Masakra e Çidhnës (1466)


Pozicionimi i forcave osmane

 

 
Foto 4 Forcat osmane perballe Kalase dhe Shehut te Thate
Foto 5. Kepi i Xhitetit, porta hyrese per ne Çidhen

 
Në historinë e veprimeve luftarake që orditë osmane kanë kryer në teritorin shqiptar, ajo në Çidhën, e gushtit 1466, përbën pasqyrën më të qartë të barbarive të kryer mbi njerëzit në të gjithë Ballkanin. Studiues të shumtë i janë qasur kësaj ngjarjeje dhe përmasat e saj sot janë bërë objekt diskutimesh shkencore. Njëri prej tyre do të shënonte: “Njihen masakra mbi ushtarë të dorëzuar, mbi burra të thirrur në kuvende dhe të masakruar po aty, të krerëve të thirrur në gosti e të helmuar po aty. Por masakër mbi gra, fëmijë dhe pleq të pafajshëm, me njerëz të paarmatosur…, njihet vetëm ajo e Çidhnës”(1) Sot, njoftimet për veprimet çnjerzore të kryer nga osmanët mbi shqiptarët, janë të shumëta dhe vijnë nga dy drejtime. Duke u nisur nga burimi nga vijnë njoftimet, ndahen në dy kategori:-njoftime që vijnë nga pala e dëmtuar dhe njoftime që vijnë nga ana e armikut (omanët). Ajo që i dallon këto dy lloje burimesh është qëndrimi personal i shkruesve. Te grupi i parë është shumë evident (Barleti, Muzaka, Biemi etj.) përshkrimi i ngjarjeve me një ndjenjë të thellë dhimbjeje në zemër për shqiptarët të cilët sa e sa herë ishin vënë në zgrip të mbijetesës. Ndryshe qëndron puna kur lexon shënimet e qatipëve osmaë. Ata i kanë përshkruar masakrat e kryera në popullsinë e pambrojtur çidhnake (e më gjërë) me nota të thella ngazëllyese deri në kënaqësi(!). Duke mbetur te Çidhna, po sjellim në vëmendje se masakra e kryer më 1466 mbi këtë popullsi ishte e dyta në radhë, pasi sipas Tit Liv-it në vitin 169 (para krishtit) Perseu shkatërroi qytetin e Oenes-ë, i cili mendohet se ka qënë në Çidhën.

Pozicionimi i forcave osmane

Tani le t’i kthehemi asaj të 1466. Që në fillim duhet thënë se kjo trevë, vazhdimisht, që nga 1443, ishte në vëmendjen e sulltanatit. Kjo tregohet edhe nga shënimet e njërit nga kronikanëve osmanë , Kristobulos. Ai shënon se situata në Dibër të Poshtëme asnjëherë nuk kish qënë e qetë, ndaj dhe “Perandori Murat, babai i perandorit Mehmet, i kish sulmuar disa herë këto zona; ai iu vërsul qafave, shkatërroi një pjesë të mirë të vendit të tyre, i la ushtarët të plaçkisnin dhe pushtoi disa kështjella, ku bëri plaçkë të madhe. Mirëpo nuk ishte në gjendje t’i nënshtronte ato përfundimisht…”(2) Pra siç kuptohet, situata para masakrës, në Dibër të Poshtëme, si kudo në Mbretërinë e Kastriotëve, ishte vërtetë “shqetësuese”. Situatës së trazuar politike i shtohej edhe gjendja e rëndë ekonomike e fshatarëve si dhe kërdia që po bënte murtaja në popullsi. Dibranët ishin të ndërgjegjshëm se fakti që ata ishin vendorigjina e familjes së Gjergj Kastriotit, i ekspozonte ata para furisë së ekspeditave osmane. (Dhe kjo do të vërtetohej në kohë: 19 beteja u zhvilluan në këto teritore.)
Në planin e mbrojtjes, strategjik, Dibra, megjithë përpjekjet e Gjergj Kastriotit, nuk i kishte mundësitë reale në përballje frontale me ushtritë osmane, ndaj dhe shfrytëzonte aleatin e vetëm-teritorin. Pikërisht për këtë arsye, në fortifikatën natyrore të Çidhnës, me të marrë vesh ardhjen e ordive osmane, mijëra dibranë mblidheshin, strehoheshin atje. Kështu ndodhi edhe në verë të vitit 1466. Sulltan Mehmet Fatihu në qërshor të këtij viti kish rrethuar Krujën. Menjëherë, sapo morën këtë lajm, mijëra dibranë , fëmijë, gra e pleqë, i drejtohen Çidhnës për të qënë më të sigurtë. Sipas njoftimeve që vijnë nga Barleti e Biemi, mësojmë se Gjergj Kastrioti, për të siguruar këto njerzë kish lënë një forcë të armatosur, numri i së cilës shkonte deri në 6 mijë veta. Kuptohet se këto nuk ishin pjesa e shëndosh e ushtrisë së tij, por duhet të kenë qënë njerzë të moshuar por që mund të kryenin edhe mbrojtjen e zonës. Për të krijuar ide më të qartë mbi mënyrën e vendosjes së gjithë atyre banorëve në atë vendstrehim natyror, po vemë në dukje se pozicioni gjeografik i Çidhnës, e lejonte një gjë të tillë. Shumica e banorëve ishin vendosur në vendndenjejet e pafundme të Shehut të Thatë dhe në shpellat e shumëta që ndodhen këtu. Një pjesë tjetër, ajo që ishte e aftë për punë , ishte e vendosur në shtëpitë e fshatit dhe në Xhitet i cili ndodhej aty ku sot quhet Fusha e Sale. Gjithë këta njerzë jetonin me prodhimet bujqësore të arëve të fshatit si dhe me qumështin që merrnin nga tufat e panumërta të dhive të cilat gjatë gjithë vitit jetonin në Trojë, në kreshtat e Shehut të Thatë. Pjesa tjetër që përbënin forcat e armatosura ishin të ndarë në dy grupe ku njëri ishte i stacionuar te Kepi i Xhitetit dhe duhej të mbronte portën hyrëse në fshat. Grupi (apo batalioni) tjetër i luftëtarëve, ishte i vendosur në Kalanë e Qafë Kalasë (kjo kala ndodhet vetëm 150 ml mbi vendin e quajtur Trojë. (Edhe sot është e gjallë kjo udhe dhe ky shteg). Vetë çidhnakët që u duhej të lëviznin jashtë fshatit, përdornin një portë (shteg) të fshehtë i cili ndodhej rreth 500 ml mbi Kep të Xhitetit. Nëpër këtë shteg të cilin pak kush e dinte, kalonte udha malore që lidhte Shasharin (e Ruse) me Varrin e Jovanit. Pikërisht këtu do të zhvillohej ajo që ka hyrë në histori si Masakra e Çidhnës. Për këtë masakër, kronisti Tursun shkruan: “Aq shumë plaçkë që fletë e që nuk fletë grabitëm…(3) d.m.th është grabitur gjithshka, përfshi “plaçkën që flet” (nënkupto: gra e vajza të reja si dhe djemtë të cilët do t’i shisnin si skllevër). Sipas të njëjtit kronist në tregun e skllevërve “…vajzat e djemtë vlenin 3-4 mijë akçe…”(4) d.m.th, sipas një përllogaritjeje, fitimi nga shitja e një njeriu, ishte rreth 1000 dollarë. Kjo ishte njëra mënyrë që motivonte lukuninë e ushtarëve osmanë në plaçkitje. Pikërisht për këtë arsye, vëren O.Shmid , gjithë trevat shqiptare çdo pranverë “dridheshin nga frika e ardhjes se ordive osmane”(5). Pas vdekjes së Sulltan Muratit, asgjë nuk ndryshoi për shqiptarët. Sulltan Mehmet Fatihu rrethoi Krujën. Pas dështimit para mureve të kështjellës, ai kthehet në Elbasan, kontrollon punimet për ndërtimin e kalasë së Elbasanit dhe aty i lind në mendje e kthehet të ndëshkojë njerëzit dhe të afërmit e Skendërbeut. Sulltan Mehmeti sipas kronistëve, shfrytëzoi luginat, udhët e shkurtëra nëpër male, marshoi me shpejtësi për të mbërritur afër Çidhnës.
Nuk është e vështirë të konstatosh tmerrin që kanë përjetuar të shkretët banorë çidhnakë të pambrojtur. Themi të pambrojtur, pasi askuj nuk i shkonte në mend se Sulltan Mehmeti, kinse po largohej pas dështimit para Krujës, devijoi udhën dhe erdhi në Çidhën. Ndërsa Barleti është më i qartë, kur na tregon situatën dhe zhvillimin e ngjarjeve në këtë krahinë: “…Mehmeti II dështoi, megjithatë, nga disfata e tij nxori mësime që do të kishin pasoja të rënda për Arbërinë. Gjatë marshimit të kthimit që vijoi, la një pjesë të ushtrisë në luginën e Drinit të Zi, pranë Çidhnës, vendbanimit të vjetër të Kastriotëve, një tradhëtar u tregoi osmanëve një zonë të veçuar, pasuesve të tij, për t’i strehuar në vend të sigurtë që nuk doli i tillë. Ky vendfshehjeje u kthye në grackë. Osmanët bënë këtu një kasaphane të tmerrshme, si shpagim për dështimin e fushatës së tyre. Shumë nga njerëzit më të afërt të Skënderbeut, duket u vranë në këtë masakër, ose humbën, gratë, fëmijët, të afërmit e tyre…”(6)

Në fshatin Kastriot të Njësisë Administrative Kastriot, filloi puna për ngritjen e memorialit që i kushtohet Familjes së Kastriotit. Ky memorial është mbështetur nga Këshilli i Qarkut Dibër, në kuadrin e “Vitit të Skënderbeut”.

Në një njoftim tjetër po nga Kristobulos dëshmohet me kënaqësi(!), se si fshatra të tërë u dogjën me flakë e tym . Ja se si ky kronist bizantin, e përshkruan më gjërë e gjatë dinamikën e kësaj ngjarjeje: “Mehmeti II dërgoi trupa me karro në çdo luginë dhe përpjetë në çdo kullotë e bjeshkë, duke vrarë njerëz dhe bagëti, ose duke i rrëmbyer ato… Në fillim marshuan shpatarët, pastaj shigjetarët dhe bakstrarët, si dhe gjuajtësit me hobe. Qetë – qetë e hap pas hapi, vinte pas tyre këmbësoria që shtynte prapa kryengritësit, gjersa i asgjësonte në luftime, kështu u mor majë pas maje e kështu u dogjën me flakë e me tym, edhe skutat më të fundit. Asnjëherë më parë nuk kishin përdorur osmanët një taktikë të tillë luftarake. Asnjëherë më pas nuk do t’ua vinin më osmanët malësorve këmbën mbi zverk si atëherë. Muhameti II e kish arritur fitoren, me një luftë totale. Regjstrat tatimor osmanë dëshmojnë për suksesin e kësaj taktike, që në Mat e në Dibër shkatoi një katastrofë të vërtetë demografike.”(7)
Përmasat e shkatërrimeve të bëra nga ushtria turke tregohen edhe në disa shënime tjera të kronikanëve tjerë osmanë. Ja si shkruan njëri prej tyre:“…Bërthama e vendeve të Skënderbeut u shkretua tërësisht, fshatrat u bënë shkrumb e hi, pjesë të mëdha të popullatës u shuan. Të shumtë ishin njerëzit që vetëvriteshin për të mos rënë në duart e osmanëve.”(8) Ndërsa një tjetër na sjell informacione që kanë të bëjnë edhe me katastrofën humanitare që përgatiti Sulltani:“…Ushtria Osmane e kishte përpirë e zhveshur krejt Arbërinë, drithin e kishin korrur ende të blertë, kishte ngrënë deri edhe gjethet e pemëve; gjer lart në Shkodër s’kishte më shpresa për të korra…”(9) Një tjetër kronist shënon:“… Fati i Arbërisë së rrënuar shkaktoi në Perëndim dhe në Lindje, pikëllim dhe tronditje edhe habi të thellë. Kronistët e kohës regjistrojnë e dëshmojnë gjendjen e mjeruar të vendit e megjithatë ajo nuk ishte nënshtruar ende.”(10)
Ordia turke, përbëhej nga njerëz të pangopur e plaçkitës, të cilët mezi prisnin t’ju jepej komanda për plaçkë dhe dinin vetë se ç’të bënin… pas tyre mbetej vetëm shkretëtira. “…Armiku përshkoi fushat dhe malet … sa që në një qark prej 4 miljesh…nuk rri më në këmbë asnjë shtëpi, nuk jeton më asnjë njeri.”(11)
Mendojmë se lëvizja e forcave osmane drejt Çidhnës ka ndjekur këtë rrugë: Nisja nga Elbasani, ka shfrytëzuar grykëdaljet për në Dibër a Mat dhe pastaj nga Bulqiza mendojmë se ka lëvizë për në Katër Grykët. Këtu një pjesë e ushtrisë ka lëvizë pranë Kalasë së Stelushit, luginës dhe ka dalë në Pllajë mbi Sinë. Ky formacion do të shkatërronte Kalanë e Skënderbeut në Qafë Kala . Pjesa tjetër e ushtrisë ka zbritur poshtë nëpër luginën e Murrës, në Muhurr dhe aty një pjesë e saj ka marshuar për në Sinë nga ku Xhitetin e Çidhnës e kish si në pëllëmbë të dorës. Pjesa më e madhe në numër e ushtrisë ka marshuar nëpër Zbinec dhe është stacionuar tek Ferra e Pashës (Fushë Alie). Kjo pjesë e ushtrisë do të shkatërronte fortifikimin në Kep të Xhitetit dhe më pas të Xhitetit në Çidhën. Sipas Barletit, por edhe sipas gojëdhënave që ende tregohen në gjithë trevën e Çidhnës, një banor i shitur, u tregoi turqëve shtegun e fshehtë nëpër të cilin mijëra jeniçerë depërtuan deri afër vendndenjës së çidhnakëve. Sulmi nga të gjithë drejtimet ka filluar në të njëjtën ditë. Nga Pllaju, mbi Sinë në dy sheshpushime ishin vendosë bateritë e topave të dardhës të cilët hidhnin papushim gjyle mbi muret e kalasë së Skënderbeut.
Forcat turke të vendosuara në Sinë, lëvizin drejt vendit të quajtur Devar (foto nr 2). Nga aty janë hedhë gjyle mbi banorët e vendosur në Sheh të Thatë. Pjesa më e madhe e ushtrisë që vinte nga Ferra e Pashës u nda në dy pjesë: një batalion do të sulmonte rojet në Kep të Xhitetit, ndersa pjesa tjetër, më e madhe në numër, nëpërmjet shtegut të fshehtë, hyjnë në brendësi të Çidhnës dhe atje kasaphana do të ishte e llahtarshme. Numri i banorve të masakruar sipas Barletit është 8 mijë ndërsa Biemi shënon: “…30 mijë burra, gra fëmijë e pleqë e midis tyre edhe 8 mijë luftëtarë.”(12) Mendojmë se numri 8-12-30 mijë është i diskutueshëm por mjafton që edhe 5 mijë veta që ajo masakër të jetë e pashoqe në Ballkan. Imagjinoni se sa fshatra u shkretuan, mijëra shtëpi mbetën bosh. Luftëtarët çidhnakë e të zonave përreth kur u kthyen gjetën mijëra copëra trupash e gjymtyrësh të shqyer nga egërsirat. Goditja ishte shumë e rëndë dhe veprimet ishin gjakatare e shnjerzore. Në defterin e 1467, fshatrat e Çidhnës dhe zonave tjera përreth, dalin me një numër të kufizuar banorësh.
Mjaftojnë këto fragmente për të pasqyruar terrorin e ushtruar mbi banorët çidhnakë në ato vite. Është e kuptueshme se askund tjetër forcat osmane nuk janë treguar më mizore se sa në “vizitat” që i kanë bërë kësaj krahine dhe kjo, për faktin e thjeshtë se këtu banonin të afërmit e trimit Skënderbe. Pikërisht në këtë kohë luftrash të tmerrshme e shkatërruese, në Çidhën lindi dhe u këndua kënga e Fushë – Banit: Hej, n’at Fush Ban po thrret ni za,/ Hej, gjith’ çidhnakët hoxhum kan ba. Hej, n’Kep Xhitet po vikatka zani,/ Hej mbidhi burra, o ke Fushë-Bani!/ Hej, prej Qenoku po vjen ushtria,/ Hej, me djeg k’solla, ene shpia./ N’thikë jan vu grat’ e f’mia./ Mazun bahet Kep Xhiteti,/ Na përvëloi sulltan Mehmeti./ Greu popull fukara,/ Mçefni cull’ e mçefni gratë!/ E t’i çojmë n’Shehe t’Thatë./ Kërcet topi shpat e m’shpat,/ Përcjell Seta ujë e gjak./ ….
Që nga ajo ditë, e më pas, sipas gojëdhënave, të mbijetuarit e masakrës, çdo të diel shkonin tek ishin varrosur të vrarët, uleshin mbi një ledh dhe, sipas traditës, bënin vaj kolektiv. Zëri e kuja e përbashkët oshëtinte kodrave e përcillej shpat më shpat, duke i bërë malet të dridheshin nga dhimbja. Për shkak të vajit të përsëritur, ky vend u thirr që atëhere “Lugu i Vajit”. Aty ngjitas me “Varret e të Vrarëve” ndodhet edhe një toponim tjetër, “Varret e Cullve”. Aq kishin pasë mundësi të bënin çidhnakët në atë kohë të turbullt: të hapnin dy gropa: në njërën u futën fëmijët dhe në tjetrën të mëdhenjtë. Njëra gropë u quajt Varri i të Vrarëve dhe tjetra Varri i Cullëve. Që të dy këto toponime lidhen me Masakrën e Çidhnës, e jo vetëm toponimet e përmendura por në çdo pëllëmbë toke në këtë periferi gjenden pafund kocka njerzish.
Katastrofa demografike në mënyrën më të qartë shprehet në regjistrat osmanë të 1467(13). Nga një vështrim i thjeshtë vetëm në Dibër të Poshtëme nga 59 fshatra, pas Masakrës, 45 prej tyre kanë nga 2-10 shtëpi. Sipas një përllogaritjeje: 45 fshatra me nga 5 shtëpi mesatarisht bëjnë 225 shtëpi X 7 banorë për çdo shtëpi, baraz me një popullsi prej 1500 banorësh. Krahasoni këtë numër frymësh me ato që u ndodhën të grumbulluar në Çidhën (10 mijë). Pra në këtë kasaphanë humbën jetën mbi 8 mijë banorë. Duke ndjekur shënimet e bëra, 116 vjet më pas, në Defterin e 1583 numri i banorve në të njëjtët fshatra të Dibrës së Poshtëme, është 10 fishuar. Pra Dibrës iu deshtë më shumë se një shekull të ripërtërihet nga Masakra e zhvilluar në Çidhën.
Pas kësaj masakre të tmerrshme, dhe sidomos pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, filloi ikja masive e banorëve , shumica drejt bregdetit të Shqipërisë dhe më pas drejt Pulias. Ja se si e përshkruan O.Shmid këtë fakt: “…krejt Arbëria po arratiset drejt Puljes me gjithë familje e katandi…”(14)
Kjo situatë e krijuar në një farë mënyre jep përgjigje edhe pyetjes se pse në regjistrimet e mëvonëshme, humbet patronimi “Kastrioti”. Kështu shkurt Masakra e Çidhnës, megjithë humbjet e shumëta njerzore, e vendosi këtë Krahinë në qendër të vëmendjes të opinionit historiko-shkencor, duke e bërë të lehtë pranimin e e origjinës dibranë të familjes së Kastriotit.

Referencat:
1. Këbej, B. “Origjina dibrane e Skënderbeut” fq 54.
2. Kristobulos, te Radoniq; cituar nga “Skënderbeu” i O.Shmid fq 264.
3. Burime osmane fq 100.
4. Po aty fq 101.
5. Kristobulos…si më sipër, fq 264.
6. Barleti M. “Historia e Skenderbeut” fq 376.
7. Kristobulos …si më sipër, fq 276.
8. Po ai, po aty, fq 406.
9. Shmid O. “Skënderbeu” fq 23.
10. Po ai fq 380.
11. Sabiano S.; “Shtojca e Burime” fq 14.
12. Frashëri K. “Historia e Dibrës” fq 123
13. Grup autorësh: “Dibra në Dëfterët osmanë” fq 364.
14. Shmid O. “Skënderbeu” fq 378.