Ku ishe ti or mec – memec kur digjej e përçudnohej Shqipëria?
Nga Abdurahim Ashiku,  Gazetar, Athinë


Vonë u kujtove, shumë vonë…
U kujtove kur në mjekrën tënde të aktorit minjtë jo vetëm bënë rrugë e autostrada, por vila e grataciela…
Në fillimet, kur Shqipëria nisi të shkatërrohej e përçudnohej ishe një *mec i sapolindur, mec – memec që nuk të dilte zëri as ti kërkoje nënës qumështin e gjirit.
Ishe ulur në një karrige parlamenti dhe nuk nxirrje zë. Vetëm dorën ngrije kur të kërkohej vota për “çekun e bardhë”, kur thirrja “kuota zero” drithëronte edhe vxhenjt* në barkun e nënës.
Unë asokohe isha një gazetar në provincë që nuk praja së shkruari për atë që shkatërrohej e përçudnohej. Shkruaja për “komandantin” tënd që në Blliçe të Dibrës jepte kushtrimin që pemëtoret e mëdha të Kastriotit të ktheheshin në kullota. Kam në arkivin tim një fotografi një ditë më pas, mollët e Kastriotit të prera e cungjet e pemëve si varre osmanlinjsh pas betejës në atë vend të Torviollit të Skënderbeut. Kam edhe një fotografi të bllokut më të madh të arrave në Ballkan (mbjellë në vitin 1960, ndër të tjerë edhe nga piketimi im) prerë në rrëzë e drurët dërguar nuk e di se ku përtej detit…
Shkruaja për “Komandantin” tënd që në Maqellarë bënte thirrje për shkatërrimin e objekteve social kulturore; çerdheve, kopshteve, vatrave të kulturës. E kam në kujtesë por edhe në arkivin tim fotografik pamjen e asaj masakre që do ti dhimbte në palcë edhe tërmetit të 30 nëntorit 1967, më i madhi dhe më shkatërruesi për Dibrën.
Shkruaja për ndërmarrjen ushqimore të Peshkopisë që mblidhte dhe përpunonte mbi njëqind mijë kuintal fruta e perime e punësonte në pikun e prodhimit dhe përpunimit tremijë qytetarë të Peshkopisë e të zonave përreth. E shkatërruan deri në themele ashtu siç shkatërruan edhe uzinën mekanike, fabrikën e përpunimit të qumështit me teknologjinë më moderne të kohës, ndërmarrjen e prodhimeve të ndryshme, parkun e mallrave, stallat e blegtorisë…
Shkruaja për një punonjës kulture në Zall-dardhë, Xhelal Çerpën që i vuri gjoksin portës së shtëpisë së kulturës që të mos hynte “kuota zero” për ti vënë flakën pasurisë më të madhe folklorike të trevës më artdashëse të Dibrës, Dardhës me zë të madh në kulturën shqiptare.
Shkruaja për pallatin e kulturës të Lurës, fryt i djersës së popullit të saj, një më të bukurit në Shqipëri (dhe më të dhimbshmin në vlerën e ditës së punës) se si e prenë më mes e në themelet e tij ngritën një xhami a thua se në atë peizazh të virgjër e të lirë nuk kishte vend për themele të tjerë!
Shkruaja për shkatërrimin e minierës së Bulqizës që ndërtoi Shqipërinë…
Këto, ulur në kolltukun e butë të deputetit në sallën e parlamentit më djegës e shkatërrues të Shqipërisë, nuk i shihje, nuk kishe gojë të fliste, ta kishte mbyllur regjisori i dhimbjes më të madhe historike shqiptare.
Edhe djegien e gazetës “Koha jonë”, monumentit më prestigjioz të fjalës së lirë shqiptare, nuk e shihje ashtu siç nuk shihje tërë Tiranën në shkatërrim në lindje, nga rrëza e Dajtit me kombinatin e auto traktorëve e në perëndim, kombinatin e tekstileve…
Nuk shihje as kinematë ikona historike të kryeqytetit (“17 Nëntori”, “Partizani”, “Republika”…) si binin si zogj të ngordhur nga acari i dimrit “demokratik”.
Nuk fole as kur u dhunuan, u vodhën, u shkatërruan objektet e kultit, kur ikonat e mjeshtërve të mëdhenj të artit e të kulturës shqiptare kaluan kufirin për tu shitur për një televizor…
Nuk i the asnjë fjalë publike kryeministrit tënd, doktor i shkencave, për të mbrojtur vlerat monumentale të kultit që as regjimi komunist nuk i preku.
Nuk e pe as “96-tën kur u përgjak sheshi “Skënderbej”, as kur piramidat lulëzuan në bekimin edhe të votës tënde, as “97-tën”kur në “shtetrrethim” ngrite dorën lart e votove për komandantin tënd fizik e shpirtërorpresident.
Nuk fole një fjalë kur u shkatërrua mbrojtja e vendit, kur shpërthyen depot e u rrëmbyen armët, djersë dhe gjak i tërë popullit.
Nuk e pe as se si u shkatërrua ikona e futbollit shqiptar, Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Nuk e nxore nga gurmazi zërin në mbrojtje të tij…
Heshte, heshte, heshte….
Rriteshe si mec…
Gojë mbyllur, memec…
Tash të shoh ekraneve të vegjël satelitorë gojëhapur…
Kërkon me të gjitha mjetet e mënyrat (deri me vënie gjoksi para buldozëve e greve urie) që Teatri Kombëtar, apo Teatri Popullor siç e ke njohur dhe jetuar, të mos shembet.
Edhe unë jam dakord që të mos shembet.
Kam qenë dakord me shkrim e fotografim që asgjë nga ato që u ndërtuan me djersën e gjakun e popullit të mos shembeshin, mos shkatërroheshin.
Fatkeqësisht ata që asokohe ngritën zërin që Shqipëria mos shkatërrohej u dhunuan, u burgosën, u syrgjynosën…
Midis tyre edhe unë…
Më gjakosën, më kërcënuan me jetën, arritën deri atje sa të tentonin të më rrëmbenin evlatët me armën “O mbyll gojën, ose të rrëmbejmë fëmijët”.
Ika syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur…
Syrgjyn jam tash 22 vjet, e me sa duket i tillë do të jem derisa të iki nga kjo botë.
Syrgjyn, sepse në mjekrën tënde të aktorit tash mijtë e politikës kanë bërë jo thjesht fole por qarkullojnë nëpër të me makina luksoze drejt vilash që si ka bota…
Në trevën ku u rrita ka një mesele….
“… Moti, në një krahinë kishte ra murtaja. Njeri lutej që mos të binte në katundin e vet. Kur ra iu lut Zotit ta mbante larg mëhallës. Kur edhe atje ra tha: “O Zot, larg familjes time”! E kur ajo nuk e kurseu as atë, atëherë tha “larg bythës sime”. “Murtaja” 27 vjeçare shqiptare shkatërroi gjithçka me vlerë materiale e morale. Tash e ka radhën Teatri Kombëtar.
Nuk fole atëherë kur “mortaja” kishte ra në tërë Shqipërinë. Tash është shumë vonë. Nuk ka më larg “bythës sime”.
Është “kuota zero” që e votove ti.
Dhe jo vetëm ti.
Goja hapet për të folur në kuvend.
Pas kuvendit fjala s’ka vlerë…

KOMENTI JUAJ