Pedagogjikja


Në ndërtesën që njihet si Pedagogjikja e Peshkopisë dhe që është edhe sot në qendër të qytetit, mësimi ka filluar në vitin 1948, si për maturën e parë, ashtu edhe për nxënësit e shkollës së Dobrovës, që u bartën në shkollën e re, ku ishte konvikti. Konviktit në shkollën pedagogjike i përkiste kati i nëndheshëm, ose bodrumi, siç i thoshim ne, ku ishte mensa, kuzhina, magazinat, rrobaqepësia dhe disa anekse të tjera përkatëse. Në katin e fundit ishin dhomat e fjetjes. Dy katet e mesit ishin me klasa. Po kjo ndarje ndryshonte se ishte e njëjta drejtori, e njëjta administratë: drejtori i shkollës ishte njëkohësisht dhe drejtor i konviktit. Krahas nxënësve që vinin për të ndjekur shkollën pedagogjike, kishte edhe nxënës konviktorë që ndiqnin shkollën shtatëvjeçare “Demir Gashi”, por që jetonin në konviktin e Pedagogjikes. Fjetja nëpër dhoma, ngrënia në mensë, veprimtaritë kulturore dhe artistike bëheshin të përbashkëta si shkollë dhe si konvikt. Kështu, si shembull, një kontingjent jo i vogël i nxënësve që ndiqnin shtatëvjeçaren, vinin nga ish – konvikti i Shupenzës, i cili në vitin mësimor 1953-1954 pushoi së ekzistuari dhe nxënësit i sollën për të jetuar në konviktin e Pedagogjikes në Peshkopi. Një prej këtyre jam edhe unë.
Shkolla pedagogjike e Peshkopisë është një shkollë me arkitekturë të përsosur, shumë e përshtatshme për një institucion arsimor, me korridore të gjera dhe plot dritë, me hyrje dhe dalje të shumta, që, edhe kur mbushej plot me nxënës, nuk krijohej rrëmujë dhe furje. Klasat ishin të mëdha dhe ndriçoheshin me nga katër dritare secila, po kështu edhe korridoret. Drita ka një rëndësi të veçantë për shkollën. Tomas Fuller thotë: “Drita, bija më e vjetër e Zotit, është bukuria hyjnore e ndërtesës”. “Të jesh arkitekt i mirë, do të thotë ta lësh dritën brenda”. “Arkitektura është vullneti i një epoke, i përkthyer në hapësirë”, – thotë Roke. Hapësira në shkollën pedagogjike është kudo e pranishme. Në Peshkopi janë ndërtuar mjaft shkolla të reja, madje edhe në vitet e fundit, me projekte të zgjedhura, por asnjë shkollë, si ndërtesë, nuk mund të krahasohet me shkollën pedagogjike të asaj kohe. Vendi ku ishte ngritur ishte më i përshtatshmi që mund të bëhej për atë shkollë. Zakonisht shkollat ndërtohen në periferi. Për shembull, nuk mund të ketë një shkollë në sheshin “Skënderbej”, pranë ministrive e të tjera vende që mbahen si qendra të qyteteve. Por shkolla pedagogjike pikërisht aty, në qendër e kishte vendin. Nuk ishte në qendër vetëm fizikisht, por edhe metaforikisht, si vatra e dritës dhe e diturisë, e përparimit dhe e kulturës, që rrezatonte në mbarë qytetin dhe më larg. Ishte e vetmja ndërtesë që jo vetëm nuk stononte nga asnjë pikëpamje, por që lidhej me shpresën dhe dëshirat e çdo qytetari. Ja, aty, në sheshin kryesor të qytetit, me hyrje nga bulevardi i blirëve, në çdo orë të ditës shikoje dhjetëra të rinj dhe të reja, që arsimoheshin për ta përhapur dritën dhe kulturën në çdo skaj të rrethit. Qytetarët e Peshkopisë nuk e kanë kontestuar shkollën pedagogjike për vendndodhjen. Ata kanë kontestuar bustet e heronjve, të dëshmorëve që nuk i shikojnë si të përshtatshëm për vendet ku janë ngritur. Ata kishin pasur gjithnjë ëndërr dhe dëshirë të madhe arsimin, dritën dhe kulturën. Kjo ëndërr u realizua me pedagogjiken. Qytetarët e ngritën në rang pedagogjiken, duke e konsideruar si universitetin e tyre. Ne, pedagogjikasve, na quanin “studentë”, kurse mësuesve tanë u thërrisnin “profesorë”. Këtë e bënin për respekt, nga dashuria, jo nga ajo çfarë ishim, por çfarë përfaqësonim. Edhe skuadra e futbollit e shkollës sonë quhej “Studenti”. Shkurt, për ata, qytetarët, ne ishim universitarë. Vite e vite më vonë në Peshkopi u ngrit edhe Universiteti, megjithëse filial i Universitetit të Durrësit. Pushtetarë injorantë e të korruptuar e mbushën atë me pedagogë dhe drejtues pa nivel dhe brenda një kohe fare të shkurtër ky institucion i rëndësishëm arsimor degjeneroi aq shumë, sa diplomat e tij u bënë të pavlefshme. Studentë, të pesës e të gjashtës, nuk kishin asnjë aspiratë për të studiuar, mbasi ajo palo diplomë blihej shumë lirë. Me të drejtë qeveria e mbylli atë institucion arsimor.
Po le të shkojmë tek pedagogjikja e asaj kohe. Në shkollën pedagogjike të Peshkopisë kanë mbaruar shkollën shumë breza. Këtu unë po sjell vetëm maturën e parë: Zenel Sula, Skënder Sharku, Emin Jashari, Moisi Cami, Besnik Bedalli, Shefqet Hoxha, Ismail Erebara, Mefat Shehu, Avni Agolli, Milaim Peza, Shaip Halilaj, Lutfi Hanku, Ruzhdi Ndreu, Fehmi Ndreu, Ilir Ramizi, Selaudin Trepça, Hamit Bjaraktari, Tahir Domi, Zija Shehu.
Kurse vajzat e para të shkollës pedagogjike të Peshkopisë ishin: Naxhije Sahitaj, Lavdie Plaushi, Fanie Hoxha, Selvie Lusha, Bukurie Lleshi, Sanie Berisha, Teuta Kurmaku, Kumrie Lahu, Bukurie Loka, Sanie Zeneli, Tefta Cami, Emine Skënderi. Emrat janë vënë në bazë të një fotografie dhe, për këtë arsye, mund të kemi harruar ndonjë.
Në shkollën pedagogjike kanë ardhur nxënës nga të gjithë fshatrat e rrethit të Dibrës dhe nga rrethe të tjera të Shqipërisë, si: Tropojë, Mat, Lumë etj. U mblodhën dhe u gërshetuan kulturat, dialektet dhe nëndialektet, veshjet e grave dhe të burrave, psikologjitë, mënyra e jetesës, doket, zakonet e të tjera e të tjera. Veçoritë e krahinave nga vinin nxënësit përbënin larmi, diversitet nga pikëpamja etnokulturore dhe këto janë burime pasurimi. Shkolla pedagogjike, për vetë qëllimin që kishte, do të bëhej përbashkuese, unifikuese, duke përpunuar dhe kanalizuar energjitë në mënyrë krijuese, në përputhje me direktivat e sistemit tonë arsimor dhe të sistemit edukativ në procesin e mbijetesës dhe të formimit të një kolektivi të madh. Përparimi dhe unifikimi do të vinin ngadalë, por jo me qëllim rrafshimi të individualiteteve, diversiteteve, bjerrjes së vlerave fillestare, jo duke i kthyer të gjithë në një “emërues të përbashkët”, por duke bërë integrime të buta të karakterit kulturor që ka si përparësi ruajtjen e personalitetit dhe të dinjitetit të secilit. Energjitë e secilit prej nesh mund të çliroheshin pikërisht përmes individualitetit të secilit dhe jo prej humbjes së tij. Vajzat dhe djemtë e pedagogjikes do të vinim duke u civilizuar dhe kulturuar, duke u përshtatur dhe integruar, por pa u tjetërsuar, pa humbur anën burimore të formimit fillestar. Kjo ishte më delikate për vajzat e reja, që, duke u ndodhur në një mjedis të ri, në emër të ndryshimit dhe të përvetësimit të një kulture të re, të një mënyre të re jetese, mund të mbuloheshin me një lëmyshk artificial kulture dhe jo me kulturë të vërtetë. Luftohej shumë aso kohe për emancipimin e femrës. Femra nuk mund të fitonte pushtet dhe autoritet me anë të konferencave të thata dhe banale ku thuheshin të njëjtat fjalë, nuk mund të fitonte asgjë nga puna rutinore dhe formale e kryesisë së gruas; femra mund të bënte ndryshime nga kahja pozitive duke u arsimuar, duke u bërë mjeke, mësuese, inxhiniere, shkurt, duke shkuar drejt një pavarësie relative dhe integruese. Vajzat e para që guxuan të vinin në shkollë, të jetonin në konvikt, të merrnin pjesë në mbrëmjet e vallëzimit, të mësonin të kërcenin me burra, të merrnin pjesë në grupet artistike, në veprimtaritë sportive, shkurt të bënin atë që nuk e kishin bërë kurrë, patjetër do të ndesheshin edhe me një opinion frenues. Opinioni përgjithësisht është negativ. “Opinioni është një qen që leh për diçka , të tjerët lehin me të”, thotë një fjalë e urtë kineze. Kurse Rixha shprehet kështu për opinionin: “Opinioni publik është një tiran vulgar, arrogant, anonim që në mënyrë të vendosur e bën jetën të pakënaqshme për cilindo që nuk është i kënaqur me të qenit mesatar”.
Vajzat që në fillim erdhën me kostumet tradicionale të krahinave të tyre, u veshën si qytetare. Ky, natyrisht, ishte një hap përpara, por ishte e dëmshme që kostumi popullor të flakej tutje si i padobishëm, i turpshëm. Përkundrazi, ato kostume duheshin ruajtur, që, për raste festash dhe ditësh të tjera, vajzat e reja dhe të bukura t’i vishnin që të mos humbej ajo larmia dhe bukuria që sollën në fillim. Veshja ka të bëjë shumë për njeriun. Sidomos për vajzat e reja.
* Shkëputur nga libri “PEDAGOGJIKJA DHE YJET E SAJ” i autorit Xhafer Martini