LILIANA SHEHU, SHEMBULLI MË I MIRË PËR TË RINJTË TANË!


 

Sa herë na ka ndodhur që të dëgjojmë për persona të cilët, edhe pse bëjnë një punë kolosale, nuk njihen apo nuk flitet shumë për ta. Ato nuk preferojnë të jenë në qendër të vëmendjes, por vazhdojnë me fisnikëri e bindje të çojnë deri në fund qëllimet dhe detyrat ndaj njerëzve të cilëve u shërbejnë.

Liliana Shehu është njëra prej tyre. Ajo është  një vajzë pothuajse e panjohur, por  që nga viti 2005 bën një punë me të vërtetë humane dhe për t’u pasur shembull. Lindi më 1 Tetor të vitit 1981 nga një familje e madhe dhe e njohur në fshatin Vleshë të Dibrës. Pasi mbaroi arsimin 8- vjeçar  të asaj kohe në vitin 2000, u zhvendos në kryeqytet duke nisur një stad tjetër të jetës së saj. Mes vështirësive të shumta duke thyer mentalitetin aq të mprehtë të fillimviteve 2000 ajo guxoi të dalë jashtë mureve të paragjykimit. Liliana studio për 5 vite Infermieri dhe fill pas studimeve ajo fillon punë tek reparti i Neonatëve në një nga Martenitetet e Tiranës, e që prej asaj dite jeta e saj është jeta e çdo të linduri parakohe që ja del mbanë të jetë shëndoshë e mirë.

Shumë prej jush u ka ndodhur të përjetoni ankthin, frikën, pasigurinë dhe gjendjen e alarmit në veten tuaj që bebi që keni përpara syve nuk do t”ia dalë dot! E në këto moment të vetmit ku lutemi janë zoti dhe aftësia e doktorit dhe infermierit . Nuk ka ndjesi më të ashpër pafuqie dhe dorëzimi pa kushte kur përpara syve ke një foshnjë të lindur shumë parakohe dhe që shanset për të mbijetuar dhe për t ia dalë pothuajse janë të njëllojtë.  Ndoshta natyra është treguar bujare me ju dhe familjarët tuaj duke mos u sprovuar dhe natyrisht nuk keni nga ti njihni këto heroina si Liliana që prej plot 12 vitesh duart e saj kanë shpëtuar dhjetra jetë fëmijësh duke marrë bekime të panumërta nga nënat dhe familjarët që pas atij moment nuk do ta harrojnë kurrë atë moment.

Liliana Shehu lindi e varfër por me një shpirt të madh. U edukua nga familja e saj me idenë që ndershmëria dhe puna me djersë është çelësi i një suksesi të vërtetë që tashmë ajo e ka arritur.  Një vajzë me karakteristika të një dibraneje të fortë, me një këmbëngulje, ndershmëri  dhe pasion të shterur ka bërë që jo vetëm familja e saj , por edhe Dibra të ndihet krenare për të. Një shembull force për të mposhtur çdo pengesë, duke përballuar mjaftë mirë çdo lloj situate.  Në 12 vjet me neonatakët kjo heroinë ka çuar në shtëpi vetëm një tufë lule dhe asgjë më tepër se rroga e saj. Dhuratat tjera për të, janë jetët e shëndetshme të çdo foshnje që ka parë sa një topth të vogël të kuq e më pas  mes përkujdesjesh titanike, shpesh edhe në kushte të vështira, ja kanë dalë të jetojnë dhe të jenë të  fëmijë të shëndetshëm.

Larg familjes duke hasur shumë sakrifica që në mendjen e disave nuk imagjinohen, Liliana ka 12 vite që gdhin shumicën e netëve në sallonet e pavionëve të maternitetit ku ajo punon. Edhe pse është ende e re, ajo bën një jetë ndryshe nga vajzat e insagramit, bllokut, trendeve të shfrenuara apo dhe një jetesë siç një pjesë e madhe e moshës së saj e bëjnë. Kur një neonat është në krizë frymëmarrjeje, Liljana dhe foshnja, jo gjithmonë kanë luksin të presin mjekun. Ndaj ajo është ushtruar e përsosur vetë, me një vullnet të pazakontë, që të jetë plotësisht imazhi i bluzës së bardhë e të mrekullueshme që ndihmon jetë. Të vockla. Pa marrë kurrë asgjë më shumë se kënaqësia që fal buzëqeshja e një vajze të sapo bërë nënë. Liljana vazhon të ketë vetë nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale që pret. E pret. E pret. Se kurrë nuk vuri askënd e asgjë para jetës e rritjes së foshnjave. As veten e vet. Inkubatorë ku nënat shohin me ankth nga xhami krijesat e tyre, dhe me lutje të thella, dorëzuar, presin e ndjekin duart, mendjen dhe veprimet e duhura të Liljanës tonë të dashur!

Ditët dhe netët e saj nuk janë thjesht punë. Ato janë betejë pas betejash. Janë jetë që varen në fije të perit, nga fati i shkruajtur nga zoti dhe aftësia e duarve të doktorëve. Dita e saj kurrë nuk mund të nisë e njëjtë me ditët tjera. Lili, siç e thërrasin në përgjithësi, tregon për gazetën tonë që pavarësisht turnit edhe rastet në pavione janë nga më të ndryshmet.

“Kam parë shumë lot gëzimi dhe në disa raste edhe lot mërzie, se fëmija e tyre nuk arriti dot të kalonte pragun e jetës. Jo gjithmonë kemi pasur fatin t’u japim prindërve lajmin që duan sepse dihet që fëmijët që lindin para kohe, shanset mes jetës dhe ikjes i kanë të barabarta. Kanë kaluar shumë vite dhe normalisht kam mësuar shumë, duke punuar dhe duke sakrifikuar çdo gjë, duke lënë çdo kujtim në Dibër dhe pse mundohem të vij sa më shpesh atje. Atje kam prindërit dhe çdo gjë timen. Për Dibrën, dhe veçanërisht Vleshën, me merr me të vërtetë malli, sepse aty linda dhe aty mora çdo të mirë që sot e kam si pasaportë për të vazhduar më tej.

E pyetur se çfarë mendimi ka për të rinjtë, ajo tregon se është e mendimit që “buka e fituar me djersë kurrë nuk do humbasë”. “Përpiqem të motivoj gjithmonë të rinjtë dhe trended e fundit nuk po ndikojnë shumë pozitivisht tek to. Këshillat që mund të jenë për to janë që të kenë një ide të qartë dhe të mos dorëzohen kurrë deri në mundësinë e fundit që kanë. Të provojnë çdo punë të ndershme dhe të guxojnë. Uji që rrjedh pihet, themi ne Dibranët. Të rinjtë e Dibrës kanë me të vërtetë potencial prandaj dua tu them: Guxoni, punoni dhe gëzoni suksesin sepse ai do të vijë patjetër.”

Liliana përveç profesionit është dhe një familjare e përkushtuar, ku pavarësisht lodhjes dhe stresit që ndonjëherë Tirana të shkakton, ajo gjen çdo herë mundësinë për të qenë pranë familjes si në Dibër po ashtu edhe në Tiranë. Madje disa prej familjarëve të saj tregojnë për energjinë e pashtershme që ajo mban në vetvete duke mos llogaritur aspak lodhjen dhe stresin. Edhe shoqëria për të është një tjetër faktor shumë i rëndësishëm që e vlerëson me një rëndësi shumë të madhe. Ka ditur mjaftë mirë të ruajë shoqërinë e vjetër dhe gjithmonë mundohet të mbajë kontakte me njerëz të rinj. Siç thot ajo: “koha gjendet vetëm nëse ti e kërkon atë  dhe nëse planifikon mirë gjërat”.

Njerëz si Liliana Shehu po bëjnë punë jetike dhe realisht nuk po marrin atë shpërblim që ato në të vërtetë u takon. Për to duhet të flitet më shumë, të motivohen dhe të vlerësohet çdo kontribut si shpirtëror ashtu dhe ekonomik, sepse nuk është e thjeshtë të sakrifikosh çdo gjë për hir të një profesioni. Vlerat që ato mbajnë janë me të vërtetë më të mëdha se antivlerat e disa pseudopersonazheve, që pafundësisht flitet për to në çdo media apo pushtet tjetër.  E vetmja media sociale që ka folur për Lilianën është portal “Vajzat për Shqipërinë”, prej së cilës mësuam punën e palodhur që ajo bën.

Ndjehemi në faj që s’ka kamera, skena, interes e instagramë për ty dhe punën tënde hyjnore. Por na sfidon me parimet, punën e modestinë tënde. Faleminderit që mban mbi shpatulla Shqipërinë që nuk e njohim. Faleminderit të gjithë atyre si puna jote që pa kursim shfrytëzojnë çdo potencial,  vetëm që të shohësh buzëqeshjen tek nënat dhe foshnjet e tyre. Dibra duhet të jetë krenare për ty!