Marrëzitë e kohës sonë


Në vlagën e jetës futem me dëshirë, për të ndjerë freskinë e saj, për të zbuluar atë në të gjitha kapilarët e saj. Edhe pse takova mjaft miq, shokë koleg etj., rastësisht apo me vendosje oraresh takimesh, gjeta tek secili njeri i thjeshtë, gazetar, intelektual, fshatar, grimca ngjarjesh që mbushin kapilarët e jetës tonë edhe pse dëgjojmë, ndjejmë, shohim e lexojmë marrëzi djajsh përqark.

Turizmi i zemëruarnë Hinosk
Mora frymë lirshëm. Sytë livadhisnin në paanësi. Gjelbërimi i barërave me plotë lule dhe aromë përzier me copëra shkëmbinjsh të murrmë, sikur ndizte shpirtin. Paksa poshtë majës së Hinoskës (2062 m.) në rresht si një kurorë e shkujdesur gjurmë qendrash zjarri. Të shkatrrueme barbarisht. Shufrat e hekurit iu ngjanin dhëmbëve të një kafshe të ngordhur prej vitesh. Coprat e betonit të coptuaeme, dukeshin aty këtu ose kishin zbritur tëposhtë. Kushedi se ku ishin ndalur.
Unë e lash dibran Hysen Uka të fliste. Ai u bë më serioz në fytyrë dhe më tha: “Po pse të prishen ato atje. Sepse mund të shërbenin si bujtina për turistët. Netët e pranverës e të verës në ato lartësi janë të shëndetshme. Po edhe nga fshati i Rabdishtit mund t’iu sillnin dhe me ngranë ose me tregtu prodhime e gatime fshati. Duke u thelluar më tej, sikur të bëje mbi ato edhe një pistë të thjeshtë biçikletash…”
“Kush i shkatërroi vallë?”, – ndërhyra unë, – mirë se në bregdetin e Rushkullit në Durrës e dimë se i fundosën dallgët e tërbuara të detit, po në maje të Hinoskës?
Ideja e Hysenit ishte origjinale. Se si çdo ndërtim, çdo burim natyrorë, mund t’i shërbej njeriut të malësive, familjeve, turizmit. Të dyve na ngriu në buzë mendimi: Pse vallë akoma duhet të shkatrrojmë?

Qeveria apo viçat e hutuar?
Kush mund ta besoi një marrëzi të tillë? Askush! Po pse kaq e pa përfytyrueshme është kjo? Viçat po na bëhen pa dashur lopë e mëzetër. Sepse nuk mund të theren në Dibrën e poshtme dhe Mat se leja e therjes na u marrka në një zyre veterinerësh në Lezhë. Pra, fshatari i brengosur. Fshatari halleshumë. Fshatari i bërë qull nga djersa. Fshatari me fytyrën të nxirë nga dielli përvëlues. Fshatari me brengën e vuajtjeve në thellësi të shpirtit. Fshatari që fëmijët shpesh i çon të flenë pa darkuar. E se i vetmi burim leku është shitja e viçave, lopëve etj. Por ja që pa një sorollatje të kushtueshme e të lodhshme nuk mundet.
Përball tyre shpirt brengosur e zemër mjerueme qëndrojnë. qeveritarët e dhjamosur. Qeveritaret kokë bosha. Qeveritaret indiferentë. Qeveritaret që i shohin hallet e popullit nga piramidat kufitare të skamjes e bollëkut të shfrenuar. Qeveritarët e hardallosur. Ato dhe vetëm ato nuk e shërojnë popullin, por, i shtojnë vuajtjet. Kush paska para të udhëtoi dyqind kilometra e të marre një leje të firmosur e vulosur për të ther një viç?
Oh marrëzi e djajëve të kohës! Oh, kajmekanë të rinj! Oh tru shkulurit qeveritar, ktheni kokën nga populli përherë! Nuk thotë kot urtia e tij që “barkëngopuri nuk pyet për barkboshin”.

Skllevërit nën tortura
I mblodhi në një kand të udhës. Pluhuri ishte më se një pëllambë. Vapa e korrikut digjte si prush. Ishin të rinj, ose njomëzak, nuk kishin vënë brisk në faqe. Kur pas një gjysëm ore pritje u dëgjuan zërat: Ja erdhi, ky është fugoni që do të udhëtojmë. Vërtet sakaq doli një mjekrosh dhe me një zë inatçor thirri: Shpejt, shpejt, ngjituni!
Rrinin në kam, si fishekët në vesme. Filluam të djersitemi. Një erë e rënde, hundë shpuese u ndje. Nuk kishte dritare furgoni. Sigurisht, edhe ato mallra ishin. Por të gjallë, që mezi merrnin frymë. Në dysheme dukesh ndonjë rreze drite.
Unë i thashë nanës, babait dhe motrës, mos u mërzitni. Do ta provoj dhe unë fatin. Kaluan orë të tëra. Pastaj, për një çast u ndalëm. Ishte natë. Një pyll i dendur, ku u futëm të pushojmë e kryejmë nevojën.
Iknim nga vendi ynë se s’ka punë. Politikanët janë kthyer në shushunja. Paga është e ulët. Taksat po rriten çdo ditë. Familja u ndodh në vështirësi të madhe. Por, jo vetëm unë por me mijëra. Shikoni të rinjtë fytyrë skuqur e sy frymën. Hipëm në furgon, te dera na vunë një mushama të zezë. Në mes derës dhe asaj dëgjonim fëshfërimën e kashtës së grurit që për dhjetë minuta nuk pushoi. Njëri nga skllevërit tha: “Vihet kjo, që po e hapi policia, i thonë: Ja, more vëlla, kemi kashtë gruri!
Njëri nga të rinjtë tha se tani jemi në doganën franceze, hyrja në ngushticën e Lamanshit. Këtu varet fati ynë. Sapo u ndal mikrobuzi, askush nuk merrte frymë. Nuk kuptonim as edhe një fjalë. Veçse po hap dera e lamanshit jemi khyer në Anglez.
Por, një zhurmë e madhe dhe sakaq u hoq plasmasi. Një dritë elektrike sa nuk na qërroi sytë, ku ishim kthyer në lakuriq nate. Prej tre ditësh e netësh udhëtonim në errësirë. Të djersitur. Të uritur. Fytyrë zvedhur. Sytë mezi i hapnim. Drita e zakonshme na detyronte t’i mbyllnim. Një erë pështirë kundërmonte.
Me shpejtësi mbyllën dyert e furgonit. Dhe të shoqëruar nga dy makina policie para e mbrapa po ktheheshim drejt varrit tonë të hapur. Po, kështu na ishte bërë atdheu ynë, Shqiperia.

Të lutem blije, të lutem…
Në dy anët e rrugës të kësaj bregorja, një peizazh i trishtueshëm. Shkëmbinj gri e të zi, thepa-thepa me pak barëra të thara e ndonjë dëllinj me kokrra të rrudhosura. Poshtë shtrihej një luginë me disa arëza kuadrate apo drejtkëndeshe të çrregullta. Mezi dukeshin disa shtëpi përdhese. Një fshat pothuajse i braktisur, i zymtë i pajetë. Disa me çatia të prishura pjesërisht, apo mure gjysmë të shqyeme. Aty këtu dukeshin kurora të ndonjë peme frutore me gjethe në vyshkje e sipër.
Ndërsa maknia bëri një kthesë, anash saj një djalë me një tuf çaji mali në dore duke thirrur: Blijeni çajin ju lutem, blijeni që të blejë edhe unë një copë bukë! Këlthitja vinte e dallgëzuar. E trupëzuar prej dhimbjes. Ai po na ndiqte. Ndalëm makinën. Nuk mund të kapërcehesh kjo xhenaze. Nuk mund të gjendet njeri që të mos ndaloi para lutjeve e dy pika lotëve të dhimbsur që iu rrokullisën fytyrës së skuqur, njomështake të vocërrakut nga Planbardha.
Flokët të shkurtër ngjyrë gështenjë, me një ballë të rrafshët, vetulla të zeza të pluhurosura, me dy sy të mbytur nga lot vuajtjesh. Piskama të vinte sertshëm e dhimshurueshëm nga skutat e shpirtit. Vështrova pantallonat, në të dy gjunjët ku dukshin gjurmë të njollosura nga balta e ngjitur si dyll qershie. Këpucët prej llastiku ku njërës i ishte shqitur një fletë e shollës e kur vraponte me duart zgjatur drejt nesh, ajo hapesh e mbyllesh duke ngritur pluhurin e zi të asfaltit të masakruem.
Nuk kisha rrugë tjetër zgjidhje, hapa portofolin dhe i dhashë pesëqind lekë të reja. Ndërkohë vocërraku zgjati dorën dhe e mori dhe me tjetrën më afroi tek fytyra tufën e çaji, ku ndjeva aromën e saj të kandshme. Ndërkohë ai futi dorën në xhep dhe nxori disa monedha: Merrni kusurin ju lutem. – Më erdhi një zë i trupëzuar në mes thatinës së shpirtit dhe buzëve të thara që mezi u hapën për të shqiptuar fjalët.
– Nuk është nevoja për kusurin, tu bëfshin gjak e dhjam, – i thash duke i shtyrë dorën me monedhat e atë që mbante çajin. Vocërraku mjeran me një buzëqeshje të çiltër e sytë të shkëndjuar u nis drejt turrës me tufa çaji anës rrugës.
Makina mori vrull duke bëre një zhurmë gërvishtëse nga asfalti i gropëzuem. Përpara mu hap zgafella e një tuneli që kishte shëmtuar peisazhin e hapur një gojë të shkyeme sikur do të më përpinte mua me makinë, familjen e vocërrakun.

Telat me gjëmba
Uji është burim i pazëvendësueshëm jete gjallesash. Lumi lag shtratin e vet, bleron brigjet anash e mundëson të rriten bimë, kafshë e shpend. Por kujdes, kur egërsohet, përlan e merr me vete gjithçka. Mjafton një pengese natyrore apo e ndërtuar nga njeriu dhe ai humb drejtimin. Përplaset në tokën e butë dhe e han me oreks lubish. E vërtet ndodh që zhduk sipërfaqe të tana.
Dikur ishte një brryl rrase që devijonte rrjedhjen e tij. E uji kur vinte më furi në vjeshtat me shi të vrullshëm, gllabëronte tokën. I mbillnin, verri, shenje plepa anash shtratit. Rrënjët e tyre e mbronin tokën se ato e shtrëngonin fort, nuk e lëshonin për qamet, njëkohësisht edhe ushqeheshin e rrisnin shtatin. Por ja që i zoti i kësaj toke që i rrëmbehej, mori një llokum dinamiti, kapsolle dhe ia vuni brrylit. Plasi. Një pjesë u shkërmoq. Një natë tjetër u nis drejt saj për të kryer të njëjtin veprim. Por kësaj radhe gjeti të zotin e brrylit dhe të shpatit të ulur mbi rras. U afrua duke bërë llafe të këqija, me sharje, kërcënime. Por, u shua sherri dhe azgjë me tej. Ai u largua.
Tani, më të rinjt e tokës që e përpiu lumi ujëshumtë si një lubi, morën një tel me gjëmba e vunë në mes të udhëkalimit. Pra e thanun ashikqare, këtu nuk do të kaloni. As fëmijët në shkollë, as për të bluar e as të banin pazarin. Por, tjetrit që banonte në anën tjetër, pra te brryli, udha i duhej. Prandaj mori telin dhe e hoqi. Shamata nuk ngjau. Ca ulurima, bërtitje, kërcënime. Ajo u shua fatmirësisht. Psikologji plangëprishëse. Apo sherrgji të lindur. Por toka e zhdukur, frika e forcës gllabëruese të egërsisë së lumit, kishin mbjellur frikë në krahun e majt. Prandaj ato zgjodhen padinë në gjykatë. Të presim përgjigjen.

Kërkesë mëkëmbësit të bashkisë
Skavatori i ishte afruar shkamit të kuq. Por aty ishte ndalur duke gulçuar një zhurmë shurdhuese. Poshtë saj nëpër shkëmbenj, madhësi ndryshëm, gurgullonte ujët e Murrës. I riu nuk e dinte se çfarë fshihej këtu nën masivin shkëmbor i mbuluar me dhe e gjur.
Kishte ardhur koha që faktet të dilnin në shesh. Se këto do t’iu shëbenin sadopak familjeve që jetonin përreth. Prandaj i prezantova me kujdes mëkëmbësit të bashkisë idetë e mia.
Që hemoragjia e bashkëfshatarëve tonë të filloi të ndalohet na duhet punë. Jo vetëm të prodhojmë grurë, misër, jonxhë por edhe të njohim peizazhet historike. Këto do të afrojnë pranë nesh turistët. Do t’iu mësojmë fëmijëve se kush kemi qenë në udhëtimin e tejzgjatur të shekujve. Kjo, sepse një e dy dhe rinia e ka syrin e mendjen jashtë. Pa ditur se si mund të jetohet këtu buzë brigjeve piktoreske të Murrës e Drinit. Kjo ishte pjesa e parë e bisedës me atë.
Kodra e Shëne Diellit ishte e zhveshur. Ajo ngrihej si një trung koni i prerë në kryqëzimin e dy lumenjve. Por, e zhveshur pjesërisht. Këtu duhen njëqind metra tub dhe të ujitet nëpërmjet një bilbili. Mbi të gjitha tre muajt e verës. E më pas bimësia do të jeshiloi kodrën e shejtë. Një obelisk i vogël me shenjën e diellit, do ta zbukuronte e kthente atë në simbolin e flamurit të krahinës.
Në krahun jugperëndimor një kodër tjetër e veshur. E këtu kanë patur banuar njerëzit e neolitit, në mbi katër mijë vjet më parë banues në kasolle me gardhe e baltë. Këtë e vërteton çekiçi prej guri. Gjetur në vitin 1972.
Në drejtimin perëndimor një rrafshnaltë e mbuluar me fier e rrethuar me një kurorëgjelbërimi të përbërë nga dushqe. Po pikërisht aty kanë jetuar dinastia e mazrekasve. Gjithçka e mbuluar me pluhurin e harresës e shtresëzimet e dherave dhe të kohërave. E neve duhet ti zgjojmë.
Ai skavatori që punon për të mbushur makinat me gur për ndërtime duhet të bëjë dy gërvishtje rrëzë këtij masivi shkëmbi. Dhe do të dalë grykëhyrja e një shpelle me histori të lashte dhe bukuri mahnitëse me qindra stalaktide me nga dy metra gjatësi. Quhet shpella Zgjorgj.
Këtu e mbylla unë bisedën: “Janë margaritarët historiko – gjeografike që me shkëlqimin e tyre ushqejnë të sotmen dhe të ardhmen”.
Ideja e një komisioni kontrollues.
Ishte zvarritur mjaft hapja e asaj rruge. Siç thuhet, “veshët na ishin zgjatur sa të magjerit”. Emri i saj e fillesa kishin rrënjë të thella. Ndërsa politikanët luanin me fatin e saj e të disa krahinave me tradita bujqësore, ndërtimore, luftarake.
Shpresa ishte venitur. Njerëzit ishin të revoltuar. Por vjen një dite dhe u dha urdhëri i rifillimit. Fshatra të tanë ishin rrudhosur. Disa ishin zhdukur krejtësisht. Vetëm gjurmë shtëpish gjysmë të shembura dukeshin. Por, thuhesh se kjo arterie ishte jetë- dhënse. Njerëzia mund ti kthehej rritjes së domates, grurit, shumimit të deleve, prodhimit të bulmetrave. Shteti e politika ishin kalbëzuar nga brenda. Shkëlqimi ishte i rremë. Edhe atë pjesë rruge të bërë, e kanë bërë gjithë kthesa të panevojshme. Pra, si një gjarpër.
Ishin këto, që gazetari të cilin unë takova një mëngjez ku piva kafenë më propozoi: pse të mos krijojmë një komision me specialistë, profesorë kemi, e të kontrollojmë ecurinë e cilësinë e punimeve. Qe më vonë të mos qahemi e ankohemi. Kjo është t’i dalësh të keqes përpara”.
U përtypa pak dhe shpreha mendimin tim. Ashtu është, njeriu duhet t’a shërojë vetë vetëveten, duke e mbajtur pastërtinë, duke u sjellë me kulturë e edukatë me njerëzit. Pra, për të kontrolluar veprimet e të folmen. U ndamë duke u përqafuar e dhënë të drejtë njëri-tjetrit. Më shumë rëndësi ka konkretizimi, mendova unë në ecje e sipër.

Historiani i obeliskëve
Trupëshkurtër, me ballin pak të ngritur, me dy sy të zesë që lëviznin gjallnueshëm. I squet sa mban mend shumë, punëtor i qanun, se lexon e shkruan libra. Në një takim, pasi kishte shpëtuar nga një aksident, ai nisi bisedën:
“I shkova në zyrë një ditë kryetarit të bashkisë dhe i thashë për ca fonde për të ngritur disa obelisqe. U përpoqa t’i shpjegoja arsyet. Vendngjarjet ishin të shumta të lyera me gjak, me shpirtin patriotik, me atdhedashurinë. Unë përpiqesha t’i ndaja sipas peshës e forcës së ngjarjeve.
Pasi i shënoi mendimet e mia, më përcolli me plotë buzëqeshje. Prita muaj, por as një përgjigje. Ndërsa mua nuk me flihej. Desha që të realizoi qëllimin tim. Për hir të popullit fshatit krahinës që më lindi. E prandaj i shkova përsëri në zyre. Por kësaj radhe nuk me futi brenda por më tha: Nuk kam asnjë qindarkë, shumë familje nuk kanë bukë thatë, t’iu japim fëmijëve.
E kuptova, ai kishte ndryshuar mendje. U largova me kokë ulur. Nuk vonoi, veçse disa ditë më pas më thirri në zyrë kryetari i prefekturës. Kam gjetur ca fonde, përdori aty ku keni menduar. E lexova letrën e grupit të punës, mund të filloni nga puna. I shtrëngova dorën miqësisht sikur të m’i kishte falur mua.
U ndërtuan obelisqe në formë tre ose katër bedena kalash. Projektuesi dhe ustallarët punuan me kujdese mjeshtërisht. Edhe unë ndiqja punimet nga afër. Pastaj do të vendosnim edhe pllakat me shkrimin përkushtimor. Diçka e re me fytyre heroizmi e tregues historie.
Shpresoi në të ardhmen se do të ngrihen, ndërtohen apo skaliten të reja pllaka e obelisqe. U gëzova se diçka materializova nga ato libra që kisha shkruar.

* * *
Bashkëbisedova me njerëz real, jo shëmbëlltyra të asaj bote që quhet e përtejme. Nuk u vura emra se ato mund t’i takojmë në malësinë e Tropojës, në Dropullin e Gjirokastrës, në Kolonjë e Kaçinar të Mirditës, në Koplik të Shkodrës, apo Shpat të Elbasanit e Dardh të Korçës, kudo nëpër atdheun që përpëlitet për të gjetur pak dritë si udhë shpëtimi për t’iu larguar terrorit psikologjik të djajve të kohës.