Michele Mëziu, muhrraku në origjinë, talenti në shkëlqim
Nga Gjon Fierza


 

Në historinë e saj Dibra ka shumë personalitet që kanë bërë emër brenda dhe jashtë Shqipërisë, në çdo fushë të jetës dhe një shtrirje të gjatë kohore. Vazhdon të rritet ky numër nga dita në ditë, kudo ku jetojnë e punojnë dibranet në çdo skaj të botës dhe pasardhësit e tyre duan të kenë një emër të zëshëm dhe të dallohen për vlerat që mbartin. Nuk është e mundur, as qëllimi i shkrimit të mund të listoj disa syresh. E shoh me vend veçoj një rast konkret më një shembull të një muhurraku larg  Fushë-Muhurrit. Me të krenohet jo vetëm familja dhe të afërmit e tij, por dhe Dibra. Ai është në moshë të re, sapo mbaroi gjimnazin me rezultate shkëlqyshëm. Tani është në kërkim të shkollimit të lartë. Talenti dhe cilësitë e spikatura të Micheles janë vërejtur që në vite të para të shkollës për të vazhduar në gjimnaz. Ai është ndjekur dhe vazhdon të ndiqet nga specialistët e mësuesisë dhe të shkencave inxhinierike në procesin e shkollimit të diferencuar, pikërisht duke vlerësuar prirjet dhe përkushtimin e tij për dije dhe sukses.
Michele (Selman e Mimoza) Mëziu është djali që veçohet si ndër nxënësit më të shkëlqyer që kanë përfunduar gjimnazin në Firence, Itali, në qershor të këtij viti (2018) dhe që tashme po përzgjedh degën dhe  universitetin për më tej.
Michele Mëziu ka lindur në Firence në tetor 1999, është fëmija i parë i çiftit Mëziu me dy motra Alessia dhe Sara, që duket se po e ndjekin atë në çdo hap. Mimoza dhe Selman Mëziu kanë emigruar në Firence që në vitin 1995. Mimoza bënë punë të ndryshme dhe së shumti ndjek shkollimin e fëmijëve. Selmani si specialist gjelbërimi, punon në një ndër kompanitë me emër në Firence, duke realizuar projekte jo vetëm në Itali, por dhe në Francë, Spanjë, etj.
Michele Mëziu, nuk u bë i njohur vetëm në këtë vit, ai të gjitha vitet e shkollimit të tij i ka me vlerësimin maksimal, shkëlqyeshëm, duke qenë një nxënës aktiv dhe në shumë veprimtari të tjera jashtë mësimit. Në provimet e këtij viti, ai nuk ka dhënë thjeshtë provime para një komisioni shtetëror, por ai ka ligjëruar për më shumë se një orë e gjysmë lëndë të veçanta, tashmë përpara një auditori me pjesëmarrës të zgjedhur që kishin ardhur të dëgjonin talentin shqiptar Michele Mëziu. Ai ka lexuar dhe vazhdon të lexojë shumë: libra artistik, historik dhe ne këto vitet e fundit dhe filozofik,  është marre me art dramatik, etj. Ai është pjesëmarrës në disa olimpida dhe konkurse të ndryshme në shkencat e matematikës, fizikës, astronomisë, italishtes, etj., në Toskanë dhe në shkallë kombëtare-Itali dhe jo vetëm. Nga shumëçka që ai ka bërë dhe kërkon të bëhet, një rrugë e trasuar prej tij është, matematika, fizika dhe shkencat kompjuterike, këtu ai është absolut, ku mund të konsiderohet një talent i vërtetë. Mësues të veçantë të tij qe nga shkolla fillore dhe në atë të mesëm vazhdojnë ta ndjekin, ta orientojnë në rrugën e tij të dijes. Micheli, përveç se shqipes dhe italishtes, si gjuhë të nënës dhe të vendlindjes, zotëron shkëlqyeshëm anglishten dhe gjermanishten. Tek bisedon me Michelin dhe të mund të përmbledhësh në esencë zanafillën e këtyre që ai ka arritur dhe është në proces, mund të themi se: nëna e tij Mimoza, e shkolluar për mësuese matematike, por e pamundur ta ushtrojë këtë profesion në emigracion, duket se tërë atë pasion dhe çfarë ajo ka dashur tu jepte nxënësve të sajë ta transmetonte tek fëmijët e sajë, së pari te Micheli dhe vajzat: Mësoni të bëheni të ditur për të jetuar më mirë, por, edhe për të qenë të respektuar në shoqërinë civile italiane dhe me gjerë, ju thotë Moza fëmijëve të saj.
Selman Meziu, i shkolluar për inxhinier pyjesh, i njohur jo vetëm profesionist i shkëlqyer në pyje, duke pasur një veprimtari të lavdërueshme në rreth 13-15 vite në Shqipëri,  por sot, ndonëse jashtë vendlindjes, ka pasionin e pylltarit dhe i vendosur të ruaj vlerat natyrore dhe mjedisin shqiptar. Ai është një njeri që kërkon ndryshimin, është botues i disa librave me shumë vlerë informuese dhe ndërgjegjësuese dhe i qindra artikujve në shtyp për pyjet dhe mjedisin shqiptar. Kjo veprimtari e Selmanit ka ndikuar fuqishëm tek Micheli, me shembullin vetjak. Micheli ka parë tek i ati, si ai pas ditës së punës së lodhshme; së pari si arriti të mësojë të punojë në kompjuter, si ai shpesh gjithë natën e kalonte duke shkruar, ka parë dhe lexuar librat e tij, duket se këto i kanë shërbyer  për ti ngulitur vullnetin për shkollimin, për të arritur sa më lartë, të plotësojë ato aspirata që Selmani nuk i arriti në rininë e tij, apo dhe në vendlindjen e tij. Janë netë pa gjumë të Michelit, jo vetëm gjatë sezonit të provimeve, por dhe këto ditë, ku ai po aplikon në disa universitete me të njohura në Angli, Itali, Zvicër, etj. Ai po njihet me programet e tyre, vendos komunikim dhe kudo deri tani është mirëpritur interesi i tij për aplikim.
Michele Meziu e do vendlindjen e prindërve, ai çdo vit deri tani pushimet verore i kalonte në Dibër dhe Tiranë, atje i pëlqente të njihej me sa më shumë njerëz; me jetën, doket dhe zakonet e dibranëve. Ai, ndonëse ka lindur në Itali, gjithnjë e prezanton veten si dibran, ndërsa në Shqipëri ai të thotë se jam nga Fushë-Muhurri, në breg të Drinit të Zi. Tek bisedon me të dhe sa ndjek situatën në Shqipëri, ai të thotë se ajo çfarë dëshiroj të realizohet sa më parë është Rruga e Arbrit. Kjo do na bëjë që Dibrën të mund ta vizitojmë me shpesh dhe ajo të bëhet më e zhvilluar dhe më afër me botën.
Tek përmbyll këto radhë për Michele Mëziun, për talentin që padyshim do spikasë me arritjet e tij, na mbetet ti urojme “shëndet dhe suksese për më tej”. Ndoshta disa vite me pas ky shkrim do të ketë thënë shumë pak nga sa Michele Mëziu ëndërron dhe do të bëhet. Ai nuk do jetë dhe vetëm një njeri i suksesshëm, por një njeri me shumë vlera.

KOMENTI JUAJ