun tjetër të stendës një flamur shqiptar me mbishkrimin “Albania”, janë gjithçka ku tregohet Shqipëria e sotme dhe historia e saj. Ndërsa në një ekran shfaqen vazhdimisht foto dhe informacione nga rajonet e ndryshme të Shqipërisë, me theks mbi turizmin dhe historinë.
Ajo që e bën të veçantë këtë prezantim është fakti se gjithçka është bërë në mënyrë vullnetare, pa asnjë mbështetje shtetërore ose ambasada jonë në SHBA.
“Rreth një muaj përpara se të zhvillohej aktiviteti bëmë një mbrëmje në shtëpinë tonë dhe ftuam shqiptarët e interesuar. Aty secili solli, sipas mundësive, objekte për të ekspozuar. Një pjesë e rëndësishme janë të familjes time, por ka mjaft nga Shqiptarët e tjerë, madje një numër i vogël edhe nga miq amerikanë”, tregon Agimi përmes emailit.
Ai tregohet mjaft entuziast pas përfundimit të panairit, duke vënë në dukje interesimin e madh të amerikanëve për Shqipërinë.
“Edhe pse kishim vullnetarë shqiptarë, si dhe dy amerikanë, përsëri nuk ishin mjaft, pasi, për çudinë tonë, interesimi i amerikanëve për Shqipërinë ishte i jashtëzakonshëm. Do të doja të kisha më shumë botime mbi Shqipërinë dhe vendet ku turistët mund të shkonin në Shqipëri”, tregon Agimi.
Stenda, rreth 9 m2, ishte falas, por Agimi dhe miqtë e tij kanë paguar për banerat, printimet e ndryshme, ekspozimin dhe materiale të tjera për përgatitjen e stendës.
“Edhe pse Stenda ishte, sipas mendimit tonë modeste, nga përshtypjet e vizitorëve doli një nga më të mirat. Interesimi për Shqipërinë, është i jashtëzakonshëm, dhe ndoshta duhet menduar më seriozisht për turizmin e organizuar. Shqipëria, edhe sikur vetëm turistike, do ishte një minierë floriri për banorët e saj”.
Festivali vjetor i Kombeve të Institutit Ndërkombëtar është festivali multikulturor më i larmishëm, më i vjetër dhe më i gjatë në Midwest. Që nga viti 1932, qëllimi i tij ka qenë të frymëzojë njerëzit për të zbuluar më shumë për botën tonë dhe për të përqafuar diversitetin e pasur kulturor në komunitetin ku jetojnë. Pothuajse 100 grupe etnike vijnë së bashku për një eksperiencë unike 4-ditore që feston trashëgiminë kulturore përmes vallëzimeve, shfaqjeve, ekspozitave, demonstratave dhe kuzhinës. Festivali është një departament i Institutit Ndërkombëtar të Minesotës, misioni i të cilit është “të ndihmojë amerikanët e rinj të arrijnë vetë-mjaftueshmërinë dhe anëtarësimin e plotë në jetën amerikane”.
Agim Deva prej më shumë se 10 vitesh jeton dhe punon në Minestora, së bashku me bashkëshorten Suela dhe dy djemtë, Erosin dhe Klevisin. Ai ka studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe ka qenë një ndër botuesit e parë në Shqipëri pas rrëzimit të komunizmit. Gazeta e tij “Eros” ka qenë një ndër më të shiturat pas viteve ‘90.