Krijohet forumi “Të rinjtë e Dibrës”


Vetëm pak ditë më parë një grup të rinjsh dibranë hodhën idenë e krijimit dhe organizimit të një forumi të madh jo politik i të rinjëve dibranë për të lobuar, advokuar dhe të reaguar për të gjithë shqetësimet, kauzat apo problemet që të rinjtë e kësaj zone kanë.
Ideja e krijimit të të parit forum për gjithëpërfshirjen e të rinjve nga Dibra ishte prej kohësh, por vetëm pak ditë më parë u konkretizua dhe tashmë po vazhdon intensivisht punën e organizuar nga vetë të rinjtë për ta shtrirë si fillim idenë te të gjithë të rinjtë nga Burreli, Klosi, Bulqiza dhe Peshkopia.
Ky forum i quajtur “Forumi të Rinjtë e Dibrës” dhe aktualisht po punon në terren ku në çdo qytet ka përfaqësues që punojnë dhe përpiqen të çojnë te çdo i ri idenë e krijimit të këtij grupi. Shtrirja e grupit vazhdon të jetë në Universitet Shtetërore dhe private ku studiojnë të rinjtë nga Dibra. Vazhdimisht janë projektuar takime dhe lobime në qytete për të folur me të rinjtë që bëhen pjesë e këtij forumi.
Takimet e grupit bërthamë janë të shpeshta ku pritet shumë shpejt të organizohet një takim i madh me të gjithë të rinjtë e anëtarësuar, dhe jo vetëm, për të marrë nisma reale në komunitet. Një fushatë anëtarësimi po bëhet online edhe me formularë të shkruar, ku me të vërtetë ka pasur një interesim shumë të kënaqshëm nga të rinjtë.
Universitetet në Tiranë janë shprehur të gatshëm të bashkëpunojnë duke vënë në dispozicion salla takimesh pa asnjë kosto.
Mesazhe të shumtë vijnë çdo ditë në faqet elektronike të forumit ku shumë të rinj interesohen dhe japin ide e kontribut për vazhdimin me aktivitete të forumit. Në çdo qytet ka koordinatorët lokalë, ku po punohet për veprimtaritë dhe anëtarësimet e çdo të riu që ka dëshirë të jetë pjesë e kësaj lëvizje rinore.
Edison Balla, një nga ideatorët e parë të këtij forumi, thotë se “ishte një ide e kahershme që të mblidhte të gjithë të rinjtë e Dibrës bashkë. Dibra ka shumë të rinj që me zemër duan të jenë aty por situata dhe politikat e ndjekura gabim kanë bërë që ata të largohen me idenë për të punuar jashtë saj. Revolucioni gjithmonë ka ardhur nga të rinjtë dhe pikërisht ne duhet të ndihmojmë që diçka të ndryshojë për mirë në vendin tonë”.
Në rrethin e Dibrës ka me dhjetëra kauza që duhet të ngrihet zëri, të sensibilizohet, të ndihmohet sadopak në zgjidhjen e tyre. Mjafton të kujtojmë statutit e minatorit, papunësinë, paragjykimet dhe dëmet që japin ato në shoqëri, tregjet e pasigurta apo mbetja e mallit stok të fermerëve janë kauza që na shqetësojnë çdo ditë.
Përse duhet të bashkohen të rinjtë dibranë rreth këtij forumi? Është një pyetje që çdokush mund ta bëjë. Forumi të rinjtë e Dibrës është një grupim të rinjsh, me potenciale dhe dëshirë të madhe. Është një grupim jopolitik dhe nuk financohet nga askush, çdo gjë është vullnetare dhe për çdo problem që shqetëson Dibrën do jenë gati të ngrenë zërin, deri sa ai problem të shkojë drejt zgjidhjes. Të rinjtë duhet të bëhen bashkë, sepse sa më shumë të rinj të reagojnë, aq më shumë sukses do të kemi. Efekti i këtij grupimi po ndihet akoma pa filluar mirë, duke parë se interesimi nga të rinjtë ka qene i madh. Ky grup do të jetë një zë i fortë për Dibrën.
“Forumi të Rinjtë e Dibrës”, fton çdo të ri për të qenë pjesë, duke kontribuar me aq mundësi sa kanë. Dibra ka nevojë që të rinjtë e saj të kthehen duke ndërtuar atë ashtu siç prej vitesh janë munduar ta ndërtojnë paraardhësit tanë. Forumi do të jeni shumë shpejt pjesë e ndryshimit për mirë të Dibrës.