TË DHËNAARKEOLOGJIKE NGA ÇIDHNA E POSHTME


Zona e Çidhnës shtrihet në pjesën veriore të pellgut të Peshkopisë, në të dy anët e Drinit të Zi, në një pozitë gjeografike të përshtatshme. Ajo përbëhet nga 16 fshatra dhe përfaqëson një nga zonat më interesante arkeologjike dhe etnologjike të rajonit të Dibrës. Vetë emri “Çidhën” i saj, rrjedh, siç do të ceket më poshtë, nga onomastika ilire, dhe përkatësisht nga kalaja e shek. VI m. Kr. e quajtur “Kithinas, që ndodhet në qendër të kësaj zone. Kjo zonë gëzon kushte të mira klimatiko-tokësore që kanë stimuluar banimin e pandërprerë të saj, duke filluar që nga periudhat më të hershme të prehistorisë. Për vlerat dhe monumentet e saj arkeologjike, kjo zonë ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e studiuesëve. I pari midis tyre është H. Sadiku, i cili në shënimet e tij të viteve 70’ të shekullit të kaluar, i referohet vendbanimit të periudhës romake të Fushë-Alies në vendin e quajtur “Xhiret e Përnezhe”, në bregun e djathtë të Drinit të Zi, ku sipas tij janë gjetur mure, mozaikë e koloneta tullash1. Kontributi i tij do të pasurohej më vonë nga I. Kaca, puna e pasionuar e të cilit do të regjistronte disa site të rëndësishëm arkeologjike, si Kronëzat (Fushë-Alie), Kodra e varreve (Kodër-Leshe), Kepi i qytetit(Arras), kalaja e Skënderbeut (Çidhën e Poshtme)2 etj.

Mikrozona e Çidhnës së Poshtme që përbën objektin e këtij punimi, e përbërë nga fshatrat Çidhën e Poshtme dhe Grykë-Nokë, shtrihet në veriperëndim të Fushë Çidhnës, në krahun e majtë të Drinit të Zi. Ajo gjendet në një fushë të sheshtë me origjinë liqenore, që ka marrë formën e sotme në fund të pliocenit dhe fillim të kuaternarit3. Ajo është vendosur midis Runjës së Lurës dhe kanionit të Gjalicave në perëndim, masivit të Tërthores në lindje dhe grykës së Setës në jug. Në veri, nëpërmjet një terreni te valëzuar kodrinor, të përçarë nga përroi i Grykë – Nokës, kalohet në qafën e Pratit (1000 m), që e lidh atë me Lurën dhe më tej me Mirditën. Vetëm në jug-lindje ky depresion gati i mbyllur malor, çahet nga gryka e Setës në fshatin Arras, tek “Kepi i Qytetit”, nga kalon rruga që e lidh atë me Fushë-Çidhnën dhe pellgun e Peshkopisë dhe, më tej, me atë të Dibrës (Fig. 1).

Punimi që po paraqesim, mbështetet në një verifikim informacioni të kryer nga autori në vitin 19834, si dhe në disa gjetje të tjera rasti. Gjetjet arkeologjike do të jepen sipas kriterit kronologjik.

 

 

 

 

 

 

 

Fig. 1. Hartë e Dibrës dhe e Çidhnës së Poshtme.

 

1.   Epoka e eneolitit

Kjo epokë përfaqësohet vetëm nga dy profile kupash me fakturë të hollë dhe lustër të zezë. Ato janë gjetur në hyrje të Çidhnës së Poshtme, në fushën e vogël të Macdhovës, në anën veriore të fortesës së “Kepit të qytetit”5. U takojnë varianteve të njohura të kupave eneolitike me trup sferik dhe buzë të anuara nga jashtë, dhe me profil në trajtë S-je. Kjo e fundit është zbukuruar në supe nga një thimth i vogël plastik (Tab. I, 1-2). Kupa të njëjta ose të ngjashme, janë gjetur në vendbanimet eneolitike të Shqipërisë (Gradec, Nezir III, Maliq II a-b)6, Rrafshit të Dukagjinit (Hisar I-II)7 etj.

 

 

2.  Periudha e vonë e bronzit.

  1. Sëpatë bronzi

Kjo periudhë njihet nga një sëpatë bronzi e tipit shkodran e gjetur në fortesën “Kepit të qytetit”, në hyrje të Çidhnës së Poshtme. Sëpata ruhet në Muzeun Historik të Peshkopisë (Më tej: MHP). Nr. inv. 934, gjatësia 19.5 cm, gjatësia e tehut 13 cm, gjerësia e presës 6 cm, pesha 850 gr. (Tab. I, 3 , Fig. 7, 1). Sëpata është e plotë, e punuar mirë dhe e veshur me një patinë të gjelbër. Tehu i saj, me kurriz të përkulur lehtë, zgjerohet gradualisht në drejtim të presës paksa konvekse, e cila e ka skajin e sipërm pak të ngritur. Ai përshkohet nga vrima eliptike e bishtit

(2.5 x 3 cm), e cila në mesin e saj ka dy të thelluara horizontale për fiksimin më të mirë të tij. Në anën e jashtme përforcohet nga tre nervura plastike horizontale me profil gjysëm sferik. Në pjesën fundore ai përfundon me një kreshtë trapeziodale me prerje paralele dhe gjatësi 2.20 cm, ndërsa në drejtim të tehut mbyllet nga një thep i vogël në trajtë mamuzi. Sëpata e Çidhnës së Poshtme përfshihet në grupin e gjerë të sëpatave të tipit shkodran, të përhapura në një areal të gjerë të Shqipërisë veriore e përreth saj8. Ajo përfaqëson një variant të ri të këtij tipi sëpatash, që shquhet nga tuni me nervura plastike, gryka pothuajse eliptike, ndryshe nga sëpatat e tipit klasik shkodran me grykë të rrumbullakët dhe presa paksa konvekse, elemente këto që do ta afronin këtë ekzemplar me grupin e sëpatave kronologjikisht më të vona të tipit shqiptaro-dalmat. Në këtë aspekt, ajo përfaqëson një variant të ndërmjetëm dhe një hallkë ndërlidhëse midis këtyre dy tipeve kryesorë të sëpatave iliro-adriatike9. Meqenëse sëpatat e tipit shkodran datohen rreth shek. XII p. Kr, ndërsa ato shqiptaro-dalmate rreth shek. X p. Kr10, dhe pasi tiparet morfologjike të sëpatës së Çidhnës e zbresin kronologjinë e saj, si kohë më të mundshme do të mendonim të paktën fundin e shek. XII p. Kr. ose fillimin e shek. XI p. Kr. Sëpata e Çidhnës është kështu një e dhënë tjetër në mbështetje të hipotezës së prof. F. Prendit mbi zhvillimin tipologjik autokton të këtij tipi sëpatash dhe prodhimin lokal të tyre në zonat mineralmbajtëse të Shqipërisë veriore11, pavarësisht nga ndikimet prej modeleve lindore kaukaziane12, apo dhe nga rrethi i kulturës Monteoru (Moldavi)13. Në mbështetje të kësaj pikëpamje duhet të sjellim në kujtesë një veçori interesante morfologjike të sëpatave të këtij tipi. Kështu të gjithë ekzemplarët e sëpatave shkodrane të njohur deri më sot në Shqipëri, ndryshe nga ato shqiptaro-dalmate, nuk janë krejtësisht të njëjtë dhe ndryshojnë midis tyre në detaje të veçanta morfologjike, që lidhen me hollësi të modelimit të tyre gjatë derdhjes. Fakti që çdonjera nga gjetjet e derisotme të këtij tipi sëpatash përfaqëson një variant më vete, të papërsëritshëm në asnjë rast, tregon jo vetëm për evolucionin e brendshëm që pëson ajo, por edhe për prodhimin e tyre nga disa qendra lokale metalurgjike. Sëpata e Çidhnës shënon kufirin më lindor të përhapjes së sëpatave shkodrane në brendësi të vendit tonë. Gjetja e saj në një zonë të thellë, në shtegun që lidh pellgun e Peshkopisë me Çidhnën e Poshtme e më tej me Lurën e pellgun e Fanit (Mirditë), dokumenton këtu praninë këtu të një rruge tradicionale, të paktën që nga etapa finale e bronzit të vonë.

 

  1. b. Fortifikim pr

Kreshta shkëmbore që mban emrin “Kepi i qytetit”, ngrihet në trajtë të një piramide natyrore në krahun e majtë të Setës, në fshatin Arras, buzë shtegut të vetëm që lidh fushën e Çidhnës së Poshtme me pellgun e Peshkopisë. Me rëniet e thikta në tri anë dhe mbrojtjen nga lumi i Setës në juglindje, kjo kreshtë formon një fortesë të mirëfilltë natyrore (Fig. 2-3). Fortifikimi natyror është plotësuar edhe me mure mbrojtëse prehistorike, që sot ruhen vetëm në trajtë gjurmësh fragmentare, në shpatet juglindore të saj, ku gjenden disa tarraca të ngushta e sheshe të përshtatshme banimi. Ato janë ndërtuar me gurë të mëdhenj të papunuar, të lidhur në të thatë, dhe, në trakte të shkëputura me gjatësi 2-3 m, ruhen deri në lartësinë 1- 2 rreshta, ose 0.60-0.80 m (Fig. 4). Gjetja në shpatet e kësaj kreshte e sëpatës së bronzit të përmendur më lart e daton fortifikimin prehistorik që ruhet aty, në periudhën e vonë të bronzit dhe e klasifikon atë si fortifikim prehistorik të tipit Gajtan14.

 

  1. Periudha qytetare ilire (shek . IV – I p. Kr)

Gjetjet e kësaj periudhe janë shumë të pakta dhe vijnë nga dy pika të Çidhnës së Poshtme, përkatësisht nga “Vneshta e Kolës” dhe “Kepi i qytetit”.

 

 

 

  1. Me emrin “Vneshta e Kolës” (ose “Lenishte”) njihet një tarracë thuajse eliptike me sipërfaqe te sheshtë rreth 10 ha. Ajo ndodhet në pjesën veriore të Çidhnës së Poshtme, midis rrugës automobilistike dhe lagjes “Cani”, në jug, dhe shkollës 9-vjeçare të fshatit, në veri. Tarraca ka lartësi absolute 620 m dhe relative 10-15 m, si dhe një pozitë zotëruese mbi fushën përeth, mbi të cilën zbret me një pjerësi të theksuar, veç anës perëndimore ku kjo pjerrësi zbutet mjaft (Fig. 5).

Nga hapja e një kanali të thellë ujitës ne vitin 1983, që e përshkoi atë në anën jugore, lindore dhe veriore, janë zbuluar disa fragmente enësh me përkatësi kohore të ndryshme. Periudhës qytetare ilire i takojnë disa fragmente enësh balte dhe një enë bronzi e tipit hidrie. Fragmentet e enëve të periudhës në shqyrtim u gjetën në pjesën lindore të tarracës Ato janë të punuara me çark dhe kanë fakurë të hollë. Balta e tyre është shumë e pastër, me ngjyrë të verdhë në rozë, pjekje të plotë, me gjurmë verniku kafe në të zezë në faqen e jashtme. Ato u takojnë një kupe gjysmësferike dhe fundit të një kantari (Tab. I, 4, 6), dhe përfaqësojnë importe bregdetare, me sa duket, të Dyrrahut15. Prodhimit vendas të kësaj periudhe i takon fragmenti i një kupe gjysëmsferike me buzë të kthyera nga brenda, me baltë okër, të përzier me rërë të imtë dhe faqe të lëmuar dobët, formë kjo e rëndomtë për poçerinë ilire të kësaj periudhe (Tab. I, 5).

 

Në anën lindore të “Vneshtës së Kolës” kanali zbuloi edhe një enë bronzi të tipit hidrie, me nr. inv. 1364, pjesë e inventarit të ndonjë varri ilir të shkatëruar (Tab. I, 8; Fig. 7, 2). Ena është e dëmtuar tek supet dhe pjesën e sipërme të buzëve. Ka trup gjysëmsferik, qafë të shkurtër, grykë cilindrike dhe një vegjë tip fluture që u gjet e shkëputur. Është e zbukuruar me teknikën e ngulitjes me motive gjeometrike. Kompozimi zhvillohet sipas konceptit të zonalitetit vertikal, në 5 breza dekorativë, të veçuar nga një ose dy vija paralele. Përfaqëson një enë luksi, prodhim i zejtarisë greke, e përdorur si enë pijeje nga shtresat e pasura të këtij vendbanimi të periudhës qytetare ilire. Enë të tilla të ngjashme janë zbuluar në tumat e Matit dhe ato të Çinamakut, ku janë datuar në shek. III-II p.Kr. 16.

 

  1. Sipërfaqja e fortesës së njohur me emrin “Kepi i qytetit”, është tërësisht shkëmbore, dhe aq sa është e admirueshme si fortesë17, aq është e pamundur si qendër e përhershme banimi. Dy fragmente të vogla enësh të periudhës qytetare ilire, të gjetura midis shkëmbinjëve të kësaj fortese, përkatësisht një paret ene i lyer me dy shirita verniku të zi dhe një buzë ene (Tab. I, 7, 9) janë fare pak për të supozuar banimin permanent të saj në periudhën në shqyrtim. Vendbanimi i kësaj periudhe duket se ka qenë shtrirë si në shpatet dhe në tarracat e ngushta në juglindje të fortesës së “Kepit të qytetit” e deri në bregun e majtë të lumit të Setës, ashtu edhe në anën veriore të saj, ku hapet një tarracë e gjerë, e mbrojtur nga erërat e veriut dhe mjaft e përshtatshme për banim, e njohur me emrin “Shashari i Ruse”, megjithëse ky i fundit, deri tani, nuk ka dhënë gjetje të lidhura me periudhën në shqyrtim.

Deri vonë, kjo fortesë ruante trakte të fortifikimit të saj antik18. Ato kanë qenë vendosur në faqen juglindore të fortesës, buzë lumit të Setës, që ishte dhe pjesa më e ekspozuar ndaj sulmeve. Muret e kësaj periudhe ishin ndërtuar me blloqe të mëdhenj gurësh të lidhur në të thatë (Fig. 6). Ato, së bashku me toponimin “Kepi i qytetit” dëshmojnë për ekzistencën aty të një vendbanimi të fortifikuar të periudhës ilire, si dhe për karakterin mbrojtës të kësaj fortese në funksion të Çidhnës së Poshtme.

Mendimet e shprehura për lokalizimin e qytetit ilir Oaenea në Çidhnën e Poshtme19, deri tani pa mbështetje arkeologjike, bazohen kryesisht në përshkrimin e Livit, sipas të cilit Oaenea ishte qyteti më i fortifikuar penest, i mbrojtur nga njera anë prej lumit Artatus dhe nga ana tjetër, prej nje mali shumë të lartë që mezi kalohej20. Përveç pozicionit strategjik të Çidhnës së Poshtme, në rrugëkalimin e shkurtër që lidhte pellgun e Dibrës dhe të Peshkopisë (Penestinë) me pellgun e Fanit (viset piruste) dhe më tej, me Lezhën dhe Shkodrën (Labeatinë), (“transitus et labeatis”), mendimet e mësipërme janë ndikuar edhe nga përqasja fonetike e emrit Artatus me emrin e fshatit të sotëm Arras, buzë lumit të Setës dhe fortesës së “Kepit të qytetit” si dhe nga mali i mezikalueshëm i Runjës në perëndim të tyre. Pa dashur të hyjmë në diskutimin e kësaj çështjeje, theksojmë se lokalizimi i qytetit Oaenea mbetet i diskutueshëm midis studiuesve. Mendimi ynë është se një qytet i rëndësishëm si Oaenea, vështirë se mund të lokalizohet në një zonë të thellë e pothuaj të izoluar, siç është Çidhna e Poshtme, dhe aq më pak në fortesën e “Kepit të qytetit”. Për aq sa njohim deri më sot, mendojmë se në Çidhnën e Poshtme, përkatësisht në Vneshtën e Kolës, duhet të ketë patur një vendbanim të hapur të tipit qytezë të periudhës qytetare ilire, mbrojtja e të cilit, sigurohej nga fortesa e “Kepit të qytetit” në hyrje të kësaj zone.

 

 

 

 

  1. Periudha antike romake (shek. I-IV m.Kr)

Kjo periudhë u bë e njohur nga inventari i disa varreve të shkatëruar, të zbuluar në shpatin jugor të Kodrës së Krashit, në lagjen më periferike të Çidhnës së Poshtme21, rreth 1 km në jug të tarracës së “Vneshtës së Kolës”. Kanali ujitës, me thellësi rreth 1.00 m, kishte shkatëruar disa varre të ndërtuara me gurë, të cilët u gjetën të hedhur poshtë kanalit. Ato duket se i përkasin nekropolit të vendbanimit të periudhës romake. Prej inventarit të tyre, mundëm të mbledhim tre objekte metalike dhe disa fragmente enësh.

 

 

Objektet metalike

  1. Tokëz rrypi (Tab.II, 8, Fig. 7, 3). Përbëhet nga një pllakë monolite bronzi, me strukturë të palëvizshme, e punuar me derdhje. Ka gjatësi 5cm dhe gjërësi 4.7 cm. Është e zbukuruar në faqen e jashme me ngulitje: mbajtësja e rrypit me vija paralele, dhe mbërthyesja e tij me rrathë të vegjël dhe pikëzime gjysmërrethore të vargëzuara përgjatë brinjës së harkuar të saj. Tokëza të tilla kanë qenë në përdorim në periudhën e shek. II-IV m. Kr. Ajo është krejt identike me një tokëz rrypi të varrit nr.1 të nekropolit të Zgërdheshit, të datuar në gjysmën II të shek.IV m.Kr.22 dhe me një tokëz të tillë, të zbuluar në vendbanimin shumështresor të Çukës së Vrbjanit pranë Prilepit në Pelagoni, të datuar në shek. II-III m. Kr23.

 

 

  1. Dy thika hekuri (Tab. II, 5-6). Janë mjaft të dëmtuara nga korrozioni. I takojnë tipit njëtehësh me bisht të drejtë. Bishti ka prerje paralele, ndërsa presa është e mysët ose e drejtë dhe ka prerje trekëndëshe. Gjatësia e tyre është:
    • 8 -18.4 cm, gjatësia e bishtit 3-9.5 cm dhe gjërësia e presës: 3-3.4 cm. Thika të tilla, të rëndomta për periudhën romake, vazhdojnë të përdoren edhe në periudhën e vonë antike24.

Fragmente enësh

Fragmentet e enëve, pjesërisht të restaurueshme, janë të punuara me çark. Nga lloji i brumit dhe ngjyra e sipërfaqes, ndahen në dy grupe:

  1. enë me brum gri të hirtë.
  2. enë me brum okër në të kuqe.
  1. Enët e grupit të parë, kanë brum argjilor gri, të përzier me rërë të imët, pjekje të mirë dhe të njëtrajtshme. Faqja e brendshme është e viaskuar, ndërsa ajo e jashtme, pas lëmimit, është lyer me lustër gri, që nga shkalla e pjekjes, ka marrë tone të çelta ose më të errëta. Tri janë format bazë të këtij grupi: kotruvet, ojnohetë dhe kanat.
    1. Kotruve (Tab. I, 10) Lartësia e ruajtur: 16 cm, diametri i trupit: 16 cm.

Ruhet pjesërisht. Ka trup sferik, grykë të ngushtë cilindrike dhe vegjë shiritore, që ruan vetëm fillimin e saj në shpatulla. Fundi konkav mbyllet me një thimthë të vogël plastike në mes të tij, veçori e hasur ne enë të shek. IV m. Kr.25. Në faqen e brendshme ruan gjurmë të serës së shkrirë, dukuri e konstatuar edhe në raste te tjera të shek. III-IV m. Kr, si në Gjoricë, Symizë, Zharrë etj. Në pjesën qëndrore të trupit zbukurohet nga dy breza vijash te holla çarku. Një enë e ngjashme e këtij tipi është gjetur në varrin nr.1 të nekropolit të Zgërdheshit, e shoqëruar nga një fibul e tipit kryq, që e daton atë në shek. IV m. Kr.26.

  1. Ojnohe (Tab. I, 11) Lartësia: 13 cm, diametri i trupit: 15.5 cm dhe ai i fundit: 9.2 cm. Ruhet pjesërisht. Ka trup sferik në trajtë vorbe, grykë trifletëshe me lëfyt të spikatur dhe fund të sheshtë, karakteristike për shek.III m. Kr. Me këtë tip ene lidhet edhe fragmenti i një fundi të thelluar, me thimthë plastike në mes të tij, që datohet në shek.IV m. Kr. (Tab. II, 2).

 

 

  1. Kanë e restauruar pjesërisht (Tab. II, 1). Trup në trajtë dardhe dhe fund konkav, me thimthë plastike të thyer në qendër. Gryka e shkëputur ka trajtën e një hinke të profiluar, ndërsa vegja shiritore, përshkohet nga dy ulluqe të cekta gjatësore. Një kanë identike, por me brum okër të kuq, është gjetur në varrezën e Gjoricës së Poshtme, e datuar në shek. III-IV m. Kr.27, ndërsa në tumat e Burelit, enë analoge shoqërohen me konekst të shek. III-IV m. Kr.28 etj.
  1. Në enët e grupit të dytë, me brum argjilor të kuq, veçojmë dy fragmente enësh të importuara nga punishtet romake provinciale. Brumi i tyre është shumë i pastër dhe pjekja e plotë. Pas lëmimit, janë lyer me lustër të kuqe tulle, në imitim të modeleve afrikano-veriore të shek.III-IV m. Kr29. Riprodhojne kupa të tipeve të ndryshme, me trup të viaskuar nga brenda (Tab, II, 3-4). Ndeshen gjithashtu edhe parete enësh të prodhimt vendas të zbukuruara me vija rethore çarku, që datohen në shek. III-IV m. Kr. (Tab. II, 7).

 

  1. Periudha e vonë antike (shek.V-VI m. Kr.)
    1. Kalaja e Çidhnës (Kithinas?)

Në këtë periudhë duket se është rifortifikuar kalaja e “Kepit të Qytetit”, në hyrje të Çidhnës së Poshtme. Gjurmë shumë të dëmtuara muresh të lidhura me llaç gëlqeror, me teknikë opus incertum, ruhen në anën veriperëndimore të kësaj fortese, ku mund të shihen edhe gjurmë banesash, të cilat mund t’i përkasin të njëjtës periudhë. Për rëndësinë e saj në sistemin mbrojtës së luginës së Drinit të Zi që në periudhën e vonë antike përfshihej në provincën Epirus Nova, kjo fortesë duket se regjistrohet nga Prokopi i Cezaresë si një nga 32 kështjellat e ndërtuara nga Justiniani në këtë provincë, me emrin Kithinas30. Mendojmë se jemi afër të vërtetës nëse shprehemi për identifikimin e kësaj kështjelle në rrënojat e fortesës së “Kepit të qytetit” që njihet edhe si kalaja e Çidhnës. Për këtë identifikim, përveç gjurmëve të mureve të përmendura më lart, mbështetemi edhe në parimin e barazimit fonetik Kithinas=Çidhën, barazim që vlen për të dëshmuar formimin me lëndë vendi të këtij makrotoponimi me origjinë nga periudha e vonë antike.

  • 30 Materiali qeramik i kësaj periudhe përfaqësohet vetëm nga një ojnohe e plotë, e zbuluar në shpatet lindore të Vneshtës së Kolës nga hapja e kanalit ujitës të përmendur më lart.31. Ajo ka trup të fryrë sferk me lartësi 17,5 cm, diametër 15,6 cm, grykë të ngushtë trifletëshe me lëfyt të zhvilluar dhe fund të sheshtë me diametër 8 Vegja shiritore me prerje eliptike, ngrihet pak mbi nivelin e buzëve (Tab. II, 10). Ena është punuar me çark, me brum argjilor të verdhë, të përzier me grimca gëlqerore e silici, që dalin edhe në sipërfaqen e enës të porozuar nga lagështira. Zona e supeve zbukurohet nga dy vija të holla çarku. Nga tiparet e përgjithshme morfologjike e dekorative, mendojmë se i takon shek.V-VI m. Kr., pa përjashtuar mundësinë e një datimi më të vonë.

 

 

  1. Periudha e hershme mesjetare (shek. VII-XI m. Kr.)

Kësaj periudhe i përkasin dy grupe gjetjesh, kronologjikisht të lidhura me fazën e hershme të periudhës mesjetare (shek. VII-IX pas Kr.) dhe atë të zhvilluar të saj (shek. IX-XI pas Kr.).

 

  1. Faza I e mesjetës së hershme (shek. VII-IX m. Kr.)

Fazës së parë të mesjetës së hershme (shek. VII-IX pas Kr.) i përkasin dy varëse bronzi tipesh të ndryshme, me origjinë nga një pikë e panjohur e fushës së Çidhnës së Poshtme, që ruhen në pavionin arkeologjik të MHP.

  1. Tab. II, 11, fig.7, 4; gjatësia: 6. 4 cm; gjerësia: 3,6 cm; nr. inv. 100. Varëse gjoksi bronzi e punuar me derdhje. Përbëhet nga dy rrathë të bashkuar, me diametrat përkatës 3,6 cm dhe 2,2 cm. Secili nga rrathët ndahet në tri pjesë nga diametrat horizontalë dhe nga një reze verikale. Në anën e jashtme, varësja është zbukuruar nga 9 shtojca sferike dhe dy protome shpendësh, të vendosura në zonën midis diametrave të të dy rrathëve. Rrethi i poshtëm i varëses, në anën e jashtme, zgjerohet në trajtën e një shtese unazore, e cila në gjysmën e poshtme e saj, është shpuar simetrikisht në çdo 0,5 cm, nga 9 rrathë të vegjël. Varëse të këtij tipi, me ndryshime të vogla stilistikore, janë zbuluar në disa varreza të mesjetës së hershme në Shqipëri dhe përfaqësojnë objekte të kulurës arbërore. Afërsinë më të madhe tipologjke, ajo e shënon me një varëse të varrezës mesjetare të Krujës, të datuar në shek.VI-VIII pas Kr32.
  2. Tab. II, 9, fig.7, 5; gjatësia 5, 8 cm; gjerësia 3,4 cm; nr. inv. 100.

Varëse bronzi e një tipi të veçantë e të panjohur. Ka formën e zemrës me krahë të hapur, të cilët, në fundin e tyre, janë të tejshpuar nga dy vrima të vogla sferike në një aks horizontal. Në pjesën e sipërme, varësja ka një të dalë sferike të tejshpuar, ku, me anë të një thumbi, është fiksuar një mbajtëse e lëvizshme katrore, në të cilën kalonte zinxhiri. Në të dy anët, varësja është e zbukuruar me teknikën e ngulitjes. Motivi krijohet nga dy vija paralele, të vijëzuara pjerrtazi, që konturojnë skajet e varëses, ndërsa hapësira midis tyre mbushet nga dy rreshta pikësimesh rrethore. Në pjesën qëndrore, varësja ka një të dalë të lehte sferike që rrethohet gjithashtu nga një rreth pikësimesh të vogla rrethore. Megjithëse pa shembuj adekuat krahasimi, mendojmë se i përket periudhës së hershme mesjetare, kur varëset zbukurimore njohin trajta të ndryshme tipologjike e stilistike33.

 

  1. Faza II e mesjetës së hershme (shek. IX-XI m. Kr.)

Kjo periudhë u bë e njohur nga varret nr. 2 dhe nr. 3 të varrezës nr.2, të zbuluara në shpatin jugor të Vneshtës së Kolës. Varret kanë qenë të ndërtuara me gurë, konstruksioni i të cilëve nuk qe e mundur të kapej. Nga fragmentet e enëve të mbledhura këtu, mbizotërojnë ato me fakturë mesatare, ndërkohë që ato me fakturë të trashë janë mjaft të pakta. Enët e kategorisë së parë janë punuar me çark. Ato kanë brum argjilor, përgjithësisht të pastruar, me pak përmbajtje silici, të ngjeshur dhe të pjekur mirë. Sipërfaqja e jashtme, me lëmim mesatar, ka ngjyrë gri në të zezë dhe shumë rrallë okër në të verdhë. Enët e kësaj kategorie zakonisht janë të zbukuruara. Enët me fakturë të trashë përfaqësohen vetëm nga dy buzë tasash të modeluara me dorë. Kanë brum të përzier me rërë të pa situr e grimca gëlqerore, pjekja nuk është e plotë. Sipërfaqja poroze me ngjyrë gri të hapur është e pa zbukuruar.

Në fragmentet e enëve të kategorisë së parë ndeshen format e mëposhtme:

  1. Vorba kuzhine. Është ena me përdorim më të gjërë. Kanë trup të fryrë sferik, qafë të shkurtër konike dhe grykë që hapet në trajtë hinke. Janë pa vegjë dhe me funde të sheshtë. Ndryshojnë nga përmasat dhe shkalla e përkuljes së buzëve. Diametri i grykës së tyre arrin në 15-17.5 cm (Tab. II, 12-13, III, 1-5).

Shumica e vorbave dhe pareteve të tyre janë të zbukuruara. Më i shpeshtë është zbukurimi në reliev, në trajtën e një shiriti plastik horizontal me prerje konike dhe gropëzime gishti, dhe me rrallë me shtypje oblike në trajtë litari, i vendosur në shpatullat e vorbave (Tab. II. 12, III, 13-16). Ndeshet gjithashtu edhe zbukurimi i inçizuar në trajtën e vijave të valëzuara apo lineare, të përqëndruara në zonën e shpatullave. Vijat e valëzuara në një ose në dy rreshta paraqiten në formën e tyre klasike të shtrirë (Tab. III, 5) apo të ngjeshur, duke krijuar motivin “dhëmbë sharre” (Tab. III, 3-4). Në ndonjë rast, ato kombinohen edhe me vijat rrethore të çarkut (Tab. III, 4). Vijat lineare të realizuara me   majën e thikës gjatë rrotullimit të enës në çark, si rregull, janë të grupuara në breza horizontalë prej 2-4 vijash (Tab. III, 17-18).

Vegjët janë vertikale me prerje eliptike, me gjeresi 3-3.5 cm, të zbukuruara me teknikën e ngulitjes dhe të shpimit. Ngulitjet janë vezake apo të stërgjatura, të organizuara në rreshta gjatësorë, jo rigorozisht të drejtë (Tab. III, 19-20) dhe më rrallë në dy rreshta (Tab. III, 21). Zbukurimi me shpime ndeshet në dy pjesë vegjësh (Tab. III, 22-23). Shpimet janë realizuar me gjilpërë në baltën ende të njomë dhe nuk e përshkojnë tërësisht vegjën. Fundet jane gjithmonë të sheshtë dhe presin direkt trupin e enës. Diametri i tyre është 7-15 cm (Tab. III, 24-27).

Vorba me formë të ngjashme dhe zbukurime të njëjta ndeshen thuajse në të gjitha qendrat mesjetare të vendit tonë e jashtë tij34. Në Gradishtën e Symizës ato datohen në shek.IX-XI m. Kr35, ndërsa në Shurdhah në shek. X-XI m. Kr36, kohë te cilën do ta mendonim si më të mundshme për enët e Çidhnës së Poshtme. Në enët me parete të trasha përmendim vetëm dy fragmente tasash gjysëm sferikë me buzë të rrumbullakuara (Tab. III, 6-7), të ngjashëm me tasa të tillë të Shurdhahut të shek.X-XI m. Kr.37.

  1. Enë me përmasa më të vogla, me grykë cilindrike ose në trajtë hinke, të pa zbukuruara (Tab. III, 9-12). Këtu përfshihet edhe profili i një amfore me grykë të ngushtë (Tab. III, 12), e ngjashme me enë të tilla të periudhës së vonë antike të zbuluara në kalanë e Elbasanit dhe në Gradishtën e Symizës38. Amfora të këtij tipi, sa duket, vazhdojnë të përdoren në mesjetën e hershme, kur është më tepër në qarkullim amfora grykë ngushtë me dy vegjë të larta mbi buzë, e ndikuar nga qeramika bizantine e shek.X-XI pas Kr.

Parete enësh shumë të copëzuara dhe pa asnjë zbukurim të periudhës mesjetare, u gjetën edhe në jug-lindje të fshatit Çidhën e Poshtme, në një fushë skajore, në vendin e quajtur “Kisha e Salës”. Gjithashtu, në vendin e quajtur “Kodra e Farkës”, në jug të rrugës automobilistike dhe afër vendit te quajtur “Pusi”, kemi gjetur me shumicë zgjyrë hekuri, gjë që flet për shkrirjen dhe punimin e këtij metali gjatë mesjetës.

  1. Majë shigjete hekuri. Zbuluar nga punimet bujqësore në fshatin Sinjë e Epërme të Çidhnës. Ruhet në MHP, nr. inv. 43. Gjatësia e përgjithshme 5 cm, gjatësia e fletës 2.4cm, gjërësia e fletës 1.2 cm, diametri i bishtit-0.6-0.8 cm (Fig. 7, 6). Është e tipit me fletë në trajtë gjethi të ngushtë, pa veshëza, me bisht konik gypor. Fleta me prerje trekëndëshe, përshkohet nga një kurriz i lehtë gjatësor. Maja shigjetash me forma të ngjashme njihen në periudhën e hershme mesjetare, të zbuluara në varrezat e kulturës arbërore të Krujës39, kështjellës së Pogradecit40 etj.

 

  1. Periudha e mesjetës paraturke (Shek. XIII – XIV m. Kr.)

Një aspekt i jetës së kësaj periudhe, është bërë i njohur nga zbulimi rastësor i një thesari monedhash në vendin e quajtur “Pusi”, afër qendrës së fshatit Çidhën e Poshtme. Thesari përmban 24 copë monedha argjendi veneciane41, të prera nga mesi i shek.XIII (1253-1268) deri në fillimin e shek. XIV (1312-1328) (Fig. 8, Tab. IV). Ato u takojnë dozhëve të mëposhtëm të republikës veneciane:

  1. Ranieri Zeno (1253-1268) (tab. IV, 1-7)
  2. Lorenzo Tiepolo (1268-1275) (tab. IV, 8-9)
  3. Jacopo Contarini (1275-1280) (tab. IV, 11-13)
  4. Giovanni Dandolo (1280-1289) (tab. IV, 10)
  5. Pietro Gradonigo (1289-1311) (tab. IV, 14-19)
  6. Giovanni Soranzo (1312-1328) (tab. IV, 20)

Monedhat paraqiten të konsumuara në shkallë të ndryshme nga përdorimi, gjë që shihet në uljen e peshës së tyre kundrejt peshës fillestare standarte të emetimit prej 2.178 gr42, në pesha që luhaten nga 1.91 gr. tek monedha nr. 2 e J. Contarinit deri në 2.16 gr. tek monedha nr. 4 e J. Gradenigos. Vetëm në një ekzemplar, të përfaqësuar nga monedha nr. 1 e G. Dandolos, është ruajtur pesha fillestare e emetimit prej 2.178 gr. Në tabelë, po japim katalogun e monedhave, ku me shkurtime jepet sasia e tyre (S), metali (M), pesha në gr (P), diametri në mm(M), figura në ilustrime (F) etj.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tabelë përmbledhëse e monedhave të thesarit.

 

 

Në aspektin kronologjik, monedhat janë prerje të 6 dozhëve suksesivë të Venedikut, që kanë drejtuar republikën, që nga Ranieri Zeno (1253-1268) deri tek Giovanni Soranzo (1312-1328)43. Në këtë vijimësi, nuk ka asnjë ndërprerje për një periudhë rreth 60 vjeçare, gjë që është refleks i stabilitetit ekonomik dhe politik të rajonit ku është gjetur ky thesar. Zbulimi i tij dëshmon për përfshirjen e zonës së thellë të Çidhnës së Poshtme në marëdhëniet tregëtare me republikën e fuqishme të Venedikut, si dhe për fuqizimin e parisë feudale vendase. Fshehja e tij në tokë është bërë në ndonjë situatë të pasigurtë politike.

 

8. Periudha e Skënderbeut

Kjo periudhë në plan arkeologjik është përfaqësuar nga dy kala tipike të Skënderbeut. E para prej tyre quhet edhe kalaja e Skënderbeut, ose e Çidhnës44 (Fig. 9). Rrënojat e saj gjenden në një kreshtë shkëmbore me lartësi 1205 m, në thellësi të luginës së Setës, në faqen juglindore të malit të Xhaxheit, që lartësohet në perëndim të Çidhnës së Poshtme dhe kanionit të Gjalicave. Ajo ka sipërfaqe të vogël dhe një pozicion zotërues dhe shumë të mbrojtur nga natyra, në kontroll të Çidhnës së Poshtme dhe rrugëve dytësore që e lidhnin këtë zonë me Lurën (qytetin mesjetar të Livadhit të Xharrit), kalanë e Stelushit (Qafë-Murrë) dhe atë të Gurit të Bardhë (Mat). Shtegu i vetëm për të hyrë në kala kalon nëpër qafën e kalasë, në anën jugperëndimore të saj. Në pjesën më të lartë të kalasë duken gjurmët e një kulle rrethore. Trakte të shkëputur muresh mesjetare shihen vetëm në anën lindore dhe atë juglindore. Ata rrethojnë një sipërfaqe rreth 500 m2 . Muri është ndërtuar me gurë mesatar e të vegjël, të lidhur me llaç të dobët gëlqeror, me gjatësi të përgjithshme 72 m dhe trashësi 1,50 m (Fig. 10). Një trashësi e përafërt e mureve rrethuese është konstatuar edhe në kala të tjera mesjetare të vendit tonë si në Shurdhah (1.30-2.60m )45, në Krujë (0.80-1.50 m)46 dhe Daulë të Krujës (0.75 m, 0.90 m, 1.10 m, dhe 1.80 m)47, në Stelush dhe në Gur të Bardhë të Matit (1.50-1.80 m)48, në Koxhaxhik të Dibrës(1.40-1.70 m)49etj (Fig. 10). Në anën verilindore të kalasë, ruhet një sterë uji në trajtë katërkëndëshe, me brinjë 1.80 x 2.20 m, thellësi të matshme 2.90 m dhe vëllim mbi 11.484 m3. Faqet e brendshme të saj kanë qenë të suvatuara me llaç shamot, i cili, edhe pse i shembur, ka lënë gjurmët e tij ngjyrë tulle mbi faqet e murit (Fig. 11). Në sipërfaqen e kësaj kalaje janë gjetur edhe disa fragmente enësh të periudhës mesjetare, kryesisht vorba dhe tasa, me formë dhe dekor të ngjashëm me ato të kalasë së Stelushit, të Koxhaxhikut etj, të lidhura me shek. XV m. Kr50 (Fig.12, 1-3). Kjo kala shërbente si pikë vrojtimi dhe lajmërimi me anë sinjalesh dhe si vendstrehim në rast rreziku, jo vetëm brenda mureve mbrojtëse, por edhe në grykat dhe lugjet e shumta përreth saj.

 

 

Kalaja e dytë, e përdorur kryesisht si pikë vrojtimi, është ajo e Kepit të qytetit në hyrje të Çidhnës së Poshtme, e shfrytëzuar si fortesë në periudhën e bronzit të vonë, në atë helenistike dhe atë antike të vonë (Fig. 2-3). Rrënoja muresh të kësaj periudhe nuk gjenden, por në anën veriperëndimore të saj, në fushën e Shasharit, shihen gjurmë banesash, që mendojmë se mund t’i përkasin të njëjtës periudhë historike51. Në shek. XV Çidhna e Poshtme, së bashku me Çidhnën e Epërme (sot Grykë-Nokë) dhe fshatrat Sinjë e Epërme dhe Sinjë e Poshtme, Gurrë, Arras, Shashari i Ruse, në përbërje të Kidhnës52 së famshme mesjetare, luajti një rol të rëndësishëm në epopenë skënderbejane kundër superfuqisë otomane53.

Megjithë karakterin rastësor të gjetjeve, nga kjo tablo e shkurtër evidentohet banimi thuajse pa ndërprerje i kësaj zone, duke filluar që nga eneoliti e deri në mesjetën paraotomane e atë otomane. Një vazhdimësi e tillë banimi, padyshim është favorizuar edhe nga kushtet mjaft të përshtatshme për jetesë që gëzon fusha e Çidhnës së Poshtme. Gjurmët më të hershme të jetës i takojnë eneolitit, kur vendbanimi ka qenë vendosur në fushën e Macdhovës, përballë fortesës së “Kepit të qytetit”. Në periudhën e vonë të bronzit, në mbrojtje të Çidhnës së Poshtme dhe rrugëve që e lidhnin atë me pellgun e Drinit të Zi në lindje dhe atë të Fanit në perëndim, përtej malësisë së Lurës, ndërtohet në këtë fortesë një fortifikim prehistorik i tipit Gajtan. Kjo fortesë do të rifortifikohet në periudhën helenistike, kur banimi i kësaj zone është më intensiv dhe mund të konsiderohet si porta mbrojtëse e Çidhnës së Poshtme. Gjithashtu ka të dhëna edhe për rifortifikimin e saj në periudhën e vonë antike, kur kalaja e Kepit të Qytetit ose e Çidhnës, përfshihet në listën e kalave të ndërtuara në provincën e Epirit të Ri nga Justiniani me emrin “Kithinas”, prej nga rrjedh edhe emri i sotëm i Çidhnës. Intensiteti më i madh i banimit të kësaj zone rezulton në periudhën e vonë romake (shek. III-IV m. Kr.), atë të hershme mesjetare (shek. IX-XI m. Kr), si dhe në atë paraotomane (shek. XIII-XIV m. Kr). Tiparet e kulturës së saj në këto periudha janë të njëjta me kulturën e zonave të tjera të vendit.

 

 

Të dhënat e fundit arkeologjike i përkasin fillimit të shek.XIV- XV m. Kr., periudhë kur ishin formuar dhe fuqizuar principatat feudale. Zona e Çidhnës së Poshtme përfshihej në principatën e Kastriotëve, e njohur në historinë tonë mesjetare. Kështjella e Skënderbeut ose e Çidhnës, në lartësitë perëndimore të Çidhnës së Poshtme i përket pikërisht kësaj periudhe. Disa ndërprerje të vogla, të theksuara më lart, me sa duket, janë pasojë e zhvendosjes horizontale të vendbanimit në periudha të ndryshme historike, të cilat, deri tani, nuk janë bërë të njohura nga zbulimet e rastit.

(Marrë nga revista Candavia, 3/2011, botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike, Instituti i Arkeologjisë)