Shën Mëria në Lurë, një festë si askund tjetër


Nga Erion Kristo

Lura ju pret!

Mes mrekullisë së 7 liqeneve dhe monumenteve të natyrës, mes pyjeve e luleve të rralla si askund tjetër, Lura është vendi ku në çdo troje e gur ku shkel, ka një histori për të treguar.
Dhe ne sot, do t’ju tregojmë një histori që nisi në këtë fundgushti, me festën e Shën Mërisë në Lurë.
Ajo lidhet me traditën e vjetër të lurasve për të festuar ditën e shenjtë katolike, një organizim i përbashkët me myslimanët që nuk mund ta hasësh as në shtetet më liberale për lirinë e besimit.
Madje, në Kishën e rindërtuar të Shën Mërisë në Lurë, edhe kujdestari i saj është një mysliman.
Harmonia fetare në Lurë është mbase vlera më unike e këtyre banorëve, që nën një çati shtëpie kanë banuar dy vëllezër me besime të ndryshme dhe gatimi bëhej veçmas në enë për myslimanët.
Ndaj, në respekt të këtyre traditave, në Kishën e Shën Mërisë mbërriti edhe Dom Gjergj Meta, së bashku me disa motra katolike, që mbajtën një meshë me këtë rast.
Por festa më e madhe u bë jashtë saj, në qendër të Lurës.
Një emocion i jashtëzakonshëm për banorët, pasi pas 3 dekadash thuajse edhe në heshtje ekzistence, Lura “u pushtua” nga identiteti i vërtetë.
Këngë e valle autentike, vargje për Lurën, identifikimi dhe nderimi i figurave historike si heronjtë e vrarë gjatë luftrave apo përkujtimi i të madhit Dom Nikollë Kaçorri, nënkryetar i Qeverisë së Parë Shqiptare, ishin vetëm disa nga aktivitetet që i dhanë jehonë këtij vendi të harruar në 30 vjet.
Lura ka dhënë heronj në luftë, por edhe mend.
Shumë beteja janë fituar në sajë të meçurisë Lurjane dhe ajo më e famshmja që njerëzit e kujtojnë për legjendë, por qenë fakt është e vërtetë; është“Historia e 300 duvakëve”, ku pashai u kërkoi 300 nuse të bukura dibranëve dhe ata nën këshillimin e pleqve të Lurës u dhanë 300 djem të veshur me duvakë, ku nën to fshehën shpatat dhe e shpartalluan ushtrinë turke.
Lura ju pret më shumë se kurrë!
Dhe, kjo histori e re e promovimit të vlerave lurjane, vetëm sa ka filluar, falë themelimit të UNIONIT LURA, nga një grup intelektualësh të zonës, që kanë marrë vetë në dorë të ardhmen e saj.
Unioni Lura, përveç organizimit të festimeve çoi në Lurë surprizën e shumëpritur: Themelimin e Ansamblit Lura.
Gjithashtu, Unioni shpalli një vendim të rëndësishëm për rikthimin e traditës së ruajtjes së pyllit me bazë komunitare, vendim, i cili gjeti një mbështetje të madhe tek të gjithë.
Kush nuk ka parë Lurën, nuk ka parë Shqipërinë, ka thënë dikur i madhi Gjergj Fishta.
Dhe UNIONI LURA po bën gjithçka tashmë që Shqipëria të shihet përmes syve të Lurës.

Mbresa nga udhëtimi im në Lurë, në Gusht 2018
Më merr në telefon Hekuran Vladi, miku im. Se ç’më thotë ca gjëra, që më kapën të papërgatitur. Kalojnë ca ditë dhe e mblodha mendjen. Do niseshim për Lurë.
U nisëm herët. Makina plot me njerëz dhe gjëra. Fuoristradë e lartë. Vetëm ajo mund të kalonte. Rruga shume e gjate dhe e keqe. Më e keqe sesa rruga e Lurës, që zgjati dy orë, ishte rruga Perlat – Rrëshen. Kishte gropa të papritura, që t’a shkatërronin makinën. Çudi, kjo rruge s’e ka njohur rilindjen, po ndoshta në mandatin e tretë.
Më në fund mbërritëm në Krej Lurë. Aty bëmë fotot e para me delet. Unë dola me një dash. Se jam dhe shenjë e dashit. Apo ishte cjap? Humor. U bëmë Bagëti e bujqësia ne qytetësit. Ishte ndjenjë e bukur.
Shkuam në Hotel. Lura shtrihej poshtë shumë e bukur. Pothuaj dhjetë fshatra. Historitë nuk mbaronin. Ky vend i vogël, i fshehur mes malesh, kishte prodhuar shumë histori. Gjate viteve demokratike ishin prerë pishat dhe ahet afro 100 metra të lartë. Por ndërkohë natyra po bënte të vetën. Bota bimore po përtërihej. Aty ka një florë jashtëzakonisht të pasur.
Thënia ime nr. 1: Zoti paska hedhur shumë natyrë këtu. Ju mund ta ndihmoni punën e Tij. Ky është një vend energjik.
Shkuam te Bujtina e Llesh Doçit. Aty hëngrëm kos me boronica dhe mjaltë prej vërteti. Skënder Doçi, elektricist, nga Lura, që jetonte në Lezhë, më tregoi një pafundësi historish dhe humoresh, që janë pjesë e jetës dhe duhen bërë pjesë e turizmit. Por, ai më ktheu besimin te fjala. Njerëzit e Lurës nuk jane shquar si punëtorë, por si gojëtarë.
Thënia ime nr. 2: Lurianët kanë pasur mend për vete dhe për të tjerët.
Ata kishin patur pleqësi. Dhe pleqtë e tyre shkonin për të zgjidhur çështje dhe tjetërkund, sepse ishin shumë të zgjuar.
Skënderi me ndriçoi edhe për bashkëjetesën fetare. Në një shtëpi jetonte muslimani dhe katoliku. Pasuri tjetër e Lurës.
Thënia ime nr. 3: Lurianët nuk i ka përdorur feja, por ata e kane përdorur fenë.
Darkë e madhe, ku kishte dhe plot gra e vajza të Ansamblit Lura, që rilindi nga Unioni Lura. Këngë trimërie dhe dashurie. Çuditërisht më pëlqyen shumë. Më vunë në krye të tryezës. Dolli pa fund…si në Vlorë.
Gjumë. Ajër i pastër.
Të nesërmen festa e Shën Mërisë. Dt. 26. Lurianët e festonin më vonë. Në komunizëm festohej festa e Lurës, që në fakt ishte festë fetare. Po, kjo ishte zgjuarsia.
Mbajta fjalim para qindra lurianëve. I ngrita në ajër, atje ku e meritonin.
Thënia ime nr. 4: Pasuria më e madhe e Lurës jeni ju dhe familjet tuaja.
Se ju e dini si jam unë. Lura më dhuroi dashuri pa fund. Respekt pa fund.
Në drekën zyrtare, ku kishte dhe gra, prapë u ngritën mirësi për mua. Prapë fjalim.
Aty thashë thënien nr. 5: Ta bëjmë Lurën Disneyland, parajsën e fëmijëve.
U kthyem. Natë. Tmerr rruga. Mbërritëm shëndoshë e mirë.
Thënia nr. 6: Duhet kërkuar jeta e bukur.
Këtu mbaroi aventura luriane, me pengun që nuk i pashe liqenet. Por duhet një shtysë për të shkuar prapë. Falë Unionit Lura dhe miqve, do kemi raste përsëri.