Kryeministri në Klos: Gjetëm një projekt që kushtonte shumë më tepër


Është e vërtetë, 550 vjet pas ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit që vjen prej Dibre, për të ardhur në këto fushëbeteja epike të Dibrës, ku u shkrua dhe fati i kombit tonë, shpesh, edhe pse sot shkohet e vihet me makinë, duket sikur shkojmë e vijmë me gomar, sepse rrugët ekzistojnë, por janë në gjendje të mjerueshme. U lanë rrugëve për 20 e kusur vite dhe nëse do të ishin bërë gjërat me mend, me projekte dhe me radhë, Rruga e Arbrit do të kishte përfunduar të paktën 10 vjet më parë.
Por, fatkeqësisht, qeveria që e premtoi me më shumë fuqi e me më shumë ulërima se të gjitha të tjerat, jo që nuk e përfundoi, por vetëm sa e pickoi, siç bëri në të gjithë Shqipërinë, duke na lënë ne barrën që t’i bëjmë rrugët, por duke lënë mes nesh dhe rrugëve një gropë të madhe borxhesh.
Për Rrugën e Arbrit, në marrjen e mandatit gjetëm 5 kontrata me vlerë 2.6 miliardë lekë, por i gjetëm faturat në tavolinë. Asnjë kokërr leku të paguar. Rruga nuk diskutohet që nuk dukej asgjëkund. Dukeshin vetëm gjurmët e atyre festave me daulle e me shirita për ato inaugurimet për t’i hedhur hi syve kësaj dynjaje.
E njëjta situatë ishte kudo dhe këtë dua ta përsëris për të gjithë ata që kujtojnë se të bësh një rrugë është njësoj si të shkruash një koment në Facebook, – e mendove, e bëre. Ndërkohë që të bësh një rrugë do të thotë të projektosh, do të thotë të gjesh financimin, do të thotë të ndërtosh kontrata dhe të kesh një supervizim serioz. Asnjë nga këto të katërta nuk bëheshin derisa ne morëm detyrën.
Projekte copë-copë, si projekti i Rrugës së Kombit, që sot jeni ju dëshmitarë, janë të gjithë shqiptarët dëshmitarë, që na sjell lajme me masivë dheu që bien në rrugë e me shkëmbinj që shkëputen e rrezikojnë jetën e njerëzve. 37 pika kërcënimi për sigurinë ka ajo rrugë, e projektuar në këmbë dhe e ndërtuar shkel, shko, bjeri daulleve dhe ik…
Për Rrugën e Arbrit, ne gjetëm një projekt që kushtonte shumë më tepër se ky dhe që ishte mizerje, me tunel pa tub emergjence. Gati 3 kilometra tunel për t’i futur njerëzit brenda, pa iu lënë mundësi të dalin, nëse ndodh, largqoftë, ndonjë hata. Është e ndaluar në të gjithë botën, edhe në Afrikë, të ndërtosh 3 kilometra tunel dhe të mos kesh dalje emergjence. Po ashtu, kjo rrugë bën dyfishin e punëve, bazuar në projektin e ri dhe më e bukura për ju është që lidh edhe Klosin…

Ndërsa brenda kësaj periudhe që ne do të ndërtojmë rrugën, ju do të shikoni që do të ketë një urë nga njëra anë e tunelit, 220 metra, 150 metra e lartë dhe një urë tjetër nga ana tjetër e tunelit, matanë, po kaq dhe Klosi do të lidhet me Tiranën për 30 minuta, Bulqiza për 40 minuta, Burreli për 60 minuta dhe Peshkopia që është pak më larg, përsëri do jetë shumë më afër, 80 minuta Distanca që ishin të paimagjinueshme, por që ama do përshkohen si zotëri, jo si shofer ku Benz-i të duket si mushkë kur vjen këtu. Edhe kur zbret nga vetura, të duket sikur ke zbritur nga mushka….
Miqtë e mi, unë ju falënderoj të gjithëve këtu. Më vjen shumë keq për të gjithë torturat e pafundme. Do kisha dashur dhe do kishim dashur t’i bënim më shpejt këto punë, por veprat publike dhe punët e qeverisë nuk janë si komentet në Facebook që bëhen shpejt, – prandaj dhe unë bëj shumë komente se bëhen shpejt. Janë punë komplekse që kërkojnë angazhime të mëdha dhe kërkojnë kohë dhe durim. E di që durimi është malli më i shtrenjtë sot në Shqipëri, se gjithë këto vite, duro e duro, iu ka ardhur të gjithë njerëzve në majë të hundës, por vetëm mos më ngatërroni mua me 20 e ca vjet përpara sesa të merrja detyrën. Për çfarë mbaj përgjegjësi dhe mbajmë përgjegjësi, jemi gati të mbajmë përgjegjësi.
Gabime kemi bërë dhe do bëjmë sepse punojmë, por faje ndaj këtij vendi, kurrë, kurrë! Sepse, siç e nisa me një shprehje të heroit tonë kombëtar dhe po e mbyll me këtë shprehje që për mua është një nga motivet e punës time; Çfarëdo që të ndodhë, unë do të jem mik i virtytit dhe jo i fatit dhe deri në fund do bëj bashkë me të gjithë shokët dhe shoqet e armëve, gjithçka mundemi që të fitojmë kohën e humbur për dekada. E duke shpresuar që durimi që është malli më i shtrenjtë do të gjendet në atë tregun e komuniteteve të debatit e të diskutimeve, na shani sa të doni, vetëm na doni sa të mundeni.
(Fjala botohet me shkurtime. Të plotë mund ta lexoni www.kryeministria.al)
Kryeministri në Peshkopi: Rruga e Arbrit është një çështje drejtësie!

Duke ju parë këtu sot të mbledhur në këtë krahinë të Shqipërisë, që Shqipërisë i ka qenë djep dhe mburojë dhe shqiptarizmës oxhak dhe orakull, vetvetiu më vjen si jehonë një ngashërim në ngazëllim. Më vjen si jehonë, përjetimi i përflakur në mall e mallëngjim i një tosku të pavdekshëm të cilin Dibra zemërbardhë dhe zemërmadhe e birësoi si djalë dhe si shehid të bëmave të saj kombëtare.
“Ndodhesha në Dibër, – kujton Abdyl Frashëri, sipas dëshmisë së sjellë prej arbëreshit Anselmo Lorecchio, – përpara një mizërie njerëzish që më dëgjonin. U tregoja atyre se e ardhmja jonë varej nga bashkimi ynë si shqiptarë. Ja, ju keni ardhur këtu që të vendosni për diçka me rëndësi të madhe dhe keni ardhur këtu të armatosur deri në dhëmbë, kurse armët i mbani në krahë fisnikërisht që t’i përdorni për të ngrënë kokat e vëllezërve tuaj! Vëllezër, vetëm po të vëllazëroheni ngushtë me njëri-tjetrin, ju mund të shpëtoni jetën e nënës tuaj të përbashkët, Shqipërisë”.
“Nuk kisha mbaruar akoma së shqiptuari fjalën e fundit, – vazhdon Abdyl beu – kur u ngrit një uturimë e madhe që më bëri të dridhem, por një çast më pas u ngashëreva derisa më shkuan lot në sy kur pashë tërë atë mizëri që me një lëvizje prej vetëtime hodhën në tokë armët dhe po shtrëngonin me njëri-tjetrin duart e djathta, si miq të vërtetë!”
“Në këtë tokë të bekuar, dëshmitare dhe dëshmidhënëse të një përkushtimi kaq të madh Frashërlliu qau si fëmijë, – kujton shkruesi i këtyre kujtimeve, – tek pa malësorët gegë të fortë si malet të përqafoheshin si vëllezër”. Këtu janë përlotur brenga dhe bëma nga më domethënëset e shqiptarisë, ashtu sikundër edhe janë buzëqeshur.
Nga lufta e Gjoricës te kuvendi i Qernanicës, për të drejtën e të qenurit zot në vend të vet, te kongreset e panumërta për të shpallur se Shqipëria është një me myslimanë e të krishterë, me vegjëli e shehlerë, nga mësonjëtoret e Said Najdenit dhe bibliotekat e Hoxhë Moglicës, Maliq Tanushës dhe Kurt Ballës te vizioni i një Iljaz pashë Çoku, një Vehbi Agolli, një Haki Stërmilli, një Sherif Langu e një Dom Nikoll Kaçorri, e nga trimëritë e Cen Lekës, Sheh Zerqanit, Haxhi Vildan Dibrës, Sheh Halim Reçit, tek vetëmohimi i Elez Isufit e Dali Ndreut, Dibra e zemrës së madhe dhe e sofrës së përbashkimit dëshmon si dje, si mu këtu sot, se është vatra gjithmonë e ndezur e nëntë maleve të trimërisë e të vëllazërisë shqiptare.
Kjo kokore natyrore dhe dokësore me nëntë dyer të gurta e të blerta të një urtësie që nuk e rrudhin as koha dhe as sprovat janë kurora që naltëson sot e kurdoherë yllin e mëngjesit të mbarë kombit shqiptar, birin e kësaj treve, Gjergj Kastriotin Skënderbeun.
Është privilegj i madh për mua të jem në Dibër në muajin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, e cila konakun e vet e pat më së shumti këtu, në Dibër dhe ku prej koritjes e shantazheve e patën mbrojtur me gjak dibranët trima Sul Zerqani e Iljaz Dibra, Isuf Doda e Karahasanët, Llan Kaloci e Hoxhë Moglica, Azis Sadiku, Seid Daci, Ymer Lutfiu e shumë e shumë të tjerë, por edhe në këtë Vit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, dibranit dhe shqiptarit pa asnjë të sharë…
Skënderbeun dhe besëlidhjen 140-vjeçare ne nuk deshëm dhe nuk duam t’i shohim dhe t’i kremtojmë me daulle ceremonish.
I deshëm për vendin, i dëshiruam fort për Dibrën. I deshëm fort me përparësi, aq sa pa ngurrim i identifikuam me ëndërr e përpjekje, me durim e me pune, për t’ia lidhur më në fund edhe më shumë brezit të kombit, një vizion që do të jetë tanimë një realitet duan, s’duan ata që sot e gjithë ditën vazhdojnë të tallen dhe të përqeshin dhe nuk do të jetë më një iluzion, Rruga e Arbrit.
Kjo krahinë fisnike që aq shumë dha për atdhe, fe e flamur, me përçapje, me stërmundime, me vendime të rëndësisë kombëtare, për të cilat Abdyl Frashëri shkruan se, deri në Berat e thellë në Toskëri lidhën në një trup të vetëm myslimanë e të krishterë, rresht sot e përgjithmonë së qënuri skaj e gërxh, fatkeqësisht qoshe e harruar dhe periferi. Prej sot, vëllezër e motra dibrane, Dibra fillon rrugën, pjesën e fundit të një rrugëtimi prej dekadash e dekadash për t’u bërë një cope kraharor që rreh jetë dhe zhvillim në Shqipëri dhe për Shqipërinë!…
Pse rruga e Arbrit na qenka një çështje më vete dhe pse është në fakt një çështje kombëtare, duhet më mirë me thënë?
Sepse, për të gjithë ata që na dëgjojnë, se këtë ju e dini, për çdo shqiptar e bashkëkombës, kudo që është, Rruga e Arbrit është një çështje drejtësie! Drejtësi e historisë, po aq sa drejtësi njerëzore ndaj një populli të tërë të kyçur këtu brenda në izolim prej kaq shumë e shumë dekadash. Drejtësi që shteti shqiptar ka detyrën absolute dhe shtrëngim moral ta vërë dhe ta garantojë një herë e përgjithmonë!
Kush pak e njeh Dibrën, e di fort mirë që sado kjo krahinë është e rrethuar nga të katër anët me male, ajo nuk është, siç kanë pretenduar, ose siç kanë dashur ta shohin zuzarët dhe dallkaukët e çdo kohe, në izolim gjeografik nga pjesa tjetër e Shqipërisë apo nga viset shqiptare jashtë kufijve të Republikës.
Vetë natyra e ka pajisur këtë zone në 6 pika me gryka të ngushta që e lejojnë komunikimin mes trevave. Rruga e re e Arbrit do të rigjallërojë këto shtigje me të cilat Dibrën e bekoi Zoti, por të cilat Dibrës ia mbylli robi. Rruga e Arbrit do të ndjekë vijën e karvaneve që ka lidhur historikisht Dibrën me kryeqytetin. Prej qafës së Murrës e asaj të Buallit që lidh me bregdetin, grykës së Setës që të hedh në Shkodër, asaj të Radikës dhe të Drinit që hap Maqedoninë, Dibra gjithkahera ka patur vokacionin e një rrjeti komunikimesh mes bashkëkombësve dhe fqinjëve, gjithkahera, fatkeqësisht, të penguar e të vonuar, që nga pushtimet më të hershme e deri tek paudhësitë më të mbrame.
Rruga e Arbrit dhe sorollatjet e një krahine të tërë kanë qenë veç korija që fshehu për shumë kohë pyllin e makutërisë me tymnaja premtimesh e tam-tame inaugurimesh në tym. Por ka edhe më keq, për të qeshur e për të qarë dhe për pak sa nuk e qamë edhe rrugën e Arbrit. Edhe dëgjojeni për rrugën e Arbrit e ta dëgjojnë të gjithë, që na ka rokanisur kokën “pse nuk fillon, pse nuk fillon. Pse u vonua? Po gënjeni!” Kishte lënë një projekt, 300 e kusur milionë euro, një aventurë shqiptaro-kineze me rrugën e Arbrit. Pa buxhet, por peshqesh në formë vrimash në xhepat e gjithë shqiptarëve, premtim – zhgënjim pas premtim – zhgënjimi.
Na u desh ta negocionim atë marrëveshje me shpresë se do ta ulnim atë çmim deri sa humbëm kohë, por bëmë gjënë e duhur, e anuluam, jo vetëm për shkak të kostos, por dhe të produktit.
Sot, rruga që ndërtojmë, kushton me gjithë mirëmbajtjen 10 vjet, me gjithë operimin e tunelit, vetëm 250 milionë euro.
Dhe mirë që kushton më pak, por çudia është që standardi i parashikuar prej inxhinierëve të Saliut ishte C3, më i ulëti. Ndërsa ai i sot është C2. E dini çfarë do me thënë? Me projektin e Saliut, do hynit në tunel rrugor, – le që nuk do bëhej ndonjëherë, – por do hynit në tunel rrugor pa tub emergjence. A e imagjinoni dot 3 kilometra tunel pa tub emergjence dhe jashtë të gjitha normave europiane? Rruga ishte tamam si gjarpër që rrotullohej e rrotullohej në pjerrësi ekstreme dhe zona malore me lartësi të pastudiuar, aty ku janë ngricat gjithë kohës, në mëshirë të rrebesheve dhe pa mbrojtje skarpatesh, njësoj si rruga e kombit.
Rruga e kombit që sot diskutojmë, ka 37 pika rreziku për jetën, ku mund të bjeri nga sekonda në sekondë masivi i dheut sepse nuk u ndërtua me masa mbrojtëse. Kështu ishte dhe projekti i rrugës së Arbrit. Rruga do ishte pa kokë, sepse nuk kishte segmentin 1.1 kilometër që e lidh me Tiranën. Do arrinit deri atje dhe pastaj duhet të linit makinat e të merrnit kuajt e Saliut për t’u futur në Tiranë. Por rruga nuk kishte as bisht sepse 9.1 kilometra që e lidhin sot me doganën e Bllatës nuk ishin.
Me fjalë të tjera, 300 milionë euro borxhe për ta bërë këtë arterie jetike një shteg në mes të dy anëve që do ngeleshin siç janë sot. Si në kohën e rrugës së karvanëve. Por do ta pësonte edhe Klosi ku sot ne do të shkojmë për punimet, njësoj si Tirana, si segmenti Maqellarë – Bllatë, ishte jashtë projektit edhe Klosi. 300 milionë euro për ta lënë rrugën e Arbrit pa Tiranë, pa Maqellarë, pa Klos dhe pa doganë. Kjo është e vërteta. Sot rruga do të ketë tunele më të gjatë me standarde rigoroze, me tunel emergjence, do të plotësohet me tw gjithë segmentet, do të ndërtojë degëzimin e Klosit dhe Maqellarë-Bllatë dhe do të mirëmbajë gjithë veprën dhe tunelin për 10 vjet.
Monopati i torturës 118 kilometra, sot është 69 kilometra. Nuk dua t’ju marr më shumë kohë me detaje se ka plot sa të duash, por di t’ju them se rruga e Arbrit që ne do të ndërtojmë dhe këtu do jemi, do vijmë siç tha ai djali, nga Rruga e Arbrit përpara se sa të vijmë përsëri për të kërkuar votën tuaj…
Unë e di që Shqipëria ka nevojë për shumë e shumë më tepër akoma, por Shqipëria është si një shtëpi. Si shtëpia e gjithësecilit prej jush dhe nëse shtëpia ka fatkeqësinë që një kryefamiljar i papërgjegjshëm i ka lënë të gjithë paratë në bixhoz dhe e ka zhytur familjen në borxhe, familja në fillim lan borxhet për të shpëtuar shtëpinë dhe pastaj krijon mundësitë për ta zgjeruar shtëpinë…
Në mbyllje, puna le të ndahet. Qeverisë llogaridhënien, dibranëve dhe gjithë shqiptarëve mbështetjen tonë deri në fund, duke reflektuar gjatë gjithë procesit apelin e një dibrani të madh, Hoxhë Vokrrit në veprën e tij rilindase “Ferrëfenjësja e myslimanëve”:
“Para Zotit dhe popullit do të jenë përgjegjës të gjithë ulematë-hoxhallarët dhe intelektualët e kohës, pse në kohën e tyre ndër shqiptarët ka pasur ndarje dhe përçarje”.
(Fjala botohet me shkurtime. Të plotë mund ta lexoni www.kryeministria.al)