Infrastruktura, pengesë për zhvillimin e turizmit
Nga Bujar Karoshi


Gra të fshatit Kërçisht duke diskutuar me përfaqësues të bashkisë në lidhje me përgatitjen për kthimin e fshatit në një destinacion turistik. Foto: Facebook/Dibra Turizëm dhe Tradite

Banorët e Rabdishtit, Kërçishtit dhe Radomirës po rrisin interesin dhe investimet në infrastrukturën turistike, por rruga që të çon në këto fshatra mbetet pengesa kryesore.

Rabdishti gati për turistët, por rruga mbetet problem

Sabri Shahini nga Rabdishti i Dibrës ka disa muaj që ka filluar ta kthejë shtëpinë e tij në bujtinë. Por tani që fshati është shpallur një ndër 100 fshatrat me perspektivë zhvillimin e turizmit, ai po nxiton që punimet t’i kryejë sa më shpejt.

Sabri Shahini në njërën nga dhomat që po e përshtat si dhoma e miqve.

Shahini ka përfituar një grant rreth 18 mijë euro nga SARED, një program mbështetës për bujqësinë dhe zhvillimin ekonomik në zonat e pazhvilluara të Shqipërisë, program i cili ka filluar në vitin 2014, me mbështetjen e përbashkët të qeverisë gjermane dhe daneze. Nga ky projekt deri më tani në rrethin e Dibrës kanë përfituar mbi 30 fermerë, me një grant mbi 365 mijë eurosh.
Sabri Shahini, që të përfitojë nga grantet e SARED i duhet të investojë edhe nga buxheti i tij familjar rreth 40% të shumës, si dhe të ruajë faturat e shërbimeve të kryera, kështu që ai i mban në një dosje të veçantë. Rikonstruksioni përfshin ndërtimin e dhomës së pritjes, dy dhoma gjumi, kuzhinën dhe banjot e shtëpisë, vendosjen e një paneli diellor, etj. Kështu që shumë shpejt shtëpia do të ketë një kapacitet pritës prej 8 personash dhe në një kohë të afërt kapaciteti do të dyfishohet.
“Turizmi është  e ardhmja”, – thotë Shahini, që më parë ka pasur një dyqan në fshat, por që po e mbyll gradualisht, jo vetëm për shkakun e uljes së fuqisë blerëse, por edhe për faktin se fitimet janë shumë të vogla në krahasim me mundin dhe kohën e punës. Shahini gradualisht po mendon edhe për guidat që do të bëjnë mysafirët e tij, si marshimet në mal, etj.
Por si Shahini nuk mendojnë të gjithë në fshat. Një banor thotë se duket se ka më shumë fjalë se vepra. Ai mendon se pushteti lokal dhe organizatat që po përpiqen të ndihmojnë, duhet të jenë më të qartë në investimet në ndërtimin e rrugës, rreth 5 km, që lidh fshatin me qytetin e Peshkopisë.
Javën e  fundit të prillit në Rabdisht ishte përfaqësuesi i USAID/Albania Dennis Wesner së bashku me kryetarin e bashkisë së Dibrës, Muharem Rama.
Kryetari i Bashkisë u bëri thirrje banorëve që të ruajnë traditën e gurit, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për të përmirësuar infrastrukturën rrugore në fshat, pastrimin dhe shumë shpejt do ta kemi Rabdishtin një destinacion turistik. Ndërsa përfaqësuesi i USAID/Albania vlerësoi mikpritjen dhe peizazhin e mrekullueshëm të fshatit, por bëri thirrje për më shumë shtëpi pritëse, shtigje turistike dhe një kujdes më të madh për traditën, pastrimin.
Banorët, të gatshëm për të rritur investimet turistike në fshat, i kërkuan kryetarit të bashkisë investime për ujin e pijshëm, kanalizimet e ujërave të zeza, sidomos për asfaltimin e rrugës që lidh Rabdishtin me Peshkopinë.
“Kur i pyet thonë se do bëhet edhe rruga, ata thonë se përderisa qeveria e ka shpallur fshat turistik, do të bëje edhe rrugën. Nuk ka dhe nuk do të ketë turizëm pa ndërtimin e rrugës”, thotë një banor që nuk dëshiron të identifikohet.

Lugina e Setës, turizmi përballet me vështirësi

Në fshatin Arras, 17 km larg nga Rabdishti, Vladimir Marku ka vite që punon dhe mendon për turizmin. Ai ofron më së shumti guidat  që nisin nga Arrasi në drejtim të Lurës e Selishtës, por edhe guida në Korab, rafting në Dri apo ture me biçikleta që shkojnë në Kukës, Tropojë, Shkodër e Mal të Zi.

Shtëpia e Haki Golecit në Rabdisht, e cila po rikonstruktohet për t’u kthyer në një bujtinë pritëse për turistët.

Vladimiri nuk ka përfituar grante nga donatorë. Pyetjes se a ka marrë ndonjë ndihmë nga shteti apo donatorët, ai përgjigjet: “Ndihma kam marrë në ide, jo në vlera monetare”.
Për kthimin e tij në shtëpi pritëse ai ka investuar vit pas viti mbi 15 mijë euro. Aktualisht ka një kapacitet pritëse prej 10 vendesh dhe së shpejti do të shkojë deri në 16 vende.
Planet e Vladimirit janë më të qarta. Këtë vit planifikon të ketë mbi 40 ditë punë si guidë turistike, nga të cilat 36 ditë janë parapaguar.
Lumi i Setës, me ujërat e ftohtë dhe kanionet e thepisura janë tërheqës për turistët në perspektivë, por ndërtimet e HEC mbi të po e dëmtojnë turizmin në këtë rajon.
Vladimiri nuk dëshiron të flasë për këtë, por thotë se “një turist vjen për të parë natyrën, jo hidrocentralet”.
Vitin e kaluar mbi  250 turistë i kanë vizituar kanionet e Setës. “Të gjithë janë të mrekulluar prej saj, por edhe janë mërzitur kur kanë mësuar se këto mund të dëmtohet nga ndërtimi i HEC”, thotë Vladimiri.
Në lidhje me ndërtimin e HEC mbi Setë, një gjyq po zhvillohet në gjykatën administrative të Tiranës për anulimin e saj. Ambietalistët pretendojnë se ndërtimi i tij do të prishë ekosistemin në zonë, pasi HEC do të marrë ujin dhe do të degradojë natyrën e luginës.
Më 27 prill 2018, Vladimiri priti përfaqësuesit të USAID/ Albania, z. Dennis Wesner, i cili shoqërohej nga ekspertë të ALCDF dhe Zyrës së Informimit Turistik, të cilët vizituan Luginën e Setës, duke parë fermën e peshkut, Kepin e Xhitetit, Shpellën e Kloknezhës, dhe Sopanikën me ujëvarën e mrekullueshme.
Besnik Alku nga Fondacioni Shqiptar i Zhvillimit të Kapaciteteve Lokale – ALCDF, thotë se ndërtimi i HEC-eve në zonat me perspektive turistike e pengon zhvillimin e turizmit, por në rastet kur kjo nuk mund të ndalohet, lind nevoja e një dialogu mes investitorëve dhe banorëve të zonës, për të investuar në infrastrukturën e shtigjeve turistike.
Shtegu Setës është një nga pesë shtigjet turistike të evidentuara nga projekti Dibra- Turizëm dhe Traditë, i cili fillon nga Drini deri në Liqenin e Luleve në Lurë.

 

D2T: Dibra, Turizëm dhe Traditë

D2T është një projekt tjetër që po punon shumë me nxitjen e investimeve në Turizëm në Rabdisht, Kërçisht dhe Radomirë.
“D2T – Dibra, Traditë dhe Turizëm” është një projekt tjetër specifik që po i dedikohet zhvillimit të turizmit.  Projekti ka filluar vitin e  kaluar dhe ka një buxhet prej më shumë se 1 milion dollarë, me synim zhvillimin e këtij sektori, sidomos agroturizmit, në harmoni me natyrën, kulturën dhe mjedisin. Projekti po financohet nga USAID/Albania dhe Qeveria Suedeze dhe po zbatohet nga ALCDF në bashkëpunim me partnerët lokalë, Bashkinë e Dibrës dhe CNVP. Për momentin është hapur një thirrje për aplikime në infrastrukturën akomoduese të shtëpive pritëse me një fond prej 40 mijë dollarësh, që bashkë me investimet nga vetë banorëve parashikohet të kapë shifrën 100 mijë dollarë.

Shtëpia pritëse e Vladimir Markut në Arras.

“Deri tani kemi qenë në fazën e ngritjes së projektit, që do të thotë që forumi Dibra Turistike  është krijuar, është funksional dhe ka hartuar draftin e strategjisë për zhvillimin e turizmit në territorin e Dibrës, thotë Besnik Alku. Sipas tij, kjo strategji do të diskutohet shumë shpejt me komunitetet lokale dhe do të marrë miratimin e këshillit bashkiak.
“Në Rabdisht dhe Kërçisht, thotë Alku, komuniteti ka ecur përpara në lidhje me projektet për ndërtimin e infrastrukturës turistike. Janë zhvilluar takimet në komunitet dhe kanë zgjedhur komisionin e zhvillimit të turizmit, si dhe janë duke përcaktuar prioritetet për përmirësimin e infrastrukturës në fshat, si pjesë e planit të zhvillimit”.
Sipas Alkut, po në kuadër të projektit D2T, janë përcaktuar pesë shtigjet kryesore turistike dhe po punohet për krijimin e hartave, broshurave informuese dhe projektet e ndërhyrjes me infrastrukturën e duhur.
Shtegu i Setës nga Drini në Lurë; ai i Korabit nga Radomira në Korab; i Gramës nga Kastrioti në Gramë; Lugina e Shërimit nga Peshkopia në bjeshkët e Rabdishtit dhe Skërtecit si dhe i Kërçinit nga Kërçishti në Hinoskë, janë pesë shtigjet turistike që rekomandohen për turistët, dhe sipas Alkut, së shpejti do të plotësohen me programe itineraresh nga 1 dhe 5 ditore.
D2T deri më tani ka kontaktuar mbi 290 subjekte me perspektivë zhvillimin turistik; prej të cilëve 150 janë prodhues dhe 70 shitës shërbimesh, si dhe shumë shpejt do të vihen në veprim të shërbimit turistik mbi 20 gra dhe mbi 15 guida turistike të certifikuara.
Nën objektin e programit janë edhe liqenet akullnajorë të Lurës dhe Kacnisë, turizmi kurativ i llixhave, ai i historisë si dhe kulturës dhe artit.
“Në gjurmët e Skënderbeut dhe Kastriotëve” dhe “Oda Dibrane”, janë dy projektet e tjera që pritet të zhvillohen në të ardhmen, me qëllim nxitjen e turizmit në Dibër.
Alku thotë se Zyra e Informacionit Turistik në Peshkopi është në funksion të plotë, e gatshme të ofrojë informacion për turizmin në rajon si dhe shumë shpejt do të jetë edhe në web.

 

Problematika

“North Green Association” është një organizatë tjetër, e cila me mbështetjen e “Lëviz Albania” po zbaton një projekt në Dibër që quhet “Gjurmë të Gjelbërta për Dibrën”. Ditët e fundit të prillit, organizata ndërmori një aksion për pastrimin e përroit të llixhave nga mbetjet urbane, duke nisur nga Rabdishti.
Por nuk janë vetëm plehrat pengesë për zhvillimin e turizmit në rajon. Infrastruktura rrugore është një pengesë kryesore, por më e rëndësishmja është mënyra e shërbimit.
“Megjithëse dibranët dallohen për mikpritjen, ata nuk janë të gatshëm të ofrojnë shërbimet në këtë drejtim. Gratë dhe vajzat, sidomos në zonat rurale, janë të përjashtuara nga ky lloj shërbimi”, thotë një guidë lokale. Guidat lokale tregojnë se kur çojnë turistë në këto vende, marrin me vete edhe familjarë të tyre për të shërbyer, pasi gratë dhe vajzat e shtëpive pritëse në këto zona, nuk shërbejnë.

Z. Dennis Wesner nga USAID/ Albania dhe shoqëruesit e tij nga ALCDF gjatë një vizite në luginën e Setës, njëri nga shtigjet turistike të evidentuara nga projekti Dibra: Traditë dhe Turizëm. Foto: Facebook/Dibra Turizëm dhe Traditë

Gjithashtu, guidat lokale thonë se shërbimi i hotelerisë nuk është bashkëpunues. Disa hotele i rrisin çmimet, pavarësisht se në kohën e prenotimit kanë dhënë oferta më të mira.
Po ashtu, ushqimi nuk është shpesh ai i reklamuari. Në vend të pijeve tradicionale, si dhallë, lëng thanë apo raki, shtëpitë pritëse ofrojnë pije ma gaz dhe birra.
Por kjo problematikë nuk duket shumë shqetësuese në krahasim me infrastrukturën rrugore. Sepse banorët e këtyre anëve besojnë se “uji që lëviz – pihet”, ndaj edhe kur turistët të shtohen në këto anë, kujdesi për mjedisin dhe natyrën do të rritet.

* * *

Organizatat joqeveritare dhe pushteti lokal, me qëllim rritjen e biznesit të turizmit në rajon kanë hartuar edhe disa ditë festive gjatë vitit. Tani së shpejti do të jetë Festa e Qershive, dhe më pas disa festa të tjera si Festa e Shëngjergjit, Festa e Drinit, Festa e të Vjelave, Oda Dibrane, ndërsa më parë ishte Dita e Verës e shumë të tjera. Por të gjitha këto festa kanë mbetur jashtë vëmendjes së qytetarëve dhe medias qendrore, për shkak të infrastrukturës së dobët që lidh rajon me kryeqytetin. Autoritetet dhe bizneset me fokus turizmin besojnë shumë se me ndërtimin e Rrugës së Arbrit këto festa do të jenë më gjallëruese dhe turizmi do të ketë rritje të shpejtë. Por, deri atëherë, sakrifica është e vetmja mënyrë për t’i mbajtur bizneset e tyre të hapura dhe shpresat e gjalla.