Fjalë malli për studiuesin Moisi Murra, një mik i vyer dhe i paharruar


 

Në mëngjesin e datës 18 korrik 2018, një telefonatë e hershme dhe e pazakontë, na detyronte ne, shokëve të tij, të udhëtonim drejt Peshkopisë. Nga Tirana dhe Dibra, nga Ballanca dhe Kojnara, nga Maqellara dhe gjithë Fusha e Shehrit, nga Reçi dhe Dardha, nga Çidhna dhe Kastrioti, nga Muhuri dhe Luznia, nga Qafë-Murra dhe Katër Grykët, nga Sllova dhe Kalaja, nga Gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël, nga Zerqani dhe Bulqiza, nga Lura, Golloborda dhe Martaneshi, nga e gjithë Dibra. Por në se herët e tjera udhëtonim me dëshirë drejt Peshkopisë, këtë herë vinim kokëulur, me sy të skuqur e të përlotur. Shoferi i furgonit ishte nga një familje e fisme e Malësisë së Dibrës së Poshtme. Sapo mësoi arsyen e atij udhëtimi, asnjë fjalë tjetër nuk ishte më e nevojshme dhe si rrallë herë, udhëtuam pa atë pushimin e detyruar të Klosit dhe pa ato kasetofonët e bezdisur të furgonëve.
Ajo telefonatë e hershme dhe e pazakontë e Astrit Murrës, nipit të Moisi Murrës, na i preu shpresat që ende ushqenim për shërimin e një kolegu dhe miku të hershëm dhe të vyer. Njeriu që në 35 vitet e fundit ishte shquar si studiues i zellshëm dhe energjik i historisë së vendit të të parëve, njeriu që ishte identifikuar me Dibrën dhe historinë e saj, për të cilën shkroi me shumë dashuri, njeriu që njihte çdo skutë të Bibliotekës dhe çdo pëllëmbë të Dibrës në të dy anët e kufirit, njeriu që me veprën e tij kishte bërë krenar qindra e mijëra dibranë, këtë radhë, nuk mund të na priste më! Pas një sëmundje shumë të rrallë dhe po aq të shpejtë, ishte shuar Moisi Murra. Prej më shumë se 35 vjetësh, Moisi Murra është përfshirë në radhën e studiuesve serioz të Historisë së Dibrës dhe të Shqipërisë dhe është padyshim një nga përfaqësuesit më të spikatur të studiueseve të kësaj fushe. Studiues i zellshëm i historisë në të dy Dibrat, kryetar i Lidhjes së Historianëve Dibranë, autor i një numri të madh studimesh, artikujsh shkencorë e monografishë, emri i tij ishte radhitur prej kohësh ndër emrat e rëndësishëm të historiografisë shqiptare.
Prind dhe bashkëshort model, bashkë me Xharin e tij të shtrenjtë, rritën dhe edukuan dy djem të mrekullueshëm dhe të kulturuar, si ata vetë, Eridin dhe Denin. Moisi e përjetoj me dhimbje të thellë humbjen e parakohshme të shoqes së tij të shtrenjtë të jetës, dashurisë së tij të madhe, mbështetëses më të fortë në të gjithë veprën studimore të Moisit, që mjerisht “e preu në besë” shumë herët shokun e saj të jetës (07.01.2016). Dhe të gjithë ata që e kanë njohur ose jo, sapo të hapin monografinë e fundit të Moisit mbi Dibrën, do të përshëndeten me portretin e qeshur dhe të dashur të saj, dhe me kushtimin prekës të autorit, që ka qenë i bekuar nga një dashuri e tillë, e fortë dhe e pashuar.
Me ndarjen nga jeta të Moisit, në këtë ditë të hidhur e të rëndë, familja humbi njeriun e dashur, Eridi dhe Deni babain e shtrenjtë, Dilaveri dhe Fehmiu vëllanë e vyer, farefisi  njeriun e përkushtuar për të ndihmuar të gjithë, miqtë e shumtë, një mik të rrallë e shumë të vyer, kolegët, mikun e shokun e tyre të paharruar. Ikja kaq e shpejtë e Moisit është një humbje e madhe edhe për studimet historike në Dibër, që prisnin vepra të tjera të rëndësishme prej tij. Eridi dhe Deni, megjithatë, do të ndjehen shumë krenarë për babanë e tyre të shtrenjtë, për të gjithë kontributin e tij të çmuar për historinë dhe etno-kulturën e Dibrës.
Moisi Murra ka lënë një trashëgimi mjaft të pasur intelektuale, me mbi 2000 faqe kompjuterike. Autor i disa vëllimeve me studime si “Kreshniku i Dibrës” (me bashkëautorsi) (kushtuar gjeneralit me shajak Elez Isufi (Ndreu) (1996), monografitë kushtuar figurave të shquara patriotike të Dibrës si “Fiqiri Dine” (1997), “Cen Elezi” (1998), “Selim Rusi” (2000), “Salë Markja” (2002), “Mersim Dema” (2003), “Misim Ahmeti” (2004), “Musa Lala” (2004), “Aqif Lleshi” (2005), “Bilal Çela” (2006), “Një emër në univers” (2008) etj. Gjithashtu, një kontribut të çmuar përbën edhe  guida turistike mbi Peshkopinë “Peshkopia-guidë turistike” (2010). Por vepra jetësore më e rëndësishme e tij do të mbetet monografia e fundit “Dibra nga Antikiteti në Monarki” (Tiranë 2017). Kur në dhjetorin e shkuar, u promovua në Tiranë, kjo monografi me vëllim prej 711 faqesh, askush nuk mund ta mendonte ikjen kaq të shpejtë të autorit nga kjo botë, madje as ai vetë, që në fjalën përshëndetëse, na premtoi se së shpejti, do të dilte nga shtypi, vëllimi i dytë i kësaj vepre, i titulluar “Dibra nga monarkia në demokraci”. Por këtë herë, në të vetmen rast, ai nuk  e mbajt dot fjalën e dhënë! Megjithatë, dibranët e Tiranës, të Grykës së Vogël dhe të gjithë Dibrës, e kishin mbushur plotë sallën e madhe të Muzeut, sikur t’a dinin se kjo do të ishte edhe dalja e fundit publike e studiuesit të mirënjohur Moisi Murra!
Që nga nëntori i vitit 1982, kur u zhvillua Konferenca shkencore mbi luftën e Dibrës kundër pushtimit serb (1912-1921) e deri në dhjetorin e vitit të shkuar (2017), për 35 vjet rresht, Moisi Murra ka qenë gjithnjë pjesëmarrës aktiv ose organizator i të gjitha veprimtarive shkencore të organizuara në rajonin e Dibrës (Peshkopi, Maqellarë, Shupenzë, Bulqizë, Zerqan, Lurë, Çidhën, Kastriot, Sllovë etj) dhe veçanërisht në qytetin e Dibrës së Madhe.
Ardhja e demokracisë dhe shembja e perdes së hekurt që ndante vëllezërit e një gjaku dhe të një gjuhe, me të njëjtën traditë etno-kulturore dhe historike (1992), i jep krahë dhe frymëzim punës së zellshme e pasionante të Moisi Murrës. Vetëm një vit më vonë, në qytetin e Dibrës, do të mbahej i pari Simpozium ndërkombëtar mbi etno-kulturën e Dibrës (21-23 nëntor 1993), ku Moisi Murra do të ishte në grupin nismëtar dhe organizator dhe do të kontribuonte si rrallë kush. Për tre ditë me radhë, studiues nga të dy Dibrat, nga Tirana dhe Shkupi, si dhe studiues dibranë nga Evropa dhe Amerika, mbajtën kumtesat e tyre me kontribute befasuese. Materialet e këtij simpoziumi me nivel mjaft të mirë shkencor, tashmë janë botuar në dy vëllimet “Dibra dhe etno-kultura e saj” (Dibër 1995), ku Moisi Murra ka një kontribut të veçantë si redaktor dhe anëtarë i bordit editorial. Por, për të ardhur deri tek realizimi i tij, është dashur shumë punë në terren, kryesisht në pjesën lindore të Dibrës, deri atëherë “mollë e ndaluar” për ne të anës perëndimore të saj. Të mbështetur fuqishëm nga vëllezërit tanë të qytetit të Dibrës, në mënyrë të veçantë nga Jakup Markja, Fisnik Cami, Qeram Lleshi, Nuri Kaleci, Atli Dema, Sazan Papraniku, Bashkim Mashkulli, Dashamir Markja, Afrim Mashkulli etj. dhe të ndjerët Moisi Lutfiu e Munir Fida. Në këtë periudhë bashkë me Moisi Murrën dhe të paharruarin Hazis Ndreu, kemi vizituar kalanë e Koxhaxhikut (qytetin e Sfetigradit), kështjellën e Modricës dhe më vonë atë të Skudrinës etj., që ruajnë dëshmi të çmuara arkeologjiko-historike të trashëgimisë antike ilire si dhe të periudhës mesjetare, veçmas të luftrave çlirimtare të Skënderbeut etj.
Moisi Murra ka kontribuar drejtpërdrejt në organizimin e të gjitha eventeve shkencore dhe historiko-kulturore, kushtuar përvjetorëve të ngjarjeve të rëndësishme historike të Rilindjes shqiptare, ku qyteti i Dibrës ishte shquar mbi shumë të tjerë. Mjafton të përmendim veprimtaritë shkencore dhe akademitë përkujtimore mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878), Kuvendin e Dibrës (1899), Kongresin e Manastirit (1908), Kongresin e Dibrës (1909), Kryengritjen e Shtatorit (1913), Kuvendi i Arrasit (1920), Betejën e Lan-Lurës dhe çlirimin e Dibrës (1920) etj. Po kështu ai ka dhënë një kontribut të çmuar edhe në veprimtaritë kushtuar figurave patriotike dibrane si, Josif Bageri, Seit Najdeni, Hoxhë Muglica, Salë Markja, Selim Rusi, Haxhi Vehbi Dibra, Dom Nikollë Kaçorri, Elez Isufi (Ndreu). Kontributi i tij është gjithashtu shumë i vyer në plotësimin e dosjeve të luftëtarëve të periudhave të ndryshme historike, në hartimin  kalendarit historik të Dibrës etj. Vitet 1993-2013 kanë qenë të mbushura me veprimtari të tilla, të zhvilluara si në qytetin e Dibrës ashtu edhe në atë të Peshkopisë.
Kontributi i tij shkencor mbi historinë e Dibrës, është mirëfilli i përfaqësuar veçanërisht në monografinë e tij të fundit. Monografia “Dibra nga Antikiteti në Monarki”(Tiranë 2017), është fryt i një pune të gjatë e sistematike rreth 30 vjeçare, në terren, në arkiva, në biblioteka dhe në kabinet. Është sistemuar dhe klasifikuar një material i pasur dhe i larmishëm historik, me shtrirje kohore shumë të gjerë, i cili i serviret i gatshëm në tavolinë e të nxënit çdo studiuesi të Historisë së Dibrës në veçanti dhe të Shqipërisë në përgjithësi. Mund të thuhet pa frikë teprimi se ajo është vepra studimore më e rëndësishme e autorit, dhe si e tillë mund të quhet lirisht si vepra e jetës së tij. Me një dashuri të madhe për Dibrën dhe historinë e saj, me një përkushtim të rrallë dhe skrupulozitet të veçantë, Moisi Murra ka arritur të paraqesë në mënyrë sintetike historinë e Dibrës përgjatë një periudhe shumë të gjatë kohore, mbi 2000 vjeçare, vepër që tashmë është në duar të çdo dibrani, kudo ku ai jeton, në Shqipëri, FYROM apo SHBA.
Me rastin e promovimit të saj, jemi shprehur se me këtë monografi, autori ka shënuar disa arritje të rëndësishme për historinë e Dibrës. Ai ka meritën se e ka trajtuar Dibrën si një etnitet gjeo-hapsinor dhe etno-kulturor, pavarësisht ndarjes dhe masakrimit të saj territorial nga Konferenca e Londrës e vitit 1913. Ai ka realizuar një porosi të moçme të çdo brezi që i zhvilloi luftrat e shumta për mbrojtjen e Dibrës. Me një gjetje interesante dhe të besueshme, ai na përcjell thirrjen heroike të atyre që i bënë këto luftra mbrojtëse, të brezit të gjyshërve tanë, mbi nevojën për të shkruar, për t’i hedhur në letër dhe për t’i dëshmuar brezave më të rinj heroizmin masiv dibran në mbrojtje të Dibrës dhe jo vetëm. Nevoja për të shkruar dhe rishkruar historinë tonë me objektivitet shkencor, është një kërkesë jo vetëm e nevojshme por edhe e domosdoshme. Me këtë monografi, Dibra ka tashmë një memuar historik, të shkruar me dashuri dhe përkushtim, që i kushtohet historisë së vjetër dhe të re të Dibrës, me të cilën dibranët ndjehen më të plotësuar. Monografia përveç vlerave historike e kulturore ka edhe vlera të shumta patriotike e atdhetare, për edukimin e brezave të rinj, me vlerat më të mira të të parëve tanë, që më shumë se çdo gjë e deshën vendin dhe atdheun e tyre. Falë punës studimore të studiuesve dibranë, përfshirë edhe kontributin e spikatur të Moisi Murrës, në Historinë zyrtare të Shqipërisë, kohët e fundit janë korrigjuar disa pasaktësira lidhur me historinë e Dibrës. Njohës i shkëlqyer i terrenit, autori ka sjellë argumente të reja të pathëna më parë në mbrojtje të hipotezave të ngritura prej tij, siç është p.sh hipoteza mbi lokalizimin e Albanopolisit në Jabllanicë, hipoteza mbi lokalizimin e fushës së Torviollit në fushën e Kastriotit dhe të Volezës, ato mbi lokalizimin e disa vendbetejave të Skënderbeut në Dibër etj. Autori ka sjellë dëshmi të shumta arkivore dhe dokumentare, mbi pjesëmarrjen e dibranëve në luftrat mbrojtëse jo vetëm në Dibër, por në të gjitha krahinat e Shqipërisë natyrale. Kudo të shkosh në hapësirën e Shqipërisë etnike (Kalis, Kolosjan, Prizren, Zhurr, Dibër, Shkodër, Lezhë, Manastir, Ohër, Shkup, Karadak, Kotor, Nish), do të gjeshë varre dibranësh të rënë në luftrat mbrojtëse, madje edhe jashtë kësaj hapësire (Follorinë, Selanik, Bullgari). Monografia plotësohet edhe me fotografitë e 42 dibranëve të shquar, duke filluar nga rilindasit Seit Najdeni, Josif Bageri, Haxhi Vehbi Dibra e Dom Nikollë Kaçorri, drejtuesit dhe luftëtarët dibranë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, si Haxhi Lleshi, Ismail Strazimiri, Faik Shehu, Gjok Doçi, Dali Ndreu etj, shkrimtarët përparimtarë Haki Stërmilli dhe Haki Sharofi deri tek studiuesit Vahid Kurmaku, Munir Shehu, Lutfi Turkeshi dhe Hazis Ndreu etj.  Monografia është e pajisur me një aparat të pasur shkencor, me dokumente të shumta arkivore dhe literaturë të gjerë e të plotë, të pasqyruar në 1625 fussnota. Monografia është pajisur me aparat të pasur ilustrativ, fotografi, faksmile dokumentesh, skica, planimetri dhe portrete të dëshmorëve dhe heronjëve të luftrave çlirimtare.
Me informacionin e pasur dhe të larmishëm historik që sjell, me analizën dhe sintezën për ngjarje të rëndësishme historike, “Dibra nga Antikiteti në Monarki”, është një monografi që plotëson një boshllëk të ndjeshëm një njohjen më të mirë e më të plotë të historisë së ndritur të Dibrës.
Do të ishte në nderin dhe dinjitetin e Bashkisë së Peshkopisë, si dhe të miqve të autorit, përgatitja për botim dhe botimi i veprës së lënë në dorëshkrim “Dibra nga Monarkia në Demokraci”, si një homazh mirënjohjeje për studiuesin Moisi Murra.

Jakup Markja, Adem Bunguri, Ulvi Shehu, Fisnik Cami, Atli Dema, Qeram Lleshi, Ibrahim Kolari, Sazan Papraniku, Nuri Koleci, Bashkim Mashkulli, Mersim Markja, Dashamir Markja, Bashkim Lleshi, Zabit Lleshi, Gafur Zoto, Adrian Skuka, Iliaz Kaca, Luan Kaba, Skënder Cala, Bujar Karoshi, Hysen Uka, Halil Rama, Teki Kurti, Fasli Mera.