Dr. Ahmet Alliu, mjeku i parë i Dibrës


Me mjekun e parë dibran, Dr. Ahmet Alliun, u takova para disa ditësh në mënyrë krejt të rastësishme. Kisha pyetur për të sa herë kishte rënë rasti, sidomos gati çdo ditë të bijën, Anjeza Alliu, kur punonja në Ministrinë e Shëndetësise dhe kisha mësuar se ishte mirë nga shëndeti, (përveç një inerventi kirurgjikal që e kishte kaluar me sukses) dhe bënte një jetë të qetë e normale. Realisht më kishte marre malli dhe doja ta takoja e të çmallesha me të, por rasti nuk më ishte krijuar, pasi Tirana është qytet edhe i vogël edhe i madh njëkohësisht.
Një ditë në mëngjes teksa po nxitoja në rrugën e Barrikadave për në punë, pashë të vinte përballë meje një zotëri i veshur shik dhe me një kapele republike të vënë në kokë në mënyrë që të lejonte të shihje vetëm pjesën e fytyrës poshtë syve. Ecte i qetë e i shkujdesur dhe ishte në qejfin e vet. Kur u shkëmbyem më ra në sy një stil i veçante të ecuri që dikë më kujtonte. Pasi bëra disa hapa e tanimë po largoheshim nga njëri-tjetri, më ra ndërmend ecja disi karakteristike e Doktorit dhe u ktheve që ta pyes. Por sapo u ndodhem përballë , ai qeshi, hoqi kapelen dhe më tha; Jam Dr. Ahmeti. U përqafuam si vëllezër dhe pa asnjë diskutim i lamë problemet e ditës dhe ju drejtuam një kafeneje aty afër.
Biseduam hollë e gjatë, por pas pyetjeve të zakonshme për shëndetin, familjen, hallet e jetës në këtë periudhë tranzicioni etj., biseda jonë shkoi përpara. Mjekët kanë një avantazh të madh që unë e kam paraqitur thjeshtë, janë simite të një furre, pasi janë formuar në të njëjtën shkollë. Kjo i bën ata që të kenë njohje për shkollën, për pedagogët, profesionin pasi kanë studiuar njëkohësisht ose pak vite më parë apo pak më vonë në të njëjtin vend. Dhe për çfarë mund të bisedojnë dy dibranë, mjekë, përveç se për mjekësinë e për Dibrën, natyrshëm për mjekësinë dibrane.
Bisedën e udhëhiqte Dr. Ahmeti dhe unë më tepër po bëja dëgjuesin, edhe pse dhe unë kam studiuar shpejt dhe kam përvojen time në Dibër dhe në Tiranë. Tek po e dëgjoja me respekt Doktorin e parë të Dibrës, vura re se ai po më thoshte ca gjëra interesante edhe për mua që jam diplomuar para 49 vjetësh. E kam thënë edhe diku tjetër se duhet t’i bëjmë më të mëdhenj të flasin, t’i pyesim e t’i dëgjojmë, pasi secili prej tyre është një bibliotekë më vete dhe këtë fond nuk na e servir askush tjetër përveç vetë autorit. Duke qenë se po dëgjoja të dhëna mjaft interesante vazhdova ta pyes e ta ripyes dhe më lindi ideja që mendimet e tij t’i hedh në letër. Ndoshta dhe lexuesi do të gjejë gjëra interesante pasi bëhet fjalë për shërbimin tonë nga koha kur Dibra nuk kishte mjekë e mbahej me “miell uha” dhe deri në ditët tona. Se nuk ka qenë kështu. Për të arritur aty ku jemi sot është dashur mundi e djersa e shumë kolegëve, një pjesë e të cilëve janë larguar nga Dibra, ndërsa disa të tjerë mjerisht janë ndarë nga jeta, është dashur kontributi i gjithë personelit shëndetësor për t’i dhënë këtij shërbimi atë emër të bukur e të thjeshtë – Mjekësia dibrane. Megjithatë le të ja lëmë fjalën mjekut të parë të Dibrës, Dr. Ahmet Alliut.

Pyetje: Dr. Ahmeti, kur dhe ku keni lindur?
– Kam lindur me 25 mars të vitit 1933 në fshatin Strikçan të Zerqanit dhe jam i biri i Ramadan Alliut e kam dy motra dhe një vëlla, mësuesin e popullit Selim Alliu, i cili ishte mësues edhe për mua. Kam dy vajza: Ildën dhe Anjezën dhe bashkëshorte Anastasi Alliun një mësuese e njohur në Peshkopi.

– Na thoni ndonjë detaj për fëmijërinë dhe shkollimin tuaj fillestar.
– Fëmijëria ime ka kaluar përmes viteve të luftës së dytë botërore ku edhe vendi ynë ishte i përfshirë.
Klasën e parë fillore e kam bërë në shkollën fillore të Zerqanit në vitin 1944. Duke qenë se vinim nga fshatrat për rreth edhe drekën e hanim në shkollë. Shkolla fillore e Zerqanit asokohe kishte 4 mësues që kishin mbaruar normalen e Elbasanit. Mësuesi im i klasës së parë ishte nga Kosova dhe quhej Elhami Nimani, vëllai i të cilit erdhi më vonë nëpunës në Ambasadën Jugosllave në Tiranë. Punohej me përkushtim të madh si nga ana e mësuesve, por edhe ne nxënësve. Gjate viteve 1944, 45, 46 mbarove arsimin e plotë fillor.

– Po më tej si vazhdoi shkollimi juaj?
– Më vonë kam vazhduar shkollën unike (kështu e quanim atëherë arsimin 7 vjeçar, më vonë 8 vjeçar) në Peshkopi ku rrinim në konvikt. Kisha shokë nga krahina ime Selami Muglicën, Esat Cakën, Adem Sollakun dhe Riza Liken (për kuriozitet të lexuesit këta janë të katër nga Okshtuni). Kështu gjatë viteve 1946, 47 dhe 48 e kreva me sukses shkollën unike në Peshkopi

– Si vijuat më tej me arsimin e mesëm?
Në atë kohë ishte hapur shkolla Pedagogjike në Peshkopi dhe trendi ishte të studiojë aty për mësuesi. Po thuaj të gjithë ata që mbaruan uniken kaluan në shkollën Pedagogjike. Veç atyre që thashë më lart ishin edhe të tjerë si Mois Cami, Zenel Sula, Lutfi Hanku, të cilët studiuan për mësuesi.
Unë refuzova të shkoj në Pedagogjike dhe shkova në katund. Për fatin tim të mirë, atë vit u hap në Tiranë Teknikumi mjekësor me konvikt dhe pa hezituar unë shkova dhe u regjistrova atje. Gjatë viteve 1948-1952 kam kryer Tenikumin mjekësor dhe u titullova ndihmës Mjek.

– Dr. Ahmeti, meqenë se rreth nja 10 vjet pas jush atë shkollë e kam kryer edhe unë, na thuaj ndonjë detaj, si ishte atëherë ajo shkollë, që në kohën time u quajt Politeknikum, pasi përgatiste edhe farmaciste, ndihmës dentiste, laborante dhe mami?
– Në vitin e parë kishte më shumë lëndë të përgjithshme. Bënim pak fizike dhe matematike, por aq sa mendohej se i vlen profesionit tonë. Studionim latinisht dhe sidomos Rusisht. Nga lëndët mjekësore fillohej me Anatomin normale të njeriut. Në vitet e mëvonshme dominonin lëndët mjekësore dhe studimi i sëmundjeve të brendshme, infektive, të lëkurës që bëheshin në teori por edhe me praktike. Kështu ne dolëm të përgatitur dhe një pjesë që nuk vazhduan me tej, kanë shërbyer gjatë si N/mjeke në fshatrat e rrethet e tyre dhe kanë zgjidhur hallet e njerëzve duke qenë pranë tyre, por dhe të aftë profesionalisht.

– Po në Fakultetin e Mjekësisë si u regjistruat?
– Edhe këtu më ndihmoi fati. Më 22 shtator të viti 1952 u hap në Tirane Instituti Mjekësor që unë e konsideroj një date historike për Mjekësinë shqiptare. Nga ata që kishin përfunduar Teknikumin Mjekësor, rreth 32 veta kaluam direkt në Institutin Mjekësor ku ishim gjithsej 54 studente, prej të cilëve rreth 40 ishin konviktore. Hapja e Fakultetit në atë kohë bëri bujë të madhe dhe ne ishim vërtetë të kënaqur se do te bëheshim mjeke dhe do të ishim mjekët e parë të vendit. Kështu nuk kursyem asgjë, të gjitha forcat për realizimin e këtij objektivi që e kishim ëndërruar shumë e tanimë po bëhej realitet.

– Dr. Ahmeti, Ju keni studiuar në kohën kur pedagoget ishin nga Rusia dhe programet ishin rusë, pra shkolla ishte e tillë. A mund të na thoni ndonjë detaj, si funksiononte se veç të tjerave problem ka qenë edhe gjuha, shumica e pedagogëve nuk dinin shqip?
– Po ka patur shumë veçori shkolla në kohën tonë. Kjo së pari se pedagogët ose ishin shqiptare të shkolluar në perëndim në shkollat më në zë të kohës, ose ishin pedagoge të shkollës ruse, të moshuar e me eksperiencë të madhe klinike e pedagogjike. Midis pedagogëve shqiptarë, që në shkollë të mesme por dhe më vonë, na jepte obstetrike-gjinekologji Dr. Jovan Basha që kishte mbaruar shkëlqyeshëm në Vjenë, shok e mik i Lasgush Poradecit. Lëndën e Mikrobiologjisë e Bakteriologjisë e jepte Mjeku erudit shkodran Luigj Benusi që kishte punuar në Romë dhe në Institutin Luigj Paster në Francë dhe vetë ai kishte krijuar atje një vaksinë me emrin e tij. Të tjerë pedagogë kanë qenë patologu Nikolla Shurbani, pediatri Selaudin Bekteshi, Infeksionisti Nikolla Dushniku, i cili ishte edhe kryetar i komisionit shtetëror të diplomimit të mjekëve të parë shqiptar. Ndërsa Kirurgjinë e jepte i famshmi Frederik Shiroka dhe Frederik Paparisto edhe ky një mjek i shkëlqyer. Ne që kishim bërë Teknikumin mjekësor ishim më të përgatitur pasi kishim marrë më parë njohuri në fushën e mjekësisë dhe arrinim rezultate më të mira kur krahasoheshim me ata që vinin nga gjimnazet.

– Po pedagoget ruse si ishin si mësimdhënës, a ju kuptonin ata juve apo thjeshtë bënin punën e tyre?
Pedagoget ruse ishin të një kalibri të lartë dhe vinin pas eksperiencave shumëvjeçare në fushën e mjekësisë në vendet e tyre. Drejtori i pare i Institutit Mjekësor ka qenë Medar Shtylla. Por Zv. Drejtor i Institutit Mjekësor në vitet 1952-1957 ka qenë profesori rus Anikin, i cili jepte edhe Histologji. Nikulçenko, profesor në moshën 70 vjeçare jepte Anatomi normale, Profesori i Institutit të Neurologjisë në Moskë, Zaharov, erdhi të më dhe jepte Neurologji. Po kështu Semjanova jepte Anatomi patologjike dhe Mjekësi Ligjore, Shçepkin ishte profesor i Fizio-patologjise e mjaft të tjerë.
Mësimi fillonte në 8 të mëngjesit me leksione e vazhdonte me praktika e zaçote deri në orën 17 çdo ditë, veç të djelës. Çdo pedagog rus ishte i shoqëruar edhe nga një pedagog shqiptar që kishte studiuar në Rusi dhe që bënte edhe përkthyesin. Përkthyes ishin Profesorët Ferdinand Paparisto, Petrit Gaçe, Pëllumb Bitri etj., që më vone do të ishin autoritetet më të shquara të Mjekësisë shqiptare. Ne ishim të interesuar që të mësonim rusisht dhe të përgjigjeshim në gjuhën ruse në provime pasi pedagogët ruse ishin shumë të arsyeshëm e tolerantë me ne sidomos kur flisnim në gjuhën e tyre. Kjo na nxiti shumë që të përparonim më shpejt në gjuhën ruse. Sigurisht kjo ishte një bonus për në, pasi asokohe literature ruse në vendin tonë ishte dominuese, ndërsa mjekësia e tyre e zhvilluar edhe në shkallë botërore. Unë kisha një avantazh se isha gjithmonë me numër rendor 1, pasi emri fillonte me A dhe, përsëri i pari se mbiemri me fillonte me A. Kjo bënte qe të isha gjithmonë i pari që do të pyetesha në provime, bile dhe në provimin e shtetit isha i pari, kështu unë u bëra mjek nja 30 minuta para shokëve. Në këtë kuptim jam jo vetëm mjeku i parë i Dibrës, por dhe i pari në Shqipëri i diplomuar në vendin tonë. Kjo kishte një të keqe se duke qene i pari, komisioni i freskët dhe merrej me mua më shumë se me të tjerët, por pastaj çlirohesha dhe e gjithë dita ishte e lirë për mua, ndërsa shokët rrinin në radhë para derës së provimit. Por e shijoja fitoren para të gjithëve. Vitet ecën shpejt dhe më në fund në u diplomuam Mjekë dhe ishim 52 mjekët e parë të shkollës shqiptare në vitin 1957.

– Po më tej si ecën punët me mjekët e parë shqiptarë?
U shpërndamë të gjithë nëpër rrethe dhe unë erdha me gëzimin e një të riu në Peshkopi. Shoku im i klasës, Zenel Kazhani nga Mati, shkoi në rrethin e tij dhe u emërua në Burrel. Peshkopinë e njihja dhe erdha me gëzim se atje kisha bërë edhe shkollën unike siç ju thashë më lart. Por tani vija si mjek, bile i pari mjek dibran dhe kjo ishte përgjegjësi e madhe për mua. Me këtë entuziazëm që më shoqëronte nuk bëra asnjë ditë pushim, por shkova në Peshkopi dhe direkt në spital. Aty më priti me shumë ngrohtësi. Dr. Hysni Rusi, i cili kishte kohë që donte të largohej nga Dibra, kështu që dhe ai e priti me gëzim ardhjen time në Peshkopi. Ai më njohu me spitalin që asokohe ishte te ndërtesa njëkatëshe në formë U-je dhe i ndarë në pavione. Reparti Infektiv dhe Dispanceria ishin të ndarë nga spitali. Kapaciteti i shtretërve varej sipas profilit te pavionit. Kështu Reparti i Patologjisë kishte rreth 40 shtretër, Pediatria 35, dhe Kirurgjia 35 shtretër. Infektivi kishte 20 shtretër dhe ishte i ndarë nga pjesa tjetër. I dëgjova me vëmendje shpjegimet e kolegut, por u befasova kur më tha se ti do të punosh në Pediatri, në repartin infektiv, Mjekësi ligjore dhe Anatomi Patologjike. Ndërhyra dhe i them se unë nuk jam i specializuar dhe Pediatria është delikate e kërkon njohuri prej specialisti. Por Doktori nuk më la të flas më tej, por më tha: Në se ke vullnet dhe dëshirë për misionin që ke marrë për t’u bërë mjek, do ta shohësh edhe vetë pa kaluar shumë kohë rezultatin. Askush nga ne nuk ka dalë nga shkolla specialist për të gjitha, por unë e them me kompetence se jam Patolog, Radiolog, Pediatër, bile dhe Administrator specialist. Ne na bën puna specialistë. Tani e ndjej veten të përgatitur dhe jam i gatshëm të punoj kudo në sektorin e shëndetësisë qoftë edhe si Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Dhe ashtu ndodhi ai u bë një nga pedagogët e shquar në Fakultet, ndërsa mësimi i tij ishte udhërrëfyes për mua. Përveç se një njeri i mirë e fisnik, Dr. Rusi ishte human, studiues i zellshëm i mjekësisë dhe simpatizant i letërsisë dhe i muzikës.
Në Peshkopi do të vinte edhe Dr. Koço Poro, por ai po vazhdonte një kurs për ekzaminimin Radiologjik të stomakut, kështu unë mbeta për një periudhë dy mujore mjeku i vetëm i spitalit të Peshkopisë. Ishte përgjegjësi e madhe pasi përveç se mjek i ri duhet të mbuloja të gjithë repartet përveç Kirurgjisë të cilën e mbulonte Lona Toptani.

– Na thuaj ndonjë gjë për këtë specialiste pasi nuk dimë sa duhet për te.
– Lona Toptani nuk e kishte mbaruar Fakultetin. Kishte arritur deri në vitin e pestë dhe e kishte ndërprerë nga lufta. Por ajo kishte punuar gjatë gjithë jetës në Kirurgji me Kirurgun tonë më të famshëm, Dr. Frederik Shirokën dhe kishte mësuar shumë mirë, prandaj ishte e aftë profesionalisht. Krahas Kirurgjisë ajo mbulonte me kompetencë edhe Maternitetin dhe ishte plotësisht e suksesshme. Ishte njeri i mirë, e urtë e me shumë kulturë. Mbrëmjeve kur ishim të lirë, unë dhe disa intelektualë të tjerë, mblidheshim në dhomën e saj dhe luanim me letra e dëgjonim muzikë, natyrisht vendin e parë në bisedat tona e zinte Mjekësia. Në Maternitetin e Peshkopisë kanë punuar edhe Margarita Menzelxhiu (ishte gruaja e Jashar Menzelxhiut) si dhe Nora Palushi , Bardha Hasani, Drita Nura etj. të cilat patën emër të mirë në Peshkopi.

– Dhe si vazhdoi puna juaj në spitalin e Peshkopisë në ato vite?
– U përballa me një sëmundshmëri të pa imagjinueshme në rrethin e Dibrës, ku më alarmante ishin sëmundjet infektive që kërcënonin jetën e njerëzve , shpesh e ndërprisnin para kohe atë. Mjaft sëmundje vinin nga burime të ndryshme infeksioni, por kishte edhe probleme të kulturës së jetesës. Na u desh të ecnim shumë, shtëpi më shtëpi dhe të punonim sa me mjekime e ilaçe aq edhe me propagandë shëndetësore. Në një epidemi fruthi në vitin 1957 më është dashur të vizitoj brenda një ditë fëmijët e sëmurë dhe të bëj qindra vizita në një kohë të shkurtër në zonën e Gollobordës. Në zonat malore kam hasur e mjekuar tifo ekzentematike, tifo abdominale, meningjite meningo koksike e purulente dhe Difteri, pasi krupet difterike shkaktonin vdekje. Më vonë u mësova të bëj punksion lumbar të cilin vetëm e kisha parë në shkollë, mësova nga halli dhe kjo u bë rutinë në punën time. Më vonë u hap shërbimi i Neurologjise dhe kjo ishte punë e tyre, por ky ekzaminim bëhej me raste.
Në rrethin e Dibres Tuberkulozi ishte rrezik serioz dhe prekte edhe mosha të reja deri edhe fëmijë, pasi të sëmurët e moshuar hanin e flinin bashkë me ta. Ai ishte i përhapur në gjithë rrethin, por sidomos në zonën e Reçit, Dardhës etj. Në spitalin e Peshkopisë gjeta një Ndihmës Mjek që quhej Skender Hoxha, mjaft i aftë dhe shumë i rregullt në punë. I apasionuar në punë Skënderi kishte bërë i pari kartelizimin e Sëmundjes tuberkulare. Ai u martua me një vajzë nga Trepçet në Peshkopi, por kishte dëshirë të madhe të bëhej mjek. Iku nga Dibra dhe u bë Mjek e u specializua në Kirurgji, ka punuar në Lushnje dhe kohët e fundit ka ardhur në Tiranë.

– Dr. Ahmeti, po para se të vinit ju në Peshkopi dhe para se të bëhej ky spitali një katësh (që atëherë quhej “spitali i ri” ) për të cilin na folët, si ishte shërbimi shëndetësor në Peshkopi?
– Mbaj mend se që kur unë isha në shkollë unike na takonte të shkonim për t’u vizituar në spitalin e Peshkopisë. Në vitet e pas çlirimit, më 1944-1945, në Peshkopi kishte shërbim shëndetësor lëvizës, vinin herë pas here ekipe mjekësore nga Tirana, kishte dhe një spital të vogël i cili ishte vendosur në një shtëpi private, në shtëpinë e Imer Maliqit. Në atë spital sipas të dhënave që kam mundur të mbledh ka pas punuar një mjek Italian që quhej Savochio De Michele. Më vonë, gjatë vitit 1944 ky ishte Mjek në Zerqan dhe unë e njihja pasi ishte aty kur unë fillova klasën e parë në Zerqan.

– A dini gjë për fatin e këtij mjeku që u muar me shëndetin e dibranëve para jush, kur ju ishit fëmijë?
– Po, për çudi, ky mjek erdhi në Peshkopi në vitin 1982, pasi i kishte lënë mbresa kultura dhe mikpritja e dibranëve dhe ishte i shoqëruar nga Thanas Nano që asokohe ishte Drejtor i radio-televizionit. Thanas Nano dhe i biri (Fatos Nano) e kishin mik familjar Dr. DE Michelen dhe e shoqëruan ngado ku ai deshi nëpër Shqipëri. Unë e takova Doktorin dhe bisedova italisht me të, pasi nuk isha i panjohur me gjuhën e tij. Prej tij mësova se jetonte në Romë dhe kishte atje një fermë me mollë. Ai shprehu dëshirën që të shkonte në Zerqan dhe ne e dërguam. U kënaq e çmall me Zerqanin. Populli i Zerqanit , kuptohet ata më të moshuarit që e mbanin mend, u mblodhën në qendër dhe e takuan, e pritën me përzemërsi të madhe. Doktori iku i përmalluar e me emocione të medha nga Zerqani dhe nga Dibra.

Polifoto e mjekëve të parë shqiptarë të diplomuar në vitin 1957

– Po mjekë të tjerë jo dibranë dhe që kanë punuar në Dibër para jush a mbani mend?
– Dr. Menduh Skenduli ka qenë këtu që në vitin 1945. Në fillimet e punës së spitalit të ri njëkatësh me 150 shtretër, Dr. Skenduli solli aparat skopie për spitalin e Peshkopisë, që u vendos në një shtëpi private, pra jashtë spitalit, por në shërbim të tij. Bashkë me Skendulin, në vitin 1946 erdhi nga Korça Dr. Vasil Tomço.
Interesante ka qenë hapja e shërbimit të kirurgjisë në Dibër. Për këtë erdhi Dr. Shyqyri Çupishti, i dërguar nga ministria, i cili më parë kishte punuar në Vlorë dhe ishte me origjinë Egjyptiane. Kishte dy fëmijë dhe më i vogli vazhdonte atëherë shkollën 7- vjeçare të Peshkopisë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, më 1948, Dr. Shyqyriu bashkë me familjen e tij u arratis nga katundi Rabdisht.

– A keni mundur të mësoni për fatin e mëtëjshëm të tij?
– Po, kam patur rastin të njihem me Ksenofon Nushin, i cili kishte qenë ambasador në disa vende dhe kishte dijeni për të. Ai më ka treguar se Dr. Çupishti pas kalimit në Jugosllavi, nuk pranoi të qëndronte aty, por kërkoi të shkonte në Greqi. Nga Greqia ishte larguar për në Arabinë Saudite, ku kishte të afërmit e tij. Ky mjek sa qe në Dibër beri një punë të mirë, organizoi shërbimin kirurgjikal si në spital ashtu edhe ambulator. Përgatiti si asistent Njazi Kuçkën dhe shkonte me kalë kudo që e thërrisnin. Ai fitoi nam të madh asokohe se operonte kudo në çdo vend që shkonte.
– Meqë po na flisni për kirurgjinë, a keni patur rastin ta njihni Dr. Shirokën, kirurgun e madh shqiptar Frederik Shiroka?
– Po e kam njohur. Kur isha nxënës në Teknikumin Mjekësor, një grup nxënësish prej 6 vetash na dërguan te urgjenca e kirurgjisë ku priste Dr. Shiroka. Para se të fillonte mësimin na pyeti nga jeni dhe pastaj na bëri një pyetje. Si quhet ky shërbim ku jemi ne tani?. Ne u përgjigjëm menjëherë: kirurgji. Ai nuk mbeti i kënaqur. Pastaj na tregoi: chir= dore, pra kirurgji është punë e bërë me dorë. Kur mori vesh se unë isha nga Peshkopia më tha: “Atje te ju është një kirurg i mirë që ka mbaruar me mua në Graz të Austrisë, por që ka një të metë se nuk i respekton si duhet rregullat e asepsisë, kështu që plagët e operacionit i infektohen shpesh. Ishte fjala për Dr. Çupishtin dhe Shiroka i madh mund t’i bënte vërejtje kujtdo, pasi atëherë askush nuk ishte në nivelin e tij.
– Po të tjerë mjekë në Dibër kush kanë qenë në atë kohë?
– Pas Vasil Tomços, ka punuar edhe Lluka Dhimitri i cili kishte ardhur nga Durrësi. Në spitalin njëkatësh, aty nga viti 1952 mjek i parë ishte Hysni Rusi, drejtor i spitalit ishte nd/mjeku Xhavit Çiçi. Ky kishte punuar rreth 20 vjet në neurologji në Tiranë me prof. Xhavit Gjatën dhe ishte specializuar në këtë shërbim. E kreu mjaft mirë këtë detyrë, por kreu dhe detyra drejtuese jo vetëm në Peshkopi, por dhe në Maqellarë, Shupenzë e gjetkë. Por punonjësi më i vjetër i spitalit të Peshkopisë ka qenë Shefqet Domi, në fillim si laborant. Në vitin 1957, Shefqeti më takoi mua dhe më tha se i kishte bërë kërkesë e ministrit në emër të disa shokëve ku bënte pjesë edhe shefi i shëndetësisë Haxhi Rama, Iljaz Palushi, Sabri Çuni, Ramazan Gjeci etj. Ata i kishin kërkuar ministrit që të hapej një degë provizore në Teknikumin Mjekësor ku të plotësonin studimet dhe pastaj të vazhdonin për mjekë. U zhvillua një kurs studimi intensiv dhe pas 9-muajsh dhanë me sukses provimin dhe më pas u regjistruan në Mjekësi në fakultet. Në një kohë të shkurtër të gjithë u kthyen, vetëm Shefqet Domi, i cili nuk pranoi asnjëherë të trajtohej ndryshe, por si të gjithë studentët e tjerë pavarësisht moshës që kishte, e mbaroi me sukses Fakultetin e Mjekësisë. Më vone ai bëri edhe specializim për mjek laboratori, erdhi në Spitalin e Peshkopisë dhe punoi aty deri sa doli në pension e u transferua në Tiranë. Por edhe në Tiranë hapi një laborator klinik biokimik serioz dhe punoi me një staf të kompletuar deri javët e fundit të jetës kur e kishte kaluar moshën 85 vjeç.
Një kohë jo të shkurtër punova me Dr. Koço Poron. Ai kishte mbaruar liceun e Korçës dhe studimet e larta në Bukuresht të Rumanisë. Ishte mjek me intuitë dhe sy klinik. Kishte marrë shumë eksperiencë nga patologu i shquar i Shkodrës, Tasim Karagjozi që ishte me origjinë nga Gjirokastra. Lexonte rregullisht dy revistat prestigjioze të kohës njëra në gjuhën frënge e tjetra në gjuhën rumune. Me Koçon kisha marrëdhënie të mira, por ai nuk e deshte punën e administratës. Sa ishim bashkë mua me la autonom dhe unë bëja vizita në patologji, pediatri dhe në infektiv. Porosia miqësore që më dha ishte që të mësoja italisht pasi ai mendonte se është gjuha që dominohet nga terminologjia latine dhe kjo është shumë e nevojshme për një mjek. Njihte filozofinë, letërsinë dhe muzikën. Fliste për Shopenhaurin, Niçen, Kantin, e deri te Ajnshtajni. Në muzikë preferonte Xhuzepe Verdin dhe Bethovenin. Ma përmendte shpesh një thënie të Shopenhaurit “se vullneti qëndron mbi intelektin”. Motoja e tij ishte se “ Nëse një mjek, inxhinier, mësues etj. është i mbyllur në guaskën e profesionit, ai mund të bëhet një profesionist i zoti, por nëse veç profesionit ka njohuri edhe mbi filozofinë, poezinë, muzikën etj., ai ka shansin të jetë një inelektual i kompletuar”. Më nxiti të mësoja italisht dhe të lexoja edhe në fusha të tjera. Në Italisht më ndihmonte çdo darkë edhe vëllai i madh, Selimi, i cili ishte njeri erudit.

– Po me shërbimin Radiologjik kur keni filluar të

Disa intelektualë dibranë (1957), i pari majtas Ahmet Alliu, ne qender Jorgji Sinjari

?
– Aty nga viti 1960 m’u lehtësuan disi punët dhe vendosa të shkoj në një specializim njëvjeçar për Radiologji, pasi disa rrethe si Dibra, Korça, Durrësi, Spitali Ushtarak, Spitali Pediatrik dhe Berati, nuk kishin akoma shërbim radiologjik. Kështu në vitet 1960-1961, shkuam për specializim 6 veta nga këta rrethe ku morëm njohuri të plota rreth këtij shërbimi nën drejtimin e profesor Petrit Selenicës, që ishte atëherë radiologu më i mirë i vendit tonë. Me 1962 u ktheva në Peshkopi si mjek specialist dhe fillova të organizoj shërbimin e Radiologjisë. Jo të gjithë e kishin të qartë rëndësinë e këtij shërbimi në vendosjen e diagnozës. Dy mjekët më të mirë që kishte rrethi atëherë ishin Dr. Ahmet Kamberi dhe Dr. Mark Mirashi të cilët bashkëpunonin vazhdimisht me mua. Ata vinin së bashku me të sëmurët e tyre në radiologji dhe ekzaminonim bashkarisht. Dr. Marku kërkonte skopi edhe për diagnozat akute si Ileusi (ngatërrimi i zorrëve), perforacinet, frakturat dhe i shihte dhe vetë e pasi krijonte bindjen për diagnozën, pastaj e fuste të sëmurin në operacion, kështu ai kishte plotësisht sukses. Dr. Ahmet Kamberi kërkonte skopi të zemrës, të mushkërive, të tëmthit apo të rrugëve urinare. Unë kisha edhe shtretër në patologji. Me ardhjen e Dr. Ahmetit unë shpejt kuptova se më kishte ardhur në krah një mjek fjalëpak, shumë serioz e me kërkesa të larta në punë, kështu shërbimi u rrit nga ana cilësore dhe shkoi më përpara. Ai mësoi anglisht dhe filloi të lexonte revista të huaja, por kur unë e pyesja ishte gjithmonë modest. Kishte dhe mburracake midis nesh që hiqeshin se dinin shumë gjuhë, por në të vërtetë dinin pak, ndonjëherë fare fare pak. Në radiologji pata edhe bashkëpunëtor të tjerë si Iljaz Palushi, Rasim Manuka, Nazif Pijaneci dhe Hamit Xhaferri. Ky i fundit ka qenë për mua një shok e mik i veçantë, i aftë në punë, komunikues me njerëzit, i sjellshëm me këdo dhe mbi të gjitha një njeri i ditur që lexonte shumë libra, kishte shumë njohuri mbi letërsinë, historinë e gjeografinë dhe kishte shumë hobi të tjera veç mjekësisë. Më vonë erdhi në radiologji edhe mjeku Riza Vani.

– A jeni marrë me shërbime të tjera veç Radilogjisë dhe Patologjisë, gjatë aktivitetit tuaj?
– Në kushtet e një rrethi periferik dhe më pak mjekë e specialistë, kam qenë i detyruar të merrem me shumë shërbime të tjera. Për një kohë të gjatë kam kryer edhe detyrën e mjekut anatomo-patolog dhe të ekspertit të mjekësisë ligjore. Në detyrën e ekspertit ligjor kam patur vazhdimisht bashkëpunëtor një punonjës korret, nd/mjekun Kadri Puca. Sa herë kishte vdekje të dyshimta bënim autopsi për të konfirmuar shkakun e vdekjes. Dr. Ahmeti (Kamberi), jo vetëm insistonte por merrte pjesë edhe vetë në autopsi, e diskutonim rastin, pasi aty është vendi ku vdekja i shërben jetës. Më vonë në anatomi patologjike erdhi si mjek Mark Rajta, cili qendroi në Dibër 4-5 vjet dhe pastaj u largua. Ndërsa detyrën e ekspertit ligjor të rrethit e kam kryer për disa dekada. Duke qenë mjeku i parë i rrethit kam qenë i detyruar të punoj në shumë specialitete, sidomos në vitet 1957-1962. Gjatë kësaj periudhe kam punuar si patolog, infeksionist, pediatër, dermatolog, kriminalist, përveç anatomisë patologjike dhe ekspertit ligjor që përmenda më sipër. Kam qenë dhe kryetar I KML e i Kemp-it. Në vitet 1957- 1959 isha edhe mjek i stacionit teremal, ndërsa në vitet 1957- 1968 kam qenë edhe drejtor i Spitalit të Peshkopisë. Pas Medi Canit që iku me detyrë në Komitetin Ekzekutiv në këtë detyrë ka punuar edhe Dr. Fehmi Agolli i cili ishte organizator i mirë, por më vonë u largua për në rrethin e Durrësit. Drejtore të spitalit Peshkopi kanë qenë edhe Luiza Sula, Bajram Ndreu, Sheza Balliu, Qemal Çadri, Selami Nazifi, Ramazan Buci e disa të tjerë me të rinj.
– Po me mjekë të tjerë a keni patur bashkëpunim të ngushtë profesional dhe si kolegë?
– Sigurisht, unë kam qenë një tip i ngrohtë e komunikues edhe me popullin e pacientët, veçanërisht me kolegët. Në patologji në fillim ka punuar Dr. Skenduli, më pas erdhën Dr. Vasil Tonço e Dr. Hysni Rusi dhe Dr. LLuka Dhimitri. Pas tyre kam qenë unë dhe Dr. Koço Poro. Më vonë erdhi aty dr. Ahmet Kamberi, i cili edhe ai u transferua në Tiranë. Në patologjinë e Peshkopisë ka punuar më shumë se një dekadë Dr. Qemal Çadri, që kishte bërë specializim trevjeçar dhe ishte i specializuar në kardiologji, patologji dhe nefrologji. Kishte qenë student i shkëlqyer, ishte plotësisht i formuar profesionalisht, shumë serioz, inteligjent dhe i vëmendshëm në vendosjen e diagnozës e në mjekimin e të sëmurëve. Fjala e tij në konsultat mjekësore në spital ishte deçisive. Edhe konsultat që kanë ardhur ndonjëherë nga Tirana, nuk bënin asnjë korrigjim në punën e tij. Pas largimit të Dr. Qemali nga Dibra, aty punoi në kardiologji edhe Zana Lleshi e Dr. Shpresa Topuzi e cila vazhdon të punojë edhe sot. Po ashtu aty punoi e la emër të mirë edhe Nazmi Kaja, i cili ishte specializuar në Tiranë për problemet e diabetit te mjeku i mirënjohur Hektor Peçi. Në gastroenterologji ishte specialist Vebi Keta. Në neurologji erdhën e punuan si specialistë Sheza Balliu e më pas Dilaver Çorja. Në kirurgji veç Dr. Çupishtit që e kam përmendur më sipër kanë punuar edhe Lona Toptani, Dr. Treska, Dr. Simon Çapeli, Dr. Rushen Golemi, Dr. Piro Velo, e Dr. Naun Theodhosi. Ka qenë fat i madh për mua dhe popullin e Dibrës që në krahun tim asokohe punonte një kirurg i shkëlqyer, Mark Mirashi, që kishte ardhur me dëshirë në Peshkopi. Përveç se një kirurg i nivelit të lartë ai ishte edhe një intelektual i kompletuar dhe njeri human e fisnik. Ai erdhi nga Shkodra dhe punoi gati 15 vjet në Dibër deri sa u largua e punoi ne rrethin e tij, mjerisht është ndarë nga jeta para dy vjetësh. Në repartin e Kirurgjisë pati prurje të reja dhe bënë emër kirurgët vendas Irfan Jashari e Tahir Alku. Po ra në sy si një mjek shumë i përgatitur Dr. Arif Hasani. Ai punoi aty me kompetencë deri sa u largua në rrethin e Durrësit. Më vonë erdhi edhe Lulzim Pilafi, ndërsa në reanimacion Selim Oreshka e Lutfi Bruçi. Në ortopedi në Peshkopi punuan specialistët Leonidha Konomi e Myfit Gjunkshi.
– Po në shërbimet e tjera ç’mund të na thoni për kolegët me të cilët keni punuar?
– U bë një hop i madh në mjekësinë e Dibrës që e çoi atë në radhët e më të përparuarve. Në vitin 1974, u inaugurua spitali i ri i Peshkopisë, një ndërtesë e bukur e më shumë kate dhe që në atë kohë bile u konsiderua si i parakohshëm. Me gjithë ndonjë retush ajo ndërtesë është mirëmbajtur dhe është në gjendje të mirë edhe sot. Kishte ambiente të bollshme e reparte të ndara dhe kushte për një punë të mirë profesionale bile dhe shkencore. Shërbimi i obstetrike gjinekologjisë nuk u vendos në spitalin e ri pasi ai ishte i akomoduar aty ku sot është muzeu i rrethit. Disa vjet më vonë edhe ky shërbim erdhi e u vendos në spital. Në fillim këtu ka punuar një kohë të gjatë Lona Toptani, unë atë gjeta aty kur erdha dhe punuam disa vjet së bashku. Në këtë shërbim erdhën më pas mjekë dibranë si Rrahim Gjika e Hysen Pasha, Sashenka Nazifi, Vangjel Kamburi, Ibrime Mata etj. e shërbimi shkoi përpara. Por më duhet të dalloj një mjekë të shkëlqyer, fjalë pak e pune shumë, që ishte Sashenka Nazifi. Ajo u ambientua shumë shpejt, dinte të komunikonte mjaft mirë me pacientet e saj, fitoi plotësisht besimin e tyre dhe shërbeu më shumë ndërgjegje në rrethin tonë. Në shërbimin e pediatrisë isha vetëm ne vitin 1957. Aty erdhën e punuan më pas Dr. Skënder Pustina e Dr. Lame Koçi dhe më vonë Dr. Luiza Sula. Kanë punuar një kohë relativisht të gjatë edhe Dr. Ahmet Shahinaj dhe i paharruari Hasan Leshi. Këtu ka punuar edhe mjekja pediatre Avije Çadri që më vonë u transferua në Tiranë e shërbeu në maternitetin e Tiranës. Më duhet të theksoj se në Peshkopi punoi e jetoi edhe një pediatre e shkëlqyer për nga ana profesionale e njerëzore që ishte Mira Neziri. Ajo erdhi si specialiste e punoi në repartin e neonatologjisë të spitalit tonë. E aftë në profesion, por dhe mjaft komunikuese me njerëzit dhe me një sjellje të spikatur qytetare, ajo la mbresa të paharruara në Dibër. Më pas u transferua së bashku me të shoqin Dr. Basri Nezirin në Tiranë, ku dhe atje bëri karrierë, punoi në Ministrinë e Shëndetësisë dhe në Maternitetin Qendror të Tiranës e pati mjaft suksese. Para disa vjetësh ata u larguan për në SHBA. Nga vajza ime atje kam mësuar se Dr. Mira dhe në Amerikë punoi fort, njehsoi diplomën dhe punon aktualisht në një spital të Bostonit dhe pas vdekjes së të shoqit, jeton me djalin atje. Një pediatre e palodhur që punoi fort si në spital, por që shkoi në çdo zonë e dha kontribut të veçantë në uljen e vdekshmërisë foshnjore në Dibër ka qenë edhe kolegia jonë Uzrije Kalia. E them këtë sepse e njihnja pediatrinë, pasi e kisha mbuluar unë këtë shërbim, kur erdha për herë të parë në spitalin e Peshkopisë. Kur u nda më vehte shërbimi i dermatologjisë, erdhën e punuan aty dermamtologët Hazis Ndregjoni e më vonë Flora Lleshi. Repartin e Infektivit unë e gjeta të ndarë, por brenda spitalit. Më vonë këtë shërbim ja dorëzova Dr. Medi Canit. Mjeku dibran Medi Cani, pas diplomimit kishte filluar punë në Bulqizë. Më vonë ai u specializua si infeksionist e erdhi në Peshkopi, u bë ca kohë drejtor spitali dhe disa vjet të tjerë shef i shëndetësisë së rrethit. Nga mesi I viteve ‘70-të u transferua në Tiranë ku punoi pranë Spitalit Nr. 4-tër dhe pedagog në Fakultetin e Mjekësisë. Një kohë relativisht të gjate këtë shërbim e ka drejtuar Dr. Xhavit Miftari e me të punuan Tush Balliu, Uzrije Kalia, dhe Hajrulla Muça. Vazhdova të punoj si mjek në disa sektorë, kryesisht si patolog. Deri në vitin 1960 e perballonja vetë gjithë punën e spitalit. Në vitet 1966-1967, në kohën e tërmetit unë isha drejtor i spitalit. Ditët e tërmetit përballuam një punë jashtëzakonisht të madhe dhe probleme të ndërlikuara, bashkë me Dr. Mark Mirashin dhe kolegë të tjerë. Kemi patur dhe dy laboratorë me një nivel mjaft të mirë teknik e shkencor. Laboratori klinik biokimik të cilin e hapi dhe u udhëhoqi Dr. Shefqet Domi deri kur doli në pension. Ai shërbim mban sot në meritë emrin e themeluesit të tij “Dr. Shefqet Domi”. Aty ka punuar edhe mjekja Shega Shehu. Ndërsa laboratori bakteriologjik u udhëhoq me mjaft kompetencë nga Dr. Ali Sula, i cili kishte një nivel të lartë teknik dhe organizoi shumë studime e botoi artikuj shkencor, por mjerisht vdiq para kohe. Në një periudhë të mëvonshme aty punuan edhe Gani Kola e Fatbardha Bulku, përherë të shoqëruar nga laboranti i palodhur Sabri Haliti. Nuk dua të le pa përmendur edhe okulistët Sul Zhugli e Basri Neziri dhe otojatrit Met Kodra e Genc Shehu. Në shërbimin shëndetësor të Dibrës ka zënë një vend shumë të rëndësishëm edhe ai i Ftiziatrisë, për arsye të përhapjes së gjerë të tuberkulozit te ne. Në këtë sektor kanë punuar N/mjek Frits Paparisto, kur erdha unë aty ishte N/mjek Skënder Hoxha. Më vonë punoi në këtë shërbim Dr. Xhavit Konçi. Një periudhë relativisht të gjatë luftën kundër tuberkulozit në Dibër e drejtoi Dr. Lahim Puca, që ishte dhe ai ndër mjekët e parë të Dibrës. Kanë dhënë kontribut në këtë shërbim edhe specialistët Fiqiri Lika e Ibrahim Kaziu. Me mua nga dita kur erdha në Dibër në vitin 1957 e deri kur dola në pension në vitin 1999, kanë punuar edhe me dhjetëra e qindra punonjës me arsim të mesëm e bashkëpunëtorë të tjerë, por për arsye vendi e kohe, unë nuk mund t’i përmend të gjithë ata, por ju shpreh mirënjohjen dhe respektin tim të plotë e po ashtu i falënderoj për kontributin që dhanë për ruajtjen e shëndetit të popullit të Dibrës.
– Në rrethin tonë erdhën edhe disa mjekë titullarë nga Tirana, me afate 2-3 mujore, një pjesë e tyre edhe në kohën kur kemi punuar bashkë në Peshkopi. A mund të na thuash ndonjë gjë lidhur me këtë ? A keni organizuar ndonjë studim dhe si keni bashkëpunuar me ta?
– Mendoj se ka qenë një bashkëpunim i frytshëm ai me Prof. Fejzi Hoxhën. Së bashku organizuam një studim për strumën (gushën) në zonat Shupenzë, Gjoricë, Luzni, Qaf Murrë. Në darkë ktheheshim me profesorin ne Peshkopi, dhe meqë ai kishte një Radikulit shkonim çdo mbrëmje në llixha. Mbas dy javësh para se te largohej veç porosive të tjera më la një të veçantë. Të sëmurëve me reumatizëm mos u jep ilaçe, por rekomandoju të shkojnë në llixha sepse ato kanë vërtetë shumë efekt. Me Dr. Pavllo Pavli, organizuam një studim për problemet e mjekësisë ligjore. Prof. Kadri Kërçiku erdhi në Dibër dhe së bashku shkuam në Sllovë ku bëmë depistim në dy vatra për Sifiliz e sëmundje venerjane, ndërsa me Prof. Ilir Gjylbegun dhe Fedhon Meksin kemi organizuar një studim për sëmundjet gjinekologjike. Prof. Besim Zuma vinte për punë çdo vit në qershor dhe me të u familjarizova shumë, pasi e njihja mirë që në Tiranë. Kur unë shkoja në Tiranë, isha vazhdimisht mik i tij në shtëpi. Ishte shume i ditur, njeri i jashtëzakonshëm. Admironte filozofët gjermanë, sidomos Fridrih Niçen. Ai kishte jetuar 20 vjet në Turqi (në Stamboll) dhe kishte shërbyer rreth 40 vjet mjek në Gjermani. Kishte jetuar atje në periudhat e lëkundjeve të forta politike që sollën në fuqi Hitlerin dhe dinte të shpjegonte me hollësi si kishin ndodhur ngjarjet e mëdha atje, ngjarje që sollën Luftën e Dytë Botërore dhe pasojat e rënda për njerëzimin. Kam patur rastin të njihem edhe me mjekun e shquar shqiptar me origjinë nga Dibra, neuropsikiatrin Hiqmet Dibra. Ai kishte mbaruar studimet për mjekësi në Francë dhe po atje ishte specializuar. Kultura e tij ishte mjaft e gjerë jo vetëm në fushën e mjekësisë. Dinte përmendësh poezitë e Volterit, fliste me kompetencë për letërsinë sidomos atë italiane e franceze, njihte muzikën, ishte marrë në rini me sport. Por veçanërisht njihte me detaje “Komedinë Hyjnore”. Prej tij mbaj mend një poezi të marre nga “Ferri” i Dante Aligerit :
“ Askush mos harrojë se është lindur njeri
Lindur ju keni për të gjallue jo si shtazë
Lypset në këtë botë virtyt e dijeni.”
Në Peshkopi kanë qenë nga 2-3 muaj Simon Çapeli, Rushen Golemi, Gazmend Velçani, para se të vinte të në Dibër Mark Mirashi. Gazmendi erdhi dhe një herë për ndihmë gjatë vitit 1986. Në Peshkopi ka punuar edhe Naum Theodhosi, pediatri Durim Bebeçi, kardiologu Sali Berisha, i cili u bë iniciator edhe për ngritjen e reanimacinit në kardilogji etj.
– Na thoni ndonjë detaj lidhur me shërbimin farmaceutik, si ishte organizuar në atë kohë?
– Farmacisti i parë ka qenë Ivzi Baholli. Une gjeta në farmaci Masar Kapedanin nga Durrësi. Më vone erdhi në Dibër e punoi një kohë të gjatë Prenush Kola, Abdulla Hoxha, Fais Halili dhe më vonë shumë të tjerë.
Dr. Ahmet Alliu dhe Dr. Mark Mirashi, Peshkopi 1960

– Po lidhur me shërbimin stomatologjik në Dibër çfarë mbani mend?
Në fillim në Peshkopi ka punuar një ndihmës mjek nga Shijaku që quhej Fiqiri Deliallisi. Ai ishte edhe futbollist dhe ka luajtur me ekipin e futbollit “Korabi” kur trajner ishte Man Toptani. Pas tij aty nga viti 1964, erdhi në Peshkopi mjeku i parë dentist Dr. Qeram Nura. Më vonë erdhi edhe Zenel Zeneli, Nazmi Koçi, Luan Mati etj. dhe shërbimi mori formë e u zhvillua si në rrethet e tjera.

– Biseda juaj është shumë interesante dhe e denjë për të bërë një libër. Në kufij të një shkrimi të tillë na duhet të kufizohemi pak. Por dhe një pyetje dua t’ ju bëj. Si e vlerëson Dr. Ahmet Alliu punën e tij si mjek në Dibër? A e ka realizuar ai misionin e tij?
Po, që kur kërkova të studioja për mjekësi, më vonë gjatë periudhës së studimeve, por sidomos pasi u diplomova, kam arritur të kuptoj se nuk bëhej fjalë për një profesion, por një mision të rëndësishëm siç ishte ruajtja e shëndetit të popullit. Kam jetuar gjithë jetën me mendimin se kam diçka të shenjtë në dorë, shëndetin dhe jetën e njerëzve, ca më shumë të patriotëve të mi dibranë. Kjo më ka bërë të mos lodhem e të jepem kurrë. Që kur u diplomova dhe deri nga vitet ’60-të kur filluan të vijnë edhe mjekë të tjerë, kam patur një ngarkesë të jashtëzakonshme. Përveç punës në spital e vizitave në ambulancë, puna e kërkonte të shkoje nëpër zona afër dhe larg qytetit. Kam qenë në zona kufi me Librazhdin dhe kufi me Kuëksin, nga Qafë Bualli e në Zall Reç, nga Zall Dardha e në Lurë, në Trebisht e në Okshtun, ne pikat kufitare e nga mos, këmba ime nuk ka lënë vend pa shkelur. Kam qenë edhe mjek në Burrel. Kam punuar kryesisht në Radiologji, nga viti 1962 deri në vitin 1999. Gjatë aktivitetit tim kam zbuluar sëmundje të veçanta të mushkërive, të ezofagut, të zorrës së trashë. Në vitin 1999 mbusha moshën për pension dhe aplikova e me doli viza për në Amerikë, ku qëndrova 1 vit. Pastaj u ktheva në Shqipëri, por isha mësuar me punë. M’u ofrua një vend pune si radiolog në Burrel, ku shkova me kënaqësi. E njihja rrethin, por dhe gjeta një kolektiv të mrekullueshëm, me drejtor Hasan Ceni një kirurg i talentuar dhe njeri fisnik. Ai insistonte që të qëndroja gjatë në Burrel, por në korrik 2003 pësova një atak kardiak, u mjekova me sukses dhe kalova përfundimisht në pension e banoj familjarisht në Tiranë.
– Tani që I keni kaluar të 80-tat dhe keni me bollëk kohë të lirë, si e kaloni atë. Çfarë bën Dr. Ahmet Alliu në një ditë të zakonshme?
Në një ditë të zakonshme unë bëj një regjim të rregullt që i përshtatet moshës time. Kryej shërbimet personale dhe kujdesem për veten. Bëj dhe ndonjë detyrë të lehtë familjare, më shumë për të mbajtur veten, pasi në këtë drejtim nuk kam qenë shumë i dalluar as në rini. Pastaj në familje të gjithë kujdesen që mua të mos më mungojë gjë. Ka qenë fati im kështu dhe ka qenë gjithmonë, është edhe sot. Në një pjesë të ditës shëtis e dëgjoj muzikë, ose takoj ndonjë shok për kafe, siç bëmë sot bashkë. Por dashuria e vjetër e imja, nga e cila nuk u ndava kurrë as kur isha I ri e as sot, janë librat dhe leximi sistematik që pothuajse nuk e kam ndërprerë asnjëherë.
– Dr. Ahmeti, këtë “sëmundje” e kam patur edhe unë. Por më kujtohet që herët që ju ishit nga ata që lexonit vazhdimisht. A mund të na thuash se çfarë kategori librash ke lexuar apo të pëlqenin më shumë?
Më pëlqenin librat dhe libri në përgjithësi. Në rininë time padyshim që kohën më të madhe lexoja libra të mjekësisë, pasi profesioni me lidhte me to. Kërkoja, blija, merrja hua nga shokët e kolegët pasi kushtet ishin të tilla, por edhe 10 minuta kohë po të kisha do të lexoja dhe kjo i shërbente punës dhe rritjes time profesionale. Por sapo mbaroja me to kthehesha te libri artistik. Ai më dëfrente, më relaksonte, më ushqente shpirtërisht. Dhe kështu kam vazhduar gjithë jetën, kam lexuar qindra, ndoshta mijëra libra.
– Po tani çfarë lloj librash preferoni?
– Tani ndoshta kam arritur ti kategorizoj e ti zgjedh librat që lexoj. Kur isha në Burrel gjeta një librashitës të zotin nga Zerqani, Astrit Hafizi, që kishte një librari të pasur e të sistemuar mirë. Aty bleva dhe lexova shumë libra. Më pëlqejnë shumë librat me karakter filozofik, historik dhe padyshim edhe ata artistikë. Në fillim atje bleva një libër të Tajar Zavalanit që kishte punuar në Radio Londra. Në Burrel lexova Dostojevskin, Gëten dhe veprat e Pushkinit, të cilat i kisha shfletuar më parë kur isha në shkollë. Kam lexuar libra filozofikë si ato te Fridrich Niçes dhe kryeveprën e tij “Kështu foli Zarathustra”, por dhe të tjerë si Emanuel Kanti e Arthur Schopenhaueri. Më kanë pëlqyer edhe filozofët e lashtë si Seneka, Sokrati, Platoni, Spinoza dhe I kam lexuar me vëmendje ashtu si edhe Hegelin, Engelsin, Marksin, Karl Jung etj. Më pëlqen shumë edhe filozofia e teoria e Sigmund Frojd që duhet ta njohë çdo mjek, por veprën e Niçes jua rekomandoj kujtdo që i pëlqen libri të mos e lërë pa lexuar. Më kanë pëlqyer edhe librat me karakter historik si “Jeta” e Qemal Ataturkut, Çurçillit, Stalinit, Adolf Hitlerit etj. Kam lexuar dhe analiza me karakter historik si “Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror” të Samuel Huntingtonit, librin e Henri Kisingerit “ Rendi botëror”, “Selaniku qyteti i fantazmave” me autor Mark Mazoëretj. Kam lexuar edhe letërsi artistike në mënyrë të vazhduar dhe pothuajse i kam shfletuar të gjithë klasikët, shkrimtarët e mëdhenj francezë, italianë, angleze, ata rusë, amerikanë etj. Më kanë lënë mbresa “Komedia Hyjnore” e Dante Aligerit, “Hamleti”, “Makbethi”, “Mbreti Lir” dhe dhjetë kryeveprat e Shekspirit, “Lufta dhe Paqja” dhe “Ana Karenina” të Leon Tolstoit dhe veprat e Balzakut “Komedia njerezore” e “Evgjeni Grande”, i cili ka shkruar dhe një libër mjaft të ndjeshëm për bashkëshorten e tij me titull ”Zambaku në Luginë”. Kam lexuar edhe “Oliver Tuistin” e Çarls Dikensit, “Aventurat e Tom Sojerit” e shumë e shumë të tjerë. Padyshim autorët e mirë shqiptarë i njoh të gjithë.
– E kuptoj se galeria e interesave të tua artistike është shumë e gjerë. Si lexues i palodhur që keni qenë, çfarë mund t’u këshilloni lexuesve të sotëm?
– Me gjithë përparimet e mëdha të elektronikës e përdorimin e internetit, studimi e leximi I librave mbeten për mua me rëndësi të madhe e janë të pazëvendësueshëm. Libri është një shok i mirë që e merr me vete kudo, që nuk të le në baltë asnjëherë, një shok real e jo virtual. Leximi i librave dhe mësimi përmendësh i poezive është gjimnastika më e mirë që mund t’i bëhet trurit të njeriut. Prandaj libri përveç kulturës dhe kënaqësisë artistike që të sjell, ruan dhe shëndetin mendor e freskinë e trurit.
– Me gjithë këtë CV-në te pasur që keni, a jeni ftuar në aktivitete e përvjetore të rëndësishëm të shëndetësisë së rrethit Dibër?
– Kam marrë pjesë në 87-vjetorin e Spitalit të Peshkopisë. Dua të jem i sinqertë me ju dhe lexuesit. Mbeta i zhgënjyer sepse historiku i shërbimit shëndetësor të Dibrës u trajtua vetëm për vitet e fundit, sidomos në periudhën e demokracisë. Së dyti, asnjë fjalë nuk u tha për mjekun e parë të Dibrës dhe mjekët e vjetër dibranë e të huaj që kanë punuar 40 apo 50 vjet në shërbimin shëndetësor. Kemi një histori shumë të pasur, sakrifica pa fund e deri në vetmohim, ku mjeku i ka dhënë gjak nga trupi I tij të sëmurit. Është sëmundje e shoqërisë tonë që konsideron se historia fillon me mua dhe mbaron kur largohem unë. Por historia e shoqërisë apo e shërbimit është më e gjatë se historia e çdo individi kushdo qoftë ai.
– Dr. Ahmet! Me shokët e shkollës apo të specializimit këtu në Tiranë a takoheni ndonjëherë, si shkon shoqëria juaj e vjetër?
– Takohem rrallë, gjithnjë e më rrallë. Shumë prej tyre janë ndarë nga jeta, të tjerët janë shumë të moshuar dhe dalin pak, pasi kujdesen për shëndetin e tyre.
– Atëherë më lejo të të jap një këshillë prej miku. Nga biseda juaj kuptova se ke qenë gjithmonë i pari, i pari në teknikum, në fakultet, në provime dhe mjeku i parë i Dibrës. Mos syno të jesh gjithmonë i pari, lëri ndonjëherë radhën edhe e tjerëve.
– Ashtu do të bëj kësaj herë, kush ta ketë me ngut le të ecë para tha duke qeshur dhe më përqafoi gjithë sinqeritet.
– Jetë të gjatë dhe shëndet mjekut të parë të Dibrës, njërit prej miqve të mi të mirë, Dr. Ahmet Alliut. Pse jo, të gjithë mjekëve që e lanë rrugës jetën dhe shëndetin e tyre duke u kujdesur për shëndetin e të tjerëve.
Mars 2018