Dibra e Madhe pret Kampionët


 

Nga Defrim Methasani

Tashmë e shtuna e 8 shtatorit po afron dhe vëmendja e opinionit sportiv mbarëshqiptar është në Dibër të Madhe, qytetin shqiptar të Maqedonisë, që do të pres kampionët e boksit. Vëllezërit Keta, në vitin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, kanë vendosur që të organizojnë pikërisht në këtë trevë të rëndësishme historike, këtë manifestim sportiv, që kalon kufijtë lokal dhe kombëtar, por diskutohet titulli kampion bote. Gjetan Keta, kampioni i Europës në boks, do të ndeshet përballë serbit të Bosnjës, Janjanin mbrëmjen e së shtunës, duke e quajtur këtë përballje një duel në themel. Trajneri, njëherësh promotori i këtij eventi, Ismail Keta, ish kampion bote ne kikboks, ka pohuar se përzgjedhja e Dibrës, është respekt për vëllezërit tanë dibranë përtej kufijve fizikë të Shqipërisë, në shenjë mirënjohje në vitin e Skenderbeut, meqë heroi ynë kombëtar, pas kthimit në atdhe, aty zhvilloi edhe një nga betejat e para.
Kjo mbrëmje, do të ketë brenda edhe ndeshje të tjera, ku më i spikatur, është ai mes Ferit Ketës, kampion Europe dhe turkut Karakus, një boksier me shumë përvojë dhe rezultate të larta. Gjithashtu përveç publikut të zjarrtë, do të performojnë mjaftë artistë të shquar, si: Aurela Gaçe, Kastriot Tusha, Greta Koçi dhe Stine.
Mbrëmja nis në orën 19 dhe mendohet të zgjasë deri në orën 23.00, ku i fundit në ring ngjitet Gjetan Keta, ose “Tajsoni i bardhë” siç quhet nga mediat gjermane. Dueli i tij ngjall interes, pasi edhe kundërshtari është mjaft i fortë, pasi kujtoj që ka 28 ndeshje, prej të cilave vetëm 3 humbje, ndërsa Gjetan Keta, ka 26 ndeshje me 22 fitore, prej të cilave 18 me nokaut dhe 4 humbje.
Kjo është një natë historike, sepse përveç sportit, bënë një promovim të shkëlqyer të Dibrës së Madhe që është lënë në hije deri më tani, duke e zgjuar emrin e saj në shumë media kombëtare dhe ndërkombëtare.
Në ring, do të ngjiten edhe emra të tjerë kampionësh të shkollës “Keta” dhe jo vetëm, si Mikel Alliu, Roxhers Muslia, Bernard Marashi, Kristi Caca e të tjerë.
E gjitha kjo veprimtari me përmasa botërore, do të transmetohet nga RTSH dhe Super Sport. Kampionët tanë janë nisur drejt Bulqizës, ku do të zhvillojnë ditët e fundit përgatitore, në malet e Bulqizës dhe Dibrës, për të marrë më shumë energji dhe forcë që të jenë sa më në formë mbrëmjen e së shtunës.
Biletat janë në treg në: Tiranë, Bulqizë, Shupenzë, Maqellarë, Peshkopi dhe Dibër. Shpresojmë që ashtu si deri më sot, vëllezërit Keta dhe veçmas Gjetani, të na bëjë krenarë, me një titull kampion bote, që për një shqiptar, është titulli i parë në historinë e boksit shqiptar.